Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka mbajtur akademi përkujtimore për ta nderuar anëtarin e jashtëm të saj, përkatësisht piktorin e famshëm me nam në botë, akademik Gjelosh Gjokaj i cili ditë më parë u nda nga kjo jetë në moshën 83 vjeçare.Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, familjarë të piktorit Gjokaj dhe anëtarët e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Kryetari i kësaj akademie, Hivzi Islami duke vlerësuar lartë punën akademike të piktorit, tha se Gjokaj jo vetëm se kishte lidhje të veçantë me vendlindjen, por ai ka dhënë kontributin e tij të madh në edukimin e gjeneratave të para të artistëve të rinj gjatë kohës sa ishte pedagog në Degën e Arteve Figurative në Shkollën e Lartë në Prishtinë.
“Vdekja e maestros Gjelosh Gjokaj është para së gjithash humbje e madhe për familjen, për miqtë, për artistët, për njeriun që e përfaqësoi kulturën dhe artin shqiptar denjësisht anekënd botës, për njeriun e urtë dhe dashamirës, humbje për miqtë dhe kolegët e tij në Kosovë, por edhe për ne në Akademi që e çmonim shumë”, theksoi kryetari Islami.
Veprat e Gjelosh Gjokajt janë testament për fatin e shqiptarëve, u tha në një tjetër përkujtimor të organizuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. “Akademik Gjelosh Gjokaj, ishte inspirim për shumë gjenerata. Në një mënyrë apo një tjetër, çdo gjëje i vjen fundi. Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetët vdesin. Vdesin edhe njerëzit. Por më lejoni që sot para jush të rrëfej se si jetoj Gjelosh Gjokaj e jo si u shua ai”, tha në hapje prof. Agim Salihu, dekan i këtij fakulteti.
Ai më pas duke folur për opusin e madh të veprave të artistit, potencoi se puna dhe krijimtaria e Gjeloshit çmohen shumë lartë nga kritika e sidomos ajo italiane e cila dëshmohet përmes një numri të madh të ekspozitave të tij të prezantuara atje. Salihu theksoi se Gjelosh Gjokaj pjesën më të madhe të jetës e kaloi në perëndim dhe kishte një kulturë evropiane e cila u reflektua edhe në krijimtarinë e tij artistike, por ai ka edhe shumë piktura nga vuajtjet e popullit të tij, por siq tha, ai asnjëherë nuk e humbi as bujarinë të cilën e trashëgoi nga Malësia.
Ndërkaq, piktorja Zake Prelvukaj, theksoi se kombi shqiptar është i privilegjuar që ka pasur një artist me këto përmasa. “Unë për artin e tij nuk kisha dashtë të flas shumë, nuk e kisha quajtur as Pikaso të Ballkanit siç po e quajnë, e as ndryshe, por ai gjithmonë do të duhej të quhej Gjelosh Gjokaj dhe kështu të mbahet mend gjithmonë. Ai la mbrapa mbi 3 mijë piktura e grafika dhe ne jemi të privilegjuar si komb që e kemi pasur këtë artist me përmasa ndërkombëtare. Dihet se çdo muze e galeri që ka rajoni i posedojnë disa nga veprat e artistit Gjelosh Gjokaj. Me humbjen e tij skena artistike ka humbur shumë”, u shpreh Prelvukaj.
Ndërsa Galeria e Arteve të Kosovës, ka hapur ekspozitë homazhi për Gjelosh Gjokajn me veprat e tij nga koleksioni i galerisë, e cila do të jetë e hapur deri me 4 tetor. Për humbjen e piktorit Gjokaj kanë shpreh dhimbjen e tyre edhe personalitete më të larta të vendit përmes telegrameve ngushëlluese. Gjelosh Gjokaj, do të varroset të shtunën në katundin Milesh të Tuzit, Mali Zi.
http://sq.radiovaticana.va/


Leave a Reply