Avokatja Donika Dobruna tregon për masat ligjore që mund të merren ndaj prindërve qe lejojnë martesat në moshë të mitur.
Ajo thotë se është tmerruar me rastin e martesës ndërmjet 13 vjeçarës dhe 14 vjeçarit në Malishevë.
Avokatja Dobruna tregon se sipas Kodit Penal të Kosovës, prindërit që lejojnë apo shtynë personat e mitur në martesë mund të dënohen ndërmjet 5 deri në 20 vjet burg.
“Përderisa në botë luftohet dukuria e martesave të hershme të vajzave, në Kosovë ajo pranohet si diçka normale dhe nxitet madje. Sa për info, sipas nenit 247 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, prindi, prindi adoptues, kujdestari apo ndonjë person tjetër që ushtron autoritet prindëror, që i lejon ose e shtyn personin në mes të moshës 14 dhe 16 vjet që të bashkëjetojë në një bashkësi jashtëmartesore me personin tjetër, dënohet me dënim me burgim nga 5 deri në 20 vjet. Kur kjo vepër penale kryhet ndaj personit nën moshën 14 vjet, kryesi dënohet më së paku 15 vjet burgim”, thotë Dobruna.
————————————-
Psikologët: Tragjedi martesa e fëmijëve në Malishevë
Psikologia Albana Demiri e quan tragjike martesën e dy fëmijëve nga Malisheva, djalit 14 vjeçar dhe vajza 13 vjeçare.
Ajo thotë se mosha më e hovshme e zhvillimit të të gjitha aspekteve të njeriut ( zhvillimit fizik, kognitiv, afektiv, social), në shekullin 21, kjo fazë e rëndësishme e zhvillimit, tek ne, sipas saj, është tragjedi të fillojë me martesë.
“Përderisa individi në këtë moshë është në kërkim të njohjes së vetvetes, të gjetjes së identitetit të tij, të formimit të personalitetit të tij, të ndryshimeve të mëdha shpirtërore ata vendosin për gjënë më të rëndësishme në jetë, martesën, sepse ata nuk e dinë që ndryshimet dhe zhvillimi i emocioneve të tyre sapo ka filluar dhe i tundon ata shpirtërisht. Si pasojë e mos informimit të tyre, mos edukimit të mirëfilltë nga ana e prindërve, psikologëve qe nuk kemi askund, mësueseve, ata nuk arrijnë as ta njohin veten e tyre e ta duan e lëre më tjetrin që ka vendos të martohet me të. Ata nuk fajësohen sepse jetojnë me ëndrrat e tyre të keqthurura që ua ngacmon trurin e zemrën e vogël. Për ata kështu është e drejtë, sepse nuk e dinë se çka ndodh me ta. Këtu fajësohet familja dhe rrethi ku ata jetojnë”, thotë Demiri për Lajmi.net
Kjo ngase, sipas saj, nuk ju jepet e drejta të miturve të njihen me zhvillimet e tyre, që ndodhin, me ndryshimet e organeve të tyre, me gjendjet shpirtërore te tyre, ata kanë iluzione për njëri tjetrin, jo dashuri !
“Adoleshentin e verbërojnë iluzionet dhe ëndrrat! Ai nuk arrin ta bëjë vet zbulimin e tij, prindërit dhe psikologu shkollorë janë si një trekëndësh për formimin e tij si person në të ardhmen ata duhet patjetër të bashkëpunojnë tërë kohën së bashku që fëmija i moshës 13 vjeç ta ketë më të lehtë të kalojë këtë fazë të vështirë. Ky bashkëpunim tek ne mungon në shekullin 21. Jo vetëm qe mungon por edhe të dërgohet për këshillim tek psikologu nga e ana e prindërve është e turpshme dhe ende tabu”, thotë Demiri.
———————————-
Sociologu Fadil Maloku nuk e sheh tragjike martesën e dy fëmijëve
Dy fëmijë, djali 14 vjeçar dhe vajza 13 vjeçare janë martuar dhe kanë bërë dasmë, në Malishevë, e sociologu Fadil Maloku thotë kjo nuk duhet të shihet si tragjike.
Për lajmi.net thotë se kjo i duket morbile sepse me Ligj është e sanksionuar martesa në moshë të hershme, por sipas tij, ka raste të tilla edhe vendet e perëndimit dhe nuk duhet të mirën shumë tragjike, nëse është një marrëveshje një kontratë ndërmjet dy familjeve.
“Kjo dëshmon se ne jemi një shoqëri anomike, nuk i respektojmë ligjet por i respektojmë do ligje tona kanunore që janë absurde, që të ndodh një martesë e një 14 vjeçarit me 13 vjeçare. Por ky është një përjashtim dhe nuk është rregull. Mund të jenë ndikime të ndryshme mund të jenë nga miqësia e mëhershme, mund të jetë siç mund të themi ka mbet me barrë vajza dhe familjarët duan me mshel hesapet. Kjo është një përjashtim, nuk është fenomen dhe është mirë që nuk është fenomen. Të rinjtë tanë, gjeneratat e reja po janë të vetëdijshëm se si të mbrohet kur kanë raporte seksuale”, thotë ai.
Maloku thotë se Qendrat e ndryshme sociale dhe institucionet familjare që merren me sferën e mjekësisë, duhet të merren me këtë punë.
“Në qoftë se është vendim i dy palëve, familjarët e dy palëve. Këto institucionet tona kanë hezitim për këshilla. Nëse është marrëveshje unanime ndërmjet dy familjeve dhe dy partnerëve nuk është mirë por kjo ka ndodhë . Ka raste edhe në perëndim të martesave të tilla dhe nuk duhet të mirën shumë tragjike nëse është një marrëveshje një kontratë ndërmjet dy familjeve”, thotë Maloku.
Burimi/gazetamonitor.com/


Leave a Reply