Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Ajo u bë gëzimi i vetëm i familjes dhe prindërit u kujdesën ta edukojnë me ndjenja të flakta patriotike. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste. Maria që fëmijë u njoh me vështirësitë ekonomike dhe me dramat shoqërore të kohës që ndjeheshin edhe në familjen e saj. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi.
Ishte fëmijë e mbarë, topalake e shoqërueshme me të gjithë moshatarët megjithëse ishte vajzë e vetme; ishte e butë e pa shenja llastimi e kokëfortësie. Tushi ngadalë u rrit dhe filloi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.
Vitet e shkollës kalojnë shpejt dhe Tushi rritet e hyn në gjimnaz. Që në këtë kohë filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.
Kënga dëgjohej kudo ku ishte Tushi, në shtëpi, tek fqinjët, në raste festash tek të afërmit. Me mësime shkonte mirë. Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të jatit. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që i vdiq.
Duke shfletuar hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”
Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.
Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.
Nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17 vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm.
Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle).
Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.
Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.
Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.
Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakort, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.
Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit; që ai në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit.
Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen të lexonte apo dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë “u lodha”. Gjithmonë e shihje t’i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga Iliada e Odisea, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë.
Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanëshme me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë.
Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj.
Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta.
Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, të kamufluar e raciste te “Rrënjët e thella”.
Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e kompllotistëve tek “Komplloti i të dënuarve”.
Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te “Hamleti”.
Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te “Halili dhe Hajria”.
Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse.
Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.
Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Porteti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme.
Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo di t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin.
Puna e gjatë si aktore e bëri që t’i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet.
Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kine- matografi sigurisht kanë patur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interptretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.
Kujtime Kolegësh
Kolë Jakova
shkrimtar
Loken e kam shkruar për Marien
Ata që e njohën së afërmi Marie Logorecin, sidomos në lidhje me punën në skenë, ndjejnë një dhimbje krenare tani që ajo nuk është mes nesh. Sa më tepër kohë të shkojë, aq më shumë do të rritet figura e saj si aktore, aq më tepër do të kujtohen rolet e saj të papërsëritshëm.
Si u çlirua Shqipëria mua më emëruan drejtor të të parit teatër shtetëror. Teatri nisi punën me aktorë partizanë, të ardhur nga mali, si Besim Levonja, Anton Pano etj., amatorë të qyteteve të ndryshme të vendit, të dashuruar pas artit të skenës që kishin luajtur edhe më parë si Loro Kovaçi, Mihal Popi, Mihal Stefa, Xhevat Serezi, Gjon Karma. Veç këtyre, në teatër kishim edhe vajza të reja si Behije Çela, Marta Buda, Liza Vorfi. Problemet e teatrit ishin të shumta dhe të vështira. Aktorë si Mihal Popi, Kadri Roshi dhe ndonjë tjetër kishin vetëm katër klasë fillore, kurse Besim Levonja nuk kishte qenë kurrë në shkollë. Ndaj duheshin mbushur boshllëqet.
Në këtë kohë erdhi Maria
– Ti duhet të vish në teatër!, – i thashë.
– Po mua më pëlqen të këndoj, – m’u përgjigj.
– E po mirë, herë pas here edhe do të këndosh. Këtu kanë ardhur edhe Behije Çela dhe Liza Vorfi që këndonin në Radio.
– Do të mendohem një herë, – tha.
Kështu Maria erdhi e u fut në ansamblin tonë. Regjisorët Pandi Stillu e Sokrat Mio që e morën në prova thanë fjalët më të mira. Skena për Marien nuk ishte e panjohur. Në një pjesë të huaj, Maries iu dha roli kryesor, bashkë me Naim Frashërin. Suksesi i të dyve qe i madh. Maria u paraqit e shkëlqyeshme në këtë rol, ku edhe u afirmua si aktore me merita. Me sa di unë Maria nuk vajti më të këndonte në Radio.
Më pas ajo luajti edhe role të tjera, në të cilat u dallua gjithnjë e më tepër. Kam parasysh rolin e Fatimes, magjistares në dramën “Halili dhe Hajria”. Loja e saj me partner Naim Frashërin ishte me të vërtetë diçka e rrallë. Qeshja e saj dhe e Loro Kovaçit si dhe sjellja e tyre revoltonte edhe vetë aktorët në studio jo më shikuesit kur u shfaq në skenë.
Maria shkëlqeu jo vetëm këtu, por në çdo rol, si tek Shekspiri, në dramën spanjolle etj.
SIPER
Besa Imami
Artiste e Merituar (aktore)
Pasione që buronin nga një shpirt i gjerë
E njoha Marien ashtu siç ish. E bukur, me sy, vetulla e flokë të zes. Tepër e gjallë, tepër e qeshur, me një gaz tingëllues. Me sy ekspresivë si të Maries, që ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Këta sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me të në skenë si nënë e bijë, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike. Partnere serioze. Fantazia e saj… si bahçe me lule! (Ah lulet! Maria i deshte aq shumë. Kopshti i shtëpisë së saj edhe sot është si qilim me ngjyra të shumëllojshme dhe ky qilim ishte “thurur” nga ajo vetë. Ajo i mbillte, i prashiste, i ujiste…)
Me Marien, partneren e mirë, gjithë potencë, kam inter-pretuar në mjaft drama, nga kohët më të hershme e deri në rolin e saj të fundit ku ishim dublante.
Pothuaj tërë jetën skenike kemi qenë në një kabinë. Njëherë, tek punonim për të zgjidhur “maskat” e roleve tek “Morali i zonjës Dulska” ajo ishte e shqetësuar, diç i mungonte personazhit të saj. E pyes:
– Çfarë ke, moj Marie?
– S’po e gjej ça dreqin i mungon këtij grimi!,- m’u përgjigj dhe befas bërtiti,- E gjeta moj! Nishani! Nishani në faqe më mungon! Ai ma bën fytyrën jo vetëm të egër, por edhe të bukur para zonjës Dulska!
Kur përgatisnim dramën “Halili dhe Hajria” gjatë provave në skenë i them Maries që luante Fatimen:
– Pse i tërheq aq rëndë papuçet?
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
qershor 1988
SIPER
Ndrekë Luca
Artist i Popullit (aktor)
Skena – jeta e saj
E pashë së pari në rolin e Alisës në dramën “Rrënjët e thella”, ku Maria zbuloi qartë rrënjët e thella të talentit të saj që më vonë do të krijonte figura të përsosura nga dramaturgjia kombëtare dhe ajo botërore. Në këtë kohë ajo luante aq bukur edhe Fatimen fallxheshë, dinake e cinike në dramën “Halili dhe Hajria”. Por personazhi që në të ardhmen do t’i jepte emrin e vet ishte Lokja, interpretuar prej saj për herë të parë në vitin 1954. Ishte e re për këtë rol, 34 vjeç, por Maria krijoi një nënë- loke me aq vërtetësi e besueshmëri, saqë me të drejtë gjithkush u trondit. Unë nuk gjej fjalë për ta përshkruar atë çast. Zëri i saj aq njerëzor me tingull tragjik mbyste dhimbjen e madhe dhe dukej sikur u bënte thirrje të gjitha nënave që të qëndrojnë krenare e burrërisht si ajo e të mos mposhten edhe para goditjeve të tilla. Kam interpretuar rolin e Lekës në atë shfaqje dhe thirrjen e Lokes e dëgjoja jashtë skene. Me tronditjen që më shkaktonte, hyja më vonë në skenë, ku e përqafoja për herë të parë nënë Loken, çka e prekte aq shumë publikun. Lokja-Marie, menjëherë kalonte në një gjendje tjetër shpirtërore dhe shfaqjes i jepte një tingull optimist. Kjo Loke tipizon plotësisht nënën shqiptare dhe me të drejtë vlerësohet si një nga figurat më të suksesshme në skenën tonë.
Me këtë rast po kujtoj një nga ngjarjet që lidhet me këtë rol. Ishim në turne dhe mbas shfaqjes na afrohet një fshatare plakë e na drejtohet: “A ma gjeni Loken, se dua t’i flas dy fjalë me të”. – Unë jam Lokja – i tha Maria. – Ti?! – ia priti plaka e çuditur. Unë, – u përgjigj Maria duke qeshur, – apo nuk po ta mbush synin? Maria ishte me rrobat e saj, jo të personazhit. Plaka, mbasi e shikoi me vëmendje, iu kthye: – mos u qeshni me mua plakën. Deshta atë që pashë atje, – dhe bëri shenjë me dorë nga skena, – kurse ti qenke nuse e re. Atë ma dëftoni ku është, se dua t’i them diçka. Maria i drejtohet me ngrohtësi: Ç’farë don të thuash, moj nanë? – Dua të them… – vazhdoi fshatarja.- Ah, moj nuse, qava së bashku me të…qava me Loken, se m’u kujtua jeta ime e mjerë, plot dhimbje e vuajtje, pa asnjë ditë gëzimi. Desha ta përqafoj e t’ia shtrëngoj dorën… desha të them se ajo vuajti, por ma së fundi i erdhën ditët e gëzimit në jetë. Heshti, iu njomën sytë dhe, duke u përpjekur ta përmblidhte veten, vazhdoi: “Mos ma vini re, ju e shikoni, jam plakë, por… Lokes nuk iu shue shtëpia, i shpëtoi një djalë, kurse mue asnjë”. Maria me lot në sy e përqafoi dhe u ulën të bisedojnë bashkë, kurse ne të tjerët u larguam.
Më vonë kur Maria interpretoi Bernarda Albën, shumë thanë se këtë rol sikur e kishte shkruar Lorka për të. Kaq fuqishëm shprehej despotizmi i saj përmes syve, zërit dhe plastikës, saqë ajo atmosferë mbytëse që krijonte në skenë kalonte edhe në sallë. Apo qëndrimi i saj në rolin e Tringës te “Shtatë shaljanët”, ku nisi djalin e vetëm në një vdekje të sigurt, pa e dhënë veten para kësaj sakrifice. Askush nuk mund të qëndronte pa u tronditur para Maries-Tringë. Gertruda te “Hamleti” dhe Ledi te “Intrigë e dashuri”, dy figura me botë të madhe shpirtërore që tingëlluan fuqimisht në skenë. Plaka te “Përkolgjinajt” që shikonte se po i shkatërrohej familja e saj e madhe patriarkale dhe përpiqej ta pengonte këtë, vepronte aq besueshëm, sa të vinte për të qeshur në shumë raste, kaq me vërtetësi e interpretonte Maria. Nëna te “Cuca e maleve” ishte një krijim aq i bukur, sa që, edhe pse nuk dilte shumë herë në skenë, ajo ngulitej te çdo shikues, kaq e dashur bëhej për të.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Margarita Xhepa
Artiste e Popullit (aktore)
Aktorja më shqiptare e të gjitha kohrave.
Maria Logoreci ishte një nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të teatrit dhe pati fatin e madh të shkëlqente në kohët e mëkëmbjes së Teatrit Kombëtar. Vitet ‘50-‘60-‘70 janë padyshim më të ndriturat, ato përbëjnë një epokë më vete, nga e cila dolën gjigandë të vërtetë të artit.
Pikërisht atëherë shpërtheu talenti i saj i mrekullueshëm, si një ogur i mbarë për të gjithë ata që e shijuan nga afër. S’mund të harrohen ato vite. Nuk mund të vjetërohen kurrësesi fuqia dhe madhështia e grave që ajo aq hijshëm diti t’i lartësonte në skenë.
Loket e saj shqiptare janë të pashoqe, të papërsëritshme. Teatri ynë duhet ta quajë veten fatlum që pati një aktore si ajo. Dashuria për teatrin, vullneti, përkushtimi, zëri i saj melodioz, gjykimi i saj çudibërës janë mishëruar në një varg rolesh përmendore. S’ka pluhur t’i mbulojë ato, s’ka kohë dhe sistem t’i venitë. Kur ke thënë Marie, ke pohuar krijuesin dhe njeriun bashkë. Është e vërtetë që këto nuk shquhen te kushdo, veçse ajo dinte t’u shërbente që të dyve, dinte t’i shkrinte mjeshtërisht ato, duke i skalitur nga roli në rol.
Po, ajo ishte artiste e mirëfilltë, në çdo qelizë e pjesëz të saj. Ajo edhe paskëtaj do të vijojë t’i japë leksionin e vet kujtdo që do të guxojë t’i përvishet rrugës aq të mundimshme të aktrimit.
Na ka mbetur në mendje dhe në sy motra Tone e Kol Idromenos, pejsazhet e Vangjush Mios etj. Kështu është e skalitur Lokja e Marie Logorecit që është sintezë e gjithë Lokeve shqiptare.
Edhe paskëtaj, ajo do të vijojë të mbetet një nga Shën Mariet tona më të shtrenjta.
Maria u shfaq në skenën tonë si fenomen krejt i pazakontë për nga përmasat dhe përmbajtja. Këtë e provon më së miri e tërë krijimtaria e saj 40 vjeçare. Në repertorin e saj Maria ka një gamë të gjerë rolesh. E kujtojmë atë me dramën “Komploti i të dënuarve” në rolin e Kristina Paderës. Në interpretimin e këtij roli ajo zbuloi hipokrizinë djallëzore të kësaj gruaje që është gati të sakrifikojë çdo njeri mjafton që të arrijë qëllimin e saj.
Nuk mund të harrohet kurrë Marie Logoreci në rolin e Alisa Lengton te “Rrënjët e thella”. Alisa e Maries është një vajzë kapriçoze, mondane, që ka vetëm një lustër të jashtme, që vetëm sa shqipton fjalët “barazi”, “vllazëri”, kurse në thellësi të shpirtit të saj është konservatore, e mbytur nga paragjykimet.
Një sërë rolesh të tjerë të suksesshëm janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Prenda te “Cuca e maleve”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Manushaqja te “Drita”, Fatimja te “Halili dhe Hajria” etj.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Tish Daia
Artist i Popullit (kompozitor)
Maria këngëtare
Maria ka kënduar që e vogël, por e njohur në të gjithë Shqipërinë u bë mbas luftës. Ajo këndonte në aktivitetet e rëndësishme që bëheshin përkrah të mirënjohurve Gjyzepina Kosturi, Maria Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Hysen Pelingu etj., të shoqëruar nga Lola Gjoka e nga Mario Ettore. Pjesëmarrja e saj në Radio Tirana e bëri të dashur e të njohur për publikun e gjerë. Këndonte gati çdo ditë drejtpërdrejt 5-6 këngë nga repertori i saj i mbi 100 këngëve. Në nëntor 1946 me Korin e Përgjithshëm Shtetëror bëri një turne në Jugosllavi e Bullgari ku këndoi si soliste përkrah Kristaq Antoniut dhe Hysen Pelingut. Suksesi në koncertet e dhëna ishte i madh. Jehona e tij u ndje mes artistësh, gjë të cilën e pasqyroi edhe shtypi i kohës.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
shtator 1998
Sipër
Pirro Mani
Artist i Popullit (regjisor)
Ajo ishte personifikim i epikës
Isha shumë i ri, i pasionuar pas muzikës, dëgjoja në kinema “Kosova” apo në radio duke kënduar Marie Logorecin një mexosoprano që të magjepste me zërin e saj të ngrohtë, muzikalitetin, ishte një mrekulli në atë thatësirë artistike të asaj kohe. Njerëz si Maria ishin për ne si oaze, burim me ujë të pastër e të kthjellët.
Pasi kaluan disa vite, unë do të filloja shkollën për aktor. Në verë para fillimit të shkollës shkojmë në plazh me disa shokë. Atë ditë e kam parasysh në çdo moment. Po qëndronim në rërën e nxehtë pasi ishim larë, kur nga uji dolën dy gra të reja e vijnë drejt rërës. Pamë njeri tjetrin.
– Sa e bukur!
– Është Marie Logoreci, – tha njëri nga shokët.
– Këngëtarja?
– Jo, nuk këndon më, ka shkuar në teatër!
Mua më doli parasysh imazhi i njohur me kostum popullor që e kisha parë nga larg në skenë.
E pashë Marien me tiparet, sytë, flokët, trupin e bukur, lëkurën ngjyrë ulliri të hapur e mendova: “vërtet kështu janë aktorët”, kështu i kishim parë nëpër filma dhe u mbusha me një ndjenjë të çuditshme shprese e krenarie. Edhe unë do të studjoja e do të bëhesha aktor.
Pasi kreva Liceun Artistik për aktor më morën në teatër dhe aty luajta disa role episodike. Në atë kohë në teatrin e Tiranës ishin grumbulluar nga gjithë Shqipëria por sidomos nga Shkodra e Korça, qytete me traditë. Në mes të të talentuarve ishte dhe Maria që vinte nga familja e Logorecëve e njohur dhe e nderuar në Shqipëri.
…
Eshtë e vështirë të thuhet e të shkruhet imazhi, marrëdhënia, megjithatë do përpiqem të them çfarë përshtypjesh kam për Marien.
Kështu fillova vitet e bashkëpunimit me aktorët e mëdhenj të teatrit të Tiranës. Që në rolet e para që ndava, sigurisht Maria kishte role kryesore se edhe vetë shkrimtarët i kishin shkruar për të, “Përkolgjinajt”, “Cuca e Maleve”, “Përmbytja e madhe”. Mënyra si Maria punoi me këto personazhe, botën e të cilave e njihte mirë, ishte mahnitëse, vetë natyra e saj nuk e pranonte artificialen, të huajën. Maria në çdo sekondë ishte Ajo. Ishte një sinqeritet poetik plot vërtetësi artistike që dilte nga shpirti i Maries, e, është i saj. Nuk huazonte Maria, nuk e pranonte protezën, prandaj rolet e saj ishin të pastër, të kulluar, të thellë, pasionantë, të logjikshëm, të sinqertë, që komunikonin me spektatorin. Këto fjalë janë pak letrare, pozaike, sa keq që nuk mund të thuhen në poezi. Nga interpretimet e saj nuk më harrohen kurrë, Alisa te “Rrënjët e thella”, Kristina te “Komploti i të dënuarve”, apo edhe roli i vogël, por që është figurë shumë e qëndisur, Magjistarja te “Halili dhe Hajria”, një kararkter mjaft i njohur.
Më kujtohet në punën me rolin te “Cuca e Maleve”, ajo na shpalosi rolin që ditën e parë duke na dhënë të plotë atë që unë imagjinoja për këtë personazh. Ajo jo vetëm krijoi rolin e vet, por duke qenë e besueshme dhe e vërtetë u imponohej edhe partnerëve. Mendoj se kulmi i Maries ishte Gjela te “Përmbytja e madhe”. Ajo ishte një figurë simpatike, një figurë kontrapuntale, e si e tillë ishte një copë e vërtetë e asaj malësie, e psikologjisë, një copë shkëmb i atyre maleve. Ajo ishte një dhimbje. Harmonia e interpretimit, muzikaliteti, vërtetësia e madhe e veprimit psikofizik, mënyra si e dëgjonte partnerin, si gjestikulonte, të gjitha këto krijuan një figurë që do ta krahasoja me Nënën Kurajë të Brehtit të luajtur nga Helen Vaiger (e shoqja e Brehtit). E them i bindur se Gjela e Marie Logorecit është në atë nivel me Nënën Kurajë të Helen Vaiger. Ai ishte një personazh që nuk e ka patur më skena jonë. Sigurisht një pjesë e të rinjve sot nuk e dinë se ç’është ky rol i Maries, por ata që e kanë parë në skenë shpërthimin e Maries nuk do të harrojnë sytë e saj, zërin e saj. Ajo ishte Marie Logoreci. Kritika shqiptare i është shumë borxhlie teatrit në përgjithësi e Marie Logorecit në veçanti. Unë them me bindje Marie Logoreci është Eleonor Duzë, Greta Garbo, Sara Bernar, Jermollova.
E prisnin Marien nëpër turne si një njeri të jashtë-zakonshëm, në rrethe të ndryshme në Shqipëri, por edhe në turnetë në Kosovë.
Asgjë nuk mund të zëvendësojë emocionet që ajo të shkaktonte në skenë, emocionet që ia jepte spektatorit, por edhe ne kolegëve. Regjistrimet që na kanë mbetur prej saj, fatkeqësisht, për shumë arsye na japin një imazh të kufizuar e mjaft të zbehtë të talentit e figurës së saj të madhe.
Çdo teatër, ai italian, francez, gjerman, rus, anglez ka karakteristikat e tij, ka fytyrën e tij që i përshtatet dhe është njëkohësisht shprehës i karakterit të popullit të vet, pra shpirti i tij. Çdo teatër ka edhe aktorët e mëdhenj të tij, që janë ata që përmenden bashkë me teatrin e secilit vend. Po kështu ndodh edhe me teatrin shqiptar. Marie Logoreci është një nga këto emra që e përfaqëson. Marie Logoreci me rolet që krijoi dha me mjeshtëri figurën e shqiptares, të asaj të Shqipërisë së Veriut. Ajo ishte personifikimi i epikës. Pra shkurt, të gjithë ne kemi vënë gurë në zhvillimin e teatrit, por Maria e disa të tjerë kanë vënë ata gurët e mëdhenj të themelit që nuk lëvizin. Ajo ishte shumë shqiptare në çdo qelizë të saj e të artit të saj.
Këto figura si Maria e shokët e saj të mëdhej të teatrit shqiptar, janë vlerësuar, për mendim tim jo aq sa duhet në kohën e vet, por vlera e tyre rritet çdo ditë se ata janë pika referimi.
Madhështia e saj u arrit në rolet që ajo mishëroi te “Toka jonë”, “Përkolgjinajt”, “Cuca Maleve”, “Përmbytja e madhe” etj.
Bashkëkohësit 20-30 vite rresht, të moshuar e fëmijë, intelektualë, punëtorë e fshatarë të gjithë e thërrisnin “Loke”. Ky ishte emri më i bukur që ajo i dha vetes me talentin e saj. Një emër që tingëllonte bukur kudo ku e thërrisnin.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Drita Pelingu
Artiste e Merituar (aktore)
Artistja që mishëroi vlerat morale të gruas shqiptare
Sa herë e kujtoj Marie Logorecin më del para syve Lokja e skenës shqiptare dhe… një ndër bukuroshet e saj. Kur themi Lokja do ishte e pamjaftueshme të identifikonim me të vetëm personazhin tek drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës. Padyshim që kjo figurë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit, por këto mbresa u përforcuan dhe krijuan kurorën e Lokes-Marie kur aktorja luajti edhe Marën te “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës, Tringën te “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës, Prendën te “Cuca e maleve” e Loni Papës, Gjelën te “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës etj. Te të gjitha këto nëna malësore, Maria, me përshtatshmëri e organicitet të jashtëzakonshëm nënvizoi elementët e rinj të jetës shoqërore.
Njohja e mirë e mjedisit ekzistues dhe, nëpërmjet literaturës dokumentare dhe artistike njohja e peripecive në të kaluarën e vendit e ndihmoi artisten e mirënjohur për të krijuar figura në gjithë gamën e gjerë shpirtërore, mendore e fizike të tyre. Ato mishërojnë vlerat morale të malësores shqiptare ndër mote: dashurinë, dhembshurinë, burrërinë, trimërinë, mikë-pritjen, zemërdridhjen apo vetpërmbajtjen.
Nënvizojnë pozicionin shoqëror të gruas dhe vendin që ka zënë ajo në familje. Një notë dhimbje i shoqëron këto nëna. Po në të njëjtën kohë Maria nënvizon intuitën, trimërinë dhe vetpërmbajtjen e tyre.
Me interes është fakti se të gjitha këto nëna malësore, këto Loke, kanë të veçantën e tyre që i dallon shumë nga njëra tjetra. Në të njëjtën kohë ato i bashkon një karakteristikë e përbashkët: janë nëna orgjinale shqiptare ndonëse i përkasin një treve të caktuar gjeografike.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
gusht, 2000
Sipër
Agim Zajmi
Artist i Popullit
(Piktor, skenograf, profesor në Akademinë e Arteve)
Nuk e përfytyroj Loken ndryshe, veç, me fytyrën e Maries…
Dua të filloj bisedën në aspektin viziv. Kujtoj Marien e re dhe Marien e vjetër në moshë. Disa njerëz janë të bukur nga ana vizive kur janë të ri, ndërsa kur plaken e humbin. Maria, unë nisem si piktor, ishte e bukur kur ishte e re, ndoshta ishte më e bukur e moshuar. Ishte rast i rrallë. Me këtë pamje të bukur e kujtoj Marien edhe në skenë, interesante kur ishte e re, më interesante kur ishte e moshuar. Gjatë punës artistike në skenë ajo fitoi një ekspresion plot vitalitet, që rrallë e ka aktor tjetër. Ndoshta ishte aktorja më e kompletuar që ka pasur Teatri Kombëtar në drejtim të një loje realiste, e cila përveç realizimit mjeshtëror arrinte në kontakte artistike bashkëkohore, me forcën shpirtërore e temperamentin e saj. Përveç zërit të mreku-llueshëm, sytë e saj ishin magjepsës, sy që zhbironin deri spektatorin e fundit. Portreti i saj ishte i tillë që më bënte të mendoj: si nuk ka një regjisor që duke parë Marien të vërë në skenë “Medea-n”. Është fatkeqësi që në teatër nuk u vunë disa pjesë të fuqishme si “Medea” ku ajo të shpaloste tërë magjinë e artit të saj.
Maria ishte njohëse e mirë e veshjeve kombëtare. Si skenograf unë duke ruajtur veçoritë dhe natyrën e kostumit popullor, e stilizoja. Diskutonim bashkë se ajo njihte me detaje çdo element që kishte kostumi kombëtar. Këtu ne bënim një diskutim krijues jo vetëm për kostumin, por edhe për mjedisin të cilin ajo duke qënë nga Veriu dhe e pasionuar, e njihte shumë mirë. Gjëja që kujtoj ishte që vinte në teatër gjithmonë me vrap dhe tek dera e teatrit ajo hynte me një vrull të çuditshëm (siç duket nga ngarkesa e punëve në shtëpi) dhe apelit të aktorëve i përgjigjej tek hynte në derë: – Këtu! Këtu!
Në veprat kombëtare ku ajo interpretonte, çuditërisht, pjesët fillonin me futjen në skenë të figurës që ajo luante ose hapja e perdes e gjente atë në skenë. Marien e shikoje në skenë shumë më përpara. Perdja ishte ende e mbyllur, ajo kishte filluar shfaqjen me anë të kujtesës… Nuk donte biseda. Nuk jepte përgjigje. Dy aktorë kam parë tek rrinin kështu në skenë para fillimit të shfaqjes, Loro Kovaçin dhe Marien. Më kujtohet gjatë një turneu në Kosovë, ku kishim para një publik dashamirës, një publik që nëpërmjet skenës komunikonte me Shqipërinë. Unë gjithmonë parafytyroja se, për ta, kur hapej sipari ishte njëlloj si të hapej kufiri e ata mund të hynin në Shqipëri. Para fillimit të shfaqjes u futa në skenë. Aty gjeta Marien që kishte ndezur kandilin të cilin në fillim të shfaqjes do ta mbante në dorë.
…
Maria kishte dy gjëra kryesore: sytë verbues, shprehës dhe vizionin plastik. Ajo ka qenë kundër efekteve, mbështetej, në të dhënat e saj të natyrshme. Ajo kishte një portret shumë shprehës. Po nuk pate fotografi, pas një kohe prej disa vitesh, humbet vizioni i njeriut. Kurse Marien edhe pas kaq vitesh mund ta vizatoj sepse ishte figurë e veçantë, karakter, me linja të pastra. Ajo ishte vizuale.
Në jetën private, jashtë skenës, ishte njeri me humor, dhe bënte humor vazhdimisht me Gjon Karmën, me të cilin kishte njohje më të vjetra, këndonte me Behije Çelën, se ato të dyja kishin qenë këngëtare dhe prej tyre në teatër krijohej një gjendje e ngrohtë. Ajo ishte shumë modeste, ishte artiste e madhe në skenë dhe njeri në jetë. Ishte një nënë e urtë, e qeshur, e muhabetit. Të krijonte përshtypjen e njeriut që e ke në familje. Me Marien uleshe, pije kafe e të dukej vehtja sikur je në shtëpinë tënde. Nuk paraqitej e veçantë, megjithëse ishte e veçantë.
Pa dashur të fyej askënd dua të them se në disa momente të caktuara koha sjell në jetë talente. Tani Marie nuk ka. Nuk e parafytyroj Loken ndryshe vetëm me fytyrën e Maries, nuk parafytyrohet Gjela veçse si Maria, por edhe Bernarda Alba etj. Siç themi për bustin e Skënderbeut të cilin Odhise Paskali e ka përjetësuar.
Rolet e dramaturgjisë shqiptare që Maria ka luajtur duket sikur autorët i kanë shkruar për të, e them këtë se aktorët e tjerë të teatrit ishin të planeve të tjera. Nuk kishte regjizor që të mos kuptonte se ato role ishin për Marien. As në atë kohë, as sot, nuk mund t’i luante askush si ajo. Por Maria jetoi e punoi në një periudhë të artë të teatrit, mes aktorëve të mëdhenj. Ajo pati fat që e lindur për aktore u bë e tillë dhe punoi me të tillë. Kjo plejadë kishte aktorë të të gjithë planeve, ata bënin një fjali me të gjitha shkronjat. Ne sot ndjejmë se na mungon Maria, Loro Kovaçi, Gjon Karma, Mihal Stefa, etj, etj, ku secili kishte zërin e vet, sillte fjalën e vet.
…
Them që rolet e saj janë të papërsëritëshme, kjo nuk është superlativë, por një e vërtetë. Maria është e madhe në mes kolegësh të mëdhenj si Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, etj., që krijonin bashkë atë orkestër madhore të zërave dhe të interpretimit.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
gusht 1998
Sipër
Gjon Karma
Artist i Merituar (aktor)
Vajza e vogël me emrin Tush… artiste e madhe
Kur isha fëmijë, më kujtohet një vajzë pak më e vogël se unë, rreth moshës 7-8 vjeçare, me emrin Tush. Tushi ishte një vajzë topolake, e bukur dhe shumë e shoqërueshme me fëmijët. Megjithëse i kishte të gjitha mundësitë (predispozitat) për të qenë fëmijë e përkëdhelur (babai dhe nëna s’kishin tjetër fëmijë dhe veç sytë e saj shikonin), Tushi e vogël nuk tregonte asnjë shenjë llastimi e kokëfortësie, por afrohej me shoqet e shokët dhe i donte sikur t’i kishte motra e vëllezër.
Unë banoja në një rrugë me të. Dera e oborrit tim ishte katër pesë metra përballë derës së saj. Çdo ditë, së bashku me moshatarët luanim herë në oborrin tim e herë në oborrin e saj. Ne e nxitnim herë pas here që të këndonte dhe ajo, me ata sy të zes e shikim të thellë, pa asnjë ndrojtje fëmije këndonte me një zë të fortë e melodioz, sa të gjithë të afërmit e komshijtë dilnin nëpër dyer e dritare për ta dëgjuar… Babai i saj, Palok Çurçia, burrë i ndershëm dhe patriot, punonte këpucar, kurse nëna e saj, Roza ishte një grua shtëpiake shumë e thjeshtë, e dashur, e buzëqeshur me të gjithë komshijtë e farefisin…
– “Tush”, – e thërriste e ëma, dhe kjo menjëherë vraponte në shtëpi.
– “Erdha nanë”!…
Bënin jetë familjare të mirë, jo me pasuri, por me nder e dashuri.
Më vonë Tushi hyri në shkollën femnore që ishte në atë u mirëprit nga shikuesi dhe kolegët e saj. Më vonë Tushi hyri në shkollën femnore që ishte në atë kohë në Shkodër. Aty, përveç mësimeve shkollore, nxënëset merreshin edhe me këngë, recitime, teatër fëmijësh etj. Sa për këngë Tushit nuk ia kalonte asnjë nga shoqet, por ajo u dallua edhe në disa bocete teatrore. Me kalimin e viteve u lanë lodrat e fëminisë. Tani Tushi kur dilte për të shkuar në ndonjë vend apo për vizitë, ishte gjithmonë e shoqëruar me dajën e vet Zef Bjankun, sepse në ato kohë të zymta vajzat nuk mund të dilnin vetëm rrugës. Kështu Tushi filloi të shihej më rrallë. Në mbrëmjet e qeta të verës, ne komshijtë e afërt e dëgjonim me ëndje tek këndonte këngët popullore shkodrane.
Tushi e la Shkodrën kur u martua me Kolë Logorecin, djalin e patriotit Mati Logoreci. Megjithëse babai, nëna dhe të afërmit nuk e lëshonin kurrë nga goja emrin Tush, këtu në Tiranë ajo u njoh me emrin e saj të vërtetë, Marie Logoreci.
Në fillim ajo nisi të këndojë këngë popullore në Radio Tirana, ku u prit mjaft mirë nga publiku e pati shumë sukses. Aty u njoh me disa artistë të shquar si Kristaq Antoniu, i cili, duke vërejtur ekspresionin e syve të saj të thellë e guximin e saj në sjellje e këshilloi të bëhej aktore teatri. Maries nuk i kishte shkuar ndërmend asnjëherë kjo gjë. Më në fund, duke parë përparimin që kishte bërë teatri dhe shoqet e saj, u bind… erdhi e bëri një provë në teatër dhe u pranua menjëherë. Ishte viti 1947.
Sapo u pranua në teatër, Maries iu dha një rol kryesor në një dramë të huaj, ku si partner kishte aktorin e ri Naim Frashëri. Këtë pjesë e mbaj mend mirë, pasi luaja edhe vetë në të, së bashku me Liza Vorfin. Regjisori, duke e parë të përshtatshme si fizik për atë rol femre të re, u përpoq e punoi pa masë që ta nxjerrë sa më mirë. Ai e shihte se ajo nuk e kishte përvojën e skenës, por vërente talentin që Maria deri atëhere e kishte ndrydhur brenda vetes “si floririn e fshehur brenda malit”. Dhe kështu me përpjekjet e saj dhe të regjisë, doli në dritë roli i parë i Maries, Xhesi. Ky rol i realizuar në mënyrë të shkëlqyer u mirëprit nga shikuesi dhe kolegët e saj. Pastaj Maria bëri emër në Teatrin Popullor dhe rolet e saj erdhën njëri pas tjetrit. Pas rolit të parë që përmendëm më sipër, dubloi rolin e Elmirës në komedinë “Tartufi” të Molierit. Në dramën “Rrënjët e thella”, në rolin e Alisa Lengtonit ishte e pakrahasueshme.
…
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
qershor 1988
Sipër
Ilia Shyti
Artist i Merituar (aktor)
Si u njoha me Marien
Ishte viti 1954 kur u largova nga qyteti im i lindjes Lushnja dhe erdha në Tiranë. Dita e parë që shkova në teatër ka mbetur e paharruar në kujtesën time. Ishte ora 16 e 30 minuta, koha e ardhjes së aktorëve për tu përgatitur për shfaqjen. Me të hyrë në oborrin e teatrit pashë kryeregjisorin Pandi Stillu që dilte nga studioja.
– Erdhe!? – më tha.
– Po, tashti jam i juaji.
Më shtrëngoi fort, ashtu siç e kishte zakon i ndjeri Pandi.
– Marie – thirri ai.
Në këtë kohë kapërcen derën e oborrit të teatrit “Lokja” siç e njihnim ne, Marie Logorecin. Ishte hera e parë që e ndeshja përballë këtë artiste kaq të njohur që në atë kohë, e kisha parë në shfaqjen “Toka jonë” të Kolë Jakovës.
– Eja Marie të takosh Ilian, aktorin e ri të teatrit tonë – i tha kryeregjisori.
– Ilia, – pyeti, – mirëserdhe, paç këmbën e mbarë, suksese! Pastaj duke u larguar, – më fal më duhet të iki. Mirupafshim nesër në orën nëntë. Mos harro të shohësh shfaqjen sonte, – dhe fluturoi.
…
Por koha kur interpretoi Maria ishte një periudhë e artë e Teatrit shqiptar dhe ndoshta e artit në përgjithësi në Shqipëri, ashtu siç kanë pasur të gjithë popujt periudha të tilla në historinë e tyre. Në këtë periudhë me talente të mëdhenj, njeri nga ata ishte Marie Logoreci. Ajo në atë kohe ishte idhulli i shumë aktoreve dhe shkroi në historinë e teatrit shqiptar faqet e saj.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Tinka Kurti
Artiste e Popullit (aktore)
Eshtë e rrallë dhe e madhe
Si sot më kujtohet takimi i parë, i çuditshëm me Marie Logorecin. Unë vija nga Shkodra në Tiranë për të vazhduar politeknikumin e ndërtimit, por rastësia bëri që konvikti i shkollës të ishte zënë e mua më çuan në konviktin e Liceut Artistik, për fat ndoshta, nuk u ktheva më në politeknikum se më propozuan (këtu po kujtoj kompozitorin tonë, të paharruarin Tonin Harapi) që unë të vazhdoja shkollën e artit dramatik dhe për këtë duhet të bëja një provim. Provimin do ta bëja para regjisorit rus, Dudin, një regjisor me emër shumë të madh që ndenji për pak kohë në Teatrin Popullor. Në sallë kishte disa aktorë, regjisori rus dhe regjisori ynë Anton Pano. Unë e dija se në Teatrin Popullor kishte shumë aktorë me emër që ishin shkodranë. Ajo që më tërhoqi vemendjen ishte një grua shumë e bukur në fund të sallës që po rrinte pranë sobës duke futur dru në furrën e saj.
Ndërkohë provimi kishte filluar dhe unë duke iu përgjigjur pyetjeve të regjisorit rus i thashë se luaj me top. Atëherë ai më pyeti, nëse shkoja në stadium. Unë nuk e dija çfarë ishte stadiumi. Në këtë moment ndërhyri ajo gruaja e bukur me një zë melodioz:
– Na në Shkodër i thona “Fushë topit”!
Mua më befasoi, zëri, që diku m’u duk se e kisha dëgjuar, aq karakteristik ishte. Dhe nuk isha gabuar, e kisha dëgjuar në radio ku Maria këndonte. Pra kjo ishte Maria Logoreci.
…
Më vonë unë kam pasur fatin të luaj te “Toka jonë” me Marien, Loron, Ndrekën në një shfaqje të përbashkët (duhet thënë këtu që “Toka jonë” ishte vënë edhe nga Teatri i Shkodrës) ku Lokja, Tuçi e Leka ishin nga Teatri i Tiranës. Për mendimin tim, pa dashur të fyej askënd ai ishte një spektakël brilant që nuk përsëritet. Dhe ndoshta ishte ky rol, Filja, që mua më tha “rri në teatër”. Kisha filluar në teatër në ‘49, drama u vu në ‘54. Unë isha në mëdyshje, duhet të rri në teatër, apo jo? Se të jesh i fundit më mirë të mos jesh. Në këtë shfaqje unë pata sukses, spektatori e priti me ovacione e shtypi shkroi artikuj të bukur. Por më e madhja ishte se me gjithë atë mrekulli që kishte bërë Marie Logoreci me Loken që spektatori edhe sot atë Loke njeh, kënaqej për suksesin tim dhe me dashamirësi më prezatonte mua para publikut.
Bashkë me Marien kam interpretuar edhe në film, që nga filmi “Tana”. Por filmi ka specifikën që aktori është partner në rol e nuk është partner në studio. Kështu në këtë film nuk kemi qëndruar shumë bashkë, se Maria për problemet familjare që kishte largohej shpesh për në Tiranë. Shumë më vonë kam xhiruar “Operacioni zjarri” dhe kujtoj atë disiplinë që kishte ajo grua, ishte shembull për të gjithë. Xhironim natën në një ambjent të lagësht. Bëhej gati e para dhe shpesh ishte e pakënaqur me punën e saj dhe ngulte këmbë për rixhirime.
– Marie, – thoshte regjisori – ishe mirë, moj.
– Jo, jo e ndjej unë, due ta baj prap nesër!
Ajo ishte një shkollë për ne dhe i dha shkollë artit shqiptar. Unë e kam ndjekur vazhdimisht dhe mendoj se kam mësuar shumë prej saj.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Klara Kodra
kritike letrare, përkthyese e gjuhës italiane
Maria Logoreci, ashtu si m’u shfaq
Më ka mbetur në mendje që nga fëminia një kujtim për Marie Logorecin.
Isha trembëdhjetë vjeçe. Për herë të parë shkoja në teatër, në Teatrin “e vërtetë”, në atë të të rriturve e jo në Teatrin e Kukullave. Pra, babai më çoi në teatër të shihja dramën “Toka jonë”. Këtë dramë unë e kisha lexuar. E kishim në tekstin tonë të shkollës.
Dhe ja, më dukej sikur personazhet dilnin përmes një mrekullie nga libri dhe shndërroheshin në njerëz të gjallë.
Maria m’u shfaq si një plakë e imët, me fytyrën e gdhendur nga rrudhat si shkëmb. Në atë shkëmb shkëlqenin si burim drite sytë që derdhnin rreze mbi ne spektatorët. Unë i përfytyroja nënat të bukura e të reja siç ishte mamaja ime.
Maria m’u duk si një “gjyshe” apo si një zanë plakë e përrallave që më tregonte dikur mamaja.
…
Maria qe aktorja e parë që njoha dhe admirova, që zbuloi para syve të mi prej fëmije botën magjike të teatrit.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Pjerin Logoreci
Botues
Kujtimet e mia per mamën
Ngjarjet me të cilat nëna ime bën pjesë në kujtesën time në mënyrë të pashlyeshme janë të pafund. Megjithëse kanë kaluar mjaft vite që kur ajo u nda prej nesh unë e ndjej me të gjitha qelizat e trupit mungesën për të: për humorin e mënyrën e të shprehurit figurativ aq karakteristik, për ëmbëlsinë e kujdesin e saj të rrallë, për këshillën e mençur, të kujdesshme e largpamëse, për masën e saktë në të folur e të vepruar, për zemërimin e saj të vrullshëm, për praninë e saj, për qënien e saj.
Edhe sot sa herë që ndodhem në një udhëkryq mendimi dhe veprimi, ndjej veten ta pyes dhe ajo më përgjigjet me zërin e saj të kthjellët e melodioz me timbrin e bukur që e kam në mendje që kur kam lindur e do të më shoqërojë deri në fund të jetës. E ndjej përsëri këshillën e saj që më vjen në mënyrë të natyrshme nga ndërgjegja, por nganjëherë më vonon e herë herë më mungon. Dhe kjo është mungesa më e madhe, zbrastësia më humnerore që ndjej. Ndjej që çdo ditë ajo largohet prej meje duke u pluhurëzuar dhe unë mundohem ta mbaj, ta prek, ta ndjej, ta shoh imazhin e saj ekspresiv, ta kap me thonj për të mos rrëshqitur nga kujtimet, imazhet, vegimet.
Për të shkruar për nënën time sigurisht që është shumë e vështirë, por doja që ky libër ta kishte edhe këtë shkrim për ti dhënë edhe diçka më shumë nga jeta personale e saj. Kështu do të mundohem të organizoj kujtimet e mia të shumta në ato aspekte të jetës së përbashkët që për mua u bënë mësim.
…
Pas 10 vjetësh shkova në Teatrin Kombëtar që tani ka ndryshuar shumë që atëhere. Nuk është ai mjedis mikpritës e i ngrohtë, mungon zëri i bukur i Naim Frashërit, e folura plot pasion e sinqeritet e Ndrek Lucës, mungojnë të gjitha ato fytyra të njohura që u bënë të dashura për mua. Të gjithë ata që nuk janë më Loro Kovaçi, Mihal Popi, Sandër Prosi, Prokop Mima etj., por edhe ata që tashmë nuk shkojnë më Pirro Mani, Ilia Shyti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Liza Vorfi, Ndrek Shkjezi…
Në oborr në një tavolinë janë mbledhur aktorë të rinj, disa prej tyre nuk i njoh si emra. Në mes tyre edhe Lazër Filipi. Unë iu afrova tavolinës.
– Ou Pjerini!,- tha Lazri duke buzëqeshur,- Pjerini është djali i Maries dhe ne për Marien ngrihemi në këmbë, – tha duke iu drejtuar të tjerëve.
Të gjithë u ngritën.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Mendimi estetik teatror, profesionist
Mexhit Prençi
Kritik dhe studiues i atrit
Magjia e artit të aktores dramatike
I
Teoricieni amerikan i letërsisë, Rene Velek, duke analizuar teorikisht fenomenin e identitetit artistik pyet: “Përse e studiojmë Shekspirin?” Dhe përgjigjet vetë: “Është e qartë se nuk na intereson ajo që ai ka të përbashkët me të gjithë njerëzit, sepse atëhere, njësoj si atë do të mund të studionim cilindo tjetër; nuk na intereson tek ai as ajo që ka të përbashkët me të gjithë njerëzit e Renesancës, me të gjithë elizabetianët, me të gjithë poetët, me të gjithë poetët dramaturgë elizabetianë, sepse në ato raste do të mund të studionim Dekerin ose Hejvadin. Do të thoshim se duam të zbulojmë atë që është personale e Shekspirit, atë që e bën Shekspirin Shekspir; është e qartë se ky problem i takon të veçantës dhe vlerësimit”.
Sipas kësaj optike do të përpiqem të paraqes magjinë e artit të Marie Logorecit, atë të veçantë, personale, të artistes që e bën Marien Marie, çka do të thotë se krijimtaria e saj artistike ka vulën e vet të identitetit artistik.
II
Po të shikosh në ekranin e memories figurat artistike që ka krijuar Marie Logoreci, ajo që të bie menjëherë në sy, është realizimi mjeshtëror i tyre, mishërimi artistik origjinal, ku spikat forca dramatike, epike dhe tragjike e interpretimit, sa që mund të konkludojmë se Marie Logoreci është aktore dramatike. Opinioni teatror masiv, opinioni i specializuar dhe kritika profesionale e ka fokusuar artisten si aktore dramatike. Kjo të jep mundësira dhe hapsirë për ta qëmtuar dhe paraqitur atë që është personale, atë që përbën thelbin dramatik të Logorecit si aktore potente.
Rol parësor në formësimin e aktores dramatike kanë vetë të dhënat natyrale si: temperamenti i fuqishëm, dinamik e shpërthyes; zëri i plotë, kumbues, një zë burrëror; sytë e mëdhenj, të zi e zhbirues; të vetëndjerit potent, një dhunti kjo e çmuar dhe e pazevendësueshme te aktori dhe, plastika e natyrshme që e ka burimin jo vetëm në dhuntitë natyrale të aktores, por edhe në zbulimin e plastikës së rolit dhe krijimin e marrëdhënieve të ndërsjellta midis vetes e figurës duke arritur një integrim të sinqertë.
Këto veçori psikologjike përbëjnë atë të domosdoshme, pa të cilën nuk mund të realizosh karaktere dramatikë. Ky thelb do të mbetej në lëvozhgën e vet, nëse pasioni do të ishte i zbehtë dhe angazhimi i ulët. Harmonizimi i veçorive psikofizike me pasionin dhe angazhimin total, e bënë Marie Logorecin, të kapërcejë mungesën e shkollimit profesional dhe të realizojë figura të papërsëritsshme nga forca shprehëse artistike.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Prof. Dok.Gjovalin Shkurtaj
Prurje në lëmin e të folurit skenik
(Diksioni, intonacioni dhe timbri vetiak i papërsëritshëm i Marie Logorecit)
Marie Logoreci jetoi në “klimën” e rritjes më të madhe teatrore në Shqipëri: për disa dhjetëvjeçarë rradhazi, ajo bashkë me atë plejadë artistësh bashkëkohës, jo vetëm themeluan, por edhe e vunë në hulli të mbara e sollën prurje të plotvlershme e, ndonjëherë të papërsëritshme në interpretim, në diksion, në intonacion dhe sidomos në timbret vetiake të të folurit skenik kombëtar. Ajo nuk qe një shkreptimë në qiell të kthjellët, por pjesë yllësie (kostelacioni) aktorësh që u formuan në Teatrin Kombëtar të kryeqytetit, që ishin mbledhur të gjithë nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe, gati të gjithë, pa pasur as shkollim as përgatitjen teorike-praktike të nevojshme për punën si aktorë. Bashkë me partnerët e saj të mëdhenj, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Mihal Popi, Naim Frashëri, Ndrek Luca, Kadri Roshi, Violeta Manushi etj., do të mbanin “peshën kryesore” në Teatrin Kombëtar si dhe do të formonin të gjitha parakushtet e mundësitë për të themeluar edhe një shkollë shqiptare të artit skenik. Marie Logoreci vuri gurë themeli në interpretim, në diksion, në intonacion, në shqiptimin funksional e plot ngjyra të këndshme, përgjithësisht në një gjuhë mjeshtërore dhe me timbre vetiake. Marien do ta shihnim në role protagonistesh të dramave të mëdha të Shekspirit, të Shilerit, të Lorkës si dhe në sa vepra të autorëve shqiptarë, por më së pari, na vijnë në kujtesë rolet e saj të veçanta në dramat “Toka jonë ” e Kolë Jakovës, “Cuca e maleve” e Loni Papës, “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës. Nuk besoj se e teproj po të them se figura e Lokes, ku ajo pruri në skenë malësoren tipike të Malësisë së Madhe, të Nanës te “Cuca e Maleve”, ku ajo solli mirditoren trime, të vuajtur e gjithmonë madhështore e të papërkulur dhe Gjela te “Përmbytja e madhe”, janë mishëruar në mënyrë të atillë prej Marie Logorecit saqë sot, brezat që i kanë parë në teatër e film ato vepra, zor se mund të formojnë një përfytyrim tjetërsoj të atyre personazheve.
Do të përmend dhe disa nga meritat në lëmin e gjuhës, sidomos të intonacionit, të diksionit dhe të dhuntive të saj, për ta përbluar gjuhën duke ecur gjithnjë nga një pikënisje dialektore shkodrane drejt një gjuhe letrare artistike të përpunuar dhe që shkon kurdoherë drejt një modeli kombëtar. Të folurit skenik dhe krejt trashëgimia interpretuese e Marie Logorecit na kujton atë thënien e bukur të Gazmanit, Strehlerit dhe mjeshtrave të mëdhënj të teatrit italian që thonë: “aktori i mirë është ai që mendon në dialekt e reciton në gjuhën letrare”. Kjo thënie besoj se i shkon përshtat sidomos atij brezi aktorësh shqiptarë, që, siç e kemi pohuar edhe në librin “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1988), e nisën udhën krijuese në lëmin e teatrit e të kinematografisë në një periudhë kur gjuha jonë letrare shqipe e njëhsuar (standart) vetëm sapo përvijohej dhe ishte ende e panjëhsuar përfundimisht. Për këtë arsye, dashur pa dashur, teksa interpretonin në veprat e para të skenës shqiptare, Maria dhe partnerët e saj, kush më parë e kush më pas, vinin edhe gurët e parë të ngrehinës së fjalës artistike, sillnin prurje orgjinale dhe ndihmesa të vyeshme vetiake në shqiptimin e qartë, në diksionin e thekshëm e tipik shqiptar, në intonacionet burimore që ngriheshin në lartësinë e modeleve për t’u ndjekur më tej nga artistët shqiptarë. Në mënyrë të veçantë, brezi i aktorëve moshatarë dhe pasues të Marie Logorecit, dallohen për timbret e bukura krahinore, kryesisht veriake apo edhe mirëfilli shkodrane, të cilat, dalngadalë, do të treteshin këndshëm në atë praktikë përnjësuese e rrafshuese që i takon një gjuhe letrare artistike të njëhsuar. Pra, kur flasim për njëhsimin e standartizimin e gjuhës në skenë do të kemi parasysh edhe lejimin që aty, njëhsimi të mos e pengojë larminë dhe prurjen e timbreve e të përftesave shqiptimore e intonacionore që vijnë edhe nga krahinat. Ato vetëm ia shtojnë gjerësinë dhe hijeshinë gjuhës tonë amëtare. Kam bindjen se pakkush si ajo e pati kurdoherë në zemër e në mendje kujdesin për të folur qartë, bukur, natyrshëm po edhe plot ngjyresa e përftesa origjinale me anën e të folurit skenik aq mjeshtëror. (Këtë bindje timen të hershme pata kënaqësinë ta rindjeja e ta përfocoja edhe këto ditë, duke ridëgjuar enkas për të shkruar këto radhë disa prej interpretimeve më tipike të saj: Loken te “Toka jonë”, një version të hershëm ku Tuçin e luan Loro Kovaçi, kurse Lekën e luan Ndrekë Luca, Fatimen te “Halili dhe Hajria”, zonjën Bernarda te “Shtëpia e Bernarda Albës” ku Maria luan protagonisten, Ledin Milford te “Intrigë dhe dashuri” ku ajo interpreton aq natyrshëm një nga rolet tepër të vështirë të dramaturgjisë së Shilerit, me partner Naim Frashërin, të cilat m’i vuri në dorë bujarisht miku im, zoti Pjerin Logoreci, të cilin gjej rastin ta falenderoj. Personazhet e lart përmendur, si edhe gjithë ajo galeri tipash dhe karakteresh që pruri në skenën shqiptare Marie Logoreci gjatë një jete të tërë, janë aq të ndryshëm si për karakteret, temperamentet, mosha, arsimi, mëtimet ideore e klasore etj. Merita e aktores sonë qe se, të gjithëve, gjithmonë në përputhje me atë që ata përfaqësonin në vepër, diti t’ua gjente edhe mënyrën më tipike të fjalës, të shqiptimit, të diksionit, të intonacionit dhe të gjithçkaje që ka të bëjë me shpërfaqjen sa më të plotë të tyre para shikuesve. Ajo ishte e zonja që, ashtu siç ndërronte veshjen dhe rekuizitën nga Lokja e maleve shqiptare tek Gertruda, mbretëreshë apo tek Ledi Milford, zonja të rënda të Evropës perëndimore, të kalonte edhe në atë mënyrë të foluri që i shkon përshtat, pikërisht, një nëne të mjerë e të shumëvuajtur malësore (në rastin e personazhit te “Toka jonë”) apo të frymës klasike- xhiante dhe poetizuese që karakterizon personazhet e Shekspirit dhe të Shilerit. Kujtoj me shumë qartësi, ndonëse e kam parë para shumë vitesh e kur isha në moshë të re, interpretimin e Gertrudës, duke pasur si partner Loro Kovaçin, me të cilin Maria përbënte një “duet” dramatik shumë harmonik edhe nga ana e të folurit. Ridëgjova me shumë ëndje dhe m’u ngjallën aq përfytyrime edhe nga regjistrimi në kasetë i dramës “Intrigë dhe dashuri” ku, gjithashtu Maria shënoi një nga kulmet e mjeshtërisë së saj edhe gjuhësore.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Vangjush Furxhi
(aktor, studjues, pedagog i artit dramatik)
Pse flas përsëri për Marien
Në biseda shokësh e miqsh, shkrime gazetash, veprimtari shkencore apo leksione studentësh, shpesh ne që patëm fatin t’i kemi partnerë apo t’ua ndjekim krijimtarinë artistëve si Marie Logoreci, i kujtojmë apo i përmendim duke i evidentuar për vlerat e veçanta profesionale.
Ky fakt nuk ka të bëjë me nostalgjinë as me përuljen e verbër ndaj traditës skenike e filmike! Ajo lidhet me forcën rrezatuese e imponuese të talentit të madh.
Këtij gjykimi i bashkëngjitet edhe ai i brezave të rinj të artistëve, njerëzve të kulturës dhe spektatorëve, ndonëse konkludimin e arrijmë jo nga e gjithë krijimtaria e artistëve, por nga parcela të veçanta si incizime e regjistrime shfaqjesh, nga filma, fotografi etj.
Ky fenomen është konsoliduar me artistët e shquar të botës. Shumë prej filmave, spektatori i vendeve të ndryshme vazhdon t’i pëlqejë jo vetëm për subjektin, përmbajtjen apo mesazhet që përcjellin, por edhe për forcën artistike interpretuese apo regjisoriale. Kësisoj vazhdojnë të vlerësohen e shijohen filma e interpretime të Çaplinit, Ezejshtajnit, Felinit, Roselinit, Çerkasovit, Xhuljeta Mazinës, Marçelo Mastrojanit, Entoni Kuinit, Zhan Gabenit etj.
Të tilla vlera gëzojnë e transmetojnë edhe artistët tanë të teatrit e filmit.
Të tillë forcë shprehëse artistike vazhdon të rrezatojë edhe Artistja e Popullit Marie Logoreci në interpretimin e figurave artistike.
A
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Tiranë, 26.09.1998
Sipër
Loni Papa
(shkrimtar)
Intimitete në rolin e nënave
…
Kur flasim për aktorë të mëdhenj, gjithmonë ne ndiejmë se qenia e tyre shpërfytyrohet përpara shikuesit dhe humbet në botën e thellë të personazhit, ku edhe merr një shtrirje kohore e, me “magjinë” e rolit, hyn në ndjenjën e secilit. Kjo mund të thuhet edhe për aktoren Logoreci: jeta e saj u shpërbë dhe duhet kërkuar në jetën e personazhit. Le ta gjurmojmë atë edhe në figurën e Lokes dhe të Bernardës (si kryerole në dramat “Toka jonë” e Kolë Jakovës dhe “Shtëpia e Bernarda Albës” e poetit dramaturg Federiko Garsia Lorka). Të tria janë nëna – nëna e Cucës, Lokja dhe Bernarda – por Maria secilën e mëkoi me ndjesi të veçantë. Një shoku im poet, diti ta përcaktojë më mirë madhështinë e artistes Logoreci, duke zbuluar edhe poetikën e saj: “I thyen rolet, ashtu si guri i çmuar thyen rrezet dhe, paçka se janë rreze, përsëri nuk ngjajnë me njëra-tjetrën”.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
Sipër
Yllka Mujo
(aktore)
Aktore realiste me personalitet artistik
…
Aktorja Marie Logoreci, sikurse çdo artist i vërtetë, ka krijuar në skenën e Teatrit Popullor personalitetin e vet artistik. Interpretimi i saj është thellësisht realist. Duke qenë një vërejtëse e mprehtë e jetës së popullit të saj, e jetës së njerëzve të thjeshtë, duke perceptuar me një mjeshtëri të veçantë elementët të jetës objektive, të realitetit që zhvillohet përreth saj, ajo ka arritur gjithmonë të mbledhë atë material jetësor që është poleni i veprës së ardhme të artit. Në këtë fakt qëndron baza realiste e arti të saj. Nga ana tjetër aktorja Marie Logoreci nuk ka qënë kurrë një konstatuese dhe regjistruese e thjeshtë e fakteve; duke e përpunuar materialin e perceptuar nga jeta, ajo ka përdorur mjete artistike të larmishme për ta shprehur atë përmbajtje e cila është pasuruar dhe ngritur në një stad më të lartë, veçanërisht në krijimin e karaktereve. Këto karaktere aktorja i ka trupëzuar pikërisht duke u nisur nga karakteristikat esenciale të personazhit të dhënë, i cili ndonëse është paraqitur në mënyrë letrare nga autori i pjesës, është konsideruar nga Marie Logoreci si një etyd i cili do të plotësohet dhe përsoset, duke u bazuar gjithmonë në perceptimet e saja vetiake. Të gjitha këto e përcaktojnë aktoren Marie Logoreci si një artiste të metodës krijuese të realizmit. Pa mohuar aspak meritat e regjisorëve, mund të themi pa tepruar se ajo është një nga ato aktore tek të cilat iniciativa krijuese origjinale ka ndjekur hap pas hapi zbërthimin dhe konkretizimin e individualizimit të personazhit. Kjo ka qënë një veti e saj, një nga tiparet shprehëse të ndërgjegjësimit dhe të seriozitetit të punës së saj me heroin që ajo rikrijon.
