Një dokument i panjohur i vitit 1769 del për zonën e Mbishkodrës. Është revista “Hylli i Dritës” që e boton atë, në numrin e saj më të fundit. Dokumenti i sjellë nga Mark Palnikaj hedh dritë mbi gjendjen e zonës, ritet, traditat e zakonet, si mbijetonin a si jetonin banorët e zonës. Relacioni është hartuar nga “Vëllai Luigi Maria nga Roma, Prefekt Apostolik i Misionit të Pultit”.
Në të ai tregon, përveç gjendjes së banorëve të varfër, edhe të kishave me “mesharë të vjetruar ose gjysëm të grisur, kelshejte e patena të ndryshkura e të papraruara” por edhe për tetë “shpërdorimet” që banorët e zonës bëjnë- me vjedhje, a vrasje, me mëkatet që binin në kundërshtimet me udhëzimet e etërve françeskanë (megjithëse siç pohon dokumenti ata po punojnë por nuk kanë arritur t’i ‘shkulin’), shkruan sot “GSH”.
“Po botojmë një relacion të Fra Luigi Maria nga Roma, Prefekt Apostolik i Misionit të Pultit, dërguar me datën 20 shkurt 1769. Relacioni ndodhet në Arkivin e Propoganda Fide në Vatikan në dosjen APF, SC Albania, Vol 12, faqe 552 -559”, shkruan Palnikaj. Po aty, ai vëren se “nga mbi njëqind relacione që kemi marrë në këtë arkiv, zgjodhëm për botim pikërisht këtë, sepse na jep të dhëna të hollësishme për gjendjen e dioqezës në tërësi dhe për procesin e islamizimit në fiset Gashi dhe Krasniqe që i përkisnin kësaj dioqeze”. Relacioni nis në faqen 552 dhe mbi të shkruhet “Relacion për gjendjen e sotme të Misioneve të Pultit në Shqipëri, përshkruar nga unë, i poshtëshënuari Prefekti Apostolik, më 20 shkurt 1769”. Numri i ri i revistës që del dy herë në vit, ka artikuj e studime nga Bardhyl Demiraj, Edvalda Paci, David Luka, Fatos Dibra, Alfred Çapaliku, Luçia Nadin, Edmond Malaj, shkrimi i fundit i Vili Gjon Kamsit (si edhe një artikull për të), ribotime nga arkivi i “Hyllit” si dhe artikuj të tjerë.
RELACIONI I VITIT 1769
Misionet e Pultit, në Shqipëri, ndodhen mbi malet pranë qytetit të Shkodrës e janë të rrethuara, nga ana e lindjes, prej lumit Valbonë, në kufijtë që ndajnë Pultin nga Servia (Kosova). Nga ana e jugut kufizohen me lumin e njohur Drin, që e ndan dioqezën e Pultit nga ajo e Zappa (Sapës); e nga ana tjetër, ajo e Perëndimit, me male të larta në kufi me Dioqezën e Shkodrës, prej nga misioneve të lartpërmendura u duhet të bëjnë një ditë rrugë nëpër shtigje të thepisura, me gremina të rrezikshme e krejt të pakalueshme.
Këto popullsi të Puliti-t (Pultit) në shekuj janë nënshtetas të Perandorit të Kostandinopojës (Sulltanit të Stambollit) e të qeverisur nga administratorët e tij të përkohshëm, domethënë herë nga Bassà di Pecchia (Pashai i Pejës), e herë nga ai i Gjakovës, dy qytete në kufi me Pultin, një ditë rrugë larg njëri-tjetrit. [Faqe 552] Tetë janë famullitë apo misionet nën kujdesin baritor të Etërve të Reformuar të Shën Françeskut, që dërgohen e mbahen, me mirënjohje e nderim të thellë, nga Kongregata e Propaganda Fide, e cila i jep çdo vit secilës famulli a secilit mision, 25 Skuda Romake.
Hospici (banesa) i parë nga ana e Lindjes, ndodhet në një fshat të quajtur Aragna(Rajë) në Martur (Mertur), në kufirin e sotëm me Pultin katolik, sepse tri vjet më parë Gasci (Gashi), Bugnani (Bujani), Colgezagni (Kolgecaj) e Colmesciagni (Kolmekshaj), ku është kufiri i lashtë, ishin të gjitha fshatra katolike, nën kujdesin e Ipeshkvit të Pultit, por tani nuk janë as të krishtera e as turke, me që kanë mbetur vetëm 100 banorë, shumica gra, të cilat e ruajnë krejt të pastër fenë e të parëve.
Në katundin e lartpërmendur Aragna (Rajë) ka shumë kisha të lashta, të ndërtuara sipas stilit Grek, siç është edhe ajo, ku tani ndodhet famullia e quajtur e Shën Dhimitrit që, vitin e kaluar, me një punë të kujdesshme, ndonëse pa kurrfarë ndihme, ndërtoi pranë kishës hospicin (banesën) e saj të vogël, që është akoma i pambuluar e pa pajisje, sepse s’ka ku të mbledhë lëmoshë për të blerë orendi, ndërtuar nga kryetari i sotëm (i misionit) P. Michelangelo di Acuto i Provincës së Romës, me moshë 41 vjeç, prej shtatë vjetësh në mision, tani pa asnjë shoqërues.
ME FE SA PËR SY E FAQE
Hospici (banesa) i tetë dhe i fundit ndodhet në katundin Plandi(?), rreth 6 orë e më rrugë larg nga Scialla(Shala). Ka Kishën e vet, kushtuar Sh’na Ndout të Padovës e edhe banesën, që të dyja të ndërtuara me mur gëlqereje e të mbuluara me dërrasa. Nën kujdesin e kësaj Kishe janë edhe dy copë katunde të tjera: Pogu e Mengola(Mëgulla), që kanë nga një kishë të vogël në mjedis ku, ashtu si në të gjitha katundet e tjera të varura nga Famullitë, çdo muaj e sa herë ndjehet nevoja, kremtohet Mesha Shenjte dhe mbarështohen të Shenjtnueshmet Sakramente, [Faqe 556] sidomos, në këto tre katunde, me fe të gjallë të paktën sa për sy e faqe, që ngjinojnë në net feste e në kohë kreshmore dhe e ndjekin Meshën edhe përtej festave të urdhëruara. Po në këtë katund janë edhe 40 a më shumë Terciare të Shën Françeskut, disa me kushtin e thjeshtë të pastrisë, të veshura me zhguna leshi, ngjyrosur me rrënjë arre, me vel të zi në kokë, me litar në përmjet e me kryqin e varur në kraharor, që jetojnë ndër shtëpitë të veta.
Këto, çdo ditë feste, pas Meshës së parë, që për Barinjtë kremtohet në të lindur të diellit, këndojnë një orë e gjysëm, në hapësirën e caktuar për korin, sipër portës, këngë kushtuar Krishtit Fëmijë, Të Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Shën Gjon Pagëzuesit dhe shenjtorëve françeskanë. I këndojnë edhe uratët në gjuhën shqipe, kompozuar nga i ndjeri atë Angelo prej Bracigliano, Provinca e Salernos, themelues i këtij hospici e atë shpirtëror i rregulltareve të lartpërmendura. Gjithë këto shpirtra drejtohen e ndihmohen nga etërit e mëposhtëm: Atë Luigi Maria nga Roma, [Faqe 557] Provinca Romake, drejtues e Prefekt i sotëm, 49 vjeç, 20 në …


Leave a Reply