nga LEK GJOKA
-I-Hej Shqipni pak due me t’kendue
due Zanat me takue
shtojzavallet na jan shqetsue
shoh pak dhimbjen tue lotue !.
S’do shkoj larg veç ni shekull
që t’sakatuen me zjarr e hekur
të prenë kamt të nxorrën syte
veç që t’knaqen ma shumë kojshitë
Osmanllinjtë qofshin mallkue
që me fe të kan n’gatërrue
kur vet vdiqën të hodhën n’prrue
shkja e grek të kan rrjepue !
Heej Shqipni ti falme Zotit
që s’iu trembe as gjyles topit
se je nipi i Kastriotit
prapë lufton deri n’ditë t’sotit !.
Dojshin emnin me ta fshi
të mos kishte ma Shqipni
grek e shkja bajloza t’zi
nerin dojshin me ta ba hi !
Dojshin me t’marre gra e fmi
fusha,male , lis e vrri
Zanat i dojshin për robine
që të ishe race e perzime !.
Por një ditë të iku frika
së u ngrit n’kamë Amerika
tha Shqipnia do jete shtet
n’tanë Evropen shkaktoi termet.
Boll e keni tash coptue
vra e pre ene sharrue
vashat tu ju perdhunue
ma jo s’keni me i marrue.
Dridhet rusi atje n’Rusi
flet me shkja vlleznit e ti
ma poshtë s’muna ma me hy
do ta lam at cope Shqipni.
Fort ky shkjau ashtë idhnue
edhe greku po qan në prrue
Shqipninë krejt nuk e kan shue
Ameriken rrin tue mallkue !
Kur n’Vlone u ngrit flamuri
tanë Shqipnise i shnriti nuri
Por.. lotuen Bjeshkt e malsisë
nisen t’kjajnë tokat e Çamerisë
Nisin t’kjanë të derdhin lot
me Kosovën që ish ndez barot
por i forti të rrahu sot
së i pëçame je tash sa mot !.
I përçam je vlla me vlla
ndaj dhe Zanat rrin tu kja
shtojzavallet ma s’vallzojnë
myllen n’veti e t’vajtone.
-II-
Pse lotojnë prap shojzavallet
pse po qajnë me to dhe malet
ç’po i ngjet prap Shqipnisë
fill pas ditës së Pavarisisë.
Prapë filloi sherri nder veti
u mundu shtet të bantë mreti
filloi vendi tu u ndërtu
por ai turk na kish shkatërru.
Pese qind vjet pa gjuhë e shtet
peseqind vjet n’robni osmanë
mirë po ectë ai mret
pse bajnë sherr bijtë e kësaj nane !.
Dhe Evropa ish shkatërru
nëpër luftra tu luftu
por na erdhi e zeza nate
kur Shqipnia kish shumë lëngatë.
Erdh fashizmi tu gjëmue
Shqipninë na ka pushtue
iku mreti, iku parllia
n’mshirë të Zotit met popullsia
-III-
Ni murtaje vjen n’Shqipni
vjen në vitin katerdhjet e ni
plot qejf cubat e shkjaut vijnë
na formojnë n’Tironë Partinë.
Në krye të saj u vendos djalli
Shqipninë tash e gjeti halli
nëpër luftra tu shamatu
vëllai vëllanë tu pushkatu.
Kur mbaroi lufa krejt
n’shpirt shqiptarit ra termet
s’do të ket ma Shqipnia mret
erdhen t’kuqt o haj medet .
Komunizmi kjo farë e keqë
na kalon çdo rrugë me leqe
e zezon çdo patriot
qaj Shqipni , qaj fort me lot.
-IV-
Pesedhjete vjet vazhdoi ky hall
pesedhjete vjet Shqipni n’kanal
na rrethunë si zogjtë në tela
e burgosun ngeli dhe bleta !
Shiti vellai vellain e vet
plot idhnim erdhi kjo jet
direktiva e Partise
me ja marr shpirtin parise.
Kjo mortaja komuniste
s’kishte shpirt as s’kishte bishte
tan shqiptart i bani mi
me ndertu “njeriun e ri “.
Si mbaroi me parine
prishi kishen e xhamin
se s’ka zot n’ket bot
veç Partin tonë t’fortë.
Luciferri n’krye t’Partise
nis e vret robt e shpis
vret shoke miq e kumar
që vet të jet gjithmon i parë.
Pesedhjet vjet me barkun bosh
pesedhjet vjet si miu nan kosh
derisa ra muri i Berlinit
n’Shkoder lakun n’fyt ia hodhen Stalinit.
Nisi uje ti turbullohet Drinit
ti dridhen gjujtë komunizmit
që u nis në breg te detit
me u myt prej gazepit.
-V-
N’Shqipni nisi buzëqeshja
ndryshoi shija ene veshja
erdhi dita demokracise
tu i buzëqesh plot qejf Lirise.
S’kish ma burgje politike
internime dhune fizike
por e keqja nuk kaloi
bijte e t’kuqve hipen te ftoi.
Ndërruan xhakete dhe kollare
nisi lufta me ba pare
popullin prap e quan n’varje
femit për buk i lan në qarje.
-VI-
Nis eksodi fillon loti
mos Shqipni ty s’te nemi Zoti
po qan Bjeshke vrri me vrri
ku po iken tan kjo rini.
Nis vajton Bjeshka me kroje
bleta ma nuk po ban hoje
së qan hallin e djalerise
që moren udhet e kurbetlise.
Po vajtonë Zanat e Malit
shtojzavallet i qojnë lajm djalit
po të vyshket lulja e dashnise
merre Zanen e Shqipnise.
Vazhdon dhimbja pa pushue
edhe Zanat kane mergua
pleq në voter jan tu u shue
nipat shtepine s’jane tu e gjallerue.
Po knoj ket kangë të pa kendume
me lahute e çifteli
politikane jeta juaj qoftë e mallkume
që s’na leni me u kthy n’Shqipni.
Se Zanat kur iu mungon Bjeshka
nuk e kan freskine e eres
dragojt për uje i ka marre etje
që e shuajne veç n’muajt e veres.
Nipa mbesa do nisin e qajne
n’mergim harruan gjuhen tane nane
me to s’do merret vesht Bjeshka
m’fal Shqipni se erdh ma e keqja.
Ndaj mergimtare kudo qe jeni
gjuhen shqipe mos e leni
se nje dite do shkosh n’varr
lugat do dalesh po s’thane shqiptar.
Hej Shqipni pak due me t’kendue
due Zanat me takue
shtojzavallet na jan shqetsue
së gjakun duan me na helmue..


Leave a Reply