Jennifer Aniston ka qenë jo rrallë herë subjekt i titujve të tabloideve, por mesa duket “shtatzënia e supozuar” ka qenë tema e shumëpërfolur që ka revoltuar Aniston. Jennifer ka publikuar në një kolonë për Huffington Post shqetësimin dhe zhgënjimin nga mënyra e shëmtuar se si mediat trajtojnë çështjet e jetës private të saj dhe jo vetëm. Me tone mjaft të ashpra ajo shprehet “Nuk jam shtatzënë. Jam vetëm e mërzitur, më ka ardhur në majë të hundës” Ajo ndau zhgënjimin dhe frustrimin që ndjen pas çdo artikulli se çfarë hëngri, çfarë veshi apo të tilla gjëra.
Por, problemi nuk përfundon këtu, vetëm me ndjesitë e saj. E shqetësuar me standardet e vendosura nga shoqëria Jennifer dëshiron të qëndrojë “jashtë” deri sa shoqëria të shohë realitetin me lente të tjera.
“Mënyra se si femrat bëhen lehtësisht objekt artikujsht është absurde dhe shqetësuese. Mënyra si unë jam portretizuar në media është thjesht një reflektim se si ne i shohim dhe i portretizojmë gratë në përgjithësi, të para nën lupën e deformuar të standardit të bukurisë.
Nësë nuk jeni të holla nuk jeni të bukura, nëse nuk jeni një modele seksi kopertinash nuk mund të tërhiqni vëmendjen e meshkujve.. E gjitha kjo është një vorbull në të cilën të gjithë kontribuojnë me dëshirë në një formë apo në një tjetër.
Shtrembërimet nuk prekin vetëm format fizik, por arrijnë deri në thelbin e njeriut, atë çfarë na bën ai person që jemi. Standardet e shoqërisë edukojnë femrat se mungesa e një fëmije apo një burri ju vulos si “e pasuksesshme, e pakënaqur e paafte”.Shtatzënia, dhe çdo gjë tjeter që ka të bëjë me jetën e një femre qoftë e famshme apo jo, është zgjedhja e saj dhe jo një rast përjashtues nga ajo çfarë etiketohet si normale.
Ne nuk kemi nevojë të jemi të martuara ose nëna që të ndihemi të plotësuara në jetën tone. Jemi vetë ne që vendosim se çfarë në bën të lumtur apo jo, nuk është shoqëria.
Dyshoj se materialet që mbulojnë hapësirat mediatike do të ndryshojnë brenda natës, por jemi të gjithë ne ato që duhet të nxisim ndryshimet në kulturën tonë. Duhet të qëndrojmë jashtë këtyre kufijve deri sa mediat e jo vetëm, të detyrohen ta shohin realitetin me lente të ndryshme, me lente më pranë natyrës humane.”
Living.al


Leave a Reply