Tre takime të nervozuara, të rrezikshme, fundi i ….
Muharrem Bajraktari, personalitet i padiskutueshem i Lumës, “njeriu i lindur me këmishë”, që nuk e shponte asnjë plumb dhe që
gjithmonë luftonte drejt e më këmbë me “Mashinkë-n” e tij në ballë të formacionit që komandonte, pa i hyrë ferrë më këmbë, luftëtar i vendosur kundër çdo pushtuesi, aleat dhe kundërshtar i mbretit Zog, kundërshtar parimor e i vendosur i komunistëve, simboli i rezistencës kombëtare në Veri të vendit, njeriu më i pushtetshëm në të gjithë Verilindjen, që kreu studimet e larta në Europë, ku edhe shkoi fundin e jetës së tij, ushtarak karriere me gradën kolonel, ishte i biri i Nezir Domit (Bajraktarit) nga Ujmishti, i një atdhetari të vendosur dhe të shquar në luftën kundër serbëve, ishte biri i devotshëm i Lumës, që e lindi dhe për të cilën luftoi për të gjithë jetën.
Dera e Nezir e Muharrem Domit ishte sofra e Lumës, e fukarait dhe e zengjinit, e të ftuarit dhe e të paftuarit. Oda e tyre ishte oda e madhe atdhedashurisë dhe e patriotizmit të kulluar, kundër të gjithë pushtuesve të vendit tonë. Muharrem Bajraktari ishte mburoja e Lumës edhe kufijve verilindor, ai ishte mik i shumë nacionalistëve, edhe i familjes së madhe të Kryezinjve të Kosovës, Hasan e Gani Kryeziut. Edhe shumë familje të tjera, në ditë të vështira për Bajraktarin, u bënë streha dhe mburoja e tij, pa marrë pasojat e tmerrshme që ranë mbi ta. Ndër këta nacionalistë, që mbrojtën Muharrem Bajraktarin, është edhe Ramadan Binaku nga Hasi, i cili për strehimin e Bajraktarit u pushkatua nga komunistët.
Por, Muharrem Bajraktari ka edhe anën e padukshme të tij: Cilat kanë qenë marrëdhëniet e tij me Frontin Nacionalçlirimtar dhe PKSH, sa mosbesues ishte ndaj tyre, si e shihte Luftën dhe si mendonte të zgjidhej qeveria e ardhshme: tre takimet e tij me përfaqësuesit e lartë të Frontit NÇL dhe të PKSH, zgjedhjet e lira dhe demokratike kërkesa e tij e përhershme dhe e patolerueshme, etj.
Kush ishte Muharrem Bajraktari
Muharrem Bajraktari ishte i biri i Nezir Bajraktarit (Domit) nga Ujmishti, i një atdhetari të vendosur dhe të shquar në luftën kundër serbëve, ishte biri i devotshëm i Lumës që e lindi dhe për të cilën luftoi tërë jetën. Dera e Nezir e Muharrem Domit ishte sofra e Lumës, e fukarait edhe e zengjinit, e të ftuarit dhe e të paftuarit. Oda e tyre ishte oda e madhe e atdhedashurisë dhe e patriotizmit të kulluar, kundër të gjithë pushtuesve të vendit tonë. Muharrem Bajraktari ishte mburoja e Lumës dhe e kufijve verilindor, ishte mik i familjes madhe të Kryezinjve të Kosovës, Hasan e Gani Kryeziut.
Një nacionalist i vërtetë. Intelektual i kompletuar dhe njohës i disa gjuhëve të huaja. U shkollua në Francë si ushtarak karriere dhe shërbeu fillimisht në xhandarmërinë e Zogut, nga u largua me dëshirën e tij për mospërputhje mendimesh. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti në Francë prej ku u kthye menjëherë. Si njeriu më i pushtetshëm i Lumës së pas vitit 1912, me autoritetin e padiskutueshëm që gëzonte, pranë tij mbante përherë forca të armatosura që komandoheshin po prej tij për t’i patur roje vigjilente të tokave e trojeve shqiptare. Muharrem Bajraktari e priti me pushkë Italinë fashiste. Muharrem Bajraktari e priti me pushkë edhe Gjermaninë naziste.
Nuk qe as me Zogun e as me komunistët. Ai kishte ambicie të mëdha për pushtet : për kryeministër po se po, por edhe për monark ! Misionari anglez Viktor Smith në fillim të gushtit 1944 bëri përpjekje për të pajtuar Bajraktarin me Frontin NAÇL, por Muharremi me Frontin NÇL nuk u bashkua. Gjakderdhjes me partizanët i shmangej në çdo rast. Ai pranonte të bashkëpunonte me partizanët, por kurrsesi të varej prej tyre. Te Fronti NÇL jo vetëm nuk kishte besim, por me të e ndanin pikëpamje të mëdha parimore, si: Kush do ta drejtonte Luftën? Si do të vendosej, cila do të ishet forma e regjimit e si do të ndahej pushteti pa luftës? etj. Edhe Fronti NÇL nga ana e vet e shihte si rrezik të tij Muharrem Bajraktarin me kaq shumë autoritet dhe me kaq shumë luftëtarë nacionalistë pas vetes. Prandaj, e preu në besë në Gostil, ku u godit pas shpine edhe pse ishte i ftuar për bisedime, u gjend përballë një ushtrie të tërë që zbrazi pa kursim armë të të gjithë llojeve, por që nuk mundën ta vrisnin “njeriun e lindur me këmishë”, që nuk e shponte asnjë lloje plumbi.
Atëherë, Muharremi, ndahet përfundimisht dhe mendon të tjera rrugë. Është pjesëmarrës në mbledhjen e Kroit të Bardhë, është pjesëmarrës dhe në mbledhjen e Lurës të mbajtur në shtator 1943 përkrah Mit’hat Frashërit, Abaz Kupit, Fiqiri Dines, Miftar Kaloshit etj., është maleve e shtigjeve të lirisë, është te Lera e Sorrave, kur bashkë me 54 trima të tjerë, bashkëluftëtarë të tij patriotë të vendosur, mori rrugën e mundimshme të emigrimit politik, nga ku nuk u kthye më.
Dita kur Muharrem Bajraktari me forcat e tij kaloj kufirin shtetëror të Shqipërisë për në Maqedoni, me synim Greqinë, i përkiste 29 nëntorit të vitit 1946.
Tre takime të dështuara
Fronti NÇL dhe PKSH e shihnin si një rrezik serioz Muharrem Bajraktarin për vetë potencialin intelektual të tij, si dhe për autoritetin dhe mbështetjen e madhe që ai kishte në radhët e malësorëve, jo vetëm lumjan. I shqetësonte fakti që nuk e kishin në anën e tyre dhe druheshin se shumë shpejt ai mund të ishte kundër tyre. Prandaj, ndaj tij ndoqën taktikën e “thirrjes” për “luftë të përbashkët”. Më vonë i vunë pushkën dhe nuk e vranë dot. Më pas e ndoqën guvë më guvë e shteg më shteg, por s’e zunë dot. Muharremi nga ana e vet nuk pajtohej kurrsesi me komunistët, nuk kishte besim te Fronti NÇL dhe nuk ishte dakord me zgjidhjet që komunistët mendonin të bënin në Shqipërinë e pasluftës. Italianët dhe gjermanët i konsideronte armiq e pushtues, ashtu sikundër i cilësonin edhe forcat partizane, me të cilat ai nuk dëshironte të përballej me luftë.
Fronti NÇL dhe PKSH janë takuar tri herë me Muharrem Bajraktarin. Takimi i parë midis tyre është zhvilluar në zbatimin të vendimeve të Konferencës së Pezës në Bicaj të Lumës, në shtëpinë e Dostan Rexhepit, në pranverë të vitit 1943, ku forcat komuniste përfaqësoheshin nga Ramadan Çitaku.
Takimi i dytë është zhvilluar në Gurrë -Lurë, në shtëpinë e Tafë Laçit (babai i Beshir Laçit) në nëntor 1943, ku Fronti përfaqësohej nga Haxhi Lleshi.
Në të dy këto takime të dy palët binin dakord për luftën kundër pushtuesve, por Fronti dhe PKSH nuk pranonin të vinin në diskutim me të tjerët drejtimin e luftës nga ana e tyre dhe as me çështjen se si do të përcaktohej forma e shtetit të ardhshëm dhe se kujt do t’i takonte ai. Pikëpamjet e tyre binin ndesh më ato të Muharremit, prandaj ai nuk u bashkua me Frontin NÇL. Megjithatë, në fillim të gushtit të vitit 1944 përfaqësuesi anglez pranë forcave partizane, Viktor Smith, u përpoq t’i pajtonte komunistët me Muharrem Bajraktarin në një takim tjetër të posaçëm. Po takimi i tretë ku dhe si u zhvillua? Kush ishin divergjencat e mëdha midis palëve biseduese? Sa vizionar ishte Muharremi në pikëpamjet demokratike për ndërtimin e shtetit të ardhshëm shqiptar? Cili qe roli i misionarit anglez Viktor Smith? Po roli i të zotit të shtëpisë?
Bajraktari i Lumës dhe Haxhi Lleshi ballë për ballë
Takimi i mbajt në shtëpinë e Mehdi Dacit, më gusht të vitit 1944, në territorin e Lumës. Mehdi Daci ishte biri i familjes shumë të njohur patriotike të Mahmut Dacit dhe kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Ishte tepër i zgjuar, kishte ekonomi të fortë dhe një shtëpi të luksit, jo vetëm për atë kohë, por dhe më vonë. Gëzonte autoritet e respekt të padiskutueshëm në krahinë. Ishte derë e sofrës së madhe. Kishte miqësi me Muharrem Bajraktarin dhe kishte strehuar e mjekuar në shtëpinë e tij partizanë të plagosur dhe autoritete të larta të partizanëve. Ja përse asnjëra nga palët nuk e kundërshtoi këtë shtëpi si vendtakimi.
…Ditën e takimit të dy palët erdhën me forca të mëdha ushtarake, Secila palë kishte nga një kompani të plotë. Këto forca i rreshtuan në dy anët e shtëpisë: në anën Veriore ishin forcat e Muharremit dhe në anën Jugore ishin forcat partizane. Por edhe pjesëmarrësit në mbledhje që kaluan pragun e derës së shtëpisë u çarmatosën një nga një nga i zoti i shtëpisë. Sidoqë, secili prej tyre e mbante veten për cub, të gjithë iu bindën me fabatizëm të zotit shtëpisë që zbatoi një për një rregullat tradicionale të mikpritjes për të shmangur sharjet, ofendimet, kërcënimet, etj. Shtëpia ishte me dy kate, katër dhoma të mëdha 5×5 dhe një dhomë-ballkon në katin e tij, që dilte përtej faqes së murit duke mbështetur në shtylla të bardha cilindrike. Dhomat ishin të suvatuara, me tavane prej dërrase të zdruguar, me dysheme dërrase dhe dritare të mëdha për atë kohë 80×60 cm, e shtruar me hasra që mbuloheshin me qilima, sixhade dhe lëkurë të leshtash.
Pjesëmarrësit ishin: 1) për Frontin Nacionalçlirimtar : Hysni Kapo (komisar i Divizionit V Sulmues), Liri Gega (funksionarja numër dy e PKSH, pas E.Hoxhws), Haxhi Lleshi (anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇL dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL), gjeneral major Dali Ndreu (komandant i Korparmatës I dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL), Esat Ndreu (komandant i Brigadës XVIII S.) dhe majori anglez Viktor Smith (misionar i Forcave Aleate pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇL) 2) dhe nacionalistët : Muharrem Bajraktari, Dostan (vrarë nga forcat partizane) e Hamzë Rexhepi, Sefë Xheladini (vrarë nga forcat partizane), Tasim Spahiu, Selim Noka (vrarë nga partizanët në Maqedoni), Gafurr Noka (emigrant politik jashtë vendit) etj.
