Qyteti i Korçës është i vetmi në Ballkan që u ka ofruar strehë të përjetshme qindra ushtarëve francezë të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Plot 640 varre prej 90 vjetësh janë nën përkujdesjen e brezave të banorëve fisnikë të saj.
Qeveria franceze në atë kohë tregoi një kujdes shumë të madh për dëshmorët e saj edhe pse ishte situatë lufte. Ajo vendosi t’i gruponte në një vend dhe kur lufta të përfundonte t’i tërhiqte drejt vendit të saj, transmeton tch.
Duke pasur marrëdhënie bashkëpunimi me parinë e Korçës dhe drejtuesit e lëvizjes patriotike të kohës, komanda ushtarake franceze mendoi që të krijonte varrezën e ushtarëve të vrarë pikërisht në qytetin juglindor, vend që u gjykua i përshtatshëm.
Këshilli Krahinor, që në atë kohë administronte Krahinën Autonome të Korçës, sipas dokumenteve që ruhen në muzeun e qytetit, dhuroi truallin ku do të ndërtohej varreza e ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore.
Gjatë viteve të luftës, francezët sollën këtu të gjithë ushtarët e tjerë të rënë në Ballkan, ndërsa sot varrezat mirëmbahen nga shqiptarë që e kalojnë këtë pune nga brezi në brez duke e bërë traditë.


Leave a Reply