Libri i Prof.dr. Muhamet Pirrakut, “MYDERRIZ YMER PRIZRENI ORA, ZEMRA DHE SHPIRTI I LIDHJES SHQIPTARE 1877-1887”.
Emri Myderris Haxhí Ymer Efendi Prizreni është sinonim për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, çfarë nuk e njohim ende të plotë. Me analizë kritike të burimeve arkivore dhe të shtypit të proviniencës ballkanike, evropiane, ruse e osmane vërtetohet se Ymer Prizreni është njëri ndër personalitetet qendrore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1877-1887.
Pse Ora, pse Zemra, pse Shpirti dhe pse vitet 1877-1887?
Ishte Ora e Lidhjes në kuptimin e mirëfilltë, sepse ishte forca morale dhe shpëtimtare e Lidhjes. Sukseset e Lidhjes korrespondonin me Orën, në kuptimin mitologjik, të Myderriz Ymer Prizrenit. Sa herë që Lidhja rrezikohej, nga brenda dhe nga jashtë, Myderriz Ymer Prizreni e shpëtonte, e nxirrte edhe më të fortë.
Ishte Zemra e Lidhjes, sepse Myderriz Ymer Prizreni i përfaqësonte ose i drejtonte, legalisht ose nga pozitat disidente, të gjitha mekanizmat drejtuese më kryesore të Lidhjes dhe i vinte në lëvizje ato sipas kërkesës së momentit historik. Ishte Zemra e Lidhjes ngase aty ku ndihej veprimtaria politike, diplomatike e luftarake e Lidhjes në dobi të mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë dhe të autonomisë politike e shtetërore të saj, ishte porosia dhe urdhri i Myderriz Ymer Prizrenit.
Ishte Shpirti i Lidhjes për faktin se në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte mësimi dhe aktiviteti politik dhe organizues i Myderriz Ymer Prizrenit për një dekadë të tërë. Dhe, sa herë që Lidhjes i ngushtohej gabzherri i frymëmarrjes nga dhuna politike e ushtarake osmane e ndërkombëtare, autoriteti madhor dhe aktiviteti politik prej urtakut guximtar të Myderriz Ymer Prizrenit i vinte si akt i riaktivizimit të frymëmarrjes për riaktivizimin dhe riorganizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, roje kujdestare për mbajtjen gjallë të frymës së saj.
Ndërkaq, vitet 1877-1887 shënojnë një dekadë të qenies së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nën udhëheqjen shpirtërore, politike e ushtarake të Myderriz Ymer Prizrenit. Në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të institucionalizuar si Lidhje Gjithëshqiptare, më 10 qershor 1878, në fakt është mbi një vit i aktivitetit politik, organizues dhe luftarak i Besëlidhjes së Kosovës themeluar nga fillimi i vitit 1877, nën udhëheqjen e Myderriz Ymer Prizrenit, me seli në Medresenë e Mehmet Pashës (Medreseja e Bajrakli Xhamisë). Ndërkaq, viti 1887 është pikërisht data e martirizimit të Myderriz Ymer Prizrenit, më 12 qershor, dhe shënon fundin e ekzistimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
U lind rreth vitit 1820, në gjirin e një familjeje fisnike me tradita intelektuale myderrizlerë (universitarë) në disa breza, pronarë të shumë çifliqeve në Zgatar, në Prizren dhe në rrethinë. Ishte i biri i myderriz Sylejman Ali Nuhit të Zgatarit të Opojës.
Gjyshi i Ymerit, myderriz Ali Nuhi, kishte bërë emër në Opojë si themelues dhe imam i parë i Xhamisë së Zgatarit, themeluar me berat të Sulltanit, më 29 Xhemazul ahir 1229 (më 10 maj 1814). Për të birin e Aliut, Sylejmanin, nuk dihet kur erdhi në Prizren. Sylejmani ishte imam në Bajrakli Xhami, pronar i shumë tokave, i dyqaneve dhe i mullinjve në Prizren e në rrethinë: Ponoshec, Grazhdanik etj. dhe bëri emër si myderriz pikërisht në Medresenë e Bajrakli Xhamisë.
Myderriz Sylejman Efendia, i quajtur edhe Zgatari, u dha shkolla të larta djemve: Aliut, Ymerit dhe Osmanit. Do të ketë fat të trashëgohet vetëm Aliu, kurse në historinë kombëtare do të hyjë dhe do të zërë vend të përjetshëm vetëm Ymeri, i cili, sa dimë sot, shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Prizren, kurse studimet në fushat e shkencave juridike, filozofike dhe teologjike i mbaroi në Stamboll. Fillet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Efendi Zgatarin, e gjetën në pozitën e përfaqësuesit të Kosovës në Parlamentin osman dhe të myderrizit në Medresenë e Mehmet Pashës – “Bajrakli Xhamisë”.
Ymer Sylejman Zgatari pas mbarimit të shkollimit shërbeu myfti në Prizren dhe fillimisht nderohej me titullin Efendi (zotëri), kurse pas haxhíllëkut do të nderohet me titullin Haxhí. Meqë ishte udhëheqës shpirtëror i rreshtimit mistik nakshibendi, quhej edhe sheh, kurse nga zgjedhja përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Parlamentin Osman, nga fillimi i vitit 1877, do të quhet me mbiemrin Prizreni. Së këndejmi, në burimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në kujtesën historike haset të quhet: Efendi, Hoxha i Madh, Myderriz, Muderrisi i Madh, Sheh, Myfti dhe Haxhí, i cili tërë jetën i qëndroi besnik parimit të nakshibendive: “Njohuritë e jashtme janë për botën, kurse njohuritë e brendshme janë për Zotin”.
