Turqit për t’i pasë sa më shumë malsorët në mbikqyrje dhe për ti mbajtë në robnim e kujdesin e tyne, ata në disa kodra e maje shpatesh ku e gjejshin si vendin ma të përshtatshëm për tu mbrojtë nga vendasit dhe sulmet e tyne i ndërtojshin kullat e postat ushtarake në naltësi të murosuna me gurë mali e të mbrojtuna mirë nga çdo sulm i pritun. Kështu ishte rasti edhe me postën mbi Urën e Lemajës në Cem të Trieshit e përforcueme n’ato shkambie e gurina.
Kjo postë ishte nji prej atyne që përcillte lidhjet me Podgoricën e Tuzin dhe në tjetrën anë me atë të Selcës, pra në Dobri ; e naltë më veri për të ruej rrugën politike, kufitare e ekonomike me Guci e Plavë. Kjo ishte koha, kur shqiptarët ishin të befasuar prej Xhon turqëve e premtimeve të tyne aq të mëdha për lirimin e shumë çështjeve nacionale, por të mashtruem deri në fund dhe nga nji prej atyne pikave të premtueme nuk u lëshue në veprim.
Trieshjanët pasi ishin edhe si kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, pra Turqisë që e kishte robnue këtë tokë dhe se Trieshi n’at kohë ishte që nga viti 1876 nën Malin e Zi me padashje e forcë, nuk pritën këta malësorë se kur do ti mësojë Kral Nikolla me i sulmue këto posta. sepse Kralit nuk i përgjigjej ai konflikt me turqit dhe se as nuk donte me i acarue punët me ta se Mali i Zi i përkrahun nga shteti rus dhe të tjerët nga Europa që e luftojshin Turqinë, Krali s’kishte nevojë me ardhë n’at mosmarrëveshje se ai Trieshin e konsideronte si krah i Malit të Zi dhe se për çdo gja këta duhet ta pyesnin atë.
Në të vërtetë Trieshi edhe pse ishin në këtë gjëndje të vështirë, anjiherë nuk e priti Malin e Zi dhe fjalën e tyne për ta krye nji urti apo besë ose trimni. Bile krajli u çon fjalë që këta të rrinë të qetë. As ai këshillim nuk ishte për trieshanët nji vendim i mosangazhimit, po përkundrazi këta me nji organizim shumë të mirë e të përbashkët sipas fiseve e katundeve lëshohen në Luginën e Cemit, pra zanë pritat nëpër ato shkambije të Lugut të Smedecit dhe i afrohen kullës së nizamëve që ndodhej në tjetrën anë mbi Urën e Lemajës nga ana e Hotit, kah shkon Cemi teposht në derdhje për në liqe të Shkodrës.
Udhëheqës i çetës së Trieshit të Poshtëm ka qënë Kol Prëçi nga Muzheçku, ndërsa nga Trieshi i Sirm ( i epërm ) Gjelosh Toma nga Bëkajt.
Në Luftën e Lemajës përveç tjerëve marrin pjesë:
1. Malotë Gjekë Martini
2. Mal Kacul Prëçeta
3. Mal Vat Pali
4. Gjet Gjekë Martini
5. Ujkë Smajl Pjetri
6. Gjokë Ujkë Prëla
7. Gjelosh Toma
8. Vatë Gjoni
9. Martin Baca Smajli
10. Sokol Luci
11. Marash Duli
12. Kolë Duli
13. Prëk Ujkë Leka
14. Martin Ujkë Gjoni
15. Lukë Tomë Prëla
16. Mark Tomë Prëla
17. Kolë Perash Mati
18. Marash Per Mati
19. Lucë Dedë Husi
20. Gjel Dedë Husi
21. Marash Vata.
( Nikollë Gali 80 vjeç, Kolë Duli 100 vjeç, veteran dhe pjesmarrës i luftës në Urën e Lemajës dhe i plagosun në këtë ngjarje; Gjokë Prela, Zef Tom Kola, Rrok Baci, Palok Uci, Zef Nikolla, Vatë Martini; bisedë e zhvillueme në Gusi me Kolë Dulin më vjetin 1967, se dy vjet pas këtij viti vdiq, ndërsa me të tjerë u fol më 1973).
Kjo lufte zgjati gjashtl ditë e netë derisa malsorët i detyruan nizamët të dorëzohen. Ky lajm, Kralit nuk i erdhi aspak mirë, por megjithatë kur Vasojeviqi ishte në hallet e veta se çka me ba edhe ata me posta turke në anën e Beranes e Lugut të Limit, shkurt u përgjigjet: ”Mos dvetni mue, po shkoni e dvetni trieshjanët se ata u tregojnë”.
Në turbullimet e njipasnjishme të Malsisë dhe hallet e mëdha që ua shkaktojshin turqit në rrugët e karavaneve, shqetësimeve familjare, pasiguri në kullosa, treg, kontrollime personash nëpët ato rrugica që i kishin malsërët Plavë – Guci – Selcë – Grabom – Lemaj dhe Podgoricë, që nga data e sulmit të trieshjanëve dhe dëbimit të nizamëve nga Lemaja, turqve u shkëput e u shpartallue lidhja me vijën e Luginës së Cemit dhe definitivisht i debuen nga Mali i Trieshit. Kjo luftë në nji mënyrë asht dhe parapërgatitje e paraprijëse e trieshjanëve në pjesmarrjen e tyne të Kryengritjes së Malsisë më 1911.
Në këtë moment e ditë lufte pasi nizamët dorëzohen dhe i bien në dorë shtëpisë së Gjeto Dulit në Fushë Gjatë të Cemit, aty ndodhet Kolë Duli, i vëllai i Gjetit, i cili kishte shkue me marveshje të trieshjanëve me marrë bukë e rrobë të nevojshme për vëllaznit e vet lufëtarë. Kjo ishte dita e fundit e luftës në vjeshtën e vitit 1907. Nizamët me të shpejt e shfrytëzojnë rastin dhe për të shpëtue gjallë nja 30 nizamë në emën të besës shqiptare dhe të Zotit kërkojnë ndihmë nga zoti i shtëpisë që ti shpëtojë e mos ti vrasin po të gjallë ti përciellin për në postën turke në Rapshë. Kolë Duli tue ua kuptue lutjet e tyne në emër të besës shqiptare dhe kur i nxanuni rob të bien në gjun e të dorëzo armën e pranon disfatën dhe tue i shkue asaj rruge se shqiptari as me mik as me anmik kur të ka ra në dorë e pendohet nuk e ka korit vetin, Kolë Duli në lutjet e mëdha që ka ndaj vëllazënve që ishin në tjetrën anë të lumit Cem dhe që njipasnji shtijshin e gjuejshin me pushkë e tue mos ditë se ç’po ndodh vranë disa prej atyne nizamëve e Kolë Dulit i shkon edhe syni i ballit, por kur Kola për herë të fundit u drejtohet vëllazënve të vet se nizamët kanë ra në dorë e smund ti vrasim të nxanun rob e në besë shqiptare që kanë kërkue e betue që tua shpëtojm jetën, trieshjanët ndalen pushkën dhe tue tregue luftën, trimni e besnikni të shprehun përmes Kolë Dulit e krejt Malit të Trieshit dhe i cili rast besnikie e burrnie nuk asht i vetmi në këtë anë, mbeti tanë kohën deri në ditët tona Kolë Duli dhe besa e tij e mbarë vendit dhe të cilën vendasit e flasin dhe e çmojnë që të ruhet si shembull i krahinave tona.
Kanga popullore tregon edhe trimnin e burrave trieshjanë:
”Kush lufton n’ato qeta,
Martin Baci e Malotë Gjeka,
Kush lufton n’ato qeta,
Mal Kaculi e Maluk Vata.” etj.
Gala Smajli burrë i urtë veç ashtu nga Bëkajt e Trieshit dhe trim me nji trashigimi të bujarisë e oxhakut, fytyrë e Galit te i cili në hallet ma të mëdha të Kryengritjes së Malsisë dijten me shkue fëtyrat ma qedrore e me kërkue përkrahjen e Trieshit dhe ndihmat që duhet përmes këtij mali të kalojnë për në Malësi si nëpër zonën kalimtare e ndërlidhëse dhe të sigurt për disa që kishin emigrue në Triesh si Dedë Gjon Luli, Bajram Curri, Mehmed Shpendi, Isa Boletini, Haxhi Zeka e të tjerë.
Kurdoherë kur nevoitej bashkimi i trimave dhe pleqnia e urtia e përbashkët, po edhe ajo përsonale dhe e veçme dinte Gali me çmue e vleftësue. Me rastin e Kryengritjes së Malsisë në bisedë me burra atdhetarë dhe të Trieshit kur Gali donte me i bashkue trimat dhe çetën e Bëkajve ai me nji rast kështu shprehet për nji luftar e burrë i atyne anëve të këtij bajraku: ”Mue edhe dy vetë tjerë më duhen me i pasë si Marash Duli se çetën e kam të formueme.” Kishte Gali shokë dhe bashkohas se nuk ishte nji vlerësim i tij, po Malsia diti për burrat nga Marqit e Bëkajve me i çmue tue lanë në fjalë ”Bushatajt e Shkodrës, Aliajt e Kastratit e Bëkajt e Trieshit.”
(Lucë Dedë Husi, 80 vjeçar; Gjelosh Toma, 82 vjeçar; pjesmarrës i Luftës në Urën e Lemajës, Tom Kolë Prëka, 74 vjeçar; bisedë e zhvillueme me Gjeloshin në vjetin 1971, ndërsa me të tjerët në dhjetor të vitit 1979).
Autor: Lulash Palushaj, Malsia dhe fiset e saj.
Përshkroi: Anton Pllumaj, Tuz-Malsi e Madhe,
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply