Është një letër e shkruar për gazetën franceze “La Croix”‘ (“Kryqi”), nga i dërguari i posaçëm i saj në Athinë jo më larg se tre ditë pas fillimit të mbledhjes së Konferencës të Ambasadorëve në Londër, më 16 dhjetor 1912, kur Shqipëria e Ismail Qemalit kishte shpallur tashmë pavarësinë e saj de facto et de jure që prej një muaji, duke i shpëtuar mrekullisht vorbullës përpirëse greko-serbe-malazeze për ta gllabëritur. Megjithëse ishte nënshkruar armëpushimi i luftës së parë ballkanike, përsëri, përplajsa e interesave të fuqive të kohës në Ballkan, si dhe shovinizmi greko-serb gjithnjë e më agresiv po paralajmëronin tashmë tallazet dhe furtunat e Luftës së parë botërore. Sakaq, vitale për Shqipërinë, si shtet i ri i pavarur, ishte përcaktimi i kufijëve të saj gjeografikë, për t’i dhënë fund copëtimit të trojeve historike e etnike shqiptare, filluar që me traktatin e Shën Stefanit dhe pasuar me Kongresin e Berlinit, kur Shqipëria etnike u masakrua. Nuk kemi gjer më sot të dhëna se kush është gazetari Louis Arnaud (ndoshta është dhe pseudonim), por nga sa shkruan, ka njohuri disi të sakta për kombin historik iliro-shqiptar, megjithëse brenda optikës së tij të kufizuar, pa i shpëtuar paragjykimeve të kohës, interesave politike të caktuara dhe qëndrimeve gjoja diplomatike në dy karrige, po ku, për fat të keq, të shkon skiç prapanica. Thotë ca të vërteta, thotë dhe ca të pavërteta. Dhe në fakt, nuk i zë në gojë pashalliqet e mëdha historike shqiptare nga Janina në Shkodër, me vezirët e tyre që ishin mbretër e shkuar mbretërve në tokat shqiptare, ndonëse këta nuk “e menduan” hollë e gjatë të bashkonin Shqipërinë gege e toske në katër vilajetet shqiptare të Turqisë europiane (vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës) që përmbanin kufijtë e Shqipërisë së vërtetë etnike dhe jo Shqipërinë e Madhe, sikundër shpallet ende edhe sot nga propaganda sllavo-greke. Po ashtu, duke dashur të kundërshtojmë pretendimin e Louis Arnaud se shqipja e kohës së tij nuk është ende një gjuhë e shkruar, po kufizohemi në faktin e thjeshtë se shqipja e shkruar me germa latine është përuruar me “Formulën e pagëzimit të Pal Engjëllit më 1462″ (në periudhën e epopesë kastriotase), ndërkohë që murgu frëng Guillaume Adam fakton se që më 1332 (në Directrium adpassagium… ) “Albanienët (shqiptarët) në librat e tyre përdorin shkronjën latine”, pikërisht në po atë periudhë të Mesjetës së hershme kur po fillonte të shkruhej edhe vetë gjuha frënge. Nuk po zëmë këtu në gojë “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe veprat e Budit, Bogdanit, Kristoforidhit me shokë. Sa për çështjen e alfabetit dhe të librit shqip, i qenësishëm ky me pikatore para pavarësisë, ai ka të drejtë, duke patur këtu parasysh rolin e madh të librit në zhvillimin historik të kombeve të zhvilluara.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.
Leave a Reply