
Marrëveshja varet nga institucionet paralele në Kosovën veriore.
Nga Linda Karadaku dhe Biljana Pekushiç për Southeast European Times në Prishtinë dhe Beograd — 23/01/13
Marrëveshja do t’a bënte Kosovën një zonë të vetme doganore. [AFP]
Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme mbi pagesën e tarifave doganore në pjesën veriore të vendit, por veçoritë janë ende të mjegullta, sipas analistëve.
Kethrinë Eshton, përfaqësuese e lartë e BE-së për punët e jashtme, e cila u takua me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç, tha se patën një “diskutim të gjatë dhe të dobishëm.”
“Duke ndërtuar marrëveshjen mbi administrimin e integruar të kufirit … të dy kryeministrat arritën në mirëkuptimin e përkohshëm mbi mbledhjen e detyrimeve doganore, pagesave dhe TVSH-së,” tha Eshton.
Thaçi tha se marrëveshja do të mbështetet mbi ligjet e Kosovës dhe se vendi do të jetë një zonë doganore, në vend të gjendjes së tanishme ku serbët në Kosovën e veriut nuk paguajnë tarifa doganore.
Marrëveshja, pjesë e bisedimeve në vazhdim mes Beogradit e Prishtinës, është një gur i rëndësishëm ngjitje në çështjen më të kundërshtuar të institucioneve paralele serbe në Kosovën e veriut.
Duke trajtuar çështjet e pavendosura nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, Serbia po shpreson të zbusë rrugën e saj të pranimit në bashkim ndërsa Kosova po kërkon autonomi dhe njohje ndërkombëtare.
“Do të zhvillojmë një fond për veriun … Sigurisht, pagesat doganore do të paguhen sipas standarteve të përcaktuara nga kushtetuta dhe ligjet e Kosovës,” u tha Thaçi gazetarëve pas takimit.
“Ramë dakort se paratë nga doganat do të shkojnë në një fond të posatçëm të formuar nën kujdesin e BE-së, që do të përdoret për zhvillimin e komunave në Kosovën e veriut,” tha Daçiçi sipas B-92 me qendër në Beograd.
“Kjo është një zgjidhje e përkohshme e disa hollësi teknike janë ende për t’u përpunuar, por marrëveshja është në përputhje me interesat kombëtare dhe pikëpamjen e serbëve të Kosovës, që nuk duan t’u paguajnë taksa doganore institucioneve të Prishtinës,” shtoi Daçiçi.
Por Belul Beqaj, një profesor në Universitetin e Prishtinës tha se ka interpretime të ndryshme të asaj që doli nga takimi.
“Thaçi thotë se ligjet e Kosovës do të zbatohen e Daçiçi thotë se do të krijohet një fond i posatçëm në të cilin doganat e taksat do të paguhen në një bankë të posatçme tregtare që do të përcaktohet nga BE dhe se po flitet për një status të posatçëm të serbëve,” tha Beqaj përSETimes.
“Nuk kemi prova të pranueshme për të parë … marrëveshjen reale,” shtoi Beqaj.
Mentor Vrajolli, i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, e sheh TVSH si një çështje ekonomike.
“Eshtë gjerësisht e njohur se buxheti i Kosovës varet shumë nga të ardhurat doganore,” tha Vrajolli përSETimes.
Thaçi e Daçiçi gjithashtu diskutuan institucionet paralele në veri që janë financuar e mbështetur nga Serbia.
Daçiçi tha se zgjidhja është të formohen institucione të reja në Kosovën e veriut që do të ishin të pranueshme për Prishtinën dhe serbët e Kosovës.
Vrajolli tha se çdo marrëveshje e arritur mbi institucionet paralele ka nevojë t’i transformojë ato në institucione ligjore të Kosovës.
“Me të vërtetë një nga përparësitë më të mëdha për qeverinë e Kosovës duhet të jetë transformimi i këtyre ‘strukturave paralele’ në të ligjshme. Megjithatë duket se kjo nuk do të ndodhë së shpejti,” tha Vrajolli përSETimes.
Gerard Galluçi, një ish-përfaqësues rajonal i OKB-së në Mitrovicë, tha se çështja me të vërtetë e vështirë megjithatë, është në shkallën e përfshirjes së Prishtinës në institucionet vendore në veri e në lidhjet e tyre me Beogradin, duke përfshirë financimin.
“Plani i Ahtisarit lejon një shkallë të përfshirjes nga Prishtina — aftësinë në të vërtetë për të bllokuar financimin ose anullimin e vendimeve vendore, që do të ishte ndoshta e papranueshme për serbët e Kosovës së veriut,” tha Galluçi përSETimes.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply