Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi futbolli në Stamboll, lanë pas vetes 38 të vrarë dhe 166 veta të plagosur. Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se 30 nga të vrarët janë oficerë policie, shtatë civilë dhe një është ende i paidentifikuar.
Ministri Soylu tha se 10 veta janë arrestuar.
Shpërthimet, pasojë e një sulmi vetëvrasës dhe një makine bombë, kishin shënjestëruar pjesëtarët e sigurimit, rreth dy orë pas një ndeshjeje futbolli në Besiktas Vodafone Arena.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha se qëllimi ishte që të “rritet maksimalisht numri i viktimave”.
“Askush të mos ketë mëdyshje që me vullnetin e Zotit, ne si vend dhe si komb do të ngadhënjejmë mbi terrorin, organizatat terroriste dhe forcat që qëndrojnë pas tyre”, tha ai.
Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë.
Por, gazetari i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, thotë se natyra e sulmit, që shënjestëroi policinë pas përfundimit të ndeshjes dhe jo masën e shikuesve, lë të kuptohet se mund të jetë kryer nga militantët kurdë.
Partia Punëtore Kurde (PKK) e shpallur e jashtëligjshme për dekada me radhë ka luftuar kundër qeverisë turke për një autonomi në juglindje të Turqisë.
PKK është e njohur për sulme të herëpashershme mbi forcat turke të sigurisë por po ashtu është e njohur për shmangie të sulmeve që vënë në shënjestër apo rrezikojnë civilët.
Stambolli ishte skenë e disa sulmeve gjatë këtij viti, përfshirë edhe sulmin e muajit qershor në aeroportin Atatürk që la pas vetes mbi 40 të vrarë. Më shumë se 200 veta janë vrarë gjatë këtij vitit gjithandej vendit në sulmet e grupit militant Shteti Islamik apo fraksionet e militantëve kurdë në Turqi
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply