Shen Valentini, cfare perfaqeson kjo feste, si lindi dhe si hyri ne jeten e njerezve dhe vecanerisht te te dashuruareve? Lexoni me poshte gjithcka per kete dite te shenjte te dashurise.
Shën Valentini, si çdo festë, është një manifestim gëzimi për një ngjarje të veçantë.
Si një dashuri, që nuk është domosdoshmërisht e lidhur me një njeri.
Tradita për të festuar një festë të veçantë i ka bazat e saj në zakonin e të fituarit të favorit dhe bekimit hyjnor përmes ceremonive rituale, për të falenderuar të mirat materiale, për të ofruar sakrifica dhe për të thërritur mbrojtjen e hyjnive. Kjo mund të jetë për pjellorinë e tokës, për lindjen e një fëmije, për lindjen e një martese, për të larguar sëmundjet… Dhe meqë zotërit dëgjojnë, ndërhyrja e tyre e mirë kujtohet dhe rikujtohet nëpër kohëra, duke festuar kujtimin e “paktit” mes zotërve dhe njerëzve, përmes këngëve, valleve, lutjeve dhe ofertave. Festa bëhet kështu kujtesa e një ngjarjeje të veçantë dhe gëzimi për faktin se të kujton të falenderosh zotin për të mirat që të ka dhënë. Në këtë mënyrë ne festojmë edhe ditëlindjet tona, përvjetorët e martesave, pagëzimet dhe fitoret tona, të gjitha këto, momente me kuptime të veçanta për jetën tonë.
Shën Valentini është dita në të cilën festojmë atë mrekulli që është rënia në dashuri, duke shkëmbyer dhurata për t’i kujtuar njëri-tjetrit rëndësinë, bukurinë dhe kënaqësinë e të qenurit “të prekur” nga Erosi, zoti i dashurisë. Kjo festë nuk është një përvjetor, domethënë kujtimi është një “zgjidhje” impenjative, që gjithsecili e bën sipas mënyrës së vet. 14 shkurti është një ditë e gëzueshme dhe e këndshme feste, kjo pasi çdo Shën Valentin mund të festohet me një person të ndryshëm. Sepse festa e Shën Valentinit nuk është festa e fejesës me dikë, por e të qenurit i dashuruar, është kujtimi dhe falenderimi për zotin e erosit, për plagët që na shëron ne të vdekshmëve, kur të tërhequr drejt një qenieje tjetër, biem në atë “maladie d’amour” (sëmundje dashurie) që na komplikon jetën, duke alternuar momente dalldie dhe ekstaze me kriza melankolie, ligështimi dhe vetmie, sapo i dashuri largohet nga horizonti ynë. Shën Valentini është një ditë në të cilën njihen të dashuruarit, shumica pajtohet me ndjekjen e një zoti ndonjëherë tiran. Po, tiran, sepse dashuria mund të marrë fund dhe të dashuruarit mund të gjenden të vetmuar pikërisht në ditën e Shën Valentinit…
Qytetaria shqiptare e Shën Valentinit
Vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për shqiptarët. Aq shumë ra në sy kjo, sa “të rriturit” mendonin se kjo ishte një festë krejtësisht rinore, thuajse “e ndaluar” për ta. Kjo për shkak të mosnjohjes së festës, historisë dhe domethënies së saj. Ashtu siç ka ndodhur me shumë ngjarje të tjera të veçanta, të konsideruara të rëndësishme për të gjithë pjesën e botës, por të mbajtura larg nga shqiptarët. Por pak nga pak, festimi i Shën Valentinit filloi të mos i bënte më alergjikë prindërit dhe të moshuarit dhe të bënte më të vetëdijshëm të rinjtë, të cilët tashmë e kishin kuptuar se të festosh Shën Valentinin, nuk do të thotë medoemos të bësh namin në dashuri, por të falenderosh një shenjt që bashkon zemrat e njerëzve të cilët kanë lindur për të qenë bashkë.
Kështu në 14 shkurt, nga viti në vit, nëpër rrugët dhe qytetet shqiptare, shtohen vajzat dhe djemtë që mbajnë dhurata dhe lule në duar, por shtohen dhe njerëzit që dalin rrugëve, lokaleve dhe parqeve për të festuar një festë që në thelbin e saj i ngre hymn një ndjenje mjaft intime. Aq sa vitet e fundit, të shëtitësh sidomos në rrugët e kryeqytetit më 14 shkurt, është si të marrësh pjesë në paradat e majit më shumë se dhjetë vite më parë. Sepse, çdo e mirë e ka dhe një të keqe, tashmë shqiptarët preferojnë ta festojnë dhe me shumë bujë bile, atë rënien e tyre në dashuri, atë të ndjerin në një planet tjetër, kur çdo gjë të duket e bukur dhe pa të meta.
Por si çdo fillim dhe këtu ka ekzagjerime dhe sigurisht që pak kohë më pas, gjërat do të vijnë në vendin e vet dhe kjo festë do të fillojë të marrë kuptimin e saj të vërtetë, atë të një tufe trëndafilash të kuq, të një kutie me çokollata në formën e zemrës, të një darke nën dritën e qirinjve, të një propozimi dashurie, apo më mirë akoma për fejesë, të një dasme me tullumbace dhe aheng…
Dashuria në ditën e Shën Valentinit
“Në fakt, unë me të fejuarën time Shën Valentinin e festojmë gjatë gjithë vitit. Se ç’kuptim do të kishte pastaj nëse do të dashuroheshim vetëm një ditë në vit?”, shprehet një 30-vjeçar i kryeqytetit, që gjithsesi, pohon se në të vërtetë, kjo festë i duket pak si pa kuptim ta festojë në grup. “Unë nuk mund ta kuptoj daljen rrugëve të Tiranës për të festuar një festë të dashurisë…”, shprehet ai, ndërsa tregon se e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar në këto 5 vjet të njohjes së tij me të fejuarën, janë trëndafilat e kuq. “Pastaj përveç trëndafilëve, i dhurojmë njëri-tjetrit ndonjë kuti me çokollata, ndonjë bizhuteri. Këtë vit do t’i dhuroj një fundjavë në Durrës”, përfundon ai.
Ka dhe të tjerë që kanë pritur pikërisht këtë ditë për t’i shprehur dashurinë mikes së tyre të zgjedhur… “E kam vendosur, do ta ftoj për darkë dhe do t’i them “Të dua”. Ajo e ka kuptuar dhe e di se edhe ajo më pëlqen, por jemi gjithmonë në shoqërinë e miqve të përbashkët dhe thuajse kurrë nuk kemi mbetur vetëm të dy. Kam besim se ajo do të pranojë…”, shprehet një tjetër, që pavarësisht se shprehet i bindur, herë-herë ka frikë se do t’i duket shumë budalla me romantizmin e tij, që e konsideron të tepruar. Por në fund të fundit, kjo është festa e Shën Valentinit, apo? Dhe ia vlen të bësh ndonjë “çmenduri” që të rrezikon miqësinë, në një ditë kaq të veçantë kur të gjithë e ndiejnë nga pak atë prani të ngrohtë dhe të ëmbël të zotit të dashurisë.
Në fakt, shitësiet e argjendarive, dyqaneve të kozmetikës, veshjeve, librarive dhe kinkalerive janë më të lumturat në prag të 14 shkurtit. Sigurisht, ata që blejnë më shumë janë të rinjtë, të cilët janë dhe më “të varfërit” në dhurata. Një libër, një lule, një parfum, një varëse, këto janë dhuratat që mund të blejnë më së shumti të rinjtë për të dashurat apo të dashurit e tyre. Ndërsa ata që e kanë kaluar paksa fazën e parë, të fejuarit apo të martuarit, shkojnë tek diçka më “e rëndë”, siç mund të jetë një fustan, një unazë “bërtitëse”, një darkë lluksoze, një udhëtim… Por që t’i bësh këto të fundit të kushton mjaft dhe sigurisht që këto janë në “duart” e atyre që ua mban xhepi. Për të tjerët, një ëmbëlsirë në shtëpi dhe një e dalë mbasdite dhe ja se dhe kjo festë mbaroi…
Gjithmonë vetëm për Shën Valentin…
Por ka dhe nga ata apo ato që gjithmonë kjo festë i gjen të vetmuar dhe mendojnë se nuk kanë asnjë arsye të festojnë 14 shkurtin kur kanë 15 shkurtin, që pak e dinë se është festa e beqarëve, Shën Faustinin. “Është e çuditshme, por çdo vit më 14 shkurt jam vetëm. Dhe trishtohem shumë. Nuk marr asnjë dhuratë, asnjë puthje, asnjë gjë. Rri në shtëpi duke parë maratonën e filmave me temën e dashurisë që japin të gjitha TV-të dhe them me vete, se kushedi, vitin tjetër do të bëhet më mirë, ndoshta vitin tjetër, më në fund do ta festoj dhe unë. Por vjen 14 shkurti tjetër dhe sërish vetëm. Rri dhe shoh morinë e çifteve në rrugë dhe mendoj se kushedi pse zoti preferon të më lërë vetëm…”. Por për atë që mbetet vetëm më 14 shkurt, asnjë mendim mbi faktin se zoti ka harruar të krijojë shpirtin e tij binjak dhe mbi të gjitha, mos bini në kurthin e vetëkritikës dhe të melankolisë. Jeni të ndërgjegjshëm se sezonet e Erosit ndryshojnë dhe alternohen, çdo dimër ndjek një pranverë. Nëse jemi në fazën dimërore, i bëjmë megjithatë një homazh energjive erotike, pozitive dhe vitale që na rrethojnë. Duhen evituar ndjenjat e kotësisë dhe jeta në izolim. Evitojmë të ushqejmë ndjenjat e zilisë, xhelozisë, zemërimit, fjalë që sipas psikanalistëve, nuk i tërheqin favoret e Erosit!
Le ta celebrojnë edhe të vetmuarit dashurinë, ndoshta duke vendosur një trëndafil në qoshen e heshtur të një kishe apo në pjesën më të kapur nga dielli të shtëpisë. Një rit i heshtur që ama i bën disponibël për të thithur dashurinë, që ashtu siç na kujtojnë mitet e poetët, tërhiqet nga një njeri me zemër xhentile dhe me sy të pastër. Shkrimtarja e madhe Marguerite Duras shkruante, se “unë jam gjithmonë e dashuruar me një ide, një frymëzim, një mundësi…” Nëse jeni të dashuruar pas dashurisë, atëherë keni të gjitha të drejtat të festoni edhe ju Shën Valentinin tuaj. Vetmia është prova që jeni pa dashuri dhe i vetmi realitet që vlen është zotësia që keni për të qenë të hapur ndaj dashurisë.
Mundet që në të kundërtën, ta keni partnerin me të cilin festoni por nuk njihni realitetin e dashurisë, që qëndron mbi çdo ide. Vetmia, braktisja, mund të jenë rrugë të detyrueshme drejt ecjes suaj personale para se të arrini një zotësi më të thellë për të shprehur ndjenjat tuaja.
SHEN VALENTINI
Mes miteve dhe legjendave
Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë?
Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ulkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej pastaj në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë se për kë bëhej fjala. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë.
Një ditë të bukur…
Mbi shenjtin e të dashuruarve, historia dhe legjenda ndërthuren dhe ndonjëherë bëhen konfuze. Jeta e shenjtit martir që festohet më 14 shkurt në realitet ndahet më dysh. Jo një shenjt martir por dy: njëri i cili ka jetuar rreth shekullit të III, dhe që ka banuar për një kohë të gjatë në Romë dhe martiri tjetër i Ternit që ka shumë mundësi të ketë qenë peshkop përreth shekullit të VI-të. Martiri i Romës është përkujtuar në Martirologjinë Romane në 14 shkurt me një regjistër që vjen nga njëfarë Beda (shekulli i VIII). Në të rrëfehet një histori në të cilën thuhet se Valentini, i cili ishte arrestuar sipas urdhrit të perandorit Claudio, u gjend i vrarë në rrugën Flaminia; në varrin e tij në të njëjtën rrugë është ngritur një bazilikë, me dëshirën e papa Giulio I, e ribërë edhe kohët e fundit dhe e rregulluar në mënyrë ornamentale nga papa Teodoro.
Ndërsa martiri i Ternit, i përkujtuar gjithmonë më 14 shkurt në Martirologjinë Gjeronimiane, i arrestuar sipas një urdhri të dhënë nga prefekti Placido ndërsa ishte në Romë, pasi kishte refuzuar të sakrifikohej për idhujt, u vra dhe u varros afër rrugës Flaminia, në të hyrë të Ternit, ku ekzistonte një varr i krishterë mbi të cilën më pas u ndërtua një bazilikë. Dihet që duke qenë dy histori shumë të ngjashme nuk mungon as ai që mbështet ekzistencën e një martiri të vetëm Valentin. Në 498 papa Gelasio e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit dhe nxori jashtë ligjit lotaritë e dashurisë të origjinave pagane.
Kaluan vite dhe shekuj dhe festa e Shën Valentinit fitoi gjithmonë e më shumë rëndësi, aq sa tani kemi dhe një dokument historik: një letër dashurie të cilën ia ka shkruar gruas së tij me rastin e Shën Valentinit Carlo i Orleansit, i burgosur në Londër.
Legjenda e trëndafilit bashkues
Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshit dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… ;Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Etimologji
Valentin tingëllon si “valorem tenens”,
“që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”; ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
Lutja e të dashuruarve
Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.
Burimi – Facebook


Leave a Reply