Autoritetet kolumbiane njoftuan se pati vetëm pesë të mbijetuar nga 81 personat që udhëtonin në avionin ku ndodhej edhe një skuadër futbolli nga Brazili. Avioni u përplas gjatë rrugës për në aeroportin ndërkombëtar të qytetit Medellin. Ndërsa po zhvillohen hetime për rrëzimin e avionit, kryebashkiaku i qytetit Medellin e quajti një tragjedi me përmasa të jashtëzakonshme. Alfredo Bocanegra është drejtor i aviacionit civil.
“Pavarësisht se kemi zbuluar paraprakisht se pati defekt elektrik, në këto lloj hetimesh nuk mundemi të përjashtojmë shkaqe të tjera. Dëshmitë e të mbijetuarve do të jenë të vlefshme. Do kryejmë hetim të plotë; në këtë rast aksidenti ndodhi këtu pranë dhe jo në distancë të largët.”
Autoritetet thanë se avioni i tipit “British Airspace 146” i firmës ajrore boliviane “Lamia”, njoftoi për një emergjencë për shkak të një defekti elektrik.
Avioni që kishte bërë një ndalesë në Santa Cruz të Bolivisë, transportonte skuadrën e futbollit “Chapecoense”, nga Brazili jugor. Skuadra do të luante nesër ndeshjen e parë të Kupës së Amerikës së Jugut, përballë skuadrës “Atletico Nacional” të Medellinit. Vetëm tre anëtarë të ekipit i mbijetuan përplasjes.
Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut ka anulluar përkohësisht të gjitha aktivitetet.
Autoritetet e aviacionit informuan se avioni kishte në bord 72 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit. Sipas mediave lokale, i njëjti avion pati transportuar këtë muaj skuadrën kombëtare të Argjentinës që luajti në një ndeshje në Brazil.
Burimi /Zeri i Amerikes
Leave a Reply