Nga Ylli Polovina –
Dossier
NATA ME HËNË TË FSHEHUR
Ylli Polovina
(Pjesa e tretë) (lexoni pjesën e dytë këtu)
Bashkë me bashkëshorten, Bardhën, bijë e gjeneralit Tanush Shyti, Vladimiri ndodhej në shtëpinë prindërore thjesht sepse i kishte marrë malli. E shoqja ishte shtatzënë në muajin e nëntë dhe ishte në prag të lindjes. I duheshin vetëm dy-tri javë. Në pritje të fëmijës ata banonin përkohshëm në një vilë qeveritare.
Ladi ishte djalë shumë i edukuar dhe Bardha, një zonjë e vërtetë. Asimi u gëzua prej ardhjes së tij, ca më shumë që ky e kishte fytyrën të qetë. Iu fashit menjëherë, prej asaj nate ndjellakeqe, një frymështrëngim i kraharorit.
“Mirëmëngjesi!”, përshëndeti Vladimiri.
“Mirëmëngjesi!”
“Ju jeni ai oficeri i ri që keni ardhur?”
“Po.”
“Nga je?”
Asimi i tha emrin e fshatit dhe tjetri ngazëlleu: “U ndake vetëm nga një mal me vjehrrin tim!”
Tanush Shyti ishte nga Tragjasi.
Pas kësaj Ladi rihyri në shtëpi. Vila kryeministrore u mbështoll sërish nga heshtja.
Një gjysmë ore më pas citofoni kuisi. Këlthiste pa pushim, thua dora që i mëshonte tastit ishte ngulur në të dhe nuk shqitej dot. “Oficeri i shërbimit!”, thirri tërë alarm, pothuaj duke ulëritur, një zë gruaje. “Urdhëro, u përgjigj Asimi, oficeri i shërbimit po ju dëgjon!” “Jam Fiqiretja. Shpejt doktori të vijë lart!”
Asimi vrapoi tek Ali Çeno dhe te mjeku. Këta, ndërsa dremisnin veshur, brofën dhe u ngjitën me një frymë në katin e dytë. Infermieri dhe Asimi i ndoqën nga pas.
Koha po i shtynte akrepat e orës përtej gjashtë e një çerek.
Dera e dhomës së Mehmet Shehut ishte e hapur dhe Fiqiretja qëndronte te dera. Shihte vetëm nga i shoqi. Prej një dhembjeje të madhe qe si e shpërfytyruar.
Mbi shtratin e tij, mbështetur shpatullat te disa jastëkë, qëndronte i shtrirë dhe i pajetë Kryeministri. Dorën e djathtë e kishte lëshuar anash, ndërsa një pistoletë i pati shkarë pak nga pëllëmba e dorës. Te sisa e majtë, atje ku është pulsi i zemrës, i dukej një plagë arme. Nga shenja rrethore që kishte lënë mbi mish, dallohej qartë që ishte goditur me puthitje. E kishte mëshuar shumë fort grykën e revolverit “Makarov”, duke bërë të humbiste një e treta e zhurmës së zakonshme të krismës.
Në çarçaf kishte njolla gjaku. Dukej edhe plumbi, tashmë i bërë petë dhe i zvogëluar sa një dhjetëqindarkëshe. Ndodhej mbi dyshek. Pasi kishte depërtuar të gjithë trupin dhe nëpër shtresat dhjamore të tij, atje ku pati rënë e kishte zverdhur pak vendin.
Në një kanape afër dallohej një zarf i bardhë.
U lajmërua menjëherë zëvendësministri i Brendshëm dhe ekipi i mjekëve. Pastaj Ali Çeno i bërtiti Asimit: “Shko shpejt te dera, se ata po vijnë!” Ky vrapoi poshtë në vendrojë.
Të parët erdhën Xhule Çiraku dhe shefi i hetuesisë, Elham Gjika. Zarfin e mori nënministri. Pastaj erdhi Ramiz Alia, i cili bisedoi pak me Ali Çenon, që vazhdonte të ishte shumë i tronditur. Më vonë u rishfaq bashkë me Simon Stefanin. Bënin tutje e tëhu nëpër hapësirën e ngushtë para derës së vilës dhe nuk u ngjitën lart. Kadri Hazbiu erdhi dy herë, në orën tetë dhe më pas. Po ashtu edhe Hekuran Isai, atë kohë ministër i Punëve të Brendshme.
Ankth: Pse nuk e dëgjoi roja krismën e revolverit?
Iku muaji i dhjetorit dhe ndërsa grupi i sigurisë së Mehmet Shehut u shkri, Asimin e rikthyen te shërbimi në vendrojën e kabinës para Shtëpisë së Partisë, atje ku në njërën brinjë të saj lartonte degët pema e gështenjës.
Por ai nuk ishte më i pari. Ajo që pati përjetuar, si edhe një proces i pandërprerë hetimor, e kishin moshuar disa vite më tepër mbi ato tridhjetë e dy mote që kishte realisht.
Ishte mesi i janarit 1982, kur tek ai mbërriti një sinjal i ardhur nga lart, se për çështjen e vdekjes së Kryeministrit, tashmë të akuzuar si armik dhe agjent i të huajve, ai, oficeri i Drejtorisë së Sigurimit të Udhëheqjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Asim Beja, kishte përgjegjësi shumë të rëndë, se u kishte fshehur hetuesve pa u kallëzuar, dëgjimin e krismës së revolverit të Mehmet Shehut. Kjo ishte një e dhënë që konsiderohej jetike për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe të komplotit kundër partisë që Kryeministri, siç thoshte fjalënaja, po përgatiste.
Në të vërtetë, para hetuesve, Asimi kishte pohuar gjithçka, pa harruar asgjë që kishte parë e dëgjuar. I ishte përgjigjur çdo pyetjeje. Asnjë prej punonjësve të ardhur nga Hetuesia e Përgjithshme, në përfundim, nuk ishte ankuar.
Por sinjali alarmues vinte nga vetë Enver Hoxha.
Ky pati urdhëruar verifikimin e pohimit të rojës te dera kryesore e banesës natën e 17-18 dhjetorit, sepse dyshonte se ky e kishte mbajtur të fshehur, me qëllim apo jo, ndoshta edhe sepse po flinte, dëgjimin e krismës së pistoletës. Për pasojë, marrja vesh e ngjarjes ishte vonuar për disa orë.
Në sqarim sa më të shpejtë të këtij problemi, Hoxha madje, thoshte fjalënaja, ishte treguar edhe mjaft zemërak. Në rast se provohej që oficeri rojë vërtet e kishte dëgjuar krismën, por për çdo arsye, edhe të paqëllimshme, e kishte mbajtur pa e thënë, ai të zhdukej pa nam e nishan.
E gjitha kjo gjendje trysnie psikologjike e sidomos kanosja se mund edhe ta vrisnin, e rraskapiti dhe ia humbi gjumin Asim Bejës. Nisi t’i dhembte i tërë trupi dhe filloi të tretej e dobësohej si të kishte ndonjë tumor të pashërueshëm. Nuk po arrinte dot ta mblidhte sadopak veten dhe të shpresonte se gjithçka ishte një thashethem, kur më në fund i erdhi i sigurt lajmi se ishte vendosur të bëhej eksperimenti hetimor për mundësinë e dëgjimit të zhurmës së shkrepjes së fishekut të pistoletës së Mehmet Shehut dhe vendin ku do të binte gëzhoja.
Më 18 shkurt i trokitën në derë, në mesnatë, dy punonjës të Hetuesisë së Përgjithshme. I thanë se kishin urdhër ta merrnin me vete. Donte t’i pyeste përse dhe ku do ta çonin, por e la rrjedhën e ngjarjes të shkonte përpara pa e treguar veten të shqetësuar.
Nëpër shkallë e futën në mes, po ashtu iu ulën në të dyja anët e tij kur u futën në sediljen e fundit të “Gaz 69”-s. Gjatë rrugës njëri nga hetuesit i tha se e kërkonte zëvendësministri Xhule Çiraku dhe se ky ndodhej te Blloku, pra dyqind metra më tej. Atëherë Asimi e kuptoi se çfarë do të ndodhte me të. “Dakord, u përgjigj, por unë kam edhe telefon në shtëpi e nuk ishte nevoja të vinit ju.” “Erdhëm vetë, reaguan ata, që të mos vonohemi. Kemi punë tërë natën.”
Mbërritën te vila e Mehmet Shehut. Para saj dhe brenda oborrit në hyrje ishte bërë pirg me njerëz: dy zëvendësministra të Punëve të Brendshme, kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, drejtori i tij në ministri, një tabor me hetues, mes tyre edhe një kushëri i Kadri Hazbiut.
Sapo ndali makina e thirrën Xhule Çiraku dhe shefi i Hetuesisë së Përgjithshme, Elham Gjika. E njoftuan se të gjithë kishin ardhur vetëm për të dhe verifikimin që do të bëhej. Askush nga të dy nuk e përmendi Enver Hoxhën. Vila e tij ishte afër, si edhe dhoma ku flinte.
Grila e dritares së saj ishte e mbyllur.
“Para se të bëhet ekspertiza, nguli këmbë Asim Beja, kam disa pretendime që duhet të pasqyrohen në materialin e hetuesisë.” “Dakord”, tha Elham Gjika. Ky ishte nga Tërbaçi i Vlorës dhe e dinte që Asimi ishte dhëndër në këtë fshat. “Çfarë pretendimesh ke?”, e pyeti. “E para: nata e asaj ngjarjeje para dy muajsh ka qenë me erë, me shi dhe unë, duke qenë se isha me shërbim jashtë, palma dhe çadra me zhurmën e tyre më vështirësonin dëgjimin. E dyta: duhet të ngjitem unë lart, të mbyllen të dyja dritaret që janë me xham dopio, të mbyllen të katër palë perdet e trasha, pra të afrohen kushtet që kisha atë natë.” Atë çast Asimi donte të shtonte se krismën nuk e patën dëgjuar njerëzit e Kryeministrit brenda shtëpisë, madje as ata në katin e dytë të saj, por vetëtimthi e mbajti gjuhën. Me siguri ai po verifikohej, sepse Fiqiret Shehu, Vladimiri dhe e shoqja, akuzoheshin se e patën dëgjuar shkrepjen e pistoletës dhe se gënjenin kur e mohonin.
“Këto janë kushtet?”, pyeti Elham Gjika. “Këto. Hajde pas meje!”
U ngjitën në katin e dytë, ku ishte një daktilografiste, e cila shtypi në letër gjithçka i tha Asim Beja. Ky shtoi se prova e qitjes në objektin që imiton trupin e njeriut duhet të bëhej me puthitje të fortë të grykës së pistoletës. “Shënoje edhe këtë!”, iu drejtua daktilografistes kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme. Pastaj Asimi e firmosi deklaratën dhe zbriti tatëpjetë shkallëve.
Përfundimin e ekspertizës do ta priste poshtë, sido që ai të ishte. Ndjeu të dridhura të forta në trup dhe këmbët u duk se do ta lëshonin të shembej përdhe.
Grila e dritares së Enver Hoxhës hapet përgjysmë dhe pastaj mbyllet.
Kaloi pothuaj një orë dhe, megjithëse Asimi u bë sy e veshë, nuk dëgjoi të vinte nga brenda vilës zhurma e ndonjë krisme arme. Rojë nga Drejtoria e Sigurimit të Udhëheqjes ato çaste aty ishte një koleg me emrin Fuat.
Iu afrua dhe i tha me zë që nuk i dukej se ishte i tij: “Ty po të takoj për herë të fundit. Do të lë një amanet për gruan dhe vajzën!”.
“Shiko!”, shqiptoi tjetri që bëri sikur nuk e dëgjoi çfarë i belbëzoi shoku. Tregoi pastaj me kokë dritaren e dhomës së gjumit të Enver Hoxhës. Grila ishte hapur përgjysmë dhe pas perdeve dukej drita e ndezur. Kjo donte të thoshte se ai po priste përgjigjen.
Pas pak erdhën Ramiz Alia dhe Hekuran Isai. Ky i fundit i hodhi një vështrim me bisht të syrit Asim Bejës. Dy të porsaardhurit biseduan gati dhjetë minuta me Elham Gjikën dhe Xhule Çirakun dhe më pas u larguan.
Ndoshta Enver Hoxhës, për rezultatin e përfundimit të eksperimentit hetimor, për mundësinë e dëgjimit të zhurmës së shkrepjes së fishekut të pistoletës së Mehmet Shehut dhe vendin ku do të binte gëzhoja ia thanë me telefon nga shtëpitë e tyre, që i kishin ngjitur me njëri-tjetrin, sepse më në fund drita e dhomës së gjumit të Hoxhës u mbyll dhe grila u ul.
Pas kësaj ikën të gjithë hetuesit e funksionarët e tjerë dhe në hapësirën e vogël para derës kryesore të vilës mbeti vetëm drejtori i tij, roja Fuat dhe zëvendësministri Çiraku.
Po ashtu edhe “Gaz 69″-a.
Ora ishte katër e një çerek.
Asimi ishte shumë i zbehtë në fytyrë. Kolegu Fuat i zgjati një cigare. E ndezi. Duart i dridheshin. Çfarë ishte vendosur për fatin e tij?
“Asim!”, e thirri Xhule Çiraku. “Urdhëro!” “Ku është shoferi?”, “Në makinë është.” “Të ndezi makinën!”
Zëri i nënministrit ishte i ngurtë, i prerë.
“Hajde Asim, futu mbrapa!”
“Obobo!”, rënkoi brenda vetes ky.
“Do të shkojmë te ‘Dajti’”!, i tha shoferit, Çiraku.
“Obobo”, rënkoi sërish brenda vetes Asim Beja. Në hotel “Dajti” bëheshin arrestime.
Kur ndaluan aty, zbritën e tek po ngjitnin shkallët, Asimit iu morën mendtë dhe ra. Ndjeu gjurin që i theri.
“Ç’pate?”
“Nuk jam futur ndonjëherë këtu, shoku zëvendësministër.”
Kur hynë brenda rojën e hotelit e gjetën në gjumë të thellë. E shkundën. Ky u zgjua i tromaksur dhe vrapoi të zgjojë kuzhinierin, të cilin Ministria e Brendshme e kishte një nga bashkëpunëtorët e vet.
Ora ishte duke iu afruar katër e gjysmës.
“Ke telefon në shtëpi?”, e pyeti Asimin, Xhule Çiraku.
“Do të njoftojnë për arrestimin tim”, mendoi kobshëm ky. I dukej se nuk merrte më frymë. Iu përgjigj se kishte.
“Më përpara se t’i telefonosh familjes që në mëngjes të gatuajnë një hallvë të mirë për ty dhe të hani prej saj sa të shqepeni, hajde të të puth në ballë!”
Asim Bejo ende ishte si gjysmë i vdekur.
“Hajde të të puth në ballë”, i tingëlloi sërish fjalët nënministri i Punëve të Brendshme. “Ishe për t’u zhdukur në Malin me Gropa, por u bë prova dhe zhurma e pistoletës nuk u dëgjua.”




Leave a Reply