Shkruan:Lirim Shabani – Roli i misioneve diplomatike, përmes stafit të tyre, njëri ndër të cilët ambasadori, është prezantimi i shtetit nga ku vijnë në shtetin nikoqir, mbrojnë interesat e shtetit të tyre dhe qytetarëve brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare, raportojnë zhvillimet e ndryshme të vendit nikoqir në vendin e tyre amë, promovojnë marrëdhënie ekonomike, kulturore, shkencore, etj, të vendit amë në vendin pritësI.
Para disa javësh ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairí O’Connell, kishte nisur një bashkëbisedim me ”të abonuarit” në faqen e tij zyrtare në Facebook. Në një far mënyre, ambasadori ”urdhëroi” bashkëbiseduesit që të jenë të sjellshëm, ndryshe do të ”ndëshkohen” me bllokim. Pyetjeve të bashkëbiseduesve, do t’u përgjigjej vet shkëlqesia e tij.
Ndoshta për t’i ikur këtij ”ndëshkimi”, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Pajtim Balaj, i kishte bërë një pyetje interesante ambasadorit. Pajtimi dëshironte të dinte mendimin e Ruairí O’Connell, nëse ekipi i Leicester City do të arrijë të fitonte kampionatin e sivjetën të Premier ligës angleze në futboll. Ndonëse pyetje e sjellshme, ambasadori nuk kishte dhënë asnjë përgjigje, mbase për shkak të natyrës së pyetjes, pasi që ambasadori priste pyetje për Kosovën dhe jo vendin e tij.
Pajtimi ishte ”revoltuar” paksa. Në profilin e tij, aktivisti i LVV-së e kishte arsyetuar pyetjen e tij, duke folur për traditën shqiptare që kur na vjen miku te shtëpia jonë, gjithnjë e pysim për shtëpinë dhe familjen e tij, e jo për tonën.
Ruairí O’Connell i pëlqejnë protestat ‘paqësore’ të opozitës, si ajo e 17 shkurtit, por nuk i quan të qeta. Zakonisht fjala ‘paqësore’ përmendet në raste konfliktesh të armatosura. Mbase ambasadori e ka fjalën te gazi lotsjellës që përdor opozita si mjet proteste, që tashmë në Kosovë po karakterizohet si armë e rrezikshme. Nëse po, atëherë si bëhet që pushteti e përdor këtë armë kundër popullit të tij, vetëm se kërkojnë të largohen ata që kanë shkelur Kushtetutën?
II.
Një ambasador tjetër në Prishtinë, Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve, mikut më të madh të shqiptarëve, ishte nervozuar shumë sa që e kishte konsideruar neveritëse hedhjen e fundit të gazit lotsjellës në kuvendin e Prishtinës nga ana e deputetëve të opozitës.
Paraardhësja e tij, Tracey Ann Jacobson, nuk ishte shprehur kushedi sa më butë. Ajo e kishte konsideruar si njeri kërcënues ish-kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në dallim nga pasardhësi i saj, Jacobson-it nuk i pëlqente vetëm ajo pjesë e opozitës e cila ishte ”e padëgjueshme”. Me siguri se tani nuk do t’i pëlqente e tërë opozita, pasi që janë bërë ”të padëgjueshëm”.
Paraardhësi i saj, Christopher Dell, biznesmeni i Amerikës, që iu bashkangjit firmës së ndërtimit të rrugëve Bechtel Enka, gjithashtu ka kritikuar opozirën dhe gazin lotsjellës, duke vlerësuar lartë kryetaren e ”Republikës” së Kosovës, Ahtifete Hahjaga. Firma e tij është duke ndërtuar autostradat në Kosovë, çmimi nuk dihet.
Ngjashëm kanë vepruar edhe ambasadorët e disa vendeve tjera, si ai francez, Jean François Fitou dhe ambadadori holandez, Robert Bosh.
III.
Të gjithë emrat e huaj të lartëpërmendur janë pjesë e misioneve diplomatike të përhershme që njihen me emrin ambasada, pra janë mysafir në Prishtinë. Roli i misioneve diplomatike, përmes stafit të tyre, njëri ndër të cilët ambasadori, është prezantimi i shtetit nga ku vijnë në shtetin nikoqir, mbrojnë interesat e shtetit të tyre dhe qytetarëve brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare, raportojnë zhvillimet e ndryshme të vendit nikoqir në vendin e tyre amë, promovojnë marrëdhënie ekonomike, kulturore, shkencore, etj, të vendit amë në vendin pritës.
E megjithatë, ambasadorët në vendet tona, siç mund të kuptohet, kanë edhe disa role shtesë, pra të caktojnë kryetar shtetesh, duke dërguar SMS apo zarf, të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve, koalicionet qeveritare, votimin e ligjeve, e deri edhe te mbushja e gropave nëpër rrugë.
Të gjithë këta ambasadorë të lartëpërmendur kanë dy gjëra të përbashkëta. E para, përmes tyre, shtetet e tyre kanë kritikuar ashpër institucionet të cilat qeverisin me Kosovën, duke i quajtur të korruptuara, joefikase, joefektive, të përfshira në krime, kontrabandë, institucione që nuk e zbatojnë ligjin dhe njëkohësisht kanë kritikuar ashpër opozitën, e cila ka disa muaj që ka bllokuar parlamentin, duke e futur vendin në krizë të thellë pas nënshkrimit të marrëveshjeve për asociacionin e komunave serbe dhe atë të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
E dyta, shtetet e këtyre ambasadorëve, mbështesin fuqishëm këto institucione të cilat i kanë quajtur të korruptuara, joefikase, joefektive, të përfshira në krime, kontrabandë, institucione që nuk e zbatojnë ligjin. Këto institucione shkelin Kushtetutën e vendit, ashtu siç Gjykata Kushtetuese e cilësoi se shkel rendin ligjor në Kosovë marrëveshja për asociacionin e komunave serbe. Dikush që shkeli Kushtetutën më herët u shkarkua, madje edhe me insistimin e ambasadorëve, e dikush që e shkel tani po mbrohet pikërisht nga këta ambasadorë. Rrjedhimisht shfaqet dilema, të shkilet apo të mos shkilet Kushtetuta. SHBA-të dhe BE-ja thonë jo, ambasadorët e lartëpërmendur thonë po. Cilin të dëgjojmë?
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR


Leave a Reply