Për të forcuar lidhjet e për të mbijetuar në punë nuk janë të nevojshme vetëm trajnimet apo mbledhjet rutinë, përkundrazi, të zbuloni se çfarë keni të përbashkët me kolegun e punës mund të jetë edhe argëtuese. Kjo edhe falë aktiviteteve jo të zakonta, siç mund të jenë udhëtimet në grup, në zbulim të aventurës dhe ku mbështetja te shoku mund të jetë e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë. A e keni menduar se një udhëtim në luginat e mrekullueshme të Shqipërisë mund të jetë “çelësi”?
Shefi juaj nuk ngjan me Xhorxh Klunin, por ndoshta pas pamjes së tij serioze, përtej tavolinës së punës, fsheh një talent.
Për ta zbuluar mund t’i bëni një sugjerim, ndoshta jo vetëm ju, por e gjithë skuadra, për të bërë një udhëtim me ca doza adrenaline. Sado i rreptë që mund të jetë, nuk do t’ju refuzojë. Përse nuk provoni një udhëtim si grup në kanionet e Osumit në Berat, në Skrapar ose në Vjosë? Dhe a e dini se cili është sekreti? Gjithçka mund të filmohet. Në kokore mund të montohen kamera të vogla, që janë në gjendje të filmojnë të gjithë aventurën tuaj. A nuk është emocionuese? Filmimin mund ta shfaqni edhe në ambientet e kompanisë kur të ktheheni në punë.
Mund të mos jetë e denjë për natën gala “Oskar”, por mund të votoni dhe të shpërbleni atë që ka treguar shpirt më të madh të skuadrës. E kush e di, mbase kjo mund t’ju sigurojë edhe një ndryshim në karrierë. Dhe nuk kushton edhe aq shumë, nga 55-80 euro. Agjencitë turistike për grupet ofrojnë edhe zbritje.
Fillon aventura
Mbi një gomone, duke lundruar në një lumë të rrëmbyeshëm, nuk do të provoni vetëm adrenalinën që jep rafting, por edhe se cili është “shoku” juaj i vërtetë. Askush më mirë se sa ky lloj turizmi, por edhe sporti, nuk mund t’jua provojë këtë. Në vitet e fundit, kërkesa për të bërë rafting është rritur ndjeshëm, jo vetëm nga të huajt që e njohim mirë, por edhe nga shqiptarët. Madje kanionet e Osumit u zgjodhën për herë të parë për të bërë propozimin më romantik për martesë. Këtë lajm e mësova nga Blerina Ago, sekretarja e përgjithshme e “Albania Rafting Group”, me të cilën sa herë që takohem, zbuloj se ky shërbim turistik po krijon gjithmonë e më shumë fansa. Janë kompani të ndryshme biznesi, njerëz të njohur të politikës apo ekonomistë shqiptarë, të huaj që punojnë e jetojnë këtu, por edhe shumë të tjerë që vijnë nga Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Polonia, Çekia, Bosnja, Austria, Gjermania, Serbia, Mal i Zi, Italia etj.
Ajo vetë është ndër vajzat e para që ka “zbutur” ujërat e kanioneve të Osumit, i cili buron nga Malësia e Vithkuqit në lartësinë 1,050 metra mbi nivelin e detit. Berati është vendlindja e saj dhe deri më tani nuk ka lënë cep pa prekur në kanionet e këtij lumi. Madje, Blerina tregon me mburrje deri-diku se femrat janë më të afta në këtë lloj sporti se meshkujt. Tregohen tepër të vëmendshme gjatë fazës përgatitore, përpara se sa t’i hipin gomones dhe zbatojnë me përpikëri të gjitha porositë që vijnë nga instruktorët profesionistë. Madje, siç tregon edhe ajo, ndonjëherë trajnerët “rrëzojnë” me dashje nga gomonia ndonjë mashkull “mendjemadh”, që instruksionet i duken më tepër si lojëra fjalësh apo gjëra të padobishme.
Ajo tregohet e kënaqur, që së bashku me presidentin e kësaj federate, Zamo Spathara, kanë ndikuar deri-diku në zhvillimin e turizmit, jo vetëm në qytetin e Beratit. Sporti i rafting ka tërhequr shumë turistë në thellësi të kësaj zone, duke e kthyer këtë qytet, që konsiderohet si xhep i Shqipërisë, në një zonë tërheqëse turistike. Por, nuk është vetëm Osumi, rafting bëhet në Vjosë, në Përmet, Valbonë, në të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. Janë të shumtë që e shohin disi me frikë këtë lloj turizmi, por Blerina tregon se stafi e nis punën që në kontaktin e parë me ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre paketave.
“‘Albania Rafting Group’ është anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Rafting, kjo nënkupton se ne plotësojmë standardet e caktuara. Për të gjithë krijohen kushtet e përshtatshme. Në momentin që e shohim se në vendin e nisjes fillestarët kanë shumë stres, përgatitja mund të zgjasë nga gjysmë ore deri në një orë. Pastaj të mos harrojmë që të gjithë pajisen me veshjet e posaçme që ofrojnë siguri të lartë, që ruajnë konstante temperaturën e trupit, siç janë: xhupi i ujit, jeleku i shpëtimit, kokorja, lopata. Pastaj instruktori u jep sigurinë tjetër. Ajo që u thuhet në gomone është: merreni me sportivitet dhe dëgjoni rregullat e guidës, e maksimumi që duhet të ndodhë është se do të përmbyset gomonia, asgjë më shumë. Është një gjë që ne duam të dhurojmë kënaqësi dhe në qoftë se ka shumë frikë, i zbresim, i themi që, s’ka gjë, këtë herë vetëm shiko, mësohu edhe me veshjet dhe po të duash, herën tjetër mund ta provosh”, thotë Blerina.
Në ndryshim është edhe raporti që ka mes turistëve të huaj dhe shqiptarëve që frekuentojnë këtë sport. Tani pjesa më e madhe, për të mos thënë 90%, janë shqiptarë. Rafting shërben edhe si nxitje për zhvillimin e një pjese tjetër të turizmit, atë kulturor. Nuk mund të shkosh vetëm në kanionet e Osumit dhe të mos vizitosh edhe Beratin, kalanë apo edhe malin e Tomorit. Të gjitha këto bëjnë që turisti të shpenzojë.
“Shqipëria nuk ka kushte që të zhvillojë turizmin elitar, por mund të përdorë pikat e forta. Turisti i aventurës, që kërkon adrenalinë, do të kërkojë një vend që ka natyrë të pashkelur dhe jo të urbanizuar. Rafting në Përmet, Osum, Valbonë janë shumë të përshtatshëm dhe suksesi është që të bëjmë turistët të qëndrojnë gjatë në një vend, jo vetëm dy orë, kjo do të sjellë të ardhura në ekonomin tonë. Të huajt që ne i quajmë ‘të krisurit’, janë polakët, çekët, gjermanët dhe austriakët. Ata janë gjithmonë të gatshëm për aventurë, sport malor e për rafting. Ka edhe një grup turistësh nordikë që kanë nivel ekonomik shumë të lartë. Por, nuk mungojnë edhe turistët nga Kosova. Edhe VIP-at, si punonjës të ambasadave, ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të krahëve të ndryshëm politikë”, thotë Blerina.
Niveli i ulët
Shëtitje e qetë me gomone, duke shijuar natyrën e virgjër dhe duke ndjerë freskinë e ajrit. Mundësia për të ndaluar dhe për të bërë banjo dielli, në këtë nivel nuk është e nevojshme të dish not. Periudha më e përshtatshme, qershor-shtator. Kohëzgjatja 3 -5 orë.
Niveli i mesëm
Zbritje të furishme gjatë shëtitjes me gomone në lumë, më tepër adrenalinë, emocion. Edhe në këtë nivel nuk është e domosdoshme të dish not. Periudha më e përshtatshme, prill-tetor. Kohëzgjatja 2.5 – 4 orë.
Niveli i lartë
Për ushtruesit e sportit rafting, më shumë vështirësi. Periudha më e përshtatshme, shkurt-mars. Kohëzgjatja 1.5 – 2 orë.
Paketat që ofrohen
Në kanionet e lumit Osum, Çorovodë
Aventura mes kanioneve zgjat 1,5 – 4 orë, në varësi të nivelit të lumit. Në mes të kanioneve, poshtë ujëvarës blu gjithë grupi ha drekën e paketuar (fast-food). Kjo paketë kushton 40 euro për person. Ndërsa paketa dyditore, me akomodim në hotel dhe ushqim, kushton 70 euro për person.
Në Vjosë…
Ky udhëtim kërkon një minimum prej 8 personash dhe një maksimum prej 35 personash. Ky udhëtim kushton 45 euro/person dhe zhvillohet nga muaji mars deri në muajin nëntor. Paketa dyditore, me hotel, akomodim dhe ushqim të përfshirë kushton 65 euro/person.
Në Skrapar…
Kjo ekspeditë ofrohet kryesisht në muajin korrik, gusht, shtator. Eksplorimi i kanionit zgjat 4 deri në 5 orë, në varësi të ritmit dhe përjetimit të grupit dhe përshkruhen 14 kilometrat më të bukur të kanionit të Osumit, në Skrapar. Kanioni ka një ekosistem unik, që ju nuk duhet ta humbisni pa e eksploruar të paktën një herë. Gjatë këtij udhëtimi, nën shoqërimin e guidës, grupi përjeton aventura të ndryshme, si ecje përgjatë shtratit të lumit mes shpateve të kanionit; not në pishinat natyrale të Osumit, ngjitje në disa nga shtigjet e kanionit. Kushton 25 euro për person. Nëse do të akomodoheni dhe do të konsumoni darkën dhe mëngjesin, atëherë ju kushton 55 euro për person.
Në Përmet…
Rremtarët, që duan të bëjnë një udhëtim rafting në lumin e Vjosës, duhet të mbërrijnë në mëngjes në qytetin e Përmetit. Pas mbërritjes në bregun e lumit, guida do t’ju ndihmojë në përgatitjen për aventurë. Ky udhëtim do t’ju dhurojë një adrenalinë të madhe, ndërsa ju lundroni me gomone në lumë. Udhëtimi zgjat rreth 2-4 orë. Ky udhëtim kushton 45 euro për person dhe zhvillohet nga muaji mars deri në nëntor. Nëse do të akomodoheni në hotel, atëherë paketa që përfshin transportin, darkën tradicionale dhe mëngjesin kushton 65 euro për person.
Jo vetëm kaq
Turizmi i aventurës nuk është vetëm ky, ai përfshin edhe shumë argëtime të tjera. “Outdoor Albania” është një ndër agjencitë më të specializuara në fushën e turizmit të aventurës. Gent Mati, drejtuesi i saj, thotë se në krahasim me një vit më parë, ky turizëm është rritur me 15-20%. Ai thotë se, përveç tureve “klasike”, një deri dyjavore, këtë vit është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për aktivitete një apo dyditore, sidomos nga shqiptarët për trekking, sea-kayak, etj. Turet tona javore kushtojnë rreth 400 euro për person, ndërsa aktivitetet ditore fillojnë nga 20 euro për person. “Gjatë këtyre muajve kemi vënë re rritje të lehtë të numrit të grupeve, ndërsa kërkesat individuale janë më të konsiderueshme. Kjo pasqyron edhe zhvillimin e tregut botëror të turizmit, që gjithnjë e më shumë po i drejtohet individit”, shprehet Genti.
Të huajt, thotë ai, kanë nisur të preferojnë Alpet e Veriut për shtegtime dhe gjithë Jugun për destinacionet kulturore dhe sidomos qytetet historike, si Berati e Gjirokastra.
Shqiptarët kanë rritur kërkesat për rafting në lumin e Vjosës dhe në kanionin e Osumit. Sipas drejtuesit të “Outdoor Albania”, parashikimet për turizmin e aventurës janë pozitive, edhe pse nuk mund të flitet me shifra konkrete për ritmet e rritjes.
http://www.monitor.al/udhetim-ne-kanionet-e-osumit/


Leave a Reply