Parashikimet flasin për një fitore të Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë. Kandidati i pavarur me pikëpamje të qendrës parashikohet të dalë me 30 pikë më shumë se rivalja e tij, Marine Le Pen e Frontit Popullor.
Ministria e Brendshme njoftoi se pjesëmarrja kishte arritur në 65.3% krahasuar me 71.96% që morën pjesë në balotazhin për zgjedhjet presidenciale të 2012.
Përkrahësit e zotit Macron dolën në rrugë sapo u mësua lajmi dhe u mblodhën para Muzeut të Luvrit në Paris, ku pretendenti pritet të mbajë një fjalim sonte.
Rivalja e tij, Marine Le Pen foli para se ta merrte fjalën zoti Macron, duke pranuar humbjen me fjalët “francezët votuan për vazhdimësi”. Ajo përgëzoi rivalin e saj, por duke theksuar se partia e saj ofroi në këtë zgjedhje një alternativë të mirëfilltë për votuesit francezë. Marine Le Pen tha se do të vazhdojë të luftojë për ata francezë që duan begati dhe siguri dhe janë të shqetësuar për drejtimin e vendit.
Përkrahësit e zonjës Le Pen filluan të këndojnë Marsejezën, himnin kombëtar të Francës pasi qendrat e numërimit filluan të nxjerrin shifrat që tregonin se Emmanual Macron do të bëhej presidenti i ri i Francës.
Franca votoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u panë si përcaktuese për të ardhmen e Francës, për rrugën e saj drejt globalizimit apo rrugën e vetizolimit dhe daljen nga Bashkimi Evropian.
Në një konkurrencë të dominuar nga punësimi, imigrimi dhe siguria, francezët votuan për të zgjedhur ndërmjet politikanit të qendrës, ish-ministrit pro-evropian të ekonomisë, Emmanuel Macron dhe nacionalistes kundër migrimit, Marine Le Pen.
Zgjedhjet u zhvilluan nën kushte të forta sigurie. Autoritetet vendosën 50 mijë policë, ushtarë dhe roje private të sigurisë për të ndjekur votimet në Paris, Nicë dhe qytete tjera.
Franca është nën gjendjen e jashtëzakonshme pas serisë së sulmeve të ekstremistëve islamik që vranë mbi 200 veta gjatë dy viteve të fundit.
Reagime pas fitores së Emmanuel Macron
Presidenti në largim, Franois Hollande, i cili ishte vënë edhe gjatë fushatës në mbështetje të zotit Macron, tha përmes një deklarate fitorja e Macronit në zgjedhjet presidenciale, tregon se shumica e francezëve duan të bashkohen rreth “vlerave të Republikës”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, uroi ka zotin Macron për fitoren në zgjedhjet presidenciale. “Pres me padurim të punoj me të”, tha në urimin e tij të postuar në rrjetin social twitter, presidenti Trump
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cilësoi fitoren e tij si fitore për “Evropën e bashkuar”.
“Urime Emmanuel Macron. Fitorja juaj është fitore për Evropën e fuqishme dhe të bashkuar dhe për miqësinë franko-gjermane”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert.
“Franca është njëri prej aleatëve tonë më të ngushtë dhe ne presim që të punojmë së bashku me presidentin e ri”, thuhet ndërkaq në një deklaratë të kryeministres britanike, Theresa May.
Për presidentin e Këshllit Evropian, Donald Tusk, francezët zgjodhën “lirinë, barazinë dhe vëllazërinë mbi tiraninë dhe lajmet e rrejshme”.
Ndërsa, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se francezët zgjodhën “të ardhmen e tyre evropiane”.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply