Dikujt nuk po i pëlqejnë mijëra flamujt të kuq me shkabën e zezë të vendosur gjithandej Prishtinës me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit. Madje, për këtë edhe po drejtohet gishti ndaj Komunës së Prishtinës dhe Shpend Ahmetit, siç thuhet, për shëmtimin e kryeqytetit në këtë ditë festive.
Janë këta tifozët e Përfaqësueses së Kosovës në futboll apo siç njihen “Dardanët”, më saktë grupacionI ultra brenda tyre “DEKA” apo Dardanët Etnik Kosovarë e Autokton”, të cilët nuk njohin komb tjetër veç atij kosovar, dhe i cili grupacion udhëhiqet nga Ismet Beqiri i LDK’së dhe Lirak Çelaj i PDK’së.
Në një kumtesë për media “Dardanët” radikalë theksojnë se flamuri kuq e zi nëpër rrugë nuk është flamuri i ynë, pasi që ne jemi kosovarë e kemi shtet, siç deklarojnë ata. E po ashtu përmendin se Ligji në Kosovë nuk e parasheh 28 nëntorin si festë kombëtare.
“Sa gjatë kemi luftuar për Kosovën e pavarur edhe gjaku i dëshmorëve po shkelet nga mohimi i kombit kosovar për të cilin kanë rënë shumë kosovarë të UÇK-së. Dëshmorët nuk vdiqën për këtë flamur kuq e zi me një shpend në mes, ndonëse ky flamur me shpend mund t’i pëlqejë Shpend Ahmetit i cili edhe emrin e ka Shpend”, thonë “Dardanët” në kumtesën e tyre.
Sipas kësaj tifozërie, dëshmorët dhanë jetën për flamurin verdhë e kaltër, me 6 yjet krenare mbi hartën legjendare. Ata po ashtu i kanë kërkuar nënkryetarit Dardan Sejdiu që ta ndërrojë emrin, pasi që thonë se i turpëron me atë emër, dhe le të quhet Alban Sejdiu, Shqiptar Sejdiu ose Kuqezi Sejdiu.
E një reagim të tillë e kanë mbështetur edhe kosovaristët radikalë, zv/ministri i drejtësisë – Lirak Çelaj, dhe Shefi i GP të LDK’së – Ismet Beqiri, njëherit themelues të këtij grupacioni të ultra-tifozëve kosovarë.
“Shpend Ahmeti le ta merr flamurin kuq e zi e le t’ia therrë për Shqipëri. Ne jemi kosovarë dhe në secilën festë duhet të valojë flamuri kaltër e verdhë e jo ky i shtetit fqinj, Shqipërisë. Le ta merr Shpendi këtë flamur dhe t’shkojë e ta vendosë në Burrel ose Tropojë”, ka thënë Lirak Çelaj.
Kurse, Ismet Beqiri thotë se është ndjerë i habitur e i trishtuar kur është zgjuar në mëngjes dhe e ka parë Prishtinën të skuqur me flamuj.
“I them Shpend Ahmetit se këtu nuk është Shqipëri. Ne jemi Kosova e pavarur. I kemi simbolet tona, i kemi edhe tifozët ‘Dardanët’, e kemi edhe flamurin e Dardanëve. Unë kur kam qenë në luftë nuk kam luftu për flamuj të shteteve fqinje por për flamur kosovar”, ka deklaruar në anën tjetër shefi i deputetëve të LDK’së, Ismet Beqiri.
Ndryshe, nga Komuna e Prishtinës nuk i komentojnë këto deklarata. Fitore Pacolli nga kabineti i kryetarit Shpend Ahmeti deklaron se Lirak Çelaj dhe Ismet Beqiri vazhdimisht nuk ndjehen mirë gjatë festave të fundvitit, deri në kohën kur fillon të shfaqet Babadimir në qytet.
pampress.com
Leave a Reply