Profesori Edmond Tupja, i ftuar në emisionin Top Talk, tregoi se si e mësoi faktin që ishte proceduar penalisht për pjesëmarrjen e tij në protestën e studentëve.
“Nuk kam asnjë njoftim zyrtar që jam proceduar penalisht. Ma tha një miku im. Deri dje, kam pasur dëshmi penaliteti të virgjër. Jam rritur në një familje me edukatë dhe në respekt të ligjit. Nga 4 akuzat, nuk e gjej veten te asnjëra. Unë isha mbështetës, jo organizator; nuk kam hedhur vezë apo shishe ndaj institucionit; nuk kam bllokuar rrugën sepse kam qëndruar në trotuar…”, deklaroi profesori.
Profesori i njohur shtoi se u bezdis nga ky procedim, por sot doli prapë në protestë.
“Shkova në Kryeministri dhe tregova se sërish jam në mbështetje të studentëve”, u shpreh ai.
Tupja komentoi edhe dialogun që kërkon kryeministri Edi Rama me studentët protestues, duke theksuar se kjo do të ishte e rrezikshme.
“Duhet të kesh një ndërgjegje sociale shumë të madhe dhe vigjilencë të mprehtë për të nuhatur kurthin. Po të shkojnë te kryeministri studentët, mund të impresionohen ose intimidohen. Rama ka staturë dhe gojën e përdor mirë. Këtë gjë e kanë nuhatur instinktivisht studentët dhe prandaj nuk pranojnë dialog me të”, shpjegon Edmond Tupja.
Profesoi uroi “që protesta të përhapet dhe të ketë sa më shumë njerëz që mbështesin studentët” dhe theksoi se nuk i besoj Ramës “kur thotë që është i gatshëm të plotësojë kërkesat e studentëve”.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply