
nga Adam Silvers
Të jesh një tifoz i zjarrtë, nuk të ndihmon shumë në marrëdhënie. Gjithmonë, e dashura do ndihet e lënë pas dore para një ndeshjeje. Nuk po flasim për ndeshjet e Shqipërisë, që i shohin me të njëjtën dëshirë edhe vajzat, por për gjithë rastet e tjera. Megjithatë ka një mënyrë për t’i rregulluar gjërat për vete dhe për të dashurën. Kjo, duke qenë e rekomanduar nga një tifoz, nuk është të lësh ndeshjet pa parë, por ta përdorësh zjarrin që ke për futbollin, edhe në marrëdhënie. Nuk po e kupton? Shumë shpejt, do e marrësh vesh.
Janë 6 arsye pse duhet ta trajtosh të dashurën si skuadrën tënde.
Shko gjithmonë në orar, ose më parë në takimin me të
Më korrigjo nëse e kam gabim, por kur do shohësh një ndeshje, në bar, në shtëpinë e një shoku apo në stadium, ti nuk je kurrë me vonesë. Dhe shumicën e kohës ti je shumë më shpejt sesa duhet.
Në qoftë se ke plane për të takuar të dashurën, vetëm ju të dy, me miqtë, apo në apartamentin tënd, sillu njëlloj si me skuadrën tënde. Mos shko thjesht në orar, shko para kohe. Do të thotë shumë për vajzat kur ti shkon përpara, sepse tregon që, për ty, është i rëndësishëm ai takim.
Nuk ka rëndësi si është moti, mos i anulo planet
Nëse ti ke bileta për të parë Kombëtaren, nuk ka rëndësi nëse bie shi apo borë, asgjë nuk do të ndalë. Mund të jetë 40 gradë dhe ti do jesh i lumtur në radhët e ngjeshura të tifozëve.
Nëse e mësipërmja është e vërtetë, që ne të gjithë e dimë që është, atëherë i njëjti parim vlen edhe për aktivitetet sportive brenda shtëpisë. Tani, mendo sa herë ke anuluar takimin me të dashurën, sepse moti nuk ka qenë i mirë apo sepse ti nuk ke pasur shumë dëshirë të dalësh.
Mos lër një vesë të lehtë, apo qoftë edhe një stuhi të shkatërrojë takimin.
Nëse je gati të shesësh shpirtin për të parë skuadrën tënde të zemrës, mos u trego dorështrënguar në takim
Kur është fjala për të dashurën, mundohem të gjej mundësitë më të lira. “Jo, zemër, ai vendi nuk e ka ushqimin gjë”, do të thotë “Si mund të kenë atë çmim për një sallatë?”
Por, do gënjëjeja sikur të thosha që nuk do jepja dhjetëra mijëra lekë për skuadrën time. E di, është skandaloze. Nëse skuadra është aq e rëndësishme, edhe e dashura, është, gjithashtu. Fundja, ata çunat nuk do jenë me mua në mëngjes, kur të zgjohem.
Ti mbështet, inkurajon dhe fal skuadrat e futbollit, çfarëdo që të ndodhë, pse të mos e trajtosh njëlloj edhe të dashurën?
Edhe nëse skuadra të thyen zemrën në minutat e fundit, apo dhe në minutën e 90-të, ti prapë do jesh tifoz me të pas një ore. Ti i fal kur lënë t’u ikë nga dora fitorja dhe do thërrasësh e bërtasësh për ta, ndeshjen tjetër, sikur humbja e mëparshme mos të kishte ndodhur kurrë.
Kur e dashura bën ndonjë marrëzi, sepse ajo është njeri si gjithë të tjerët, ti duhet ta falësh pavarësisht asaj çfarë ka bërë. Nëse ajo është partnerja jote, duhet ta mbështesësh edhe kur mendon që e ka gabim. Nëse skuadra jote, një grup djemsh që nuk e dinë që ti ekziston, marrin mbështetjen dhe dashurinë tënde të palëkundur pavarësisht çdo gjëje, nuk e meriton dhe e dashura të njëjtën gjë?
Në qoftë se do ta shohësh ndeshjen pa të ndërprerë njeri, a nuk duhet të jetë dhe koha që kalon me të dashurën pa asgjë që të të shpërqendrojë?
Kur unë shoh skuadrën time, nuk e kam mendjen te asgjë tjetër. Nuk e kam të lehtë t’u përgjigjem as pyetjeve të thjeshta të së dashurës, e aq më pak të bëj një bisedë të vërtetë. E di që kjo e çmend atë, por kështu jam.
Megjithatë, kjo duhet të jetë për të dyja rastet. Kur kam dalë me të dashurën, ose pa kaloj kohë me të, nuk duhet të kontrolloj telefonin apo të luaj ndonjë lojë.
Nëse do të shohësh ndeshjen dhe mos të ndërpritesh, atëherë jepi edhe vajzës që do vëmendjen e plotë që ajo meriton.
Nëse nuk e ke problem të planifikosh me miqtë për të parë një ndeshje, duhet të jesh i aftë të organizohesh edhe për të dalë me të dashurën
Miqtë të marrin të martën për të thënë a do organizoheni për ta parë bashkë ndeshjen e madhe të shtunën dhe ti pranon menjëherë. E dashura të thotë për të dalë për darkë të mërkurën e ardhshme me një çift tjetër dhe ti ngurron sikur të kanë thënë të vendosësh nga cili organ do heqësh dorë.
Nëse të tingëllon si vetja, ndal! Bëj plane me të dashurën në të njëjtën mënyrë si përgatitesh për një ngjarje sportive. Nëse mund t’ia dalësh në një qytet ku pret me orë të tëra, për një ndeshje që është në darkë, me siguri që mund të angazhohesh për një darkë që zgjat dy orë.
http://www.revistaclass.al/


Leave a Reply