Ish-ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Dashnor Dervishi ka rrëfyer disa nga momentet e takimeve që ai ka zhvilluar gjatë detyrës së tij në këtë shtet.
Një moment që veçon Dervishi është dreka e shtruar nga ish-ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Sabahatin Çakmakoglu, për homologun e tij Ilir Gjoni dhe drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare.
Dervishi rrëfen për ‘Panoramën’ se si ministri Çakmakoglu i ishte përgjigjur batutës së tij se nëse ndodh ndonjë emergjencë në Shqipëri këto ditë, vendi është pa drejtues ushtrie.
“Në rast se te shtëpia e “vëllait tonë të vogël” do të ndodhte ndonjë gjë, ju siguroj se kështu siç jemi këtu, të gjithë së bashku, nuk na duhen më shumë se dy orë që të jemi në Shqipëri”, iu përgjigj ministri turk ambasadorit shqiptar.
Dashnor Dervishi thekson se trajtimi që u bëhet ambasadorëve shqiptar në Turqi nuk është i ngjashëm me asnjë vend tjetër të botës.
Marrëdhënia miqësore, të cilën presidenti turk e quan vëllazërore, do të pasqyrohet edhe në Nju Jork, ku Recep Tayyip Erdogan do takohet sërish me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Për të simbolizuar fuqinë në rritje të Turqisë në botë, Erdogan ka inauguruar nisjen e ndërtimit për Shtëpinë Turke në Nju Jork.
Bëhet fjalë për një godinë 32-katëshe, e cila do ndërtohet përballë zyrave kryesore të OKB.
Mediat turke theksojnë se Shtëpia e re Turke do të eklipsojë godinën e OKB për nga gjatësia.
Qiellgërvishtësja do të përfundojë në vitin 2021.
mapo.al
Leave a Reply