Artistja Logoreci e përjeton tërë atë proçes që zhvillohet në shpirtin e artistit që nga kontakti i parë me materialin letrar, nga ai që quhet leximi i parë i pjesës, tek zbërthimi e deri tek trupëzimi i gjithë atij kompleksi ideoemocional të personazhit. Ky orientim artistik e ka udhëhequr në punën e saj krijuese nga njeri rol te tjetri dhe në vitet e pjekurisë së saj.
…
Stili i M. Logorecit ka vulën e natyrës së saj. Karakteri dramatik, temperamenti, aftësia e rrallë komunikuese kanë gjetur shprehjen e tyre të plotë në të gjitha lëvizjet dhe në shqiptimin origjinal. Ajo di t’ia imponojë spektatorit figurën artistike të krijuar dhe këtë e arrin me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk, që nga pasuria intonative e zërit e deri tek natyra e vet dinamike. Aktorja ka arritur të njohë mirë, nganjëherë deri në virtuozitet forcën akustike të veprimit mbi spektatorin. Një pauzë e zgjedhur në çastin e duhur, një fjalë e bashkangjitur me vend, për një aktore si Maria ka qenë një efekt shprehës që përdorej për të arritur një objektiv të caktuar ideoemocional. Dhe kështu, hap mbas hapi spektatori ndiqte atë zhvillim që ia impononte aktorja, në atë tension dramatik që ka qenë gjithmonë në esencë të stilit të saj. Një stil të tillë si ky i artistes përmbante në vetvete gjithmonë rrezikun e kalimit të masës, e teprimit. Dhe është meritë e padyshimtë që ajo nuk ka rënë kurrë në shthurje ideoemocionale, por ka qëndruar përherë në kufijtë e një dramaticiteti të shëndoshë, të vërtetë dhe të fuqishëm.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
(Fragment nga punimi i Diplomës 1976)
Një krijim i suksesshëm Revista “TEATER” 1978
Në suksesin e merituar që pati shfaqja e dramës “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës nën interpretimin e trupës së Teatrit Popullor me regjisor Artistin e Merituar Piro Mani, zë vend të ndjeshëm interpretimi i Artistes së Popullit Marie Logoreci në rolin e Gjelës. Krahas figurave skenike, të paharruara për spektatorin tonë, që na ka dhuruar kjo aktore herë pas here, edhe ky krijim i ri na shkakton emocione të thella, na bën të mendojmë e të nxjerrim konkluzione të vlefshme. Gjela është figurë qëndrore e dramës, me një botë të pasur e plot kontradikta, evidentimi, zgjidhja dhe trajtimi i të cilave janë të lidhura me problemet dhe idetë e rëndësishme e me vlerë aktuale që përmban drama. Realizimi aktorial i kësaj figure është me rëndësi të veçantë për tingëllimin ideoartistik të gjithë shfaqjes.
Eshtë një kënaqësi e veçantë për ne, që ta shohim Gjelën të marrë jetë skenike nga aktorja jonë e dashur Artistja e Popullit Marie Logoreci. Ndërmjet krijimesh të tilla të paharruara si Lokja, “Toka jonë”, Nëna “Cuca e Maleve”, “Bernarda Alba” e Lorkës dhe shumë të tjera, ajo shfaq dhe një herë para publikut tonë artdashës fuqinë dramatike të artit të saj.
Drama e re e Kolë Jakovës e cila në përgjithësi dallohet nga qartësia dhe logjika e sigurtë në ndërtimin dramaturgjik, i ruan këto cilësi edhe në ndërtimin e rolit të Gjelës. Portreti i këtij personazhi fillon me vija të thjeshta, me tone të kursyera, që shkallë-shkallë forcohen dhe mpleksen duke arritur në shpërthime të fuqishme dramatike. Po ashtu edhe loja e Marie Logorecit duke u vënë plotësisht në shërbim të personazhit të krijuar ruan thjeshtësinë e zhvillimit të saj dhe shkallëzimin e rritjes emocionale duke arritur në pikat kulminante të dramës në shpërthime të fuqishme bindëse. Këtë gjë aktorja e arrin duke shmangur çdo zhurmë dhe nervozizëm të jashtëm dhe pa rënë në efekte të pajustifikuara melodramatike. Gjela e saj është e papërsëritshme, ashtu siç nuk mund të riprodhohet krijimi i artistit të vërtetë. Kjo plakë e rreptë e deri grindavece në vështrim të parë, e pakënaqur nga të gjithë dhe nga të gjitha që ndodhin rreth saj, mban në brendësi ndjenja të thella humane të dashurisë prekëse për vendin e saj dhe për jetën.
Për më shumë mund të lexoni librin ose librin elektronik “Marie Logoreci”
1978
Sipër
Marie Logoreci mbi artin e aktrimit
Marie Logoreci
Artiste e Popullit (aktore)
Bisedë me studentët e I.L.A. 1982
…Studenti që bën vetëm atë që i mostrohet apo i thotë pedagogu nuk ka shumë vlera dhe poqese kështu mësohet nga pedagogu, nuk ka më keq. Studenti duhet të mësohet që të japë vetveten, se si të bëhet objekt dhe subjekt. Ai nuk duhet të marrë diçka kështu ose ashtu se e ka thënë dikush, por pasi ta provojë, ta ndjejë se ashtu është. Edhe Stanislavski thoshte: “Mos më imitoni, mos bëni si e bëj unë, por si e ndjeni ju”. Metoda nuk është diçka abstrakte, teorike, në hava, ajo është përgjithësim i përvojës së shumë aktorëve të mëdhenj, të asaj që ata na kanë lënë, të asaj që ne kemi konstatuar vetë, të asaj që ne kemi parë në interpretimin e L.Kovaçit, M.Popit, P. Gjokës, Gj.Karmës, M.Stefës etj., të brezit më të ri N.Frashërit, P.Mimës, N.Lucës, S.Prosit, I.Shytit; (Këtu mund të mos përmend ndoshta shumë aktorë të mirë, mos ma merrni për keq). Të gjithë aktorët e teatrit tonë kanë qenë e janë të mirë, ky është mendimi im, me tituj e pa tituj, të përmendur e të papërmendur nga kritika, dhe të tillë unë mund t’ju përmend shumë, të kthjelltën Liza Vorfi, të mrekullueshmin Mihal Stefa etj., etj. Kështu pra për të mos dalë nga tema, përvoja e aktorëve më të vjetër, të atij brezi të shokëve të mi që tashmë kanë dalë në pension dhe të atyre me të cilët ju do të luani do të jenë për ju shkolla praktike, pasurimi i mësimeve që keni marrë.
– A interpretohet pa njohur teorinë?
– Sigurisht. Kështu kemi interpretuar ne aktorët e parë të teatrit shqiptar. Dhe jo vetëm pa teorinë e interpretimit, por në ansamblin tonë, pak ishim me shkollë të mesme, pra nuk kishim as një formim të përgjithshëm. Për disa vjet bëmë një përpjekje të madhe për të plotësuar mangësitë në arsimim, më vonë u organizuan kurset e plota, ku mësuam teorinë me disa nga emrat e mëdhenj të regjisurës ruse. Kështu fillimi ynë ishte interpretim pa njohur Stanislavskin, Brehtin, etj., pa përvojën teorike e praktike, duke përjashtuar ata pak aktorë si Loroja, Gjoni, Pjetri që kishin luajtur në Shkodër.
Pra mund të interpretohet sepse mund të ndjesh dhe të shprehësh, kështu është interpretuar edhe pa u shkruar metodat. Por është teoria ajo që të bën të ndërgjegjshëm, të jep eksperiencën e brezave, të ndihmon të kërkosh e të ecësh përpara. Dhe tani mendoj se ka mjaft për të mësuar nga eksperienca jo vetëm e aktorëve të huaj, por edhe e aktorëve tanë.
– Ku janë vështirësitë në interpretim?
– Interpretimi është etapa përfundimtare e një pune të gjatë për zbërthimin e personazhit. Vështirësitë janë të ndryshme por unë po ndalem në vështirësitë që vijnë si rezultat i tekstit, sepse këto janë të shumta dhe të shpeshta dhe, është kjo që sjell edhe mosmarrëveshjet me autorët e dramave. Autori duke i dhënë rëndësi idesë, konfliktit etj., rëndon në kurriz të karakterit, botës së brendshme të personazhit. Aktori duke zbërthyer këtë personazh arrin t’i gjejë të meta edhe serioze atij. Dhe shpesh është tepër e vështirë t’i mbushësh mendjen autorëve, për fjalët e papërshtatshme, të vështira për t’u interpretuar e të pa motivuara që fusin në tekst. Ato janë fjalë boshe që nuk thonë asgjë, nuk ka art në to, janë më të rëndomta se në jetë dhe aktori kërkon më kot mendimet që duhet të dalin, nëntekstin. Sepse fjalët janë mendimi i shprehur dhe i pa shprehur, ato janë veprimi në dramë.
Problemet që lindin midis aktorit e autorit po edhe regjisorit e autorit bëhen seriozisht e të vështira kur autori është një personalitet në letërsi sidomos në dramaturgji, e, pretendon se e njeh dramën.
– Thuhet se momenti i hyrjes në skenë është i vështirë, kjo vështirësi qëndron vetëm për të rinjtë?
– Hyrja në skenë është momenti i vështirë, jo vetëm për të rinjtë. Çdo aktor nuk u shpëton emocioneve të fillimit. Të parën gjë që dua të theksoj është, ajo që ka ndodhur më parë në dramë të përjetohet para hyrjes në skenë dhe, kur hyn në skenë të mos shkëputet prej ngarkesës emocionale të mëparshme. Këtë proces aktori duhet të realizojë sa hyn në skenë. Kështu ai hyn plot, di se pse ka hyrë, ku është, çfarë do të bëjë e çfarë do të thotë. Shpërqendrimi më i vogël në këtë moment sjell shkëputje, sjell mendime të tjera, sjell frikën nga publiku që herë – herë kthehet në panik, pasiguri në vetvete, kontraktim, gjë që do të sillte pasoja të mëdha në interpretim. Aktorët me përvojë këto momente shpërqendrimi i kanë më të vogla sepse ata e zotërojnë veten në çdo çast dhe mund të arrijnë të përqendrohen menjëherë. Kjo ka të bëjë me përvojën skenike. Ushtrimet e “rrethit” të përqendrimit që ju i mësoni tani teorikisht do t’ju hyjnë në punë gjatë gjithë jetës suaj skenike. Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka momenti i hyrjes në skenë saqë mund të varet fati i mbarëvajtjes së gjithë skenës për aktorin dhe partnerët.
– Çfarë do t’u rekomandonit aktorëve të rinj, teknikën apo ndjenjën?
– Art i vërtetë është ai që nuk mashtron dhe kjo në punën tonë fillon nga leximi i tekstit, puna me rolin, e, deri tek grimi. Disa, më të shumtën të rinjtë, sidomos femrat mendojnë se duke bërë një makiazh të bukur dhe duke u veshur në mënyrë të veçantë do të tërheqin vemendjen e publikut. Nganjëherë të këtij mendimi bëhen edhe regjisorët e operatorët. Por kësaj, si çdo anë e jashtme, nuk i duhet dhënë më tepër rëndësi seç ka, ajo që tërheq vëmendjen është interpretimi brenda karakterit të personazhit, sigurisht edhe elementët e tjerë kanë rëndësinë e tyre kur vihen në funksion të rolit. Po kështu edhe në punën me rolin ose gjatë shfaqjeve. E kam thënë edhe herë tjetër se poqese në një moment gjatë interpretimit kam pasur lotë dhe kjo ka pasur reagim e sukses në publik, një natë tjetër mund të mos kem lotë dhe të kem po atë sukses. Atë moment emocional unë nuk e kërkoj teknikisht në kuptimin e artificeve, sepse dua që të jetë i vërtetë edhe për mua. Por kjo, jo duke iu dhënë krejtësisht ndjenjës. Aktori në skenë, sipas individualitetit të tij e shkollës së interpretimit që ndjek, vendos vetë disa raporte në interpretim, midis të qenit në rol, të qenit kritik dhe spektator i vetvetes njëkohësisht. Ai sigurisht nuk mund t’i jepet krejtësisht ndjenjës në interpretim, sepse duhet të jetë i vetëdijshëm në çdo moment për atë që bën e të mos humbasë për asnjë çast kontrollin e vetvetes. Për mua këto raporte janë në mbi 90 % interpretim dhe pjesa tjetër kritikë e spektator.
– Si veproni që emocioni të jetë i njëjtë në çdo shfaqje pavarësisht nga numri i tyre?
– Sigurisht që emocioni nuk mund të jetë i njëjtë nga një shfaqje në tjetrën, por nganjëherë rrezikon që të mos kesh emocionin e duhur në një fragment të caktuar. Eshtë gabim të mendohet se aktori sa më shumë të imitojë me besnikëri shfaqjet e mëparshme aq më mirë ka luajtur. Interpretimi është një gërshetim i të vetëdijshmes me të pavetëdijshmen; e vetë-dijshmja ka teknikën, e pavetëdijshmja ka akumulimin. Unë kam luajtur Loken shumë herë në teatër dhe një nga skenat e vështira ishte ajo ku Lokja vajton, fshehtas nga të tjerët, para trupit të të birit të vrarë. Kjo skenë në film nuk është. Ishte një skenë shumë emocionale për mua e që shkaktonte emocion edhe tek spektatorët. Fillimisht në interpretimet e para emocioni vjen natyrshëm, lehtësisht pa punë të ndërgjegjëshme vjen si një ndjenjë. Në skenë veç emocionit real përdoret edhe kujtesa emocionale e cila vjen në ndihmë kur emocioni zbehet. Pra në interpretim emocioni është emocion i momentit plus kujtesë emocionale dhe kjo duhet të jetë rrjedhë e shfaqjes, se sjellja me forcë e emocionit shkakton kontraktim, kurse kur aktori do ta shtyjë emocionin që e përfshin, atëherë mund të shpër qendrohet dhe emocioni të zhduket. Emocioni vjen me anën e përqendrimit. Varet shumë edhe nga gjendja shpirtërore personale. Duhet zotësi që emocionin ta përsërisësh. Kujtesa emocionale që është rrënjosur thellë në mendje është shumë e gjerë, jo të gjitha të hyjnë në punë atë moment, por ajo duhet ndjellë. Emocioni vjen duke ndjellë ndjenjën. Unë, siç ju thashë, momentin emocional nuk e kërkoj artificialisht, por e ndihmoj që të vijë në kohën e duhur me anë të kujtesës emocionale.
Aktori jo gjithmonë është në formë për të luajtur një rol, herë nuk është mirë fizikisht, herë është i lodhur, ka një dhimbje dhëmballe apo koke, por herë nuk është mirë psikologjikisht, një zënie, një sëmundje, një vdekje. Por atij i duhet të dalë në skenë dhe të interpretojë… Atëherë aktori kërkon të gjitha mjetet e arsenalit aktoresk t’i vërë në punë për të dalë nga situata.
– Në ç’raporte duhet parë logjika e personazhit dhe logjika e aktorit?
– Logjika e personazhit ka të bëjë me formimin, me botkuptimin e tij, me ngjarjet që i ndodhin, me epokën e vendin, me jetën që bën e klasës që i përket, mjedisin që e rrethon, me vetëdijen e cilësitë e tij. Ai vepron në dramë në përputhje me këto, pra me logjikë e sipas karakterit të tij. Në jetën skenike aktorit mund t’i qëllojë të interpretojë ndonjë personazh të ngjashëm me veten, por në të shumtën e rasteve do të ndodhi e kundërta. Ai nuk mund ti kanalizojë këta brenda karakterit të tij, se pastaj i thonë “të luash veten”. Ai mendon, vepron, e jeton në skenë si personazhi. Aktori duhet të besojë, t’i mbushë mendjen vetes se personazhi është ai, që, ka të drejtë dhe të mbrojë me forcë mendimin e tij. Aktori duhet të pyesë veten se çfarë do të bënte personazhi me atë botkuptim në ato rrethana në atë periudhë historike! Pra logjika e aktorit udhëhiqet prej logjikës së personazhit.
– Në ç’raport është shkolla me talentin?
– Ashtu siç e kuptoj unë, shkolla, studentit nuk i jep talentin; por ia zgjon e zhvillon atë dhe i heq manierat, e mëson ta kontrollojë talentin, të ndërgjegjësohet për atë që bën, i mëson teknikën profesionale, i jep eksperiencën e brezave.
– Cili mendoni se duhet të jetë raporti regjisor-aktor?
– Aktorë të ndryshëm i japin rëndësi të ndryshme punës së një regjisori në një dramë a film. Unë mendoj se nuk është fjala regjisor që përmban rëndësinë, por se çfarë regjisori është. Për raportin regjisor-aktor, unë besoj nuk do t’ju them ndonjë gjë që nuk e dini, dikur dramat janë vënë në skenë pa regjisorë, më vonë ky doli i nevojshëm. Nganjëherë mendon të bësh diçka dhe del jo ajo që mendon. Këtë e ndjen ndoshta edhe vetë, por nuk e ke aq të qartë sa ç’e ka regjisori. Ai është një lloj dirigjenti që drejton një orkestër me disa solistë. Ai është një mjek që duhet të diagnostikojë. Ai analizon e zbërthen, kontrollon në përgjithësi e në detaje, diskuton e parashtron, tregon çfarë mungon që të realizohet si duhet. Aktori me eksperiencë është si të thuash mjek i vetvetes, atij i duhet pasqyra për t’u parë, e këtë e bëjnë edhe partnerët kur edhe këta janë me eksperiencë. Sigurisht më e mira është kur regjisori dhe aktorët janë me eksperiencë, por ndodh që një ansambël me aktorë me përvojë të drejtohet nga një regjisor pa eksperiencë e nganjëherë këta qëllojnë edhe mendjemëdhenj e fodullë, të cilët nuk dinë se ç’kërkojnë e mbërrijnë deri aty sa t’i monstrojnë aktorit, duke i treguar si duhet interpretuar. Rezultati shihet praktikisht në disa drama e në mjaft filma të dobët.
– A ju pëlqen kinematografia, e ç’vend zë tek ju?
– Unë jam aktore e teatrit dhe si të gjithë aktorët jam aktivizuar edhe në film, bile që në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” e pastaj tek “Tana”, së bashku me Loro Kovaçin, Tinka Kurtin, Naim Frashërin etj. Filmi për mua është një gjini tjetër me specifikat e veta edhe në interpretimin aktorial. Aty nuk ke një spektator të rradhës së fundit si në shfaqje që të sheh e dëgjon, kamera është spektatori yt. Mungon edhe rrjedhshmëria e kronologjizmi, mungon dhe spektatori me reagimin e tij, me përshpëritjen e heshtjen e tij, me duartokitjen. Për një aktor të teatrit filmi është i bukur por skena është shtëpia e tij.
Përsëri me studentët e aktrimit (1985)
…Për përgatitjen e studentëve në lëndën e mjeshtrisë së aktorit mendoj se duhet të jenë aktorët tanë më të mirë dhe jo teoricienë arti. Teoricienët mund të japin lëndë të tjera. Aktorët kanë mbi shpatulla praktikën, përvojën e tyre që është pasuri e madhe artistike. Mjeshtria që do t’u mësohet studentëve nuk është diçka abstrakte që mësohet përmendësh nga teksti i dhënë, ajo është përgjithësim i përvojës së shumë aktorëve, e kujtimeve, shënimeve që ata kanë lënë dhe të asaj që ne kemi parë e konstatojmë përditë nga interpretimi i aktorëve tanë. Ajo duhet përvetësuar e bërë e jotja. Kur një aktor do të japë një mendim, një ndjesi, ajo që realizohet s’është e domosdoshme të jetë krejtësisht siç e ka menduar aktori më parë. Gjatë kohës që aktori luan, rreziku vjen ngaqë ai mund të gënjehet me vetveten dhe të besojë se ajo që ka arritur është krejtësisht ajo që ai ka dashur të nxjerrë. Aktori kur luan duhet ta përjetojë atë që thotë dhe atë që bën. Nxitjet që na bëjnë të reagojmë në jetë janë reale, kurse aktori duhet t’u përgjigjet nxitjeve të imagjinuara. Fëmijët e kanë të lehtë këtë dhe janë të besueshëm në interpretimin e tyre, sepse ata e besojnë atë gjendje. Prania e të tjerëve, përgjegjësia për atë që po bëjnë dhe të gjitha mendimet rreth figurës që po krijojnë, tek ata nuk ekzistojnë. Ata janë të pandërgjegjshëm për atë që bëjnë, por nga ana tjetër nuk pengohen nga një sërë kompleksesh. Aktori duhet të besojë, t’i mbushë mendjen vetes për drejtësinë e asaj që bën personazhi e ta mbrojë me gjithë shpirt të drejtën e tij. Ai duhet ta shohë ngjarjen para se të vijë skena e tij. Kërkon ndihmë nga imagjinata e vet, që është njëra nga cilësitë kryesore në krijimtari.
– A keni emocion në skenë pas shumë vitesh interpretim të një roli?
– Po! Do të veçoja dy lloje emocionesh: atë që të dëmton, që vjen nga frika, pasiguria, mosnjohja, moseksperienca, mospërgatitja etj., që të pengon, të kontrakton, të bën të dështosh po qe se nuk përpiqesh ta largosh. Por ju me pyetjen tuaj flisni për tjetër emocion për atë që krijohet. Ky emocion në interpretimet e para të një roli mund, dhe duhet të vijë vetvetiu, natyrshëm. Ai vjen nga ballafaqimi i aktorit me konfliktin e pjesës e me personazhet e saj, kurse kur roli përsëritet shumë, ky lloj emocioni zbehet e zhduket, sado që të përpiqesh të fshish çdo gjë që ka kaluar e të rijetosh pjesën. Këtu fillon puna e aktorit. Ai nuk duhet ta lërë me kaq, se roli do t’i dalë nga dora. Ai duhet ta kërkojë atë gjendje duke hyrë më thellë në dramë dhe në rolin e vet; në të do të gjejë elementë të rinj të pazbuluar që do ta mbajnë gjallë, por edhe duke shfrytëzuar kujtesën emocionale që është një mjet, që aktori e thërret në momentin e caktuar duke ia veshur personazhit të vet, pra vetes.
Kërkimi me çdo kusht i emocionit, sjell shpërqëndrim po kurrë nuk sjell emocionin e duhur. Emocioni kërkohet, ndillet me kujdes se është delikat, është rrjedhojë e ndjenjës. Emocioni vjen vetëm me anë të përqëndrimit, duke mbjellë ndjenjën. Emocioni është domosdoshmëri në interpretim. Diçka e bërë pa emocion nuk sjell emocion tek të tjerët. Emocionin nuk duhet ta shqetësojë asgjë as skena, as dekori, as spektatori. Duhet të mësohesh të lëvizësh në skenë si në shtëpinë tënde.
– Deri në ç’masë mendoni se e ndihmon imagjinata aktorin?
– Mirë është të thuash që në fillim se nuk ka aktor pa imagjinatë. Imagjinata mund të jetë domosdoshmëri në shumë profesione e ndër to ndoshta i pari është ai i aktorit. Nuk mund të interpretohet pa përfytyruar, imagjinuar. Por vetë imagjinata mund të jetë e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme. Pra, po ta konkretizoj do të thosha se një imagjinatë e pavetëdijshme do të ishte ajo figurë që krijon në mendjen e tij aktori në ditët e para të fillimit të punës kur njihet me rolin. Përfytyrimi i tij për të është i përciptë, i pari krijim i ndërgjegjes së tij, ende pa punë. Kjo figurë bardh e zi, është krijim i një imagjinate të pandërgjegjshme që po mbeti e tillë edhe roli që krijon aktori do të jetë i tillë. Kur kjo figurë punohet i shtohen elemente të karakterit, zonës, veset, zakonet, veshja, qëndrimi etj. që vijnë nga akumulimi i aktorit, atëherë kjo figurë krijohet nga një imagjinatë e vetëdijshme për atë që krijoi.Këto nga ana e tyre, flas këtu për emocionin dhe imagjinatën, janë të lidhura pastaj me besimin që aktori duhet të ketë se ai personazh ka dhe bën veprime të drejta. Më pas këto kur janë të arritura bëjnë që interpretimi të jetë i besueshëm dhe ai është i përqëndruar në atë që interpreton. Pra nuk ka rrezik të kontraktohet. Kontraktimi zhduket vetëm me përqëndrim, – thotë Stanislavski. Gjatë interpretimit veprojnë një seri elementesh herë të ndërgjegjshëm e herë të pandërgjegjshëm për vetë aktorin. Është tjetër imagjinata e tij e vullnetshme që ka krijuar personazhin si figurë, dhe tjetër imagjinata që e ndihmon si element kalimtar në interpretim. Kur ai shikon jashtë skenës, dikë apo diçka që lëviz, në një largësi të caktuar që aktori e sheh me syrin e mendjes në kohën e duhur që interpreton, ai imagjinon sa larg është, sa shpejt lëviz etj. Këto si dhe, ndodhi, situata, marrëdhënie, aktori i interpreton nëpërmjet, si të them, këtij kompleksi imagjinimesh. Është frymëzimi, imagjinata dhe akumulimi që të bëjnë të krijosh figurën. Por nuk mbaron këtu, kjo figurë jeton në skenë. Pra duhet interpretuar. Edhe për të interpretuar duhet frymëzim. Kjo vjen duke e dashur personazhin, duke e luajtur atë. Mirëpo sa më shumë ta luash ka rrezik se humb emocionin. Pra që ta mbash rolin të freskët duhet pasuruar vazhdimisht. Kështu nuk bie në shabllon. Nuk e di se kush e ka thënë se shfaqjet e aktorëve të mirë nuk janë njëlloj, ata një natë janë shumë mirë, një natë jo mirë, aktorët mediokër janë çdo natë njëlloj. Sepse janë shabllon. Duhet menduar për shfaqjen, jo si për një punë të mbaruar, por si për diçka të pazgjidhur, diçka që gjithmonë të preokupon, duhet menduar kudo në rrugë, në shtëpi. Kështu e mban të freskët rolin gjithmonë dhe pasuron.
– Në ç’masë është i rëndësishëm zëri për aktorin?
Zëri, për mendimin tim, për aktorin nuk përfaqson një aspekt të jashtëm siç është pamja, që, ka rëndësinë e saj, por zëri është i lidhur me interpretimin. Pra zëri, dhe padyshim diksioni janë domosdoshmëri. Prandaj edhe në konkurset e pranimit për aktor, i jepet shumë rëndësi. Kur e ke këtë dhunti, pra zërin dhe diksionin, me vullnet punohet. Në skenë duhet të mësohesh të kontrollosh interpretimin duke e hedhur zërin me forcë, por kjo forcë nuk duhet të prishë as interpretimin, as diksionin, as shpejtësinë e rrjedhshmërinë e të folurit. Ju keni shembuj mjaft pozitivë të disa aktorëve tanë të cilët janë mjeshtër të të folurit skenik si Prokop Mima. Por kjo kërkon punë të vazhdueshme, ushtrim, për të kontrolluar çdo shkronjë, por edhe fuqinë e saj, që nga pëshpërima që duhet të dëgjohet në fund të sallës e deri tek britma.
– Ç’rol luan për ju spektatori?
