Pas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq edhe ministri i jashtëm serb i është kundërpërgjigjur ministrit të jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli për UNESCO-n. Ai e ka quajtur gënjeshtër të madhe deklaratën e Pacollit, se Kosova ka vota të mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO.
“Është gënjeshtër shumë e madhe deklarata e Pacollit që Kosova ka vota të mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO. Këtë temë unë dhe presidenti Vuçiq e kemi ngritur në të gjitha takimet tona”, ka thënë Daçiq.
Sipas tij, edhe nëse Kosova provon të aplikojë, do të dështojë sikurse para dy viteve, duke thënë se ato shtete që kishin abstenuar herën e fundit tani do të votojnë kundër.
Ndërkaq, deklaratës së ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli se Kosova i ka votat për anëtarësimin në UNESCO, i është përgjigjur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuciq, i cili ka thënë se ministri i jashtëm kosovar, ka bërë ‘hop’ para se të kërcejë.
“Nuk do të isha kaq i sigurt sikur të isha në vendin e tij. Më pëlqen kur njerëzit bëjnë ‘hop’ para se të kërcejnë, e si do të jetë në të vërtetë do ta shohim. Nuk janë në pyetje muskujt e shqiptarëve të Kosovës, por amerikanëve, anglezëve dhe të tjerëve. Ne me aq sa kemi mundësi do të luftojmë për shtetin tonë dhe do të provojmë të ruajmë popullin tonë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq në New York.
Reagimet e zyrtarëve nga Beogradi vijnë pas deklaratës së Pacollit në Interaktiv se Kosova i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në UNESCO./gazetametro.net


Leave a Reply