Për herë të parë / Letra të Mustafa Krujës drejtuar Gjon Marka Gjoninit ku komentohet krijimi i një komiteti me të katër grupet politike jashtë Shqipërisë në bashkëpunim me të huajt. Qëllimi: Shpëtimi i vendit nga komunizmi. Qëndrimi i Mbretit Zog dhe shpresa për t’u kthyer në fron
Dy letra drejtuar kapedan Gjon Marka Gjonit në Romë nga Mustafa Kruja, i emigruar në Aleksandri, i ftuar pranë Mbretit Zog, ish-kundërshtari i tij politik. Ato japin një tablo të organizimit të emigracionit antikomunist jashtë Shqipërisë dhe vështirësitë e marrëveshjeve dhe ndërhyrjet e të huajve në këtë proces.
Bashkë me to edhe përgjigjet e Ndue Gjomarkaj (i biri i Gjon Marka Gjonit), i cili i shkruan Krujës për krijimin e komitetit që mori emrin “Shqipëria e lirë.
Kruja përshkruan nga bisedat e drejtpërdrejta me Ahmet Zogun, atëkohë në Egjipt, qëndrimin e tij dyshues për të krijuar një “komitet shpëtimi”, i pranuar dhe i pëlqyer prej gjithë grupeve në mërgim.
Këto letra janë një enciklopedi e vogël dhe kush bënte çfarë në mërgim për çështjen e “ndërhyrjes në Shqipëri”.
Romë 10. VI. 1948
I dashtuni Mustafë,
Ke shum të drejtë me u idhnue, por arsyeja qi nuk të kam shkrue, ka rrjedhë pse dojshem të thojshem ndonji send konkret mbi punët e ktushme, e qe se po t’i përmbledh të gjitha me nji fjalë: kurrgjâ!
Mbasi ministri grek na pat ftue dhe na komunikoi dishirin e Qeveris së tij për nji bashkim dhe formimin e nji Komiteti Qendruer, i cili do të hynte në bisedim me grekët, na u mblodhëm e mbasi e shqyrtuem çështjen, vendosëm me u marrë vesht me Ballin. Ngarkuem për kët detyrë Ismail Vërlacin, edhe si Kryetar të Blokut, me bisedue me Midhatin, Kryetar të Ballit. Mbas nji jave mundimi, dikur mrrijti me e gjetë Midhatin; bisedoi më tê për mâ se nji orë dhe Midhati i premtoi se mbasi të kthente prej udhtimit qi do të bânte nëpër kampe, ku do t’u kshillonte me shokët (!) do të vinte në Romë dhe do t’i binte përgjegjen.
Ai u nis e nuk u pa me Ismail Vërlacin; na vepruem simbas ndërgjegjes e detyrës s’onë e ai i mungoi edukatës! Atëherë na ngarkuem Ekrem Libohovën me shkue n’emën të Blokut te ministri grek e me i thânë qi të tâna tentativat na shkuen huq, e ashtu u bâ. Midhati erdhi në Romë dhe mblodhi ballistat. Mbas disa ditësh bisedimi ndër veti formuen Kryesin e Ballit me nji Kshill prej 7-9 vetësh e me Midhatin Kryetar. Nuredin Vlora, qi ne na kishte thânë se nuk âsht mâ në Ballë, muer pjesë, tue kujtue se ai do të mbrrijte me bâ kët formim.
Kryetar nderi Midhati, Nënkryetar me të tâna të drejtat e Kryetarit Nuredini dhe disa Kshilltarë t’anës së tij; por nuk ja duelë pse Nuredinin e zgjodhen vetëm si Kshilltar; atëherë ky i idhnuem muer valixhet e iku për Capri! Sa për Aliun e Koçon kanë thânë qi ata nuk janë t’autorizuem me folë çâshtje politike n’emën të Ballit, ata janë vetëm për çâshtjen e emigracionit. Kan bâ ashtu si kishim bâ na me Ernestin. Dje Midhati âsht nisë për Greqi. Nuk besoj se Aliu e Koçoja të munden me u da prej Ballit, ose mâ mirë me thânë prej Midhatit; prandej të mos gënjehen t’atyshmit mbi Aliun se, mbas mendimit t’êm ata kanë me qenë dakort me të vetët, e se të tâna bisedimet qi i bâjnë nuk janë gjâ tjetër veçse manovra.
Po niset Ernesti për Egjypt e ky ka me ju diftue gjanë e gjatë. Kemi folë me tê dhe i kemi skjarue idét mbi bisedimet qi do të ketë me ty e Bazin. Unë besoj se do t’ishte mirë të bâhet kështu: të formohet partija Monarkiste (të shlyhet emni Zogist e Legalitet) e të himë në marrveshtje si partina na Bloku me partin Monarkiste, për me balancue Ballin si parti, pse me Bazin si person nuk më duket marrveshtja aq e gjânë, mbasi ai figuron mâ tepër si person se si parti. Me këtë mënyrë e me Kosovarët qi janë grup në veti na mundemi me u bashkue e me punue mâ së miri.
Këto janë idét e mija, e mos kujto se unë due, me ndoj mënyrë a ndoj tjetër me luftue Bazin, përkundrazi dishroj qi ai të forcohet sa mâ tepër, pse âsht n’interesin t’onë të përgjithshëm. Jam gati i sigurtë qi shum Zogista, si Hiqmet Delvina me shokë (jugorët) nuk kanë me e pranue Bazin si Kryetar, pse për ta âsht malok siç jemi të gjithë na, e kështu ndoshta kanë me u da; prandej mâ mirë me e dijtë kët gjâ herët se vonë (Toskë e Gegë!). Ti e din se na jemi nji parti politike e nuk mundemi me e zhgatrrue për me u marrë vesht me njanin ose tjetrin, pse nuk më duket as e mundshme qi të hjekim dorë aq shpejt prej principeve t’ona si parti, pse edhe po të bâhet kështu nuk del gjâ mâ e mirë veç ndoshta mâ e keqe, pse kishim me u komprometue para opinionit publik si shqiptar ashtu të huej, sepse tashma jemi të njoftun si nji parti politike. Për të gjitha këto ke me folë gjanë e gjatë me Ernestin.
Italjanët e kanë pasë lanë krejt mbas dore çâshtjen shqiptare; mbas insistimeve t’ona e bisedime qi kemi pasë me ta, tashti kan fillue me e marrë para sysh çâshtjen shqiptare; të shohim se çka me dalë.
Besoj qi të kam shkrue mjaft gjatë. Tahiri âsht nisë për Turqi pse nuk kje e mundun me e mbajtë. Shkumja e tij na ka vrâ shum, por çka t’i bâjmë fatit.
Na jemi mirë, ashtu shpresoj qi edhe ti ke me kenë mirë me shndet. Kam ndigjue se ke fillue me përpilue nji fjaluer Shqip-Arabisht. Urime!
Me kaq të përqafoj për së largu me mallë gjithmonë i yti
Ndue Gjomarkaj
Prej babës shum shndet.
Bazit, Agos, Qorralliut shum të fala.
Aleksandri, 30.VI. 1948
Fort i dashuni Kapidan,
Po u përgjigjem njiherit të dy letravet qi kam marrë prej teje e prej Ndoit. Ju falemnderës të dyve për to, se kam pasë çka me lexue. Më dukej se po kuvês me jue gojë me gojë tue qitë mallin qi më ka marrë.
Këto dit ka qênë këtu edhe Ernesti e kemi bisedue gjân e gjatë. Kur kaloi këndej për Kajro qênka ndalë vetëm nji natë e s’e ka qitë rasa me u pjekë me kurrkênd veç Ali Klisurës e, më duket, Koço Mukës qi e paskan marrë vesht gând e paskan shkue e u pjekë me tê. Tash erdh nga Kajro e u pá me të gjithë. Lajmet e atyshme i mora vesht fill e për pê prej tij. Vûna oroe se mendimet e tija përputhen me sa më shkruente Ndoi në letrën e mbrame. Nuk janë mendime të këqija. Vetëm se mue më duket qi lypin kohë për me u vû në zbatim. Mirpo ndodhit e botës me të cilat âsht lidhun fat’i ynë s’i kemi na n’dorë qi t’i ndalim për me na pritë deri qi t’mërrijë breshka e jonë atje ku duhet. Kam thânë gjithmonë qi duhet sa mâ parë nji bashkim për me u gjindun gati për çdo gjâ qi mund të gjajë e papritun. Se për ne çdo gjâ qi mund të gjajë, e papritun ka me qênë, mbasi s’jemi na qi i kemi n’dorë çelsat e ndodhive të botës. Qe, p.sh., kush e kishte mendue se Tito do t’i binte ndesh Stalinit e do të krijonte bash te portat e vêndit t’onë nji situatë qi sod âsht ende tepër heret për me parapá me saktësi se si ka me u zhvillue? Ka rasa në të cilat njeriu duhet të mendojë gjatë, por ka edhe asosh kur duhet të presë shkurt e të veprojë para se t’i dalë zogu doret.
Shpesh herë ndodh qi nji tregtar lakmues e ruen nji mall për me e shitun kur t’i ketë hypë çëmimi në qiell e kështu me fitue njimijë për qind. Nga nji herë bâhet si ka mendue ai, por shpesh ndodh edhe qi malli të kalbet në magaze ase t’i bjerë çëmimi aqë poshtë sa mos me mujtë me xjerrë as gjysën e kapitalit. Un tregti s’kam bâ kurrë. Por mbaj mênd nji fakt politik në jetën t’eme qi ka nji farë përgjasimi me punët e soçme. Në 1921 ishin dý parti në parlamentin t’onë: Popullorja edhe Përparimtarja.
Ndërmjet këtyne ishte dhe grupi i deputetënve të Shkodrës me të cilin ishem i bashkuem edhe un. Na porsa hŷmë në parlament u mblodhëm ndër veti edhe venduem kështu: “Të dý partit, thamë, janë baras me fuqi e asnjâna s’mundet me formue nji qeveri vetëm e të dyja bashkë s’piqen kurrë. Kanë me pasë pra nevojë të domosdoshme për ne si njâna ashtu tjetra për me bâ shumicë. Prandej po rrijmë e presim mbë veti pa u bashkue as me njânën anë deri qi të na vijë uji në mullî t’onë qi t’a shesim vetin shtrênjt.”
E besa boll na lutën në fillim edhe Popullorja e Përparimtarja, por për me u bashkue me to në nji parti e jo për me formue qeverin nji herë. Mirpo na jo, e kishim dá me ndêjë mbë veti, se kështu do të na bite mâ mirë! E shka ndodhi mbandej? Ndodhi nji fakt i papritun në parlament qi na shtŷni ne padeshtas me u hjedhë në gjî të Përparimtares pa na e dijtun kurrkush për nderë. Na qi dojshim t’a shesim vetin shtrêjt e shitëm për pesë pare! E ku? Ke Përparimtarja qi s’dojshim me e pá me sŷ.
Un qi i kam jetue vetë këto fakte i mendoj shpesh edhe thom se kot bân politikë kush nuk din me marrë mësime prej historis. Me gjithë këtê ky âsht nji mendim personal, si edhe ai tjetri qi shfaqa mâ para për ndodhit e botës. E ndoshta un jam i gabuem. Ju aty jeni bab’e bir e keni edhe shokë tjerë për me u kshillue me ta. Tash vjen edhe Ernesti. Do mendime qi ju kam shfaqun mâ parë sa ishem n’Itali më duket qi s’kanë dalë të gabueme.
Ju kam thânë se me Grekë na s’und merrena vesht e për Llullat e pashë menjiherë se ishin tuj u tallë me né. Faktet kujtoj se më kanë dhânë të drejtë deri sod, edhe mbas sodi veç me dashun me pá ândrra çuet për me shpresue. Tash po bâj edhe nji profeti tjetër: deri sa mos të jemi shfaqun në skenën politike të bashkuem, kurrkush s’ka për të na e varë torbën serjozisht. E po e nënvizoj se për ne qoftë qi nga të gjithë Shqiptarët e mërgimit ka kush shans me i trokllue kush në derë personalisht kur të vijë dita e preme, ai ka për të qênë vetëm Zogu. Por s’ka dyshim qi bashkimi i gjithë fuqive të shëndosha qi gjinden jashtë i shton shanset t’ona mâ tepër. Mos t’ishte kështu s’kishim as nevojë me çá fort kryet për bashkim.
Sa për krizën jugoslave, me gjithë qi âsht tepër heret me dhânë nji gjykim, mue m’a merr mêndja se kurrsesi Stalini s’ka si me e lânë vetin të mujtun prej Titos. Në pastë mërrî në këtë gradë vaj halli i tij e lum na! Por edhe me likujdimin e Titos, Stalini prap se prap do të ketë hângër nji grusht moral të fortë prej të cilit s’ka për të dalë pa dobi bota e Perëndimit.
Gajret pra, po të thom prap, o i dashun Kapidan, e mos të lëshojë zêmra, beso se Zoti s’na ka lëshue krejt doret! Tito s’paku na dha njekët provë: qi ka shumë gjâna me rândsi qi vlojnë nën dhé e qi na s’i shohim. U a kam thânë shëndetet tua gjith’atyne qi u a ke çue e të gjithë më kanë thânë me të përshëndetë prej anës së tyne. Edhe ti mos m’a harro Feridin qi ke për ditë aty ke Ercoli e gjithashtu Z. Vërlacin e kush të pyes për mue. Ty e Nduen ju marr ngrykë me mallë.
Mustafa
Romë, 13. VI. 1949
I dashtuni Mustafë,
Së pari lus Zotin qi të jeni shndosh e mirë të dy, edhe na mirë jemi. Jam koritë qi nuk ju kam shkrue, e sidomos me Gjelen; sa për ty, kam pritë me pasë ndonji lajm me rândësi.
Letrën e fundit t’anden e kemi marrë e lexue me vemendje. Ti e kishe shprazë thesin, unë po t’i shti diçka e site mirë. Po bâhen tri javë e mâ qi ka ardhë Bazi, e posë vizitave qi kemi ndrrue me tê, nuk e kemi pa mâ e prandej as bisedue. Më datën 5 të k.m. Ismaili ofroi nji darkë për nder të Bazit, e aty kje edhe Koço Muka e Xhaferr Deva. Politikë nuk u bisedue. Në nesre vjen Bazi i shoqnuem prej Selim Damanit, n’orën 4 të mbas dites, me egjele, e mbasi na çoi prej gjumi e u takue me babën i thotë: Komiteti u formue dhe Kryetar i këtij Komiteti për deri në librimin e Shqypnis Midhat Frashëri.
Na u çuditëm dhe i thamë qi nuk dijshim gjâ. Ai pvetë babën: a e pranon Midhatin Kryetar a jo? Baba i përgjegjet: un kam edhe shokë të tjerë, bâj pjesë në nji Grup Politik ku kam nji Kryetar e s’mundem me dhanë mendime të preme, prandej nuk e njof Midhatin Kryetar e njof vetëm atê qi kan me e zgiedhë ata persona qi kan me u delegue prej grupeve të ndryshme si përfaqsuesa në Komitet. Bazi thotë qi tash tri javë mundohem për ty Kapidan dhe kam mbrrijtë me bâ qi miqtë të pranojnë Nduen si antár në Komitet, mbasi i u kam thânë qi Kapidani âsht i vetmi njeri qi përfaqson katoliçizmin e klerin katolik. Në kët Komitet jam edhe un (Bazi) si antár. Baba refuzoi.
Në kët mes ndërhyj un e i them Bazit: na kemi kujtue se ju do të na lajmoni disa ditë përpara, kështu qi të kishim kohë me bisedue na nër veti dhe me zgiedhë personat qi do të merrshin pjesë në mbledhje ku do t’u bisedote mënyra e formimit dhe formulimi i nji Statuti, qi ata njerz të gjêjshin nji “modus vivendi”, mbasi kollaj fort mund të delshin vështirsina. Bazi s’desht me ndigjue për këto fjalët e mija e ashtu siç ishim duelëm e shkuem te Ismaili. Mbasi e çuem edhe atê prej gjumi Bazi e pveti: a e pranon Midhatin Kryetar Komiteti? Ismaili përgjigjet qi nuk mujte n’asnji mënyrë, mbasi un kam nji kshillë e personalitete të tjera qi janë në Blok e qi do të më apin mendimin e tyne. Nuk mundem un, si Kryetar i Blokut me vendosë si të due e të m’a ketë qejfi mue. Bazi i thotë Ismailit: un kam folë te miqtë vetëm për Kapidanin tue u thanë qi Kapidani âsht Kryetari i katoliçizmës dhe i vetmi qi përfaqson klerin e se Kapidani ka influencë në Veri; për ty nuk kam folë, as për Blokun.
Ismaili qeshi dhe i përgjigjet: Kapidani âsht mâ i madhi eksponent i Blokut, por as un si Kryetar, as Kapidani nuk mundemi me marrë ksi vendimesh pa pëlqimin e shokve dhe pa hye përpara ndër bisedime për me dijtë se si do të formohet ky komitet. Un i bâj nji pvetje: ç’mendon z. Baz për Grupin e kosovarve? Më tha qi për Grupin e kosovarve mendojnë mâ vonë miqtë e përtejshëm. I tham se pa Grupin e kosovarve nuk bâjmë Bashkim e se na në asnji mënyrë nuk pranojmë qi mos me e quejtë Kosovën shqyptare. Fuqija e të fortit nuk ndalet, por na Amen nuk i thomi kurrë. Ismaili i thotë: edhe na mundemi me pasë ndoj amerikan qi na kshillon me e bâ bashkimin edhe pa Midhatin. Aty për aty ndrroi (Bazi) tue thanë qi në qoftë se mundesh un e la Midhatin e vij me ty!!!
Ky âsht muhabeti me Bazin. Për ne kjo sjellje e Bazit ka qênë nji çudi e madhe fort. Nuk e kishim pritë kurrë nji sjellje të tillë. Athue ndoshta Bazi me Midhatin kanë dashtë me formue nji Komitet personash? Por ata e dijnë se na kemi miq e shokë, se jemi në nji Grup politik e se nuk i tradhtojmë. Në qoftë se ata mendojnë me na lanë kopilin te dera, na kemi gazetën dhe në tê publikojmë të gjitha dokumentat e të shofi bota se kush ka faj. Ai miku qi na shkruejshe ti, nuk e dijmë a ka ardhë a jo, na pa nuk e kemi…
Me Herbert jemi takue, ka ardhë vetë me na bâ vizitë e na ka ftue edhe për mjesditë. Folëm gjanë e gjatë. Shef nevojën e madhe për nji bashkim të shqyptarve e sa mâ parë. Tha qi Shqypnija âsht në rrezik me u dá dyshë, prej Jugosllave e prej Grekve. Shkuem prap për së dyti me Ernestin e kemi ndejë mâ tepër se nji orë e gjysë. Ballistat janë bâ me dalë mêndësh pse nuk e kishin besue qi Herberti t’u shifte me né (!) e bilé të na thirrte për bukë. Këto fjalë sigurisht i a u ka thanë edhe ballistave; por ballistat… Edhe protokollin e Alexandris Bazi nuk e njef!!
Me kaq ndalohem e për së largu ju përqafoj me mallë të dyve.
I jueji
Ndue Gjomarkaj
Aleksandri, 28 korrik 1949
I dashtuni Ndue,
Mbasi këto dit niset Fortuzi për aty e ka për të ju a prû këtë letër me dorë, po kam rasë me ju shkrue do gjâna qi ndryshe s’kishim mujtë veçse nj’ashtu si kam bâ deri tash, dmth. larg e larg. Letrën t’ande e kam marrë e qe se si ka rrjedhë puna këtu fillim e mbarim rreth çâshtjes qi gjindet sod në rend të ditës.
Gjithsa herë kam folë me Mbretin për sa i përket nji bashkpunimi të Shqiptarvet në mërgim qyshse gjindem këtu n’Egjypt, për shumë kohë e shifshem si të ftohtë, si të pitë, më dukej sikur diç donte me thânë e s’i dilte prej gojet. Tekembramja nji ditë prej ditsh – ka qênë nj’aty kah fundi i tetorit të kaluem – po më thotë: “Mustafë”, – ishte kjo nji nga të rrallat herë qi po m’a drejtonte fjalën kështu, se zakonisht më thërret “Zoti Ministër” – “Atdheu i ynë ka aqë shumë anmiq qi âsht për njimênd vështirë me i a vu gishtin kuj për mik; të tânë kishin me qênë gati me na sakrifikue për interesat e veta. Duhet pra mênde e prehtë e karakter i fortë pej anës s’onë për mos me rá në ndonji kllapë të rrezikshme për vêndin t’onë. Sikur t’ishte punë e mundun me zgjedhë lirisht ndër sa refugjatë qi gjinden sod të shpërdamë andej e këndej prej nesh, nuk do t’ishte aqë pun’e vështirë me bâ bashkë nji tubë njerzish qi kush mâ shumë e kush mâ pak t’i përmblidhshin ato dy cilsi të nevojshme. Por mjerisht janë shumë gjâna qi na pengojnë për nji zgjedhje personash të denja për nji barrë aqë të rândë. Në Shqipni kishim fenat e krahinat; këtu tash kemi edhe partina e grupe qi duhet me kënaqë e jo veç këto, por edhe persona. E si mundemi me i plotsue të gjitha këto nevoja tue i pajtue edhe me atê t’interesës s’Atdheut qi na duhet të kemi parasŷsh në çdo hapë qi të bâjmë? Në Shqipni, me qeveri, me parlament, me administratë e me kshille gjithfarësh gjindet vênd për të tânë e shum’a pak simbas meritës së secilit, por këtu përjashta s’ka vênd veçse për 4-5 vetë, qi duhet të jenë mâ të zott e mâ të fortët për karakter. Edhe mos me qênë të gjithë majza e mêndes e e dijes, mjafton të jenë veç të tânë me karakter, të jenë patriotë e burra; tre burra të mêndshëm në komitet kishin me mjaftue. A t’a merr tý mêndja qi mund të formohet nji komitet ksi doret i pranuem e i pëlqyem edhe prej grupevet qi janë sod përjashta?”
I u përgjegja se as un nuk besojshem qi nga marrveshtja e grupevet mund të dilte nji komitet ideal, por mâ mirë t’u bânte diçka se kurrgjâ. Por ai tha qi ishte i mendimi të kundërt, dmth. mâ mirë kurrgjâ se nji komitet i keq. Mâ në funt i a lidhi kryet kështu: “Ti, në t’u mbushtë mêndja nisu e shko vetë n’Itali, bisedo me Kapidanin e me kê të duesh tjetër. Ty mêndja as dija as eksperjenca s’të mungojnë. Për burrni e atdhetari Shqipnija s’ka asnji përmbi ju të dy. Besimin t’em e keni të plotë. Po ju a preu mêndja se mund të bâhet gjâ e mirë, ashtu si e lyp interesa e Atdheut, bânje se keni me pasë gjithë përkrahjen t’eme.” Kështu pat ndodhun qi un lypa atëherë me ardhun aty. Duhet të shtoj se kjo bisedë me Mbretin pat pasun si piknisje nji letër qi i kishte pasë çue Xhaferi Agos, në të cilën shfaqte mendimin që e ardhmja e ime në Romë mund të dilte e dobishme. Këtë letër Agoja i a kishte diftue Mbretit. Por un atëherë s’mujta me ardhun, sikurse e dijni. Qe nji fatkeqsi e s’ke ç’i bân.
Ka nja tre muej, kujtoj, vjen te Mbreti shefi i sekcjonit balkanik në Ministri të jashtme amerikane Z. Beri (nuk dij si shkruhet, por kështu u thirrte) e i thotë: (po diftoj pikat kryesore) “Departament’i Shtetit deshiron qi Madhnij’e Juej të bâjë nji deklaratë ku të thoni se pëlqeni dhe përkrahni Midhat Frashërin si përfaqsues t’emigracjonit shqiptar në Frontin e Përbashkët Antikomunist të kombevet balkano-danubjane qi âsht tue u krijue në Shtetet e Bashkueme e se për t’a lehtue mâ mirë misjonin e tij pezulloni deri në lirimin e Shqipnis prerogativat mbretnore qi Ju njeh statuti themeltar i Shqipnis edhe qi pranoni nji plebishit të lirë të popullit shqiptar për sa i përket regjimit t’ardhshëm.”
Mbreti i përgjigjet: “Për mue të gjithë Shqiptarët nacjonalista janë baras e duhet të jemë i paanshëm me të tânë. Kujtoj qi burra t’aftë e patriota si Midhatin Shqipnija ka edhe tjerë, si mbrênda ashtu përjashta. Ju me fjalët qi më thatë po më kërkoni qi un, për sa më përket, t’a lëshoj fatin e Shqipnis për një kohë të gjatë e në rrethana me rândsi decizive në duert e nji njeriu të vetëm, gjâ qi s’më duket e arsyeshme. Me gjithë këtê po qe se nji misjon si ky qi më lypni me pëlqye për Zin Frashëri e pëlqejnë të tânë refugjatët shqiptarë do t’a pëlqej dhe un si mbret. Pra Midhati le t’a kërkojë këtë misjon pikë së pari prej refugjatvet gjithmbarë qi gjinden n’Itali, në Greqi, në Syri, n’Egjypt e në Tyrki e n’i a njofshin ata as un s’do të kemë ndonji kundrështim edhe bâj deklaratën t’eme në favor të tij.
Nji rrugë tjetër mâ e shkurtë për tê âsht me mbledhun krenët e personalitetet e grupeve politike të ndryshme t’emigracjonit shqiptar, të merret vesht me ta, të formojnë së bashku nji komitet edhe kështu Z. Frashëri mund të zgjidhet kryetar i këtij komiteti. Edhe un vetë kishem me i kshillue me gzim krenët e grupevet qi të zgjedhin atê për kryetar të komitetit. Kujtoj se si mënyra e parë ashtu edhe kjo e dyta janë konforme me rregullat demokratike, për të cilat Shtetet e Bashkueme kanë luftue e po përpiqen edhe sod. Prerogativat mbretnore qi më njeh statuti themeltar i Atdheut t’em un s’e shoh veten t’auktorizuem me i pezullue, mbasi statuti vetë nuk m’a ka dhânë atë të drejtë. Por po të formohet nji komitet me pëlqimin e të katër grupevet shqiptare, ky komitet mundet me qênë i sigurtë se prej anës s’eme s’ka për të pasun asnji pengim në veprimet e tija për shpëtimin e Shqipnis, për kundrasi kam me i dhânë gjithë ndihmën qi të më vijë prej doret. E për këtê kam me e sigurue edhe botnisht në deklaratën t’eme qi do të bâj në qoftë se komiteti ka me qênë me të vërtetë si thashë. Sa për plebishitin qi më thoni për regjimin e ardhshëm të Shqipnis, Departamenti i Shtetit amerikan do t’a ketë sigurisht n’arkivën e vet notën qi i kam dhânë qyshë në 1940 pa m’a lypun kurrkush, ku un, i pari monark në mërgim, kam deklarue nevojën e nji plebishiti të lirë për kthimin në thronin t’em. E po të m’a kërkojë komiteti i përbashkët i katër grupevet edhe këtë angazhim jam gati t’a përmênd në deklaratën t’eme.”
Përfaqsuesi amerikan merr shënim edhe niset. N’e nesre heret Mbreti më thërret mue e më spjegon gjithë çâshtjen. Me gjithë qi mundohej me u dukun i qetë e gjakftohët si gjithmonë, mue m’u bâ se përshtypja mbi tê kishte qênë mjaft e madhe e e keqe. E pyeta nëse Amerikani i kishte shfaqun ndonji mendim të vetin përmbi objekcjonet e bâme prej anës së tij. Asnji, veçse i kishte thânë qi do t’i a referonte Departamentit të Shtetit qi e kishte dërgue. Më porositi mos me i a diftue kurrkuj, se kështu e paska lypun Beri e se mund të bânte mbi refugjatët nji përshtypje të keqe ndoshta të parakohshme.
Nuk dij sa kohë mbas këtij bisedimi, Beri kthehet prap te Mbreti edhe tash, si përpara, vet i dyti me nji Amerikan tjetër. I thotë Mbretit se pikpamja e tij ishte pranue si e arsyeshme prej Departamentit të Shtetit për formimin e nji komiteti nën kryesin e Midhat Frashërit edhe e pyet se cilët ishin ata katër grupet politike shqiptare e kush ishin njerzit mâ me rândsi qi i përfaqsojshin. Mbreti i a spjegon e i përmênd vetëm personalitetet qi u gjindshin në Romë, mbasi ai i kishte thânë se do t’u niste mejherë për atje për me i a nisun punës së komitetit: Gjon Marka – Gjoni, Ismail Vërlaci, Ernest Koliqi (për Blokun), Xhafer Deva (për grupin kosovar), Abaz Kupi (për Legalitetin), Koço Muka (për Ballin).
Edhe i paska shtue: “Për Zotin Frashëri s’keni nevojë qi t’Ju udhzoj un.” Amerikani paska bâ buzën në gaz. Janë bâ mjaft fjalë ndërmjet tyne për “kolaboracjonistat”. Për Vërlacin Mbreti i paska thânë se kur i ati ishte kolaborator ai vetë ka qênë student n’universitetet, pra pa asnji ofiq zyrtar; se Gjon Marka – Gjoni s’ka marrë pjesë n’asnji qeveri kolaboracjoniste e i biri qi ka marrë pjesë ka sakrifikue jetën në luftë kundra komunizmës para se të na bjerë ndër mênd ne tjervet për tê e nëse Gjon Marka – Gjoni ka pasun të birin kolaboracjonist Midhat Frashëri ka pasun shokë të vett ministra si me Italjanët ashtu edhe me Gjermanët zyrtarisht si përfaqsues te Ballit n’ato qeverina. Fundi edhe Amerikani ka mbetun dakord me Mbretin qi kjo pikë, nemose për Shqiptarët, nuk duhet trazue. Davaja mâ e madhja qênka bâ për Xhaferin. “Ka qênë tepër i egër në veprimet e tija” i paska thânë Amerikani Mbretit. E ky: “Ka qênë i egër vetëm kundra komunistavet e këtê sod ka ardhun koha me e konsiderue si meritë e jo si faj.” Mâ në fund Mbreti paska shtue se grup’i Kosovarvet ka edhe njerëz tjerë qi mund t’a përfaqsojnë e i paska përmêndun Prof. Miftar Spahin, tue mos i ramë ndër mênd tjetër emën.
Bash atë ditë qi ishin bâmë këto bisedime më thirri Mbreti mue e m’i diftoi njikanji bashkë me nji shkurtim procesverbali qi kishin pasë siglue të dy si edhe pikat kryesore të deklaratës qi do të bânte Mbreti porsa t’u kishte formue komiteti. Un ju shkrova juve atëherë letrën e gjatë drejtue babës. Gjithashtu Aliu Koços.
Kur qe se, sikurse thonë në Krú, “prit për mâna e dalin thâna!” Nja dý javë a s’dij tash sa u bânë, nji ditë i paraqiten Mbretit tre oficera ingliz qi kanë pasë qênë me Bazin në Shqipni edhe, bashkë me ta, nji oficer amerikan. Të katër kolonela. I apin në dorë dy fletë kartë të daktilografueme. Ishin në to emnat e pesë antarvet të “Komitetit ekzekutiv” (Midhati kryetar, Abaz Kupi, Seid Kryeziu, Zef Pali e Nuçi Kota) edhe 12 të “Komitetit të përgjithshëm” pa asnji kompetencë efektive, ndër këta të fundit edhe i yti e i prof. Atanas Gegajit. Edhe i thonë: “Madhni, komiteti i refugjatvet shqiptarë u formue në Romë qe kështu si po e shifni edhe statuti i tij âsht qe – ky, qeverit inglize e amerikane e kanë pëlqye. Ju lutemi mos me e kundrështue as Ju e me nji shpallje të posaçme me i premtue gjithë përkrahjen t’Uej. Kjo âsht nji punë e kryeme e na s’kemi asnji auktorizim me bisedue mbi tê.”
Mbreti mbasi ka bâ kritikën e vet nga çdo pikpamje u ka thânë oficeravet anglo-amerikanë se nuk mund t’a epte përgjegjen e vet definitive veçse mbas disa ditsh me anën e Ambasatës amerikane. N’anë tjetër më thirri mue e disa tjerë njikanji për me na vû në rrjedhë të punës e me na pyetun mendimin. Na këtu u mblodhëm mandej edhe më veti në shtëpi të Dr. Kemal Jusufatit e biseduem edhe ndër veti. Të tânë ramë në nji mendim qi Mbreti nuk duhet të bâjë asnji deklaratë në favor të nji komiteti qi e dán emigracjonin përgjysë e nuk përbân nji garanti të mjaftueshme për interesat e Kombit. Këtë vendim i a paraqitëm Mbretit me shkrim. Edhe ky e dha përgjegjen e tij me anë t’Ambashatës amerikane tue thânë shkurt se qëndronte gjithnji në fjalët qi kishte bâ me Zin Beri.
Këto janë faktet, qi kanë rrjedhun këtu. Un do të shkojshem tepër gjatë në komentimet e mija. Por këto i bâni mâ mirë ju vetë edhe në dritë të fakteve tjera qi kanë ndodhun aty. Ndoshta ndonji send edhe mund t’a kemë harrue. Por s’besoj të kemë lânë gjâ me rândsi. Oficerat qi qenë te Mbreti i kishin thânë këtij qi porsa të merrej përgjegja e tij, e sidoqi t’ishte kjo, komiteti do të shpallej! Fjalë të forta e arrogante. Përgjegja u bâ disa dit qi âsht dhânë e âsht negative. Shpallje komiteti ende s’kemi ndie. (omisis)
Me kaqë i u kam përgjegjun edhe letrës s’ate. Tash po presim a po shpallet a jo komiteti i famshëm. Mbandej bisedojmë prap. Ndoshta organet e përgjegjëshme anglo-amerikane s’kanë me qenë aqë të papërkulshme sa janë tregue këtu oficerat e tyne. Në mendofshin edhe ato se Midhati e Bazi mjaftojnë për t’a zgidhun çâshtjen shqiptare, se Mbreti Zog e Gjon Marka – Gjoni me shokët e tij s’meritojnë me u vu baras me ta, atëherë mirë, po thomi le të shkojë edhe kjo me tjerat e uzdaja në Zotin! Në qoftë se s’peshojmë gjâ në kandarin anglo-amerikan tash po shohim se si mund t’a ndreqim kandarin t’onë. Nji gjâ na ka gzue tepër fort, e kjo gjâ âsht deklarata qi paske bâ ti Bazit për Kosovë. Të lumtë, Ndue e ju lumtë të gjithëve.
Me përqafime
Mustafa
Shekulli
Arkiv
Leave a Reply