U përkujtua ditën e djeshme 20 vjetori i ndarjes nga jeta të njeriut të letrave, Vedat Kokonës. Tupe rrëfen mikun, mjeshtrin e penës dhe plagjiaturën që iu bë veprës së tij. E bija zbulon rreshtat e fundit të tij dhe i dhuron Bibliotekës një libër ku Kokona ka lënë shënimet, korrigjimet dhe firmën e patjetërsueshme
Anila Dedaj
14 tetor 1998. 20 vite më parë ra perdja që do të shkëpuste nga jeta fizike shkrimtarin, përkthyesin dhe leksikologun shqiptar Vedat Kokona. Por ajo çka gjatë muajve të fundit të jetës së tij do të konsiderohej nga ai, si “fundi i komedisë”, në fakt për veprën e tij do të ishte vetëm fillimi i një shtegtimi të përjetshëm tek lexuesi. Në ndërtesën e vjetër të Bibliotekës Kombëtare, jo rastësisht në Sallën Franceze, u mblodhën dje për të kujtuar njeriun e letrave, miq, kolegë e të afërm. Edhe pse 105- vjetori i tij i lindjes kaloi në heshtje, në nderim të tij dhe veçanërisht për vlerat e paçmueshme të veprës që la pas, ditën e djeshme u premtua se kurrikula e Kokonës do të jetë pjesë e sistemit arsimor si dhe 14 tetori do të shënohet në kalendarin e veprimtarive dhe aktiviteteve të përvitshme. Për mikun dhe kolegun e tij Edmond Tupen, vlerat e veprës së Kokonës janë të pafundme në rrafshin e analizës psikologjike, sociologjike dhe të bukurisë së gjuhës. Sipas tij, Kokona ishte nga ata njerëz që edhe nëpërmjet heshtjes arrinte të fliste. Mbi të gjitha ai e vlerëson për mjeshtërinë me të cilën arrinte të vinte në dukje vlerat e rralla të gjuhës sonë dhe aftësinë e tij të rrallë prej shkrimtari-psikolog për të zhbiriluar shpirtin njerëzor. “Ç’do të bëhet me këto letra kur të mos jem unë?”, ishte kjo pyetja që e mundonte Kokonën, një shqetësim që e ndante me dy vajzat e tij. Përmes fjalëve të Mimozës ditën e djeshme patëm mundësinë të njiheshim edhe me Vedatin brenda mureve të shtëpisë, atë të heshturin që të bijat dhe mbesat e tij ishin mësuar ta shikonin me libër në dorë dhe duke dëgjuar muzikë klasike. Si surprizë për dashamirësit e tij, mbesa e kokonës Odeta kishte përkthyer edhe ato që mund të konsiderohen ndër rreshtat e fundit të mjeshtrit të letrave. Familja në kuadër të kësaj dite i dhuroi Bibliotekës Kombëtare librin “Le bon usage”, në të cilin gjenden korrigjime, shënime, si dhe firma e patjetërsueshme e Vedat Kokonës…
Edmond Tupja: “Është një model për t’u ndjekur jo vetëm si shkrimtar-përkthyes, por edhe si njeri!”
Për përkthyesin dhe shkrimtarin Edomond Tupja, vlerat e veprës së Vedat Kokonës janë të pafundme, jo vetëm në rrafshin e analizës psikologjike dhe asaj sociologjike, por edhe në rrafshin e bukurisë së gjuhës. “Kur lexon përkthimet dhe shkrimet e tij zbulon se gjuha shqipe ka aftësi të prek të gjitha temat e mundshme. Kupton se gjuha shqipe është një thesar për kombin shqiptar, ç’ka sot fatkeqësisht po e harrojmë, sepse gjuha shqipe po masakrohet, sidomos nëpër medie dhe Parlament… Po masakrohet kaq bukur saqë të dhëmb shpirti!”. Sipas Tupes, Vedat Kokona edhe pse shkrimtar, ishte në një farë mënyre edhe “psikolog”, pasi kishte aftësinë e rrallë që të zhbirilonte shpirtin njerëzor. Pedagogu shpjegon se pavarësisht se Kokona gjuhë amtare kishte shqipen, zotëronte me themel frëngjishten, ngaqë kishte studiuar në Francë, ndërkohë që përkthente edhe nga anglishtja e italishtja, edhe nga rusishtja. “Vedat Kokona ka një krijimtari që prek disa fusha shumë të rëndësishme, siç është krijimi i mirëfilltë, mandej përkthimi që është rikrijim, kritika letrare, pedagogjia, metodologjia, teoria e përkthimit e shumë të tjera”. P
ër Tupen, e veçanta e mikut të tij qëndron edhe në faktin se mbetet një zë origjinal, i cili nuk ka bërë asnjëherë plagjiaturë. “Krijimet i kanë buruar nga shpirti!”, shprehet ai duke theksuar se Kokona kishte lexuar aq shumë saqë kulturën e kishte futur thellë në personalitetin e tij duke e përvetësuar, dhe se kjo vërehet qartë në tërë veprën e tij si shkrimtar, përkthyes, publicist, leksikograf, teoricien përkthimi, pedagog etj. … “Në tërë prodhimtarinë e tij intelektuale, ai dëshmon vërtetësinë e aforizmës franceze sipas së cilës ‘Kultura është ajo çka mbetet pasi ke harruar ato që ke lexuar’, pra, ashtu si bleta e cila, pasi u ka marrë nektarin luleve, bën mjaltin që është i saji. Por gjatë këtyre viteve vepra e Vedat Kokonës ka provuar edhe “sulmin” e hidhur të plagjiaturës nga dy pedagogë të Universitetit të Tiranës. “Me globalizimin, sot, në epokën e internetit, plagjiatura është bërë shkencë më vete. Vepra leksikografike, pra, fjalorët e Vedat Kokonës janë është përvetësuar padrejtësisht nga dy njerëz, që ende janë pedagogë në Universitetin e Tiranës, njëri në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe tjetri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Pyetini njëherë këta dy zotërinj a formojnë kuadro, mësues, gazetarë, përkthyes etj., apo përgatisin njëkohësisht edhe plagjiatorë…”, u shpreh Tupja gjatë ditës së djeshme.
Për t’u larguar trishtimit që ka shkaktuar një fenomen i tillë tek familjarët dhe tek ai vetë si miku i tij, pedagogu u ndal mandej te përjetimet e tij me Kokonën gjatë sistemit komunist. Ai e kujton mikun e tij, si një njeri i cili arrinte të fliste edhe nëpërmjet heshtjes. Tupe rrëfeu se në kohën e diktaturës kishin kaluar shumë kohë bashkë. “Së fundi, një kujtim që kam nga Vedat Kokona, kur ishim kolegë, në kohën e diktaturës hoxhiste. Mbaj mend se një herë zgjodhëm një poezi të Bodlerit, poet i ndaluar, dhe do ta përkthenim secili më vete, mandej do të krahasonim përkthimet tona. O Zot, kur ma lexoi përkthimin e tij, u skuqa i tëri! Çfarë mjeshtri ishte!”. Pedagogu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kokonës, duke rrëfyer se e ka bërë më të ndjeshëm në fushën e përkthimit dhe të krijimit të mirfilltë letrar. “Është një model për t’u ndjekur jo vetëm si shkrimtar e përkthyes, por edhe si njeri!”, konkludoi ai.
Shqetësimi për fatin e letrave të tij, dhe rreshtat e fundit të Kokonës
Gjatë ditës së djeshme, vajza e Vedat Kokonës, Mimoza shprehu mirënjohjen e saj, që më në fund pas heshtjes në 105 vjetorin e tij të lindjes, po përkujtohej 20 vjetori i ndarjes nga jeta së babait të saj. Më tej, ai rrëfeu për dashamirësit e tij Kokonën, jo si shkrimtar, por si prind. “Orët më të shumta të ditës babi i kalonte në dhomën e tij të punës, mbyllej aty dhe matanë derës dëgjohej vetëm makina e shkrimit dhe shfletimi i pafund i faqeve. Pjesën tjetër të kohës e shpenzonte më së shumti duke na dhënë mësim mua dhe sime motre, si dhe fëmijëve tanë më vonë. Në kohën e lirë ishte përsëri me libër në dorë, apo duke dëgjuar muzikë klasike, të preferuarën e tij. Mbaj mend pirgjet me letra që ishin mbi skrivaninë e tij të sistemuara siç i donte ai”. E bija rrëfeu se Vedati gjatë viteve të vonshme të jetës së tij pyeste ngaherë në shtëpi: “Ç’do të bëhet me këto letra kur të mos jem unë?”. Dy vajzave të tij ajo ditë u dukej e largët, edhe pse e dinin se ishte i pashmangshëm ardhja e atij momenti. Mimoza rrëfen se sot ato kur ulen e bisedojnë kujtojnë shpesh atë pyetje të babait dhe i thonë njëra-tjetrës: “Sikur ta dinte se sa dritë do të kishin ato xhevahire do të kishte jetuar edhe një jetë tjetër nga kënaqësia!”. Ajo rrëfen se Vedatit i dukej koha për të realizuar edhe grimcën më të vogël të ëndrrës së tij të madhe ishte e pamjaftueshme dhe u thoshte shpesh se: “Të isha 5 vjet më i ri kush e di se sa vargje të tjera do të kisha përkthyer!”. Të bijat me dëshirën për të gjetur copëza shkrimesh e kujtime nga babai i tyre, duke rrëmuar në sirtarët e skrivanisë së tij kanë mundur të gjejnë një shënim sa me vlerë po aq edhe prekës. Në 20 shkurt të vitit 1998 Kokona kishte shkruar disa rreshta që ia dedikonte 7 gushtit të atij viti, ditë në të cilën ai do të mbushte 85 vjeç. E emocionuar Mimoza, edhe për rrethanat në të cilin ishin shkruar, lexoi dje rreshtat (pothuajse) të fundit nga babai i saj,duke theksuar se vija e brishtë mes lindjes dhe vdekjes ka lënë pas vlera të paçmueshme: “7 gusht 1998. Shpresoj, më dhëntë Zoti jetë, t’i jap dritë pesëvjeçarit të shtatëmbëdhjetë të jetës sime. Deri tani nuk kam kuptuar asgjë! Nëse arrij t’i jap dritë të 20-it jam i sigurt që do të di akoma më pak.( 1913-), kjo vizë ndarëse që nuk është e gjithë jeta ime injoron për një moment çastin e rënies së perdes, që do t’i japë fund komedisë…”.
Biografia
Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Kur po kryente këtë shkollë më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar, çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte dhe një botim i bukur poezish të Lamartenit. Po atë viti nisi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi, ku ndenji deri në fillim të 1939. Me t’u kthyer në Shqipëri e pushtuar, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës. Më 1941 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, ai themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Nga 1965 e derisa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës. Si fryt i çmimit që fitoi në viti të fundit të Liceut, udhëtoi në Itali, Gjermani, Suedi dhe Danimarkë. Pas këtyre udhëtimeve do të shkruante e botonte ditarin me shënime udhëtimi Nga Tirana në Stokholm, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe. Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi: Dritë dhe hije, Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe ai me satira Shtatë prilli, Mussoliniada, Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur, Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës sipas Elsie. Ndër veprat e mëvonshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës, Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966.
Shekulli
Leave a Reply