Temperaturat e larta, që në disa zona të Shqipërisë kanë arritur deri në 40 gradë celsius, po shkaktojnë një numër vatrash zjarri në sipërfaqet pyjore. Zonat më të prekura janë Shkodra, Elbasani, Fieri, Vlora dhe Berati. Emergjencat Civile njoftuan të shtunën se, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në vend ka patur 10 vatra të reja zjarri që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsëriti thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve që, në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë emergjencat në numrat telefonik 112, 129 dhe 0694110 198 ose në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Për shuarjen e vatrave të zjarrit janë angazhuar strukturat e emergjencave civile të cilat, në disa rastet, po mbështeten edhe nga forcat e ushtrisë.
Në të gjithë territorin e vendit po punojnë për shuarjen e zjarreve rreth 20 automjete dhe më shumë se 90 efektivë të shërbimeve zjarrfikëse. Për shkak të rrezikshmërisë së vatrave të zjarrit, në Njësinë Administrative Kutalli, Bashkia Ura Vajgurore, ekipet zjarrfikëse u mbështetën edhe nga një grup prej 30 efektivësh të forcave të armatosura. Ndërsa në fshatin Zharrës, të Bashkisë Patos, ekipet zjarrfikëse së bashku me një mjet zjarrfikës të kompanisë së naftës Albpetrol ndërhynë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe të madhe me shkurre, që rrezikoi pusin e naftës nr. 365.
Çdo vit në Shqipëri digjen me qindra hektarë me pyje dhe kullota, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomisë së vendit, por edhe mjedisit. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të ketë kapacitete të kufizuara si në mjete, ashtu edhe në burime njerëzore, për të përballuar situatat e përsëritura të emergjencave që shkaktohen çdo vit nga zjarret në sipërfaqet pyjore të vendit.
Burimi / Zeri i Amerikes
Leave a Reply