DANIEL GÀZULLI
INTERVISTA ME VAJZA TË MIRA (2)
HISTORI TË NGJASHME NË DRAMACITET
Intervistat (tregimet) në vijim, histori krejt të ndryshme nga njena tjetra, ngjajnë në dramacitetin e tyne.
Një nga të paktit që ka lexue librin, miku im Timo Mërkuri, shkruan se “U desh të më binte këto ditë në dorë libri i mikut tim Daniel Gazulli me titull “Intervista me vajza të mira” që brenda meje të pësoja një tronditje, thua një tërmet shtatë ballësh, që të rrëzonte bedenat e iluzioneve dhe të më servirte rresht pas rreshti e faqe pas faqeje shëmtinë e vilave shumëkatëshe të ngritura kudo nëpër Shqipëri dhe zezonën e Bensave që rrëshqasin nëpër rrugë, si gjarpërinj”.
Të përpiqesh të fshehish të vërtetën e ban edhe ma dramatike ate.
A u t o r i
3) FRANGA P.
I kam njohë këto zona qysh në rini e ma vonë. Ishim një grup të rijësh që na pëlqente të shkelnim malet më të nalta, e këto zona i kisha shkelë me kohë, pëllambë për pëllambë.
U ktheva përsëri këtu që të mblidhja këto histori “vajzash të mira”. Tash po, mund të përshkruej jetën e secilës prej tyne edhe pa e njohë në hollësi, pse pashë e jetova mjedisin prej nga vinin.
Banesat e tyne janë pothuej të gjitha njëlloj; një shtëpi e ultë me mure guri lidhë me baltë, shpesh herë thjeshtë një kasolle. Në të shumtën e rasteve, në të njëjten hapsinë, nda me një gardh, jetonin edhe kafshët e pakta.
Dyshemeja asht zakonisht prej toke të rrahun, ose ma e mira e shtrueme me çimento të zezë. Për të shmangë lagshtinën, po jo gjithmonë, shtrohen rrogoza mbi dysheme. Aty këtu mund të gjesh edhe ndonjë krevat prej druni të gdhendun krejt trashë e batanije të dhurueme gjatë viteve të fundit nga organizata të ndryshme të hueja apo nga Kisha.
Krejt rrallë mund të gjesh edhe ndonjë televizor bardh e zi, dhurue nga ndonjëni që tashma ka mundë të blejë një me ngjyra, ose që ia kanë sjellë fëmijtë mërgimtarë.
Ushqimi i tyne asht krejt i shëndetshëm: perime, pak qumësht, djath, fasule dimnit (kurrë të mjaftueshme) e mish vetëm për festa.
Veshja e tyne asht e njëjta si verës ashtu edhe dimnit, si në ara ashtu edhe kur shkojnë në Kishë, se në këto ana gjindja janë shumë besimtarë.
Këtu punojnë të gjithë dhe askush. Punojnë kur kanë çfarë të punojnë, po shumicën e vitit nuk dinë çfarë të bajnë: arat e këtushme janë a s’janë sa dy çarçafë.
Fjala argëtim këtu nuk njihet.
Ndonse tashmë lidhjet me botën kanë ndryshue diçka, trajtimi i femnave, sidomos gati përbuzja për vajzat, fajtore që kanë lindë të tilla, e dallimi i skajshëm me djemtë, vazhdojnë të jenë një plagë e randë.
Në një fshat të tillë, rrazë Malit të Munellës, nis edhe historia e Franga P., për të cilen kanë shkrue edhe gazetat, por të gjitha simbas tregimeve të dëgjueme nëpër kafet e Tiranës apo të Milanos, sepse asnjë gazetar nuk ka shkelë ndonjëherë këtu.
Franga po rritej si një lule e egër mali, po me një bukuri të rrallë. Ishte shtatë vjeçe kur erdhi një herë aty Segretari i Partisë i gjithë kooperativës, e pa tek kthehej prej shkolle dhe u mahnit. “Këte vajzë do ta marr për djalin tim”, tha ai me vete dhe, as një as dy, e ndoq vajzën e vogël deri në shtëpi. U shendua edhe ma shumë kur mori vesh se baba i Frangës ishte komunist.
Nana e Frangës, shumë e emocionueme për mysafirin e randësishëm që i kishte shkelë në shtëpi, u zu ngusht: nuk kishte gja prej gjaje t’i shtronte të hante e ishte vakth dreke.
– Mos u shqetëso, unë tashti sa hangra drekë tek Filopatët – i tha ai.
Nuk e zgjati shumë dhe “shoku sekretar” i tha grues së re:
– Frangën e due nuse në shtëpinë time. Unë kam një djalë dymbëdhjetëvjeç, taman për vajzën tuej. I thuej Frrokut, kur të vijë në Qendër, të takohet me mue.
E që të mos e zgjasim, nuk kaluen as dy javë e “shoku sekretar” solli shenjën në shtëpinë e Frrok P., një unazë të bukur prej ari, që do t’i lidhte për jetë.
Më 1996 Franga ishte ba pothuaj gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe krushku, që tashti ishte polic Porti në Durrës, erdh të ndante “vaden” e dasmes: donte ta merrte vajzën sa ma shpejt, se me kohët që kishin ardhë ….
Atë verë vajza u martue dhe mbas një jave shkoi tek i shoqi në Milano.
Nuk kishte kalue java kur “djali i shokut sekretar” i tregoi “grafikun e punës”: se si tash e mbrapa duhej të mësohej me fjetë ditën, se natën do të shkonte në “punë”.
E llahtarisun prej çka i kishin dëgjue veshët, vajza gjeti forca me nxjerrë vetëm një fjalë, por që shungulloi shtëpinë:
– Kurrë!!!
Atëherë në shtëpi ia behen “miqtë” e Fisnikut dhe e … përdhunuen dy ditë e dy netë me rradhë.
Ditën e tretë ajo gjeti një çast pakujdesie të “padronëve”, mori revolen e “të shoqit” dhe shtiu mbi të. Dy të tjerët arrijtën të largoheshin, ashtu gjysë veshë e gjysë xhveshë, por të paktën prej plumbave shpëtuen.
Franga P. e kam njohë në burgun e të mitunve në Torino.


Leave a Reply