
Tensionet mbi monumentin në Preshevë do të shkojnë drejt një fundi të qetë, tha kryebashkiaku i qytetit.
Nga Biljana Pekushiç në Beograd dhe Muhamet Brajshori në Prishtinë për Southeast European Times — 05/01/13
Anëtarët e pakicës shqiptare festuan Ditën e Flamurit të Shqipërisë në Preshevë, jugu i Serbisë, ku luftëtarët e UÇPBM-së ngritën një monument për anëtarët e rënë. [AFP]
Pavarësisht tensioneve në Serbinë jugore për një monument që u ngrit në nëntor nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës (UÇPBM), kryetari i bashkisë së Preshevës Ragmi Mustafa, tha se shqiptarët në jug të Serbisë nuk duan konflikt.
Kryeministri serb Ivica Dacic tha se monumenti do të hiqet para rinisjes së dialogut Beograd – Prishtinë më 17 janar.
Daçiç i bëri thirrje qeverisë lokale në Preshevë ta heqë atë. “Nëse ata nuk e bëjnë, ne do ta largojmë me forcë”, tha Daçiç.
“Ne nuk do të përgjigjemi me dhunë”, tha Mustafa për SETimes.
UÇPBM — një degë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — arriti një marrëveshje me qeverinë e re demokratike në Serbi, pasi përfundoi regjimi i Millosheviçit.
Zoran Stankoviç, president i organit të koordinimit të qeverisë për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, tha se monumenti u ngrit pa lejen e nevojshme të qeverisë që lëshohet nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Nish, dhe ky fakt duhet të merret parasysh.
“Gjatë dy dekadave të fundit, serbët dhe shqiptarët kanë mësuar se nga dhuna nuk përfiton asnjë, dhe unë shpresoj se ne do ta kapërcejmë problemin rreth monumentit në mënyrë paqësore dhe të civilizuar”, tha ai për SETimes.
Në internet, disa në Serbi dallojnë në mendimet e tyre.
“Si mund ta pranojë dikush në mënyrë kaq të lehtë fjalën luftë! Ju mund të doni një luftë ku dikush tjetër të vdesë për ju, dhe ju manifestoni patriotizmin tuaj nëpërmjet tastierës në dhomën tuaj të ngrohtë, duke pirë një kafe të nxehtë! Çdo gjë duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore, nuk ka më luftë … “, tha Danilo.
Mythbuster argumentoi se mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë çështje është që të ndjekim ligjin, në vend që të merremi me retorikë nacionaliste. “Ky [problem] duhet të zgjidhet me gjakftohtësi, si kanë thënë disa tashmë, sepse ky është një monument i ngritur në mënyrë të paligjshme”.
“Pse jeni shqetësuar z. Daçiç, kur ju nuk jetoni në Preshevë, as keni në plan të jetoni atje? Çfarë ju intereson se çfarë lloj monumentesh ngrihen, për shembull, në Kozarevo? Jeto dhe lëri njerëzit të jetojnë!” tha MilivojeRadakovic.
Dragan argumentoi se politikanët duhet të jenë të kujdesshëm në dhënien e deklaratave që lënë pak hapësirë për manovrim.
“Daçiç, ju hodhët dorashkën, po tani?”
Kosova do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në vendet e ish-Jugosllavisë, tha kryeministri Hashim Thaçi në një mesazh për Daçiç.
“[Nëse ai] shkel të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, ai do të duhet të përballet me të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon”, tha Thaçi.
Blogerët e Kosovës kanë reaguar negativisht ndaj deklaratave të Daçiç për përdorimin e mundshëm të forcës, por treguan gjithashtu skepticizëm në lidhje me deklaratat e Thaçit.
Disa si Xhavit dyshojnë se retorika i shërben vetë politikanëve, ndërsa të tjerë, si Xhaferi, mbështesin Thaçin.
“Deklarata e Thaçit është e mirë, sepse të gjithë duhet ta kenë të qartë se mund të nxirren paralelizma për të njëjtat probleme në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët lokalë të mbështetur nga Serbia të shkaktojnë probleme”, tha Xhavit.
Por Xhaferi argumentoi se Thaçi është duke negociuar me të njëjtin Daçiç i cili lëshoi deklaratat mbi Preshevën.
“Si do të jetë në gjendje Hashim Thaçi të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, kur ai nuk është në gjendje as të mbrojë territorin e vet?” pyeti ai.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Shqipëria Serbia
Hashim Thaçi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply