Partia Demokratike ka paralajmëruar sot nisjen e protestës në të gjithë Shqipërinë dhe për një orë do të bllokohen të akset kryesore rrugore në vend.
Burime për Politiko.al bëjnë me dije se kreu i opozitës do të jetë sot personalisht në orën 11:00 në nisje të protestës tek rrethrrotullimi në Sheshin Shqiponja në Tiranë, një ndër akset kryesore hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit.
Sipas drejtuesve të Partisë Demokratike në protestë nuk do të ketë barrierë, por njerëz që do të protestojnë paqësisht.
Partia Demokratike ka gati planin për bllokimin 1 orë të trafikut nga ora 11:00 deri në 12:00 në të gjithë vendin ku do të bllokohen disa pika kyçe.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë protesta, por prej 66 ditësh Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin dhe është zhvendosur në ‘Çadrën e Lirisë’, nga ku proteston për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveri teknike.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama e nisi ditën duke postuar një foto të një policeje të re rrugore.
“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë imazh të një prej “engjëjve mbrojtës” të rregullit në rrugët e vendit.
Ermela Lika, pasi ka kryer me rezultate të shkëlqyera Akademinë e rilindur të Sigurisë është bërë pjesë e #PolicisëQëDuam bashkë me 888 gratë dhe vajzat me gradë, të cilat i janë bashkuar forcave të rendit tre vitet e fundit.
Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, që me përkushtimin dhe profesionalizimin e saj apo të tij, ka bërë të mundur kthimin e besimit të qytetarëve tek uniformat blu.
Shumë është bërë. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot,” shkruan Rama.
Mapo.al


Leave a Reply