Këtë vit, sipas drejtuesve të kësaj Radio, janë organizuar dy aksione, edhe atë për shërimin e Blendi Kadriut nga fshati Kapazhdoll i Komunës së Zhelinës, ku u grumbulluan mbi 20 mijë euro nga mërgimtarët tanë në mbarë botën, i cili duhet që të operohet në Vjenë të Austrisë, për shkak të kancerit në eshtra
Urim HASIPI
Tashmë vite me radhë Radio Projekti që funksionon në Danimarkë, gjegjësisht në Kopenhagen, organizon aksione të ndryshme humanitare, përmes aksionit të quajtur “Humaniteti në vepër”. Këtë vit, sipas drejtuesve të kësaj Radio, janë organizuar dy aksione, edhe atë për shërimin e Blendi Kadriut nga fshati Kapazhdoll i Komunës së Zhelinës, ku u grumbulluan mbi 20 mijë euro nga mërgimtarët tanë në mbarë botën, i cili duhet që të operohet në Vjenë të Austrisë, për shkak të kancerit në eshtra. Sipas Havzi Sulejmanit, ky aksion rezultoi mjaft mirë pasi që bashkatdhetarët për një kohë të shkurtë arritën që donojnë një shumë të konsiderueshme për shërimin e Blendit 8 vjeçar.
“Duhet që të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në të kaluarën, por ndihmojnë edhe tani, ngase është përgjegjësi e madhe të kërkosh mjete në këtë kohë, kur dihet se edhe mërgata është e lodhur dhe stërngarkuar në këtë drejtim. Por, kur bëhet fjalë për shërimin e fëmijëve, ata asnjëherë nuk kanë ngurojnë dhe kanë ndihmuar, kështu është rasti edhe me fëmijën tetëvjeçarë nga fshati Kapazhdoll. Faleminderit për të gjithë ata që kontribuuan në grumbullimin e mjeteve për shërimin e Blendit nga fshati Kapazhdoll. Nëpërmjet valëve të Radio Projektit në aksionin humanitar që u organizua për Blendin, arritëm të grumbullojmë mbi 20 mijë euro. Njëkohësisht jam shumë mirënjohës atyre që kontribuuan, sepse kjo është edhe një dëshmi se ata na besojnë në këto aksione”, tha Havzi Sulejmani, i njohur si Xhaxhi. Aksioni ka qenë i koordinuar edhe me bashkësinë lokale të fshatit. Sipas përfaqësuesve të bashkësisë lokale, kjo është një nga familjet më të varfra me të ardhura të vogla, dhe nuk ka pasur mundësi që vet të mbulojë harxhimet e operimit të djalit të tyre. Edhe nga kjo bashkësi lokale falënderojnë të gjithë ata që kontribuuan në këtë aksion. Në ndërkohë, aksioni i dytë është realizuar për të ndihmuar botimin e dy librave të Ismail Selmanit, i njohur si komandant Mala, libra këto që kanë të bëjnë me luftën e 2001 në Maqedoni.
“Gjatë qëndrimit të komandant Malës në Gjermani dhe Danimarkë, kuptuam se ka dy libra për botim, por ka mungesë të mjeteve. Përmes aksionit “Humaniteti në vepër” filluam aksionin dhe u grumbulluan rreth 5 mijë euro për një kohë të shkurtë për botimin e këtyre librave, por e them se këto mjete janë grumbulluar vetëm në Danimarkë, pasi që nuk kemi dashur që të stërngarkojmë mërgimtarët nga shtetet tjera, edhe pse ka pasur shumë telefonata dhe të interesuar që edhe ata nga vendet tjera të na ndihmojnë”, thotë Havzi Sulejmani, drejtor i Radio Projektit. Ndërkaq, vetë Selmani, thotë se bëhet fjalë për dy libra me tematikë nga periudha e para luftës dhe gjatë luftës së vitit 2001. “Njëri libër titullohet “Tri varre në zemrën time” dhe “Derdhëm gjak u mbinë lule”, njëri është ditar nga lufta, kurse tjetri libër është me poezi, por janë shumë voluminoz. Falënderoj Radio Projektin që mori iniciativën që të më mbulojë harxhimet për botimin e dy librave, të cilët fillimisht ishin projektuar rreth 5 mijë euro. Megjithatë, botuesit fillimisht kanë menduar se bëhet fjalë për libra më të vogël, e ndërkohë kur është vërejtur se bëhet fjalë për libra më voluminoz, harxhimet diku i kanë ngritur në 12 mijë euro. Tashmë botimi ka ngelur në gjysmë të rrugës, për shkak të mungesës së mjeteve. Shpresoj se do të gjejmë forma dhe mënyra që të arrijmë të botojmë këta dy libra”, thotë komandant Mala, i cili njëkohësisht kërkon mbështetje në këtë drejtim. Ndryshe, Radio Projekti transmeton program në valë tokësore nga e hëna deri të premten nga ora 18.00 deri ora 21.00, të shtunave prej orës 18.00 deri ora 04.00 të mëngjesit. Përveç Kopehhagës ka zgjeruar punën në studiot improvizuese në Shkup, në Angli, Zvicër. Përndryshe në tërë këto aksione një aktivitetet dhe të palodhshëm luajnë Shpëtim Xheladini, Abdyl Tanushaj, Luigj Shkodrani e tjerë.
Burimi/Koha.mk/


Leave a Reply