Me hapni udhë të shtegtoj atje ku ligji mbron shtetin, qytetarin… Atje ku punëtori s’pendohet pse ka punuar! Atje ku intelektuali s’pendohet pse është shkolluar! Atje ku luftëtari çlirimtars’pendohet pse ka luftuar!
(S’ËSHTË MENÇURI TË TREGOSH SA ZOTËSI KE,
POR TË MOS E TREGOSH BUDALLALLËKUN TËND!)
Shkruan: Riza GREIÇEVCI
Shtegtoj atje ku ligji mbron shtetin, popullin, qytetarin…
Atje ku baba s’është një babë babëzi, me u ble lodra lloj-lloj armësh fëmijëve…Atje ku baba ogurzi s’luan me armën e zjarrit ndër sy të fëmijëve, familjes, si “porosi” kobtare, se vetëm arma mundet me zgjidh hallet e problemet e jetës. Po iku, lum nana, nga vendi ku edhe fëmijët kanë dëshmi se prindërit vjedhin, hapin gropa për miq e shokë, bëjnë gati armën e zjarrit për t’i zënë pritë vëllait, mikut, komshiut…Fëmijët shpesh shohin me sy skena dhune mbi trupin e jetën e nënës nga baba pijanec, kumorexhi, tyxhar, konsumues i drogës… Po ik atje ku prindi nuk rren, nuk shan, nuk urren para fëmijëve të tij, si një “mësim dhe edukatë” ogurzezë e babëzie për rritën, edukatën, për të ardhmen e fëmijëve të tij. Unë po ik nga këtu ku prindërit ndahen nga pjella e tyre, dhe shtojnë numrin e jetimëve, të braktisurve në Qendrat Sociale të Kosovës… Dua të shtegtoj atje ku nusja (reja) s’e rrah, s’e fyen, s’e keqtrajton, s’e hedh nga shtëpia si lypsare, nënën e burrit (vjehrrën), fëmijën jetim të burrit, prindërit e tij…
Me hapni udhë të shtegtoj atje ku s’ka njerëz pa dashuri…
Me hapni udhe te shtegtoj atje ku çlirimtari s’çon dorë mbi etikën, moralin, lavdinë e luftës çlirimtare…Atje ku çlirimtari s’i merr shtetit, popullit të vet s’ia rrjep edhe lëkurën…Me dërgoni atje ku intelektuali, mësuesi, studenti, bariu, tregtari s’rren, politikani nuk mbaron gropa për shokë e miq vetëm me hip vetë në piedestal të pushtetit, dhe në fund, ta merr mendja, në atë gropë bie vetë. Unë dua të ik nga këtu ku vdiqën. Dhe më sikur s’i duhet gjë prej gjëje morali, besa, tradita, burrëria…Po, po, dua të ik nga këtu ku hajni shet demokraci, drejtësi, burrëri…Këtu ku të kërcënohen me vdekje pse ua përplasë për fytyre të vërtetën…Këtu ku s’ka as Allah, as Krisht, as shtet, as demokraci, as ligje, as siguri, as shpresë, ani pse është dashur të ketë,e ndofta, kushedi, kur, edhe do të bëhet më mirë, por…
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply