Shen. nga Luigj Shkodrani – Xhaxhi Meta ,keni te drejte qe ngrini alarmin,por harruat te pyesni – valle cfare e deturoi te dilte nga burgu dhe ta vriste nenen e dy femijve te tij ? A e bere kete pyetje ,apo “si kau peles” o burra te themi dicka. Duhet ditur se njeriu ka nje hall te marr ,perderisa arrin deri aty. Ju harroni,ndoshta me te keqinj do ishit ju. Ku i dihet ,ndaj kerkoni arsyet ,pse valle u krye ky krim,si ndolli. Nje njeri normal kete veprim e kryen se ka ndolle dicka e forte . Gjithnje qofsha i gabuar . Po te flisja me ju privat dhe te vija historine time perpara e di se 100 % do te thonit ,po …. ….. dhe hidhe ne te ….. Por e di se te takon ta besh qe te mos biesh ne sy te keq,se domosdfo xhaxhi presidenti keshtu do te thote. Falemnderit xhaxhi president per mendimin tuaj. Mendimi juaj eshte shume i vlefshem pas kuvendit…
————————————————–
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar ashpër vrasjen barbare të gjyqtares Fildes Hafizi. Në një postim në faqen zyrtare të presidencës thuhet se sipas Metës, “kjo vrasje mizore është një alarm për shoqërinë shqiptare, thirrje për të gjitha strukturat e mekanizmat e shtetit e shoqërinë civile të kthejnë vëmendjen e tyre ndaj grave dhe nënave shqiptare të cilat fatkeqësisht janë bërë viktima të dhunës dhe krimit në familje dhe në shoqëri”.
“Presidenti i Republikës i shpreh ngushëllimet e thella familjes për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, duke inkurajuar organet ligjzbatuese si dhe gjykatat shqiptare të vënë para drejtësisë dhe t’i japin autorit të krimit një dënim shembullor, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më e të mos lëndojnë e prekin familjen e mbarë shoqërinë shqiptare”, thuhet më tej në njoftim.
(gazeta-Shqip.com)
Vrasja e gjyqtares, Basha: Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildesin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizit ditën e sotme. Përmes një postimi në Facebook Basha shpreh tronditjen e thellë për vrasjen makabre ndërsa thotë se shteti dhe të gjithë ne e braktisëm atë.
“Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezen në fatin e saj tragjik. Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes.
Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur. Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijet e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt”, shprehet Basha.
(gazeta-Shqip.com)
Tiranë, gjyqtarja vritet në makinë nga ish-bashkëshorti

Një burrë 53 vjeç ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij në zonën e njohur si “Xhamlliku” në Tiranë.
Viktimë ka mbetur gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës, Fildez Kasemi (Hafizi) 39 vjeçe, e cila është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti brenda makinës së saj.
Mësohet se viktima ndodhej në një makinë tip Benz C Clas ngjyrë gri, të parkuar në rrugë.
Bëhet e ditur se viktima ka debatuar ashpër me autorin dhe më tej është drejtuar për nga makina për t’u larguar, por ish-bashkëshorti e ka qëlluar dy herë me armë, duke e lënë të vdekur në vend.
Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi 53 vjeç, pak momente pas ngjarjes.
Por Kasemi ka tentuar edhe dy vite më parë të vrasë ish bashkëshorten, në plazhin e Golemit, ngjarje e ndodhur në sy të dy fëmijëve të mitur të çiftit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit.
Sakaq grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme.
(gazeta-Shqip.com)
Vrasja e gjyqtares, Kryemadhi: Krim i paralajmëruar dhe katastrofik

Vrasja makabre e gjyqtares Fildez Hafizi nga ish bashkëshorti i saj ka sjellë reagim të gjerë edhe nga politikanët në vendin tonë. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka cilësuar vrasjen e paralajmëruar e një nëne, gruaje për më tepër gjyqtare është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE.
“Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë.
Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne”, shprehet Kryemadhi permes nje postimi ne FB.
(gazeta-Shqip.com)
Vrau ish-bashkëshorten gjyqtare, 53-vjeçari ishte liruar nga burgu pas amnistisë

Fadil Kasemi, 53-vjeçari që mesditën e sotme vrau nënën e dy fëmijëve të tij, gjyqtaren Fildes Hafizi ishte liruar nga burgu në janar të 2017 pas amnistisë së fundvitit të firmosur nga ish presidenti Bujar Nishani.
Kasemi ishte dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Kavajës për ngjarjen e ndodhur në korrik të vitit 2015 në plazhin e Golemit, ku ai kishte tentuar të vriste ish-bashkëshorten në sy të dy fëmijëve të tyre.
Gjykata e deklaroi fajtor Fadil Kasemin për kryerjen e veprës penale “dhune në familje” me 1 vit e 6 muaj burg dhe për akuzën “armëmbajtje pa leje” e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet burg.
Në momentin e lirimit nga burgu 53-vjeçarit i kishte mbetur për të shlyer pothuajse 1 vit nga dënimi.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply