Vendosja e një takse prej 5-10 euro për përdorimin e rrugës së Kombit, ka shkaktuar mjaft debate në hapësirën shqipfolëse.
Deputetja e Kosovës Mimoza Kusari Lila, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij dhe deklaratën për President të Përbashkët.
“Shumë më mirë do të ishte të kishte folur Kryeministri i Shqipërisë për këtë pagesë në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, sesa që lundroi në imagjinatën e vet dhe foli për President të përbashkët në mes të dy shteteve.”, thotë Kusari-Lila.
Deputetja shprehet mjaft e revoltuar, për shkak se përdoruesit kryesorë të rrugës së Kombit janë qytetarët nga Kosova, pasi ata e vizitojnë më së shumti Shqipërinë dhe jo e anasjellta. Kusari-Lila ngre pyetje ndaj qeverisë shqiptare, nëse është konsultuar më parë çështjen apo jo.
“10€ për 10 vjet shtet – “Talli” i rrugës së Kombit
10€ pagesë për vajtje ardhje në rrugën e kombit zhveshën dy qeveritë nga pretendimet se po punojmë në mbledhje të përbashkëta të Qeverive për të përafruar dallimet në mes dy shteteve.
10€ për një makinë deri në 3.5 t absurd shqiptar andej kufirit. Ende më keq, tanimë kur Ministri i Infrastrukturës së Kosovës deklarohet se, nuk e kanë ditur për këtë shumë dhe për këtë punë?!?!
Por, çka kanë biseduar ministrat e infrastrukturës sa ishin bashkë në mbledhje të dy qeverive?!
Tre zv/Ministrat kosovarë në qeverinë e Shqipërisë, përfshirë, zv/ministrin e turizmit, u konsultuan sado pak për këtë pikë, apo nuk janë për t’u konsultuar aty?!
Kosovarët janë jashtë çdo kategorie vizitorët më të shumtë të shtetit amë, ndaj me këtë taksë rrugore, a po pretendohet të ulet numri i tyre apo si është puna?!
Sa për ilustrim, në qershor të Vitit 2017 nga 437 mijë e 820 turistë që vizituan Shqipërinë, 31% erdhen nga Kosova, që do të thotë 135,724 turistë erdhen nga Kosova për një muaj vere. Të gjithë këta do të shpenzojnë së paku 30-fishin e taksës prej 10 €, andaj çfarë po synon shteti shqiptar të arrijë me këtë taksë tani?! Apo, preferon më tepër turistët që do të vijnë me avion dhe anije dhe do të shpenzojnë dy-tre fish më tepër se kosovarët.
Neve shqiptarëve, kur nuk na pengojnë Serbët në integrim, sikur me autostradën energjetike (linjën 400 kV), ne pengojmë njëri tjetrin me talle të autostradës rrugore.”, shprehet deputetja.
Më tej Kusari-Lila e ka konsideruar vendosjen e kësaj takse si absurditetin më të madh, ndërsa nuk ngurron të ironizojë qeverinë shqiptare.
“Ndoshta Shqipëria e liruar se po ecim drejt liberalizimit të vizave, dëshiron të na ndihmojë të gjejmë rrugët për në Evropë, ndërsa Evropianët t’i lëmë të vijnë në Shqipëri. Arsyetim tjetër nuk më vjen në mend për këtë tarifë për autostradën e papërfunduar.
Lëre më, që ana Kosovare ende nuk e i ka vendosur tarifat e veta.
Nëse mund të ketë absurd të kësaj pranvere, atëherë ky është absurdi më i madh.”, thotë Kusari-Lila.
hashtag.al


Leave a Reply