Spektatori është ai që më sheh dhe për të cilin luaj. Kënaqësia është që kur unë të interpretoj, ai të më vlerësojë. Pra aktori është i lidhur ngushtë me spektatorin, aktori i skenës se në film, ai nuk e ndjen spektatorin. Publiku ndikon shumë në lojën e aktorit. Që në momentin e parë që del në skenë, aktori pret reagimin e publikut, me heshtjen, me pëshpërimën. Është një reagim pa të cilin do t’i prishej ekuilibri rolit. Aktori me kalimin e kohës e ka të domosdoshëm atë. Pastaj duartrokitjet në fund të aktit, apo të krejt pjesës. Por nuk mbaron me kaq, spektatori nuk reagon vetëm në sallë. Aktori gjendet në mes të këtij reagimi kudo, në rrugë, në dyqan, ka gjithkund nga ata që të flasin, që kthejnë kokën kur dëgjojnë zërin, që kërkojnë të hyjnë në bisedë, ata që të shkruajnë. Pra për mua spektatori ka efekt të magjishëm. Nganjëherë për publikun je simpatik por ka raste që një aktor të jetë edhe antipatik. Nga kjo duhet të ruheni. Se nuk duhet të harroni se është spektatori ai që na vlerëson. Zakonisht kjo ndjenjë vjen për atë aktor që nuk ka talent, por ndonjëherë edhe për të tjerë për shkaqe të ndryshme si ana fizike apo zëri. Atëherë aktori duhet të zbulojë arësyen dhe të punojë shumë për ta shmangur atë, përndryshe publiku nuk ka për ta pëlqyer kurrë. Në teatër duhet t’i përshtatesh publikut dhe kohës, se teatri nuk është si piktura që po të jesh jashtë kohës ta vlerësojnë më vonë. Në teatër gjithçka vdes me aktorin.
– Si do t’i zbulonit talentet e rinj?
Kjo ka rëndësi të madhe për teatrin. Talenti duhet kërkuar por edhe duhet ushqyer. Dikur këtë ne e kemi bërë në teatër, i kemi zgjedhur, i kemi dhënë mundësinë edhe më pas kanë bërë edhe shkollën. Kjo ka qenë shumë rezultative. Sigurisht ka pasur edhe nga ata që nuk kanë pasur të dhëna, por i është dhënë mundësia disa herë e ndoshta edhe për disa vjet e në fund janë larguar. Kështu u krijua brezi i aktorëve që tashmë quhen të vjetër, brezi i parë, por edhe i mesmi. Më pas këtë detyrë e mori Instituti i Lartë i Arteve, por nuk më duket se kjo punë ka dhënë aq sukses. Se në teatër elementet zgjidheshin nga një masë e madhe amatorësh dhe provoheshin për një kohë të gjatë edhe me vite siç ju thashë, kurse në Institut kjo nuk ka mundësi të bëhet. Aktorët e mirë sigurisht janë të pakët në historinë e një teatri në një periudhë të caktuar. Por këta qenë shumë në vitet ‘50 – ‘70 në teatrin e Tiranës e të Shkodrës.
Sipër
Biseda në media
Përgatiti: Dashnor Kokonozi 1978
…tashmë teatri ynë ka një traditë të pasur dhe prej saj mund të përfitojë kushdo. Këtë u theme dhe studentëve të Institutit të Lartë të Arteve, sa herë më kërkojnë të bëj ndonjë bisedë me ta. Të rinjtë kanë shumë pengesa në rrugën e gjatë për t’u bërë aktorë, këto do t’i shmangin me përpjekje e studim por edhe me ndihmën e aktorëve më të vjetër. Një nga këto pengesa që hera herës shfaqet në mënyrë serioze pengon interpretimin, kontrakton dhe llokon aktorin e ri, është emocioni. Nuk dua të flas për veten, por po përmend se kur kam dalë për herë të parë në skenë e kam ndjerë veten krejt të topitur, të ngrirë. Në atë kohë m’u duk pazotësi për t’u bërë aktore, por në të vërtetë deri diku ky fenomen flet jo për paaftësi, por për aftësi në fushën e artit skenik. Sepse të thuash të drejtën nuk është për t’u admiruar ai aktor që del në skenë dhe është i zhveshur nga çdo emocion. Kjo është pasqyrim i mos-përgjegjësisë e mospërgatitjes së duhur për t’u futur në brendësi të figurës që kërkon të krijosh. Nga ana tjetër, emocioni i tepërt pengon interpretimin në shumë elementë përbërës: lëvizjet, zërin… Si për çdo gjë këtu duhet masa. Secili ka mendimin e tij për masën edhe teoricienët e interpretimit aktorial. Kjo ka të bëjë edhe me shkollën e interpretimit. Unë mendoj se aktori duhet të jetë ndoshta 90 % aktor dhe vetëm 10 % spektator. Aktorët e rinj në një formë apo në një tjetër i “ndjellin” këto emocione, nëpërmjet një vetkontrolli të tepërt, pasojë e ndrojtjes, mosnjohjes së figurës që interpretojnë, mosambjentimit me skenën etj., rezultati: nuk i nënshtrojnë emocionet, por nënshtrohen prej tyre. Ndërsa kontraktimi i aktorit është një fenomen që ne e shohim me sytë tonë në skenë; puna për shmangien e tij është e gjerë dhe e shumanshme, që i kalon kufijtë e skenës së teatrit dhe i përket “skenës” së madhe të jetës. Kjo së pari ka të bëjë me krijimin e një personazhi real që të pasqyrojë nuancat më jetësore. Pra del se në artin e aktorit, a-ja e punës së tij fillon me njohjen e jetës së popullit, virtyteve, temperamentit, pasurive folklorike, etnografike dhe traditave të tij në të gjitha fushat. Kjo është si të thuash ajo baza e domosdoshme e njohurive të aktorit. Kur të vijë fjala për krijimin e personazhit konkret do të them edhe nja dy fjalë të tjera, por tani le të ndaleni tek ajo që e nisëm, tek kontraktimi që shkaktohet nga emocioni. Shkak tjetër i frenimit të individualitetit krijues është fakti se aktori i ri e vështron në mënyrë të sipërfaqshme rolin dhe jo thellë. Po ta zbërthejë në detaje, do ta kuptojë atë në çdo qelizë, atëherë nuk do të flasë aktori me emocionet e tij, por personazhi me forcën dhe karakteristikat e veta. Atëherë aktori do të jetë më i çliruar nga emocionet e kontraktimet, më i çliruar nga vetkontrolli i tepërt që synon paraqitjen e jashtme.
Pyetja e parë që bën çdo aktor i ri, është edhe ajo që ka të bëjë me gjetjen e rrugës së drejtë për tek personazhi. Përgjigjja që do t’i jepte çdo aktor më i vjetër është se në krijimin e figurës në përgjithësi nuk ka receta. Kjo ka të bëjë me individualitetin krijues të çdo aktori. Së pari desha të sjell një shembull nga jeta ime. Dikur në shtëpinë ku banoja kishim komshinj një familje himariote. Shkonim për mrekulli bashkë. Por nejse, më kujtohet se e zonja e shtëpisë mbante gjithmonë një shami të bardhë në kokë. Në pamjen e jashtme ajo nuk kishte asgjë të veçantë. Por një herë rastësisht mësova se për ta vënë atë shami në kokë praktikoheshin sipas rasteve, pesë lloje lidhjesh. A nuk është kjo një shprehje e thjeshtë, por e mrekullueshme e estetikës së popullit?
Pra për të filluar punën me një rol duhet që nëpërmjet tekstit, vendit dhe periudhës në të cilën zhvillohen ngjarjet, së pari të njohësh realitetin, pastaj të krijosh, të formosh karakterin e këtij personazhi, të gjesh në përputhje me këto se si ky personazh lëviz, ecën, flet, ç’intonacion zëri ka e ç’artikulim. Por sigurisht, që figura të përsoset, duhet vullnet dhe këmbëngulje. Unë kam pasur raste kur figurën e kam perceptuar ashtu siç duhet vetëm pas dhjetra e dhjetra provave, por ka edhe raste të tjera, kur edhe mbas shumë provave, si të thuash, figura nuk të del me të gjitha tiparet e veta, veç kur ashtu papritur ajo të del në imagjinatë e gjallë dhe ti vrapon në studio apo në shtëpi që t’i përvetësosh tiparet e saj, ta fiksosh e ta zhvillosh më tej. Kjo duhet ditur se nuk është rastësi, por rezultat i një pune të gjatë e këmbëngulëse, të pakufizuar në kohë, kur gjithçka ke akumuluar nga vëzhgimi, përvoja jetësore, jep rezultatin e vet në një çast të caktuar dhe që të dalim përsëri në bisedën tonë duhet vënë në dukje se pikërisht ky “mbërthim” i plotë që i bëhet figurës “disiplinon” edhe emocionet e aktorit.
Këtu nuk duhet menduar se figura realizohet njëherë e përgjithmonë. Ndryshe ne do të mbesim në një krijesë statike që po nuk u “ushqye” ka rrezik që më pas të kalojë në një interpretim që nuk ngjall emocion, sepse në teatër, të qëllon të luash dhjetra herë një rol. Duhet përkujdesje që gjithmonë figura të jetë në rritje. Të mos konsumohet edhe për aktorin, që ai ta jetojë atë edhe në shfaqjen e njëqindtë. Sa herë ta shohin spektatorët aq gjëra të reja duhet të zbulojnë në të. Për të arritur një gjë të tillë gjithmonë sytë duhet t’i kthejmë nga jeta. Unë nuk jam dakort me atë që ndodh me ndonjë aktor, i cili shkon në zonën ku mendon se janë zhvilluar ngjarjet, shikon dy tipa dhe kthehet përsëri në skenë me mendimin se e ka zbuluar rolin. Apo ndodh edhe ajo që ai të “zhgënjehet” se nuk e gjeti në jetë tipin e dhënë nga autori. Kjo gjë u ndodh nganjëherë aktorëve të rinj të cilët thonë për një personazh se “nuk mund të ekzistojë”. Bota psikologjike e njeriut është e thellë e karakteret në jetë janë të pafund. Kjo që u ndodh të rinjve, për mendimin tim vjen se ata nuk kanë arritur të hyjnë në psikologjinë e njerëzve, kanë ndenjur si spektatorë të jashtëm të botës së tyre dhe shumë-shumë janë kufizuar me një farë imitimi të elementeve të jashtëm. Këtu me që erdhi fjala po tregoj një rast nga praktika ime skenike. Mua më është dashur të luaj disa role që nga ana e jashtme janë pak a shumë të së njëjtës natyrë si Tringa tek “Shtatë shaljanët”, Mara tek “Përkolgjinajt”, Lokja tek “Toka jonë” dhe dy a tre filma ku edhe ngjarjet zhvillohen në zona të afërta si Dukagjin, Malësi e Madhe etj. Poqese do të isha nisur nga elementët e jashtëm dhe etnografikë për të krijuar këto figura patjetër që nuk do ta ruaja aspak individualitetin e tyre krejt të ndryshëm dhe do të bija në imitimin e së njëjtës figurë nga njëra dramë në tjetrën. Dhe nëse kam arritur t’i shmangem kësaj, së pari kjo i dedikohet faktit se duke ndenjur me shumë malësorë të këtyre zonave, unë nuk e kam konsideruar veten si vëzhguese të thjeshtë të zakoneve të tyre, por jam përpjekur të kuptoj pasuritë e tyre shpirtërore. Së dyti unë ndjej kënaqësi kur zbuloj gjëra të reja në psikologjinë e malësorëve.
Por gjithçka që kam hasur në jetë, nuk e kam konsideruar si të huaj për punën time në skenë. Nuk e kuptoj ndryshe punën dhe jetën e aktorit, ai në çdo çast në shtëpi, në rrugë, në biseda a kudo qoftë, gjithnjë duhet të jetë në kërkim të rolit të tij. Nuk duhet të thuash kurrë se ke arritur përsosmërinë e një roli. Ai duhet pasuruar vazhdimisht. Nëse në një rast, fjala vjen, ty organikisht të kanë dalë lotë dhe e ke nxjerrë për bukuri figurën, në një shfaqje të dytë nuk duhet t’ia imponosh vetes lotët duke menduar se atje duhet të arrish përsëri kulmin. Atë mund ta arrish me mjete të tjera të mjeshtërisë së aktorit. Ndryshe kërkimi i vazhdueshëm për të arritur në një pikë të paramenduar e bën rolin monoton, me emocione të stisura. Dhe pastaj figura nga një interpretim organik do të kalojë në një interpretim mekanik. Pra aktori duhet ta ruajë gjithmonë freskinë e ndjenjës, të jetë në kërkim të vazhdueshëm për përsosjen e rolit. Dhe është pikërisht jeta ajo që i pasuron rolet tona.
Revista – “Skena dhe ekrani”, 3 / 1980
Pyetje: – Ju keni tashmë një jetë të gjatë aktoriale, 33 vjet në skenë. Po, si e niset këtë jetë?
Përgjigje: – Si hyra në teatër?… Siç kam thënë edhe në intervista të tjera pas çlirimit, fillova të këndoj këngë partizane dhe popullore në radio dhe në koncerte të ndryshme publike. Këngët e popullit më kanë tërhequr gjithmonë dhe mund të them se kam qenë e apasionuar, jo vetëm pas këngës popullore, por në pergjithësi pas gjithçkaje që kishte të bënte me jetën, zakonet, veshjen e popullit. Përpiqesha të njihja me hollësi legjendat, ritet, zakonet e krahinave të ndryshme. Shikoja një malesore, i afrohesha, e shihja me vëmendje si ishte veshur, si e kishte lidhur shaminë, si e kishte lidhur brezin. Nuk mendoja atëherë se të gjitha këto do të më duheshin në punën e ardhshme, se sigurisht, nuk mendoja se do të bëhesha ndonjëherë aktore. Ishte vetëm një pasion i imi për të njohur popullin tim… Dhe që të mos e zgjasim, më 1946 më thirrën në teatër. Nuk shkova. Druhesha.Se si më dukej. Për të kënduar po, këndoja, me gjithë shpirt. Por për të luajtur teatër ?!… Në shkollë po, kisha luajtur. Isha e vogël atëherë, pastaj, tjetër gjë ishte ai, teatër nxënësish! Kurse tani… Kisha merak a e bëja dot. Pastaj, ishin vitet e para të çlirimit, ndryshe e shihnin gruan, le pastaj aktoren. Ishin të pakta gratë që ngjiteshin në skenë… Por shokët e teatrit dhe shokë të tjerë të artit ngulën këmbë. Më kujtohet, Pandi Stillu, Kristaq Antoniu, më flisnin përherë, duke më thënë se unë tashmë isha njeri i skenës dhe të gjithë kishin besim se do të bëhesha aktore e mirë. Dhe një ditë i them edhe tim shoqi: “A të shkoj?”, “Si të duash, – më tha. Po a e bëj dot?” “Përse jo”, – m’u përgjigj. Unë si duket e kisha vendosur me veten time, por më duhej edhe një përkrahje e tillë. Dhe vajta.
Me ndroje në fillim. Mua më pëlqente teatri, por a do t’i pëlqeja unë atij? Ishte viti 1947 kur shkova për herë të parë. Që atëherë nuk u shkëputa më…
Pyetje: – Ju keni patur shumë role. A mund të dalloni mes tyre disa role që i doni më shumë?
Përgjigje: – A e dini si? Ndoshta do të përsëris ndonjë thënie të dikujt tjetër, por… them se të gjithë aktorët gjersa kanë krijuar role, janë munduar me ta, u kanë dhënë jetë, ata patjetër duhet t’i duan këto role. Të gjitha i kanë të shtrenjta, se janë të vetat, janë si fëmijët e tyre. Megjithatë, ashtu si nënat që kanë më tepër dobësi për njërin nga fëmijët, ndoshta për atë që i ka bërë të vuajnë më shumë, ashtu edhe aktori disa role, disa figura i ka më të dashura. Unë kam patur shumë role, në pjesët tonat dhe të huaja. Disa nga këto role i kam dashur më shumë, si Loken te “Toka jonë”, Tringën te “Shtatë shaljanët”, Marën te “Përkolgjinajt”, Gjelën në “Përmbytja e madhe”, Gertrudën tek “Hamleti”, Bernarda Albën te drama e Lorkës me të njëjtin titull, Ledi Milford në “Intrigë dhe dashuri”, etj. Në këto role, sigurisht ka më të afërt e më pak të tillë, po për mua rolet më të afërt kanë qenë gjithmonë nga dramat tona kombëtare. Aktori e formon personalitetin e vet pranë popullit të tij. Edhe vetë teatri e krijon fytyrën e tij me krijimet kombëtare. Ato janë më të afërta, si për spektatorin, ashtu edhe për aktorët. Teatri i vërtetë nuk e krijon dot fytyrën e vet pa dramën kombëtare. Ai mund të verë në skenë edhe vepra të huaja. Aktorët do t’i interpretojnë edhe ato vepra duke punuar me ngulm mbi to, por figurën e vet të vërtetë teatri e krijon vetëm me krijimin e atmosferës, të ambienteve, të ngjarjeve dhe të njerëzve të vendit të vet, të popullit të vet… Prandaj, nëse do të them cilat janë rolet më të shtrenjtë për mua, pa ngurrim do të përmend Loken dhe Gjelën.
Pyetje: – Që të dyja role nënash dhe, vërtet, juve spektatori ju kujton përherë si aktore-nënë, sepse në shumicën e roleve ju jeni e tillë. Por, cila ka qenë “nëna” juaj e parë?
Përgjigje: – Lokja! E ndoshta prej saj, megjithëse isha shumë e re atëherë, më janë dhënë pothuaj përherë role nënash.
Pyetje: – Ju në jetë jeni një grua mjaft e gjallë, e gëzuar, enrgjike. Si mundët të krijoni, nga një Marie e tillë, një Loke të përvuajtur?
Përgjigje: – Aktori prandaj është aktor. Ai duhet të ndjejë edhe shpirtin edhe mendimet e personazheve, t’i bëjë të vetat, sa në skenë të mos jetë më vetja, por personazhi që ka. Interpretimi mund të bëjë gjithçka.
Pyetje: – A u mbështetët në një figurë kokrete për të dhënë Loken?
Përgjigje: – Të them se për Loken pata parasysh njeri të caktuar, kjo s’do të ishte e vërtetë. Unë nuk ndjeva këtë nevojë. Dhe në përgjithësi, në asnjë rol timin, nuk jam nisur nga figurat konkrete. Drama e personazheve që kam luajtur, sidomos të nënave shqiptare, unë arrija t’i ndjeja plotësisht, t’i jetoja. Në jetë kisha njohur vuajtjen, shtypjen e njeriut, të gruas në regjimet e kaluara. Kisha njohur shumë nëna shqiptare që kishin vuajtur, ndoshta jo tamam si Lokja, por kjo s’ka aq rëndësi. Sepse aktori nuk merr nga njerëzit fytyrën, pamjen, gjestet, por dramën e tyre. Ai duhet ta jetojë këtë dramë, por për ta shprehur ai duhet ta shprehë vetë, me forcën e tij, me atë çka ai jeton në shpirt, sepse ndryshe s’do të kishim art, por kopjim të jetës.
Ka dhe aktor që marrin nga persona të veçantë personazhin e tyre. Mendoj se kjo duhet bërë vetëm kur është fjala për persona të njohur historikë. Kurse kur kemi të bëjmë me një figurë artistike atëherë aktori duhet të përdorë jo njohuritë mbi një njeri të caktuar, por gjithçka ai ka mbledhur në jetë, gjithë bagazhin e vet mbi ambientet, zakonet, lëvizjet karakteristike të banorëve të krahinës nga është personazhi, veçoritë e moshës, të klasës, të shtresës shoqërore, etj., etj. Tiparet e rolit dalin nga ky bagazh njohjeje. Sa më shumë kulturë të ketë aktori, sa më shumë njohuri për jetën, aq më të pasura, të përgjithësuara, të vërteta dhe origjinale, do të jenë figurat që aktori krijon. Por, që të përdoret ky bagazh njohjeje me sukses, duhet që aktori të njohë thellësisht rolin e vet, ta ndjejë plotësisht atë. Unë u përpoqa të kthehem në Loke. Munda t’ia jetoj dramën, sepse kjo dramë ishte tepër e njohur dhe e afërt për mua. Pastaj gjithçka kisha vënë re në jetë, gjithçka dija mbi krahinën e Lokes dhe njerëzit e saj, më ndihmuan që ta ndërtoja këtë Loke në skenë, si figurë konkrete.
Pyetje: – Kjo është pyetja jonë e fundit, prandaj do të jetë për të ardhmen. Keni marrë ndonjë rol të ri?
Përgjigje: – Po, dhe sërish një rol nëne…
Revista – “Shqiptarja e re”, 8/1986
Redaktori: – Shumë role, interpretuar nga ju, kanë mbetur në fondin e artë të teatrit tonë … Po ndalemi te Lokja. Dhe sa herë përmendim emrin e këtij personazhi mendja menjëherë na shkon te ju… Një fakt të bukur na treguan në Teatrin e Operas dhe Baletit: do të vihej në skenë opera “Toka jonë”. Rolin e Lokes ia kishin dhënë këngëtares Sh.Mingomataj. Me ta marrë vesh këtë, këngëtarja, e tronditur shkon te regjisori dhe e refuzon. “Nuk mundem, – kish thënë, – Lokja është e Marie Logorecit.
Marie Logoreci: – Kjo që më thoni më emocionon. Lokja për mua ka qenë personazhi më i dashur, sepse me të, si të thuash më lidhin disa momente në jetë. Kur isha fëmijë dhe dilja me prindërit nëpër pazarin e Shkodrës, më binin në sy fytyrat e malësoreve, të vrara nga vuajtjet e mjerimet. Por në ato fytyra unë dalloja edhe krenari e burrëri. Mahnitesha nga kjo dhe harrohesha duke i parë. Më tërhiqte edhe veshja e tyre e bukur, xhubleta, shamijat borë të bardha, vathët e zbukurimet e tjera. Kur mora për të interpretuar Loken më dolën para syve këto gra… Mora prej tyre burrërinë, krenarinë dhe ndjenjën e sakrificës…
Lokja është një në dramë, por sa e sa gra kanë pasur fatin e saj në jetë. Në turnetë që kemi bërë, me dhjetra gra më kanë thënë: “Unë jam Lokja”. Kjo më rrënqethte, por si aktore më ndihmonte që të sillja në skenë zërin e atyre viktimave…
Redaktori: – Cili ka qenë fillimi i jetës suaj skenike?
Marie Logoreci: – E vërteta është se para se të hyja në jetën e teatrit, skenën e njihja si këngëtare. Kur isha nxënëse në shkollën femërore të qytetit tim të lindjes, Shkodrës, vërtet kisha interpretuar në grupin amator, por ëndrrën time më të fortë kisha këngën. Doja të bëhesha këngëtare. Këndoja nëpër shtëpi e oborr. Këndoja kur ndihmoja gjyshen të punonim në kopshtin që kishim para shtëpisë; këndoja kur më ngarkonte nëna të bëja ndonjë punë. Shpesh e kapja veten të humbur fare pas këngës dhe harroja se ato muret e larta të avllive tona në Shkodër, nuk e linin të dilte në rrugë…
Pas çlirimit u aktivizova si këngëtare e këngës popullore dhe asaj partizane pranë Radio Tiranës. Mu plotësua kështu dëshira e zemrës dhe e ndieja se kisha fituar gjithçka më duhej në jetë, por… Specialistë të teatrit aso kohe, duke ndjekur interpretimin që i bëja këngës, më vijnë një ditë në shtëpi dhe më japin një tekst. “Mësoje, – më thanë – dhe pas disa ditësh eja në teatër”. Po më largonin nga kënga!? Megjithatë në teatër u paraqita ditën e caktuar dhe regjisori mbeti shumë i kënaqur nga interpretimi. “Të vish në teatër, më tha, ne kemi shumë nevojë për shoqe me talent. Ju do të tërhiqni pas vetes edhe të tjera. Se sot është e vështirë…” Ai foli gjatë dhe unë shihja se si më hapej para syve një botë e tërë, që do të më bëhej e shtrenjtë sa jeta.
Redaktori: – Po të kemi parasysh vitet kur keni filluar, duhet ta keni pasur të vështirë, ndoshta që nga familja, që nga burri juaj…
Marie. Logoreci: – Vështirë e kisha, por familjen dhe tim shoq e përjashtoj. Im shoq rridhte nga një familje arsimdashëse. Vjehërri im, mësuesi i njohur patriot (Mësues i Popullit) Matì Logoreci ishte njeri shumë përparimtar. Mbaj mend, kur isha nuse e re, atij i erdhi një letër anonime. Kishte në të sharje e kërcënime nga më të ndryshmet, sepse ai luftonte, fliste e shkruante edhe për emancipimin e gruas shqiptare. Në fund të letrës, nga një dorë e nervozuar ishte vizatuar një revolver… Këto punë laheshin me gjak… Megjithatë ai nuk u tërhoq dhe mua më mbante gjithmonë pranë, më këshillonte të ruaja personalitetin tim në shtëpi e shoqëri, kudo që ndodhesha. Kurse në opinionin e atëhershëm ishte e rëndë të shkonte një grua në teatër, të dilte në skenë e të luante me burra. Më besoni kur kaloja rrugës e përqëndroja mendjen diku, që të mos dëgjoja ç’thoshin prapa portave. Kënaqësinë më të madhe ma jepte momenti kur hyja në portën e teatrit dhe atëherë gjithçka mbetej pas. Përpara ishte bota e bukur e atij arti që më kishte rrëmbyer zemrën.
Redaktori: – Dy fjalë për rolet e tjerë?!
Marie Logoreci: – Kam interpretuar në shumë pjesë të autorëve tanë e të huaj. Diku më është dashur të jem “hipokrite” dhe e “djallëzuar”, diku “nënë e pamëshirshme” e diku “intrigante oborri”. Se për aktorin roli është i dashur dhe ai duhet t’i kushtohet me mish e me shpirt për ta sjellë në jetë.
Interpretime të Marie Logorecit në skenë e film.
Premiera në skenë:
1. “Çështja ruse” – K. Simonov – (Xhesi) 1947
2. “Tartufi” – Molier – (Elmira) 1947
3. “Gishti para hundës” – J. Horvat – (Mici) 1948
4. “Platon Kreçiot” – A. Kornejçuk – (Maria Kreçiot) 1948
5. “Prefekti” – B. Levinja – ( ) 1948
6. “Rrënjë të thella” – Xh. Gou, & A. D’juso – (Alisa Lengton) 1949
7. “Makar Dubrava” – A. Kornejçuk – (Olga Andrejevna) 1950
8. “Komploti i të dënuarve” – N.Virta – (Kristina Padera) 1950
9. “Halili dhe Hajria” – K.Jakova – (Fatimja) 1950
10. “Janë plagët që flasin” – – (Fatimja) 1951
11. “Zëri i Amerikës” – B.Llavranjev – (Misis Kidd) 1951
12. “Revizori” – N.V.Gogol – ( Gruaja e Llukiçit) 1952
13. “Gjashtë dashnorët” – Abruzov – (Aljona Patrovna) 1952
14. “Përmbysja” – B.Riniev – (Sofia Petrovna) 1953
15. “Toka jonë” – K.Jakova – (Lokja) 1954
16. “Vajza e thinjur” – – (teto Vana) 1955
17. “Përleshja” – Xh.Broja – (Sofia) 1955
18. “Armiqtë” – M.Gorki – (Kleopatra Petrovna) 1956
19. “Intrigë e dashuri” – F.Shiler – (Ledi Milford) 1957
20. “Orët e Kremlinit” – N.Pogodin – (Zabelina) 1957
21. “Shtatë shalianët” – N.Luca – (Tringa) 1958
22. “Në tufan” – F.Paçrami – një grua 1959
23. “Hamleti” – U.Shekspir – (Gertruda) 1960
24. “Shtëpia e Bernarda Albës” – F.G.Lorka – (Bernarda Alba) 1961
25. “Ambicja” – B.Levonja – (Bajamja) 1961
26. “Mbi gërmadhat” – F. Paçrami – (Musinea) 1962
27. “Morali i zonjës Dulska” – G.Zapolska – (Tadrahova) 1962
28. “Rrëshqitja” – B.Levonja – (Fitneti) 1962
29. “Shtërngata” – C.Y – (Lu Së Ping) 1963
30. “Xhaxha Vania” – A.Çehov – (Maria V. Vojnickaja) 1964
31. “Lubov Jarovaja” – K.Treniev – ( ) 1964
32. “Roje nën llampat neon” – Sh.Sh.Men, M.In, e L.Sh.Çen – (Lin Nai Shua) 1965
33. “Muri i madh i Pakapërcyeshëm” – Xh.Huan – (Nëna Xhun) 1966
34. “Përkolgjinajt” – K.Jakova – (Mara) 1966
35. “Cuca e maleve” – L.Papa – (Prenda) 1967
36. “Drita” – M.Luca – (Manushaqja) 1967
37. “Heronjt e Linasit” – S.Pitarka – (Nëna) 1968
38. “Çatia e të gjithëve” – K.Blushi – (Plaka) 1968
39. “Lulet e shegës” – K.Jakova – (Havaja) 1977
40. “Bashkë me agimin” – K.Jakova – (Drandja) 19
41. “Zonja nga qyteti” – R.Pulaha – (Nekia) 1975
42. “Një nuse për Stasin” – T. Laço – ( ) 1971
43. “Përmbytja e madhe” – K.Jakova – ( Gjela ) 1977
Filma
1. Skënderbeu – 1953
2. Fëmijët e saj – 1957
3. Tana – 1958
4.Detyrë e Posaçme – 1963
6.Toka jonë – 1963
7 Njësiti gueril – 1969
8.Operacioni zjarri – 1973
9. Gjenerali i Ushtrisë së vdekur – 1975
10.Nga mesi i errësirës – 1978
11.Dollia e dasmës sime -1978
12.Çeta e vogël (i pa shfaqur në publik )
Marre nga marielogoreci.com


Leave a Reply