Aktivistë konservatorë të së lirisë së fjalës dhe kundërprotestues të majtë u mblodhën në qytetin e Bostonit, në dy tubime rivale, ndërsa policia kishte deklaruar se nuk do të toleronte ushtrimin e dhunës nga asnjëra palë.
Protesta, e cila zgjati për dy orë, u mbyll pa incidente me dhunë.
Njerëz të shumtë u mblodhën në parkun kryesor të qytetit për zhvillimin e tubimeve. Grupet e aktivistëve të majtë, ndër ta edhe “Black Lives Matter, kishin planifikuar të kundërprotestonin ndaj aktivitetit të cilësuar nga organizatorët e djathtë, si një tubim për lirinë e fjalës.
Tubimi i djathtë ishte planifikuar që muajin e kaluar nga një grupimi “Fjala e lirë e Bostonit”, që thonë se përbëhet nga një koalicion “libertarianësh, progresistësh, konservatorësh dhe të pavarurish”.
Njëri prej organizatorëve të këtij grupi, John Meddlar, u pati thënë kanaleve mediatike se në tubim nuk do të ishin të mirëpritur supremacistët e bardhë, si dhe denoncoi grupimet raciste, si Ku Klux Klan.
Zoti Meddlar i tha kanalit NBC Boston, se “ne denoncojmë absolutisht Ku Klux Klan-in, neo-nazistët, ID Evropa, Vanguard dhe grupe të tilla të urrejtjes. Nuk kemi asnjë lidhje me ta dhe nuk i dëshirojmë mes nesh”.
Në faqen e tij në Facebook, koalicioni për lirinë e fjalës thonte se anëtarët e tij “janë të përkushtuar ndaj tubimeve paqësore dhe nuk kanë asnjë lidhje me tubimin e zhvilluar në Charlottesville” të fundjavës së mëparshme.
Megjithë këtë denoncim të supremacistëve të bardhë, koalicioni “ANSWER Coalition Boston”, një degë lokale e lëvizjes “Black Lives Matter”, pati njoftuar se do të kundërprotestonte ndaj këtij tubimi për lirinë e fjalës, duke përdorur moton “Të luftojmë supremacinë”.
Organizatorët e tubimit “Të luftojmë supremacinë” thanë se nuk kishin si objektiv të vetëm ndërprerjen e tubimit për lirinë e fjalës. Ata bënë publike një listë të gjatë temash, ndër to çështje si: pabarazia në të ardhura, iniciativat kundër emigracionit, racizmin në radhët e oficerëve të policisë etj.
Grupimi thonte se “individët dhe institucionet që kanë dëmtuar më shumë njerëzit me ngjyrë nuk janë ata që mbartin pishtarë të ndezur. Por, janë ata që patrullojnë në mënyrë agresive lagjet tona, zbatojnë ligjet në mënyrë të pabarabartë, imponojnë sistematikisht varfërinë, dhe shuajnë zërin e komuniteteve të shtypura”.
Tubimit për lirinë e fjalës iu dha leja nga qyteti i Bostonit për t’u zhvilluar në parkun qendror të qytetit në mesditë, me një maksimum të lejueshëm prej 100 personash.
Kundërprotestuesit e “Black Lives Matter” nuk kishin marrë leje për tubimin, megjithëse organizatorët thanë se morën pjesë me mijëra njerëz.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply