TIRANE, 14 Janar /ATSH-A.Alla/ – Atraksioni kryesor turistik i qytetit të Shkodrës, Kalaja e Rozafës e mbylli vitin 2017-të me rreth 49.505 turistë, gati 11 mijë më shumë se në vitin 2016 ku u vizitua nga 38.631 vizitorë.
Kjo kala është një pikë turistike mjaft e veçantë ku tërheq shumë vizitorë vendas dhe të huaj sepse përveç historisë në të ndërthuret dhe mistikja që ngjall jo pak kuriozitet tek vizitorët.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.
Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).
Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe te lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore e baladë. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.
Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë.
Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë. /a.g/
ata.gov.al


Leave a Reply