
(MIA) – Duhanpirja në Shqipëri paraqitet në shifra të larta, sidomos tek meshkujt, ndërkohë që po vihet re dhe rritje e numrit të femrave duhanpirëse.
Me qëllim marrjen e informacionit dhe vlerësimin e situatës, specialistët e shëndetit publik ndërmorrën një studim në komunitetin e Kamzës, një zonë rreth 10 kilometra larg Tiranës, ku u përfshinë 764 subjekte të banorëve të zonës.
Bazuar në të dhënat e studimit, me kohëzgjatje prej dy vitesh (2005-2007), 50.7 % e të intervistuarve referojnë se janë konsumues ditorë të rregullt të duhanit në komunitetin e Kamzës. Një shifër e vogël referojnë se janë duhanpirës jo të rregullt. Ndërsa, rreth 5.8 e subjekteve referojnë se pijnë duhan me raste.
Por, duhanpirja, si një fenomen që nuk përjashton femrat, rritet në mënyrë të vazhdueshme tek kjo kategori. Bazuar në të dhënat e studimit, 15.6 % e subjekteve femra referojnë se janë duhanpirëse të rregullta, çdo ditë, ndërsa 10.3 % e subjekteve femra referojnë se pijnë duhan me raste.
Sipas specialistëve, nëse do të merren në konsideratë të dy rastet e paraqitura në studim, atëherë 29.9 % e subjekteve femra janë duhanpirëse (pinë çdo ditë dhe pinë me raste), shifër kjo që flet për një fenomen jo pak të përhapur dhe në subjektet femra në këtë komunitet.
Mbledhja e të dhënave të studimit u realizua nëpërmjet vetëadministrimit të një pyetësori. Mesatarja e moshës së subjekteve të përfshirë është rreth 40 vjeç, me kufij nga 14 deri në 94 vjeç, prej të cilëve 55.5 % e subjekteve i përkisnin gjinisë mashkullore, kundrejt 44.5 % që i përkisnin subjekteve të gjinisë femërore. Sipas shkallës arsimore, 40.1 % ishin subjekte ishin me arsim 9 vjeçar, 48.8 % me arsim të mesëm dhe 11.1 % me arsim të lartë.
Qëllimi i studimit ishte rritja e informacionit mbi duhapirjen në komunitetin e Kamzës për vlerësimin e situatës dhe rritjen e efekteve të parandalimit. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik, nëpërmjet Studimit të madh Demografik Shëndetësor synon të sjellë dhe të dhëna të përditësuara mbi duhanpirjen në vend.


Leave a Reply