Në Kosovë, autoritetet kanë ndërprerë punimet për ndërtimin e rrugës që lidhë komunën e Deçanit me Malin e Zi, pas reagimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë dhe të misioneve ndërkombëtare në vend. Një pjesë e kësaj rruge që ka filluar të ndërtohet një muaj më parë, kalon afër Manastirit mesjetar të Deçanit, që është edhe zonë e mbrojtur me ligj të veçantë. që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2008.
Kjo nuk është hera e parë që një nismë e qeverisë për të ndërtuar këtë rrugë të nderpritet. Një ndërprerje e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2014.
Në një komunikatë të autoriteteve të Kishës Ortodokse serbe, thuhet se dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit “ka përsëritur shumë herë qëndrimin se Kisha nuk është kundër ndërtimit të rrugëve, por se ndërtimi i rrugës së tranzitit përgjatë mureve të Trashëgimisë Kulturore Botërore më të rëndësishme të UNESCO-s në rajon, përbën jo vetëm shkelje të ligjit aktual por një akt kundër-civilizues i cili do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në manastirin e Deçanit. Rruga tranzit do të rrisë trafikun, sidomos të automjeteve të rënda, do të bëjë dëme shtesë dhe ndotje kështu që zona rreth manastirit, një nga oazet e ruajtura rrallë të paqes dhe qetësisë do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme”,thuhet në komunikatë.
Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook duke theksuar se është duke ndjekur “me shqetësim atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtjes të Manastirit të Deçanit”, duke nënvizuar se çdo punë në rrugë brenda Zonës së veçantë të Mbrojtur duhet të rregullohet nëpërmjet Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit ndërsa bënë thirrje për zgjidhje të pranueshme nga të dy palët në përputhje me ligjin e Kosovës dhe angazhimet ndërkombëtare.
Qëndrimin e misionit të OSBE-së e ka përkrahur edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social tëitter ka thënë se Shtetet e Bashkuara pajtohen plotësisht me komunikatën e OSBE-së.
Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, tha se “është me rëndësi të madhe që ligji për Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet rreptësisht dhe çdo veprim i mundshëm të miratohet nga Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit”.
Ministri i Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se ndërtimi i rrugës që lidhë Deçanin me Malin e Zi, është duke u zhvilluar pa e “cenuar” zonën e mbrojtur.
“Konform kësaj dëshiroj të bëj thirrje që të kontribuojmë të gjithë faktorët relevantë, vendorë e ndërkombëtarë, që një temë e cila është kryekëput humane e njerëzore, të mos përkthehet si diçka tjetër, qoftë për të nxjerrë komunitetet njeri – tjetrin keq, apo edhe për të bërë zhurmën që nuk duhet të bëhet, sepse rrugët janë për të bashkuar e jo për tu ndarë njerëzit, edhe rruga Deçan – kufiri me Malin e Zi po ndërtohet e po investohet në të vetëm për t’iu mundësuar njerëzve të zhvillojnë veten”,thuhet në reagimin e ministrit Lekaj.
Kundër ndalesës për të vazhduar punët në ndërtimin e rrugës kanë reaguar edhe partitë politike në Kosovë. Ata bëjnë thirrje që rruga të ndërtohet dhe që e njëjta të mos pengohet nga Kisha Ortodokse serbe në Kosovë.
Zona përreth manastirit të Deçanit ka nxitur vazhdimisht mospajtime ndërmjet autoriteteve lokale dhe autoriteteve të manastirit, posaçërisht për çështjen e pronave.
Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e Kosovës, i njohu manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë, që sipas zyrtarëve të komunës së Deçanit, janë pronë e dy ndërmarrjeve publike. Ata pohojnë se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply