Ndoc Gjetjes
( Ne kujtim te poeteve që shuhen )
Ike, poet?
Pasi pive hidhërimin në kupë,
E zbraze dollinë me fund,
Etjen e madhe e shove,
Gati dhe gotën ta kafshoje.
Pastaj e lëshoje me neveri,
Dhimbjen e mbyllje
Hermetikisht në shpirt!
Ike, poet.
Balta e Berdicës t’u bë shtrojë,
Të rrethuan me dërrasa mburojë,
Mos!
Krim për një poet!
Bëhet i rëndë druri,
Kush do ta ngrejë!
Nga ç’lëndë u ndërtua?
Mos nga mollë, a mos nga ftua?
A mos kërkove, poet,
Një arkë qelqi për t’u mbështetë,
Të shiheshe ndonjëherë me të gjallë,
Për t’u nisur mesazhe me valë?
Jo!
I the të gjitha brengat më parë,
Siç janë thënë në Dhiatë,
Ike i lehtësuar, hyre në baltë,
Shkove atje ku gjen vetëm Paqe!
Shlodhu, më në fund, poet!
Shpëtove nga kjo e reme jetë,
Ku njerën faqe ta lëmojnë,
Në tjetrën me shuplakë të qëllojnë!
Ike, poet?
Qoftë e lehtë ajo baltë!
Pasi pive kupën e hidhur farmak,
Duar lidhur u nise për larg.
E mbyllën poetin në arkë,
Lisi, dëllinje, ahu, pishe?
S’ka rëndësi se çfarë ishte,
Ishte dru nga po ato pyje,
Ku poeti merrte frymëzimet,
Sapo niste kënga e kanarinave,
Në Tokën ku u shuan shumë yje…
©ELKO N.QEPAROI


Leave a Reply