Dikur kur isha e vogël mezi prisja ditën që do të bëja pemën e Vitit të Ri. Më kujtohet, kur bashkë me tim atë shkonim tek Selvia, përballë furrës që piqte tava, ku arixheshkat tufa-tufa shisnin bredha të rreshtuar si ushtarë pas murit, në pritje të klientëve të tyre. Pemët ishin të shëndetshme, por jo gjithmonë të shëndosha, ndon[se kënaqësia e gjetjes së tyre mjaftonte për të mos marrë në konsideratë përmasat apo kritere të tjera të pemëve të ditëve të sotme. Madje kishte raste, më vonë, kur këto pemë nuk gjendeshin më “sheshit”, dhe më kujtohet kur më duhej t’i lutesha fqinjit që të shkonte në mal të Dajtit për të këputur (ose më mirë shqyer) ndonjë pemë. Oh cfarë lumturie sillnin ato përgatitje për Vitin e Ri të asaj kohe, në apartamentet tona, shpesh prej 70 metrash katrorë.
Pasi e kishim gjetur atë virane pemë, puna përqëndrohej tek zbukurimet. Familja ime ishte ndër familjet me fat, në këtë aspekt, pasi i kishim disa drita më ngjyra (që kishin ardhur nga Amerika) të cilat do të zbukuronin bredhin. Pasi ato ishin vendosur në fletët, apo më mirë fijet e nderit, rradha u vinte, kokrave të arrave mbështjellë me letra karamelesh Zana dhe lidhur me pe të kuq, qeseve me arra, lajthi, bajame, cokollatë dhe biskota dhjetë lekëshe, që edhe ato mund të zinin vend në pemë. Një vend nderi në majë të bredhit dhe anash, në vende të dukshme e zinin kartolinat. Sigurisht këtu preferoheshin kartolina “të jashtme” ku babagjyshi i vitit të ri ishte në qendër, por edhe kartolina me pamje nga Tirana me borë, apo edhe ndonjë qytet tjetër nuk ngeleshin më pas. Pjesë integrale e bredhit ishin edhe topa bore hedhin shokët tanë. Bora e atyre viteve krijohej nga pambuku hidrofil, të cilin e shkëpusnim me stil, në formë petulle të vogël dhe ia hidhnim bredhit. Dhe me kaq mbaronte pjesa e zbukurimit të bredhit.
Pjesë tjetër shumë e rëndësishme e fest[s ishte gatimi i sallatës ruse. Kjo sallate edhe sot e kësaj dite zë një vend të rëndësishëm në tavolinat tona të Krishtilindjeve dhe Vitit të Ri, por atëherë…atëherë kishte tjetër kuptim. Sallata ruse ishte gati-gati një rit i shenjtë. M[ kujtohet kur nuk më zinin këmbët dhe derisa të gjeja një tubet me majonezë. Udhëtimi ekzotik në kërkim të majonezës përfshinte edhe dyqanin me gjëra gjysëm të gatshme në krah të Pesëmbëdhjetë katëshit. Qeni qepën të hante, sallata ruse nuk duhej të mungonte dhe gratë mburreshin kush e kush më shumë mbi cilësinë e majonezës që e përgatisnin vetë dhe me zbukurimet me gogozhare e kastraveca turshi që zbukuronin majonezën hera-herës anemike të sallatës ruse. Me përfundimin e sallatës ruse, kulmin e festës e përbënte bakllavaja dhe numri i petëve të saj. Edhe sot e kësaj dite më kujtohet sesi njëra nga komshijet tona, që ishte amvisa më e zonja në këtë fushë përgatiste dhjetë bakllava në javë. Gjithë shkalla mbulohej nga mielli dhe ne kalamajtë hipnim e zbrisnim për të ndihmuar në procesin e tharjes së petëve. Dhe pastaj lum e lum kush kishte baklava me dyzet, pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë petë…
Dhe ndërsa përgatitjet vazhdonin në qendrat e punës së prindërve ne merrnim në festën e organizuar enkas për Vitin e Ri, nga një qese me biskota dhjetëlekëshe, bajame të paqërruara dhe ndonjë kukull tullace, top, pistoletë, apo ndonjë objekt tjetër kulti. Qesja nuk duhej të hapej në sy të të tjerëve se “ishte turp” dhe mundësisht ajo të bëhej pjesë e zbukurimeve të bredhit, i cili tashmë ishte zhytyr në një cep pranë divanit.
Dreka përpara vigjiljes së Vitit të Ri zakonisht përbëhej nga fasule (se doemos do hanim gjëra të mira në darkë), por edhe nga trahanaja, se gratë ishin të zëna me gatimet e castit të madh.
Një ndër fenomenet që shoqëronte atmosferën e festave ishte edhe Festivali i Këngës në Radio-Televizion. Sapo fillonte festivali me laps e letër uleshim përballë ekranit të TV për të shkruar fjalët e këngës apo këngëve që na pëlqenin më shumë. Sigurisht që nuk ia dilnim me të parën dhe mbeteshim me shpresë që strofa e parë të përsëritej pas refrenit, ose së paku të arrinim të mbanim shënim këtë të fundit sepse të nesërmen duhej me patjetër që të murmurisnim një vijë melodike në klasë. Aq më mirë sikur kjo këngë të dilte edhe kënga fituese e Festivalit.
Natën e Madhe uleshim të gjithë në tavolinën e zbukuruar për festë, në pritje që të mbaronte Revista Televizive dhe ne të mund të ngulnim pirunin tek antipasta (me gjysëm veze të zier, një degë gogozhare, një fetë rosto dhe një copë djathë). Dhe pastaj gratë që ishin rropatur tërë muajin me punët e shtëpisë, me larjen e perdeve, me larjen e xhamave, me shkundjen e qilimit të mirë tek shkallët, sa nuk iu dilnin zorrët vendit, dhe me gatimet bëheshin gati për të fjetur diku rrotull orës dymbëdhjetë, se të nesërmen do vinin komshijet që do provonin bakllavanë. Komshijet ishin të njejtat që kishin bërë bakllavanë tek komshija amvisë, e cila sigurisht do t’i provonte të gjitha bakllavatë se i kishte bërë me duart e saj. Burrat nuk kishin interes për skecet dhe këngët e vallet e Koncertit të Madh të Vitit të Ri, por ishin të përqëndruar tek shishet e trasha të birrës së hollë. Ndërsa ne fëmijët dhe adoleshentët duhet të rinim zgjuar deri pas orëve të vona në mënyrë që pastaj tu tregonim shokëve dhe shoqeve të klasës se deri kur kishim qëndruar zgjuar. Sa më vonë, aq më mirë ishte motoja.
E për të mos u zgjatur më shumë sonte po e mbyll për këtë temë se ditët përpara janë derisa të vijë Viti i Ri…
shqiptarja.com


Leave a Reply