Kryet e vendit, në anën e djathtë të oxhakut, e zuri Hysni Kapo, si nga ana më e lagët që ishte, ndërsa në krye të anës së majtë zu vend Haxhi Lleshi. Bisedën e nisën të parët Muharrem Bajraktari me majorin anglez Ridëlls në anglisht. Foren Ofiss kishte shfaqur simpati të veçantë për Muharrem Bajraktarin, ndërsa Muharremi i kërkoi Viktor Smithit armatime, veshmbathje dhe ushqime për forcat e tij, që të vazhdonte luftën kundër gjermanëve.
Ndërkohë, Haxhi Lleshi i kërkon Muharremit që bisedën ta bënin në shqip dhe kështu fillon debati midis dy kampeve, që për çështje themelore mendonin ndryshe nga sho-shoqi.
Autoriteti i Dibrës dhe autoriteti i Lumës ishin ballë për ballë me njëri-tjetrin, të rreshtuar në dy kampe të ndryshme. Gjëja për të cilën ishin dakord të dy palët ishte lufta kundër deri në dëbimin e tyre jashtë kufijve tanë. Por thembra e “Akilit” e bisedimeve ishte çështja e pushtetit të pasluftës.
Prandaj, Muharrem Bajraktari tha: “Edhe ne jemi kundër të huajve që kanë pushtuar vendin. Kemi luftuar fashistët e Duçes. Tani po luftojmë edhe nazistët e Hitlerit. Po në se do të bashkohemi, kush do ta drejtoj këtë luftë? “
-PKSH ! -deklaruan komunistët.
-Po kush do të jetë në qeverinë e pasluftës?-pyeti përsëri M.Bajraktari.
-Fronti NÇL!-thanë komunistët.
-Atëherë përse duhet të bisedojmë?! Ju po ngrini këshillat Nacionalçlirimtare akoma pa u çliruar vendin. Marrjen e pushtetit në duart tuaja ju po e bëni fakt të kryer. Por, ju po shkelni të drejtën e popullit për të zgjedhur qeverinë e tij. Prandaj, unë kërkoj të bëjmë luftën, të shporrim pushtuesit, ndërsa problemi i pushtetit të jetë problem i pasluftës. Me mbarimin e Luftës të shpallim zgjedhje të përgjithshme, zgjedhjet t’i bëjmë të lira e demokratike dhe kush të fitoj të marrë qeverinë. Kjo është e drejta, dhe kështu duhet të bëhet. Ne nuk mund të marrim pjesë në një formacion që nuk na njeh si partnerë dhe nuk mund të bëhemi pjesë e përgjegjësisë historike.
-Pushteti na takon ne, se ne bëmë luftën!-thanë përfaqësuesit e Frontit NÇL.
-Po ju po bashkëpunoni me serbët, me Titon. Si mund të luftojmë bashkë, kur ju keni miqësi me armiqtë e Shqipërisë dhe me Titon që vret kosovarët? -pyeti Muharremi.
As për punën e kufijve të ardhshëm të shtetit shqiptar M.Bajraktari nuk ra dakord, i cili ishte edhe kundër pranisë se femrave në formacionet luftarake partizane. Por këto ishin pika, ku, komunistët e partizanët nuk lëshonin pe dhe ndaj mendimeve të kundërta me të tyret reagonin ashtu si t’i pickonte gjarpri.
Nga ana e tij Ridëlls ndiqte me shumë interes të gjithë bisedën dhe herë -herë miratonte pikëpamjet e Muharrem Bajraktarit.
-Atëherë, – e ngre zërin Bajraktari,-secili të luftoj për hesap të vet. Kush do atdheun le të bëjë luftë! -dhe nuk priti që pala tjetër të kundërshtonte ose të pajtohej me të. Ai, tashmë, ishte ngritur në këmbë dhe kërkoi lejen e të zotit të shtëpisë për t’u larguar bashkë me njerëzit e vet. Kështu bëri dhe pala tjetër.
Por i zoti i shtëpisë kishte përgatitur edhe një drekë, kishte prerë enkas për mysafirët edhe një berr. Prandaj, insistojë që të gjithë të hanin bukë e pastaj të shkonin në punën e tyre.
Ashtu u bë.
Por, as bukë nuk hëngrën.
Kur hyzmetçiu solli një sini (tepsi të vogël) me nishanet e berrit, u ngrit Muharremi dhe ia mori nga duart. I pari nishan, që ai mori në duar, ishte bishti dhe jo kryet e berrit, siç ishte tradita e këtyre anëve. Bishtin ia drejtoi L.Gegës, duke e shoqëruar dhe me gjeste e fjalë të papëlqyeshme, që shkonin në sinkron me idenë e tij se femrat nuk ishin për në male dhe në luftë. Kaq, u dashtë dhe as ajo e as të tjerët nuk hëngrën më bukë…..
Ndërkohë, majori anglez Smith, kur u ngrit në këmbë për të dalë, nxori nga xhepi i xhaketës ushtarake disa sterlina floriri dhe i vuri në rrasën e oxhakut. Mehdiu, i pa, i mori me të shpejtë dhe i tha anglezit: “ Merri, janë tuajat. Mos na korit se as bukën dhe as mikpritjen nuk i shes me para.” Anglezi mori një buzëqeshje të lehtë në fytyrë dhe u shtrëngua t’i merrte paratë. Kështu u mbyll dhe ky takim.
Bajraktari vdiq në Belgjikë, familja iu masakrua në Shqipëri
Kur Bajraktari ishte ende ndër malet e Shqipërisë, në vitin 1945 internohet në Berat e shoqja e Muharrem- Nazifja, me Gencin dhe Lirinë dhe e shoqja e Bajramit-Huma (kunata) me Nezirin (nipin). Nazifja vdiq në internim. Ibrahim Bajraktari (i biri) zhduket, kur u plagos pas një rrethimi nga partizanët, Hamdiu i plagosur pushkatohet pa gjyq. Mbi kullat e Bajraktarit ra hija e zezë e gjenocidit të pa shembull komunist, rrethuar në avllinë gjigante, që ekziston edhe sot si dëshmitare e madhështisë së vet Bajraktarit dhe si relikte e luftës së madhe kundër pushtuesve. Duke ikur jashtë vendit plagoset dhe Bajrami -vëllai tjetër i Muharremit, i cili kapet nga Forcat e Ndjekjes dhe dënohet nga gjykata e Shkodrës me pushkatim, vendim që u ekzekutua në vitin 1949. Nuk dihet se ku u varros.
…Bajraktari, edhe pse shumë shokë, gjithsej 21 vetë, midis të cilëve Sali Doda, Rexhep Alia, Murteza Haxhiu, Dan Lahi etj. iu vranë në përleshjet me partizanët maqedonas, në kufirin greko-maqedonas, arriti në Greqi dhe qëndroi për shumë kohë në kampin e refugjatëve të Haxhiqirjakos në Pire. Më pas u largua prej andej dhe mbërriti në Bruksel të Belgjikës, tek një mbesë e tij. Për të gjithë kohën ai ishte njeri me respekt dhe me autoritet. Qëndrimi i tij gjithnjë ishte burrëror dhe ai mund të konsiderohej si një hero i Luftës Dytë Botërore.
Ai kishte influencë të madhe ndër të arratisurit, veçanërisht ndër lumjanët. Vdiq në Belgjikë, më 21 janar 1989, kur ishte rreth 100 vjeç, dhe u varros me nderime të mëdha, si e meriton një kolos i vërtetë i nacionalizmit shqiptar, një luftëtar i madh për vendin e tij
Burimi – Facebook


Leave a Reply