Natasha Lako
Nuk e di përse, para se të flas për Panairin e sivjetmë të librit, veçoj menjëherë nga shkrimtarët e sotëm Elena Ferranten, librat e së cilës kudo sot zënë vend të parë përderisa i hyjnë jetës dhe detajeve të saj, shpesh të shkatërruara nga marrëdhëniet e sotme. Është kjo një arsye që nje prej shkrimtarëve me të papritura, mbron ca vlera të papërsëritshme njerëzore si mund të bëjnë institucionet më serioze të ditëve tona. Është një nga shkrimtarët që na mëson të mos e shpërfillim jetën tonë. Dhe ndoshta mbetet gjithashtu një nga frymët më enigmatike, përsa si personalitet i pashfaqur për një kohë të gjatë, shfaqet si forcë e nje bote anonime e periudhës së re, të të ashtuquajturit Facebook, që gjithashtu ruan dhe shkatërron të dhënat njerëzore. Në ndryshim nga këta shkrimtarë që ruajnë kontakt të përditshëm me lexuesit e tyre, gjë që në Shqiperi për arsye nga më të ndryshme nuk është arritur ende, shkrimtari shqiptar ka shumë arsye të thërrasë per vetveten edhe në këtë panair të fundit. Njëfarësoj si të marrë shembull nga politikanët që pëlqejnë veten. Rrallë flasin të tjerët për të, aq më tepër njerëz të profilizuar, të pangatërruar në të gjithë rrezen shqiptare. Madje nderi më i madh mund t’i bëhet atij shkrimtari të cilin e përflet gjithë rrezja totalitariste e sotme. Dhe shumica e këtyre gjykimeve ose paragjykimeve, rrjedh gjithnjë nga arsye jo letrare, thua se gjykimi letrar ka humbur njëherë e përgjithmonë, njësoj si gjykimi për dashurinë, e cila, për disa, ka rrezik të gjykohet si inekzistente. Dhe ja përse një shkrimtare si Elena Ferrante, që shkruan me aq shumë dashuri për njeriun, pëlqehet pothuajse njëzëri, si për të zgjuar të gjithë botën e thjeshtë njerëzore. Megjithatë, për çudi, unë nuk mbaj mend asnjë nga librat e saj që kam lexuar, por vetëm ndjesitë që më ka shkaktuar një rrjedhë jete e përshkruar prej saj, që më bën të kujtoj menjëherë edhe vetë lumin e fëmijërisë ku kam futur për herë të parë këmbët edhe rrjedhën e detit që më ka folur për herë të parë. Është ndjeshmëria që po thuaj edhe duhet të harroj ditë për ditë, në një rrjedhë të re. Kjo ndjesi, të paktën kthehet në një ritual të krijuar në një panair libri, ku kemi mundësi të prekim ndonjë rrymë jete. Megjithatë, pikërisht për këto arsye, sa një gëzim, këto ditë libri mund të kthehen edhe në një dhimbje të madhe. Sepse shpesh duken si ritualet e festave të Saturnit, dioneziane të melankolisë, ky apendiks i mbetur që nga lashtësia. Dhe duket si ndonjë rast i rrallë kur duhet folur për librin. E kryejmë edhe këtë detyrë, si në një garë olimpike, ku karroca e letërsisë shqipe ka rrezik të mbetet në ndonjë baltë. Ndoshta së është më e rënduar se sa mban nga emrat që nuk jemi mësuar t’i kemi përditë. Dhe nga kjo mund të shkaktohen lloj lloj komplikacionesh, kur për këtë vit ky panairi mund t’i përkushtohej nje poeti si Fatos Arapi, i cili sapo është ndarë nga gjiri ynë. Dhe më duket, sikur poezive të tij u ka rënë zjarri, nën kujdesin dhe vëmendjen për të vdekur të tjerë, të vendosur si në radhën e qumështit. Sa për mua vetë, kam pasur dhe kam zakon që të mbaj rreth vetes sime disa libra përnjëherësh dhe ky zakon më është ngulitur edhe më fort, që kur u ula brenda bibliotekave më të mëdha të botës, e rrethuar nga kolosët e të gjithë kohërave, pa ditur se ata i kemi të gjallë edhe rreth e rrotull. Dhe në sajë të këtyre bibliotekave, të cilave shpesh u ka rënë zjarri, mua më duket sot, sikur kam qenë e ulur edhe në bibliotekën e famshme të Aleksandrisë. Dhe më duket sikur fati im individual nuk mund të shkëputet, as nga Tom Sojeti dhe Hekelberr Fini, as nga Princesha mbi bizele dhe as nga Ana Frank, megjithëse lexoj sot plot kureshtje edhe Harry Potter, veper e cila nuk do të ishte krijuar pa këtë dituri të madhe të mëtejshme të botës.
Dashuria për librin dhe trashëgiminë botërore, i bëri etërit e demokracisë amerikane, Xheferson dhe Madison, të krijojnë bibliotekat ku sot ruhen dijet më të rëndësishme të njerëzimit, që mund të quhen edhe nje piedestal, ku nderohen dhe vazhdojnë të nderohen librat që kanë në ballë emrin dhe bëmat e Skënderbeut dhe veprën iluminuese të Fan Nolit me shokë. Edhe këto biblioteka nuk u kanë shpëtuar zjarreve të rastësishëm, thua të mbetura me fat të pandarë nga biblioteka e Aleksandrisë. Por ato do të mbeteshin shterpë, pa përmbledhur gjithë jetën që rrjedh. Kush ka parë dhe vizituar këto biblioteka të mëdha, mund të krahasojë aktivitetin e tyre të përditshëm me këto ditë të shkurta, por të bukura të Panairit të Librit në Tiranë. Se sa mund të përmbajë një panair libri këtë kapacitet të madh jete, është ende jashtë çdo diskutimi shqiptar. Por kjo tregon se bibliotekat tona pothuajse janë të vdekura ditë për ditë dhe këto ditë libri i ngjajnë pothuaj ringjalljes se Krishtit, megjithëse secili prej autorëve shqiptarë, mezi ekziston. Ne kemi nevojë të lahemi dhe shpëlahemi në ujërat dhe detet e shprehjes njerëzore, me kënaqësinë e një fëminije të stërzgjuar, të sapodalë nga një periudhë e gjatë ku bota shfaqej si me pikatore, sikur të ishte një helm, megjithatë shterues. Ne kemi hyrë gjithashtu në këtë periudhë kaq të stërzgjatur të poststalinizmit shqiptar, megjithëse na pëlqen apo nuk na pëlqen ta quajmë kështu. Ne pothuajse kemi harruar se ishte Hitleri, një nga paraardhësit e kësaj bote, që hodhi në zjarr jo vetëm njeriun e gjallë, por shumë kryevepra botërore të mendimit dhe ndjenjave njerëzore, i njëjti Hitler që po njësoj, po t’i krijohej mundësia, do të hidhte në zjarr edhe bibliotekën e Mit’hat Frashërit për të cilën jemi aq krenarë që e kemi trashëguar. Kjo më bën të kujtoj edhe ditët e rralla kur preknim botën “e jashtme “reale e nuk kishim asnjë aparat fotografik, pa bërë fjalë për mjetet e tjera të sotme të komunikimit, për të fiksuar monumentet ku bota kujton tragjeditë njerëzore. Unë dhe Xhevair Spahiu, para rënies të murit të Berlinit, teksa na ftonin të flisnim për letërsinë shqipe dhe me aq ngrohtësi për veten tonë, kujet i kishim të brendshme me të gjithë gjermanët që në kujtim të vandalizmave dhe librave të djegur kanë ngritur monumentin e Hajnes, të cilit nazistët dëshironin ta shkatërronin së bashku me të gjithë trashëgiminë tjetër botërore. Shqiptarët e sotëm nëpërmjet bustit të Mit’hat Frashërit, që nuk arriti të orientohet në të gjithë ditët e përflakura, duket se kanë vendosur të rikrijojnë në mënyrë voluntariste me varrin e një të vdekuri frazën se “sot nuk është më nevoja për vrasje të tilla”. Megjithatë sot është varrosur thellë thellë një poet dhe shkrimtar si Çajupi, vetëm e vetëm se ndonjë buzëholli nuk i pëlqen që të ketë debatuar me një personalitet tjetër, i cili gjithashtu ka debatuar në një personalitet tjetër. Kështu letërsia shqipe futet në ingranazhe thashethemesh të pafund, përsëri e përsëri në botën klanore, ku më tepër merr rëndësi jeta e një shkrimtari se sa vepra e tij. Ajo që ka ndryshuar është vetëm fondi i librave vetjakë, ku flasin dhjetëra libra njëherësh dhe dhjetëra autorë, që pasardhësit tanë kanë mundësi t’i zbulojnë më shpejt, në një realitet ku është e arsyeshme ta quash tashmë të lodhur vështrimin e brezave të tërë. Dhe dhjetëra e dhjetëra libra vazhdojnë të zbulohen përditë për të treguar se si ndryshojnë periudhat historike dhe si përbëhet njeriu i sotëm, nga grimcat e tij të papërsëritshme njerëzore, që na mbajnë përherë zgjuar. Megjithatë për çudi, unë e di se jetoj në një vend që pas një lëngimi të stërzgjatur mesjetar, përpiqet të krijojë një epokë të re kombëtare, duke pasur si moto ”se në këtë botë asgjë nuk ndryshon”, që nga koha e Abelit dhe Kainit, me një rezultante ku nuk ka me dallim midis të mirës dhe të keqes, gjë që shkon edhe më tej përtej së majtës dhe të djathtës dhe gjithë eksperimentimeve që janë kryer në këtë vend gjithnjë voluntarisht. Dhe mjafton vetëm ngathtësia e shitjes dhe e qarkullimit të librit shqiptar, për të vërtetuar se kjo mesjetë shqiptare nuk mund të marrë fund shpejt e shpejt. Dhe kjo mungese qarkullimi libri vërteton se sa të gënjeshtra janë ende gjithë qarkullimet e tjera të mallrave shqiptare ose të ideve. Në këto kushte duket sikur të gjithë shkrimtarët shqiptarë janë duke rënkuar. Vështroni vetëm çfarë pezm dhe çfarë dëshpërim, ndoshta se nuk e ndjejnë ende veten pjesë të kësaj bote, derdhet në librin shqip të sotëm. Dhe çfarë nëpërkëmbje i bëhet këtij libri çdo ditë, në kahje krejt të kundërta me vetveten. Ne sot, flas për letërsinë e re shqipe, jemi në periudhën e kërkimit të kësaj vetveteje gjë që për çudi e quajmë të humbur dhe pa rrugëdalje, thua se na shkatërron individualizmi që ka aguar në terrenet perëndimore, terrene të cilat i ndjeu i pari i Naim Frashëri së bashku me të tjerë që etërit dhe vëllezërit i çuan të studionin në Zosimea të Janinës, ku për fat ka ndjekur diturinë edhe një prej gjyshërve të mi. Here pas here të duket sikur të gjithë ata i ka rritur libri, i cili sot gjendet në stanjacionin më të madh, si gjendet gjithë ekonomia shqiptare e duarve të zeza. Libri dhe prostitutat shqiptare janë sot po e njëjta gjë. I duam sepse ekzistojnë. Dhe nga librat që shkruhen, ne kemi më tepër mundësi të njohim më mirë ata që shprehin veten, si pjesë e një shoqërie kaotike. Por epoka është vështirë të shfaqet, ose shfaqet shumë ngadalë, njësoj sikur të ketë hyrë nëpër ato gjyqet tona të stërzgjatura, me plot kthesa dhe rekurse, sikur të jetë një pronë personale, që kërkon të drejtën e vet të fundit, në gjykimin e vet të madh, ku secili prej nesh e kërkon si një vlerë përfundimtare. Dhe është njësoj si të kërkosh të ndalet koha. Është njësoj si të mos dallosh epokën që ndoshta është shfaqur por nuk dimë ta shohim, të fshehur ende nën perden e poststalinizmit shqiptar, të cilin per ta zbutur shumica e quan postkomunizëm. Nuk mjaftojnë vetëm muzetë që ndërtohen për të treguar prapësitë e një regjimi, vetëm e vetëm për ta quajtur veten të pastruar nga periudha të cilën e ka ndërtuar me duart e veta një shumicë relative njerëzore, të cilës sot i bije të ndërtojë një ekonomi tjetër tregu. Dhe befas mespërmes kësaj meftësije tjetër voluntariste për të korrigjuar veten përtej varreve, si shenjë e fatit që tradhton veten, shfaqet gjendja e librit e të gjithë periudhës ku jetojmë.
LIBRI QE JETON.
Atje ku qarkullimi i librit ndalet, qofte nga konkurrenca e mediave të tjera argëtuese-propagandistike, nuk mund të ketë as qarkullim tjetër të lirë të mallrave dhe të ideve. Dhe ne rast se shkrimtari i vërtetë jeton, herë si Elena Ferrante, jeta personale e të cilës ngërthehet aq bukur me krijimin artistik, herë i transformuar si te rasti i “Doktor Gjilpërës”, vepra e vetme ngazëlluese e një shkrimtari të një shoqërie feudale të cilin e përkujtojnë dhe e nderojnë më tepër për jetën e tij dendy, kjo e gjitha tregon, atë që dikush e ka shprehur me të madhe se gjeniu lind në rrënoja. Ndoshta kjo është thënë në kohën e Mikelanxhos, ndoshta te Delacroi, ndoshta te Shatobrian, për të cilin edhe dhoma ishte një qeli ferri. Por jam më e sigurt se e ka thënë Dekarti, veprën e të cilit e kemi pasur aq pranë, përderisa e ka analizuar një filozof si Kavalioti ynë. Ja perse jam duke pritur në mes të këtyre rrënojave të pafund, ku në jetën shqiptare paskan shpëtuar të paktën nga mynxyrat vetëm ca libra të Mit-hat Frashërit. Dhe ndoshta jemi me fat që kemi jetuar në mes të shumë rrënojave të qytetërimit. Dhe mua me duhet të lahem dhe te shpëlahen nëpër ujërat e mbushura plot jetë ndritëse të njeriut të thjeshtë të Elena Ferrantes, librat e së cilës shiten dhe zënë vend të parë në të gjithë libraritë e aeroporteve të mëdhenj. Sepse dihet që të gjithë aeroportet do te mbeten gjithmonë vezulluese. E di që shkrimtari i sotëm shqiptar vazhdon të shkruajë dhe kjo më mbush me frymë. Dhe kur të arrijmë përsëri të besojmë te libri shqiptar që jeton do te kemi rrëzuar përfundimisht atë murin e padukshëm që vazhdon të na ndajë prej të tjerëve.
shekulli.com.a


Leave a Reply