Petrika GROSI
Ndonëse jetojmë në një kohë që me të drejtë quhet “moderne”, me sa duket akrepat e orës nuk rrotullohen njësoj në çdo cep të botës. E kemi fjalën për mentalitetin shqiptar përsa i përket lindjes së fëmijëve. Vërtet që prej vitesh është thyer disi tabuja e të kërkuarit patjetër një fëmijë mashkull nga martesa, sidomos në zonat urbane, por nuk kanë të numëruar rastet kur vajza pritet si hidhërim… E po kështu hasen shpesh nga ato raste kur prindërit e varfër nuk marrin parasysh gjendjen e tyre të keqe ekonomike, por bëjnë 3-4 fëmijë, vetëm e vetëm në kërkim të djalit. Për të tilla raste nuk kemi shifra, sepse mungojnë statistikat specifike, por mund të thuhet me siguri që nuk mungojnë, sidomos në zonat rurale, qoftë në Jug apo në Veri të vendit. Ndoshta tashmë në Europë diçka e tillë është harruar prej shekujsh, e mbase mund të tingëllojë abstrakte, e çuditshme, por në Shqipëri vazhdon të jetë një zakon, tendencë e fuqishme, sado që ka një zbehje te prindërit intelektualë. Një gjë e tillë duket edhe në maternitetet e vendit, ku vetë punonjësit pohojnë se shpesh lindja e vajzave nuk pritet me festë dhe gëzim aq të madh sa ajo e djemve. Pavarësisht se janë prindërit ata që pohojnë se vajzat bëjnë më shumë sesa djemtë për familjen kur rriten, duke qenë më të dashura, më të dhembshura e më të përkushtuara, janë po të njëjtët prindër që duan patjetër të kenë një djalë. Arsyeja? Tepër e thjeshtë. Tradita dhe mentaliteti i trashëguar patriarkal, shqiptaro-ballkanik-oriental…
***
Por le të shohim se çfarë ndodh në zona të ndryshme me lindjet e fëmijëve dhe se si pritet ardhja e tyre në jetë. Nëse do të flisnim për traditën e hershme, Vlora p.sh., ka pasur disa zakone interesante; kur në një familje labe ndodhte që nusja të lindte fëmijën, lajmi nuk trumbetohej me të madhe. Sa më lart mund të tingëllojë e habitshme, por është krejt e vërtetë! Studiuesi Novruz Bajramaj tregon se “nuk duhej që ta merrte vesh njeri ditën e lindjes së fëmijës, pasi syri i keq dhe magjitë mund ta dëmtonin foshnjën”. Zakonisht lindjet bëheshin në shtëpi dhe dita nuk tregohej e saktë. Kjo traditë ka të bëjë më tepër me zakonet pagane, të cilat kanë ekzistuar deri vonë nëpër zonat e thella rurale. Një zakon karakteristik në Labëri ka qenë ai i lidhjes së nuses në stallën e bagëtive nga e vjehrra. Nuk dihet arsyeja se pse bëhej kjo, por nusja, teksa lindte, me të dyja duart të lidhura, mund të ulërinte e të klithte sa të donte… duhet t’ia dilte mbanë deri në fund e vetme. Më tej, nëse fëmija do të ishte mashkull, festa do të bëhej e madhe si një dasmë, ndërkohë që nuk do të ndodhte e njëjta gjë sikur pjella të ishte vajzë. Megjithatë, festa bëhej nga çifti me rastin e lindjes së fëmijës së parë. Pas lindjes, sipas traditës, peshqeshet më të mëdha bëhen nga prindërit e nuses. Por, ama, vetëm 40 ditë pas lindjes mamaja mund ta merrte fëmijën dhe ta çonte te prindërit e vet, për t’u rikthyer sërish në shtëpinë e të shoqit pas disa ditësh e mbushur me dhurata të ndryshme. Nga Vlora kalojmë në Korçë, ku lindja e fëmijës sërish pritet me festë dhe vizita nga fisi e fqinjët në familje. Pavarësisht se në lindje nuk ka ndonjë diferencim sa i takon mënyrës së festimit, nëse bëhet djalë apo vajzë, gëzimi dhe festa është më e madhe, më gjithëpërfshirëse kur fëmija i parë lind mashkull. Në këtë mënyrë, kryefamiljari qetësohet sepse vazhdon vija e gjakut dhe trashëgohet më tej mbiemri i babait dhe e të parëve të tij. Ditën e tretë pas lindjes së fëmijës nisin të ndahen petulla dhe ëmbëlsira në shtëpitë e komshinjve dhe të të afërmve të familjes, duke dhënë njëherësh dhe lajmin e lindjes së fëmijës. Për të dhënë këtë lajm të mirë (sihariq) caktohen zakonisht fëmijë të vegjël, të cilët në këmbim të petullave që shpërndajnë, marrin ndonjë lek nga familjet që u çojnë petullat. Për caktimin e emrave të fëmijëve (dukuri e përgjithshme shqiptare) prindërit mundohen të përdorin variante të ngjashme të emrave të gjyshërve, ose bashkime inicialesh. Kjo gjë bën në raste të shumta që shumë fëmijë të ndryshojnë emrat e tyre kur rriten për shkak se ato u duken demode, të shëmtuar.
Nga Korça kalojmë në Gjirokastër, ku lindja e fëmijës së parë sërish ka rëndësi që të jetë mashkull. Por, në ndryshim nga zonat e tjera, këtu kemi një tjetër veçanti (zona e Dropullit); martesa, lindja dhe vdekja e njeriut priten fillimisht me këngë vaji. Kjo ndodh për shkak të një filozofie që lidhet me vetë procesin e jetës, lindjen e njeriut, ndarjen e tij nga prindërit dhe në fund, ndarjen nga jeta. Në të tria rastet fillimisht qahet…
Atje ku vajza pritet si hidhërim!
Në zonat e Dibrës dhe të Kukësit ka qenë një zakon i vjetër, sipas të cilit, nëse fëmija i parë do të lindte vajzë, dita dhe nata do të kaloheshin në heshtje nga familja. Njësoj sikur të kishte ndodhur ndonjë hidhërim. Por, nëse fëmija do të ishte mashkull, atëherë niste festa e madhe me shkrehje të pushkëve, petulla dhe lajmërimet e njerëzve për aheng të madh. Ç’është më e keqja, për babanë e ri, nëse fëmija i parë nuk do të ishte djalë, do të vinin më tej edhe talljet e shokëve me batuta të tipit “ti s’din si me e bo muhabetin” ose “S’të ec fillja të bësh djalë”… Kështu kalojmë në zonën e Shkodrës, ku gjithashtu, lindja e fëmijës së parë djalë pritej me festë të madhe, krisma pushkësh, këngë dhe britma ngazëllimi. Edhe nëse do të lindte vajzë, festa do të bëhej, por jo e përmasave të festës që zhvillohej për djalin, pa krisma pushkësh, pa shumë zhurmë. Një pjesë e këtyre zakoneve vazhdojnë të ekzistojnë të zbehta edhe sot… Shenja më e fortë e mbetur prej tyre është festa e fëmijës së parë, ahengu i vërtetë bëhet kur shqiptari gëzohet me djalë!


Leave a Reply