Nga Isuf Kurtaj
Kulla e Sali Berishës në Viçidol është shndërruar në një destinacion, të paktën për demokratët. Pjesë e pelegrinazhit në Viçidol janë bërë dhe ligjvënës të djathtë. Deputeti demokrat, Bedri Hoxha, në një postim të tijin në rrjetet sociale, të cilin e ka shoqëruar me tre foto të shkrepura para kullës së Sali Berishës në Viçidol, thotë: “Miq! Nuk jam në Jerusalem, as në Medinë, por te kulla e dr. Berishës. Këtu në përjetësi do të ngelet Meka e demokratëve. Respekt Tropojë!”.
Kulla është rrënuar rreth dy dekada më parë, dhe prej disa muajsh është ngritur nga themeli. E konsideruar prej Hoxhës meka e re e shqiptarëve, demokratë ose jo, kulla e Berishës, sipas arkitektit Arkond Canaj kushton rreth 300 mijë euro. Nostalgji apo jo, fakt është që shqiptarët e jo vetëm, tashmë mund ta konsiderojnë si një pjesë historie kullën që ka lindur dhe rritur një nga politikanët më me zë të vendit. Madje, vetë demokratët nuk kanë hezituar ta konsiderojnë si një mekë të re më të afërt dhe më të prekshme. Edhe pse në kufijtë e blasfemisë, çdo gjë mbetet për t’u gjykuar, nga koha, nga njerëzit, nga Zoti. Dhe deputetet Albina Deda, Arbiola Halimi dhe Irma Kopliku të Partisë Demokratike disa javë më parë kanë vizituar kullën e ish-kryedemokratit Sali Berisha që ndodhet në fshatin Viçidol në Tropojë. Sipas tyre të shkosh në Tropojë dhe të mos vizitosh kullën e liderit historik nuk quhet se ke qenë atje.
“Një vizitë te kulla ku lindi e u rrit lideri i madh i demokratëve dr. Berisha”, shkruan deputetja Deda. Ndërkohë burime për “Shekullin” bëjnë të ditur se që nga koha kur kulla tre katëshe është bërë, personalitete të ndryshme të së djathtës dhe më tej, kanë ardhur për ta vizituar. Por ka dhe prej atyre që nuk e kanë pritur mirë ndërtimin e kullës së Berishës.
Poshtë statusit të deputetit Bedri Hoxha një komentues shkruan: “Po Kullën e Haklajve që ka qenë përballë në Kërrnajë e shihni dot ju që mburreni me këtë “Mekën e Viçidolit”?
Jo nuk e shihni, se ajo Kullë Kreshnike është zhdukur nga themelet, biles dhe varret që kanë qenë përbri të parëve të saj. Këtë masakër e ka bërë Sali Berisha banori i asaj kullës që na e kini nxjerrë në foto dhe që na je kapardisur ti z.Bedri, së bashku me bandat e tij, dhe nuk dihet se ku janë 15 banorët e asaj kulle dhe sa janë vrarë prej tyre. Duhen thënë gjërat siç janë. Të paktën mirë që e vizitoni ju se banori i asaj shtëpie nuk ka qenë asnjëherë në ato anë që kur iku me valixhe druri në Tiranë”.
Çmimi
Tashmë kulla ka përfunduar sipas projektit, duke ruajtur traditën e kullës së vjetër. Kulla 100 vjeçare e Berishajve në fshatin Viçidol të Tropojës është ngritur në themelet e asaj të vjetrës.
Për të rindërtuar këtë kullë kanë punuar 20 punëtorë, të cilët kanë zbatuar projektin për kullën e re. Një skuadër e specializuar për ndërtimin e kullave me specialistë nga Kosova ka qenë ajo që ka kryer punimet. Ndërsa rregullimet brenda do të vazhdojnë edhe për disa kohë, pasi orenditë duhen përshtatur me kujdes dhe është e vështirë që të gjenden. Mësohet se një pjesë e saj do të shërbejë si muze për vizitorët. Për projektin e kësaj kulle është kujdesur djali i tij Shkëlzen Berisha. Duke komentuar kullën tre katëshe të Berishës, arkitekti Arkond Canaj, thekson se çmimi i saj kushton rreth 300 mijë euro, duke përjashtuar arredimin brenda. “Ky është nga projektet më të shtrenjta. Të gjitha muret janë bërë me gurë nga themeli. Çmimi i ndërtimit me gurë është më i shtrenjti. Do kohë dhe nerva. Të paktën një ekipi të specializuar i duhen dy vite që të mbarojnë punimet vetëm me gurë. Guri i përdorur në këtë kullë është i rrallë dhe domosdo është dhe i kushtueshëm.
Nga përllogaritjet që kam bërë unë, çmimi minimal i kësaj kulle është 300 mijë euro”, theksoi Arkond Canaj. Premtimi Berisha është larguar prej kullës trekatëshe që në moshën 14- vjeçare, kur filloi mësimet në shkollën e mesme në Politeknikumin Mjekësor Tiranë. Vizitat e tij në vendlindje kanë qenë të rralla, jo vetëm gjatë viteve të pluralizimit, kur ai braktisi profesionin e kardiologut për t’u marrë me politikë, ku arriti në postet më të larta të drejtimit dhe qeverisjes së shtetit. Para dy vjetësh, Berisha vendosi të rindërtojë shtëpinë e vjetër ku ka lindur dhe ku kanë jetuar prindërit e tij, pra kulla e Zeqir Halilit në Viçidol të Tropojës.
Si shkohet te kulla e Berishës
Berisha ende nuk ka shkuar në Viçidol për ta parë kullën. Për të shkuar në Viçidol duhet të udhëtosh për rreth 15 minuta me makinë nga qyteti i Bajram Currit. Fshati ndodhet thuajse në kufi me Kosovën dhe ndahet në disa pjesë. Në një pllajë që shikon në pëllëmbë të dorës pjesën tjetër të fshatit ngrihet kulla e Berishëve, ndërsa rreth saj shtrihen shtëpi të tjera të të njëjtit trung familjar të rrethuara nga hektarë toke, pronë po e të njëjtës familje.
Kulla 100-vjeçare
Gjatë kohës që ishte në qeveri, në 8 vitet e kaluara ai u kthye në Tropojë vetëm dy herë. Ai fillimisht ishte në vitin 2009 e më pas në vitin 2013 për të kërkuar votat e bashkëfshatarëve të tij. Ndërkohë që kanë qenë më të shpeshta vizitat e bashkëshortes së tij, Lirisë dhe fëmijëve, Argitës dhe Shkëlzenit. Por mungesa e banorëve të përhershëm në atë shtëpi tradite ka bërë që muret e gurtë të ndjenin përherë e më shumë peshën e viteve. Dy vite më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kulla e familjes Berisha në fshatin Viçidol të Tropojës do të ringrihet.
Ndërsa nuk ka pranuar të komentonte faktin që ai është kthyer shumë rrallë në atë kullë, ka kujtuar vitet e luftës së Kosovës kur kulla fillimisht është përdorur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës por më pas është dëmtuar nga predhat serbe. Pak muaj pas këtij qëndrimi të deklaruar publikisht kulla e vjetër është rrëzuar për tokë për t’u rikthyer në një shtëpi të re, sërish me tre kate dhe sërish të gurtë. Dalja në opozitë duket se ka bërë që ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të ketë më shumë kohë për t’u marrë me të kaluarën e tij, dhe pse jo edhe për t’u kthyer atje kur dikur kanë qenë rrënjët e fisit Berisha./Isuf Kurtaj
pamfleti.com


Leave a Reply