Pas vitit 1990, në gazetat shqipe të kohës në Kosovë, pothuaj çdo javë do të “zbulohej” nga një dokument, sipas të cilëve, Shqipëria e kishte shitur Kosovën!?Krahas “zbulimit” të dokumenteve të tilla, realizohej një propagandë tmerrësisht efektive e demonizimit të Shqipërisë, në drejtim të shpalljes pro-jugosllave e pro-ruse të saj.
Lozha mercenare projugosllave, që shpërndante perceptime të tillë shumë kërcënuese sipas instruksioneve, ishte aq e fuqishme atëbotë dhe, duket e çuditshme, por ajo vazhdon të jetë e tillë edhe sot…
Besim ZYMBERI
besim-zymberi“Isa Boletinin e vranë, që të mos mbetej më shqiptar që do ta ngriste çështjen e të drejtave të shqiptarëve të pushtuar nga Serbia e Mali Zi, përkatësisht Jugosllavia mbretërore. E vranë, që të mos kishte kush t’u printe shqiptarëve më asokohe!”
Kështu e arsyetonte Vlado Dapçeviq, një disident i njohur jugosllav (malazias me kombësi) dhe me qëndrime shumë korrekte për të drejtat e shqiptarëve, vrasjen e tribunit popullor, Isa Boletini, nga serbo-malaziasit.
Kishte plotësisht të drejtë! Shqiptarët, që në vitin 1912-1913, padrejtësisht mbetën jashtë trungut amë të Shqipërisë, ishin të pashkolluar dhe të paarmatosur. Vështirë e kishin të organizoheshin intelektualisht, politikisht e ushtarakisht, për shkak të mungesës së resurseve në të tria sferat. Shpresa më e madhe ishte tek disa liderë popullorë dhe vetëm disa intelektualë të paktë, që kishin bërë emër në procese të rëndësishme historike, përfshirë këtu edhe kryengritjet gjithëkombëtare për pavarësinë e shtetit shqiptar.
Isa Boletini, ishte prej shqiptarëve të rrallë që mund të organizonte lëvizje kombëtare efektive në Kosovë e ish Jugosllavi, pas vitit 1912. Vrasja e tij, sigurisht se kishte zvogëluar shumë shanset e shqiptarëve që të organizoheshin në mënyrë adekuate politikisht e ushtarakisht.
Në esencë, vrasja e Isa Boletinit, mund të interpretohet si një strategji serbe e malazeze, për pamundësim të krijimit të çfarëdo profili të përfaqësimit të shqiptarëve në kërkesat, pritjet dhe të drejtat e tyre. E dimë se në ish Jugosllavinë mbretërore, shqiptarët kurrë nuk ndaluan me rezistencë ndaj okupatorit, por ishte një tip rezistenceje guerile, e shpërndarë dhe jo frontale apo masovike. Ishte e mjaftueshme vetëm për të mbajtur gjallë besimin dhe motivimin e shqiptarëve për çlirim nga pushtuesi serb.
Po, ç’lidhje ka vrasja e Isa Boletinit me vizitat e fundit të kryeministrit shqiptar në serbi…?
Përgjigjen duhet ta kërkojmë te roli i Shqipërisë zyrtare në mbështetjen dhe përfaqësimin e pjesës së okupuar të kombit dhe tokës shqiptare përreth 100 vjet si dhe me rolin e Shqipërisë zyrtare në mbështetjen e çështjes shqiptare sot, kur Kosova, po ashtu është shtet i pavarur…Pastaj, edhe te këndvështrimi i shqiptarëve të okupuar ndaj rolit të shtetit të tyre amë, në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Isa Boletinin, e vranë që të mos mbetej kush të përfaqësonte e organizonte shqiptarët e ish Jugosllavisë-Serbisë. pra përfaqësimi është ai element që trazon historinë tonë dhe na bën t’i kthehemi shpeshherë në mënyrë krejt emotive dhe jo të arsyeshme.
Në momentin e vrasjes së isa Boletinit, Shqipëria sapo kishte dalë nga një furrë e tmerrshme e copëtimit.
Por, propaganda Jugosllave-serbe, në drejtim të ndarjes edhe shpirtërore të shqiptarëve të ish Jugosllavisë me ata të Shqipërisë, kishte arritur efekte të konsiderueshme. Fushatat në formë të injektuar, që Isa Boletini dhe Kosova nuk u mbështetën nga Shqipëria, pastaj propaganda që Kosova luftoi e Shqipëria fitoi etj., do të synonin gjatë kohë krijimin e një averzioni të shqiptarëve të Kosovës, ndaj shtetit të tyre amë.
Pas Luftës së dytë botërore, e deri në vitet 1999, jugosllavizmi i infiltruar në mënyrë sistemore edhe ndër shqiptarë, nëpërmjet një kasteje të favorizuar e kolaboracioniste, vazhdonte prapë fushatën propagandistike kundër Shqipërisë. Synonte që shqiptarët e Kosovës, t’i formatizonte si një popull i ndryshëm nga ai i Shqipërisë e deri te injektimi i perceptimit që qeveritë, përkatësisht shteti shqiptar i pas LDB-së, kishte braktisur e shitur Kosovën dhe viset tjera shqiptare të ish Jugosllavisë!?
Kjo fushatë u bë veçanërisht e efektshme dhe e rrezikshme pas vitit 1990, kur jugosllavizmi i transformuar në një “demokraci pluraliste” politike, rrjedhimisht edhe me media shqipe të “çliruara” nga diktati, arriti me shumë sukses të krijojë perceptimin për një Shqipëri përbindëshe karshi pjesës së okupuar të kombit të saj. Në veçanti, u përdor Enver Hoxha si instrument për krijimin e një perceptimi të tillë. Profilizimi i tij si “proserb, projugosllav e prorus”, bashkë me qindra “dokumente” të shitjes së Kosovës nga Shqipëria, ishin më se të efektshme në realizimin e doktrinës jugosllave –serbe për përçarje ndërshqiptare. Shembulli i pasojave të masakrës së Tivarit është më ilustrativi në këtë drejtim: ndonëse dihet botërisht që masakrën e kreu Ushtria Jugosllave, tash e njëzetë e gjashtë vjet, medialisht në Kosovë, por edhe në shtresimet e dyshimta shkencore, flitet vetëm për, gjoja, fajin e Shqipërisë në atë masakër, deri në krijimin e një perceptimi për autorësi vetëm të Shqipërisë në ekzekutim të asaj masakre të tmerrshme gjenocidare!?
Nëse rikthesojmë edhe një herë periudhat e lartpërmendura: Vrasjen e Isa Boletinit, apo periudhën prej atij momenti e deri në LDB, pastaj periudhën prej 1945 deri më 1990 dhe atë nga viti 1990 e deri në vitin 1999, patjetër që duhet të kërkojmë një emërues të përbashkët. Dhe, ai emërues është: Përceptimi i gabueshëm, i krijuar nga propaganda jugosllave-serbe, që Shqipëria nuk ka mbrojtur shqiptarët jashtë kufijve të saj, në është interesuar për ta dhe rrjedhimisht, as nuk i ka përfaqësuar ata!
Por, çudia nis pikërisht nga këto perceptime. Derisa deri dje, kasta të caktuara në Kosovë, në emër të shqiptarëve të Kosovës e akuzonin Shqipërinë për braktisje, mosmbështetje, mospërfaqësim etj., çfarë ndodhi pas vizitave të fundit të kryeministrit shqiptar në Beograd, Nish e Luginë të Preshevës, në të cilat ai shkoi si vlerë e triumfit të qytetarisë shqiptare, karshi arrogancës humbëse të një shkëputjeje të rrezikshme historike, të quajtur-Serbi…?
Edi Rama, në triumfin e tij edhe intelektual ndaj homologut të tij serb, përfaqësoi shqiptarët, jo vetëm Shqipërinë!
Por, çuditërisht, disa zëra të jetës mediale, civile dhe politike në Kosovë, duket të traumatizuar nga egoizmi i tyre abrahamik i vetaktualizimit dhe vetpronësim të ideve, nisën një fushatë, të denjë vetëm për epokën e jugosllavizmit efektiv! Sipas tyre, Edi Rama nuk ka të drejtë të flasë për Kosovën! Thanë se përzierja e kryeministrit shqiptar në kompetencat e Kosovës, mund ta zhbëjë Kosovën!? Çfarë nuk thanë tjetër…?
Derisa më herët, kasta të ngjashme e akuzonin Shqipërinë që nuk na përfaqësonte, si u bë që ditëve të fundit, klerikë të trazuar mendjesh, dolën hapur me piskamat që Shqipëria nuk duhet të na përfaqësojë dhe nuk duhet të përzihet në punët tona…?!
Nëse në tri periudhat e mëhershme historike, ishte Jugosllavia dhe Serbia që me resurset e tyre e organizonin propagandën efektive për averzion ndaj Shqipërisë, kush i organizon tani zërat që kërkojnë që Shqipëria të mos flasë për shqiptarët e Kosovës dhe as në emër të tyre… ? Kush kërkon tani dhe në emër të kujt, që Shqipëria të mos i përfaqësojë shqiptarët?! Mos vallë, në një periudhë aq të shkurtër ka ndryshuar pronari i sponsorimit të ideve të tilla…Si mund të mos besojmë që një mentalitet jugosllavist nuk qëndron prapa thirrjeve të tilla, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për njerëz të zënë në grackë pavetëdijshëm…?
Është shumë e qartë, mercenarizmi politik është një pjesë e jetës shqiptare. Duhet të kujdesemi që efektet dhe pasojat e tij të minimizohen.
Kryeministri i Shqipërisë, sipas thirrjes politike dhe shtetërore-nacionale, njëkohësisht është edhe një titullar i politikave të përshtatshme, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Çështjen Shqiptare. Kryeministri shqiptar, siç e tha edhe vet kryeministri aktual ditëve të fundit, nuk duhet të pres autorizim për të përfaqësuar çështjen shqiptare. Shqipëria zyrtare, e ka për detyrë të jetë ideatoorja prijëse në krijimin e politikave gjithëkombëtare, ma bazë tek idealet sociohistorike shqiptare, që duhet të sendërtohen në një shtet të bashkuar e të fuqishëm shqiptar!
http://www.gazeta-shqip.com


Leave a Reply