Njëqindedhjetë vjeçari shëndetmirë, Mulla Sefer Bajrovci nga Restelica e Gorës, më 23 maj 1978, ka konstatuar: “Myderrizi Ymer Efendiu (…) ishte trupmesatar, i fuqishëm, shpatullgjerë. Me ballin e gjerë, me sytë zhbirues në gropë nën vetullat krahnez dhe me një mjekër të thinjur e të gjerë, që të kujtonte njeriun e shenjtë, të përshpirtshëm e me mendje me thellësi oqeanike…! Ishte mistik, ndaj në vend të qallmes së hoxhës mbante një shall të gjelbër…”.
Të dhënat e dala nga ekspertiza për rikonstruktimin antropologjik të trupit të Ymer Efendi Prizrenit, të kryera nga antropologu hungarez – Janosh Nemeshker, më 11-16 prill 1978, vërtetojnë se Haxhí Ymer Prizreni ishte i gjatë rreth 171.70 cm, me karakteristikat raciale dinarike europoid – brachyran-e, me kraharor të zhvilluar të hedhur para, truptrashë, me ballin e lartë të hedhur dhe me hundë sqepshqiponje. Citojmë: “Gjatësia e trupit është e madhe, trupi është mesatarisht i gjatë, ekstremitetet e epërme dhe të poshtme janë proporcionale dhe më shumë të shprehura në drejtim të ekstremiteteve. Gjatësia e krahëve hyn në grupin e krahëve “shumë të gjerë”. Kafazi i krahërorit është i gjatë, i qitur, i gjerë, e të njëjtat vlera i përmban edhe kombliko, që është i matur në varr. Në bazë të lugjeve dhe të të prerave në eshtrat e skeletit, konstatohet se ka pasur muskulaturë të fortë. Duke marrë parasysh karakteristikat sekondare seksuale, masculinitet-in shprehimor, personi mund të konsiderohet për nga shtati atleto-musculasis”.
Myderriz Haxhí Ymer Prizreni kishte kulturë e njohuri të gjera islame, letrare, filozofike, politike, ushtarake, astronomike, gjeografike dhe historiografike. Si pedagog u shqua me edukimin patriotik, fetar e multidisiplinor ditunor të nxënësve dhe të studentëve të Medresesë dhe në riedukimin kombëtar, fetar e politik të të moshuarve në xhami e oda. Fliste rrjedhshëm disa gjuhë: shqip, gorançe (koine bullgare mesjetare), turqisht, serbisht, arabisht, persisht, frëngjisht dhe kuptonte gjuhën gjermane. Të dhënat nga ekspertiza antropologjike vërtetojnë se deri në ditët e fundit të jetës qëndroi me laps në dorë pranë tavolinës së punës.
Sipas kujtesës historike, Myderriz Ymeri fliste qetë, qartë e bindshëm dhe kishte aftësi të jashtëzakonshme për t’i përvetësuar njerëzit, masat. Gjatë tërë jetës së tij pedagogjike, politike e ushtarake u shqua me veprimtari të gjithanshme. Ishte personalitet liridashës, trim i paepur dhe mbi të gjitha shquhej për drejtësi. Thuhet se në zemrën dhe në shpirtin e tij kishte diçka mbinjerëzore, diçka shenjtërore.
Të dhënat burimore të proveniencës osmane vërtetojnë se Myderriz Sheh Haxhí Ymer Prizreni bënte pjesë në elitën e veprimtarëve demokratë të “Bashkimit të Ri Osman”, ithtarë këta të revolucionit shoqëror demokratik borgjez dhe hartues së Kushtetutës së shpallur nga Sulltan Abdylhamidi, më 23 dhjetor 1876. Me urgjencën që shtronte koha u ftua Parlamenti i Perandorisë Osmane, në të cilin viset e njësisë etnokulturore e gjeopolitike Shqipëri, prej rreth 114 728 km2, u përfaqësuan me 35 deputetë, prej të cilëve 25 shqiptarë. Parlamenti, përkatësisht: “Asamblea e Madhe”, u tubua më 18 janar, kurse Seanca e Parë e rregullt e punës filloi më 19 mars 1877. Me hapjen e Parlamentit realisht filloi reformimi, modernizimi, demokratizimi dhe decentralizimi i Perandorisë Osmane. Ndaj, për ta ndërprerë këtë proces, Rusia, më 24 prill 1877, me bekim të Evropës së krishterë, i shpalli luftë Perandorisë Osmane, gjithnjë duke pasur pas shpine, me armë në duar, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me plane të gatshme për të aneksuar pjesët më vitale të Shqipërisë.
Pjesë nga libri “MYDERRIZ YMER PRIZRENI ORA, ZEMRA DHE SHPIRTI I LIDHJES SHQIPTARE 1877-1887”
Marre nga Facebook ( Frasher Racaj )
Leave a Reply