Gjykata e Lartë amerikane do të dëgjojë të hënën argumentet në një rast të rëndësishëm të emigracionit që sfidon vendimin ekzekutiv të presidentit Barack Obama për të shtyrë deportimin e gati 5 milion emigrantëve pa dokumente.
Çështja SHBA kundër Teksasit, lidhet me dy nismat e administratës Obama të cilat ofrojnë mbrojtje për emigrantët, duke i lejuar ata të punojnë në mënyrë të ligjshme për një periudhë prej dy vjetësh dhe që mund të zgjatet.
Kjo nismë mbron të rinjtë emigrantë nga deportimi në qoftë se ata janë sjellë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht si fëmijë. Ajo e shtrin mbrojtjen edhe për prindërit e shtetasve amerikanë dhe banorëve të përhershëm të cilët ndodhen në SHBA prej disa vitesh.
Përfitues janë persona si Tereza Garcia nga Seattle, e cila i tha agjencisë Associated Press se ajo jeton në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme prej 14 vjetësh pasi shkeli vizën turistike. Ajo ka një vajzë 11-vjeçare, e cila është shtetase amerikane, dhe dy djem që përfitojnë nga masa mbrojtëse.
Të kesh një numër sigurimi shoqëror, për mua do të thotë të kesh një të ardhme më të mirë. Kur them të ardhme më të mirë, ne jemi duke mbijetuar me një sasi të vogël të ardhurash që burri im kontribuon për të gjithë familjen. Kjo e bën çdo ditë të stresuar”, thotë Garcia.
Burri i saj është kontabilist me profesion, por punon në ndërtim. Garcia tha se ajo do të fillonte të punonte menjëherë nëse do t’i lejohej ligjërisht.
Përkrahësit e emigracionit janë duke planifikuar një demonstratë në të njëjtën ditë kur do të dëgjohen argumentet në Gjykatën e Lartë nga ana e 26 shteteve që sfidojnë vendimin ekzekutiv të Presidentit Obama.
Gjatë tubimit “Lufto për Familjet”, udhëheqësit e të drejtave civile, zyrtarë si dhe anëtarë të komunitetit pritet të mbajë një konferencë për shtyp në shkallët e Gjykatës së Lartë.
“Besoj se gjykata do të marrë një vendim të drejtë. Ne gjithashtu do të jemi brenda gjykatës, sepse duam të dëgjojmë argumentet dhe t’ja përcjellim përsëri komunitetit “, tha Gustavo Torres, drejtor ekzekutiv i grupit CASA de Maryland, një grup që mbron të drejtat e latinove në Merilend.
Torres tha se udhëheqësit janë shumë “optimistë”, dhe mesazhi për emigrantët është se “ne do të vazhdojmë luftën, por tani çdo gjë është në duart e Gjykatës së Lartë.”
Republikanët e kanë kritikuar planin si një tejkalim të kompetencave ekzekutive, kur presidenti Obama e njoftoi atë në nëntor të vitit 2014. Administrata argumentoi se ekzekutivi ishte brenda të drejtave të tij për të vendosur të shtyjë deportimin e grupeve të caktuara të emigrantëve.
Me vdekjen e papritur të anëtarit Antonin Scalias, Gjykata e Lartë do të duhet të vazhdojë të funksionojë me tetë anëtarë. Një votim 4-4 do të thotë se vendimi i gjykatës më të ulët do të qëndrojë në fuqi.
Në rastin SHBA kundër Teksasit, vendimi i gjykatës më të ulët do të thotë një bllokim i nismës së presidentit Obama.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply