Albana Karaj
Grupet punuese të Kosovës dhe Shqipërisë, për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, kanë arritur të fokusohen në disa aktivitete.
Ato kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit përkatës, përgatitjen e kurrikulave dhe teksteve mësimore. Ajo që mbetet ende sfidë për të dyja vendet, është vetëdijesimi i diasporës shqiptare për përfshirjen e fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare.
Grupet punuese të Kosovës dhe Shqipërisë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, kanë planifikuar që të bëjnë harmonizimin e legjislacionit në muajin shkurt të këtij viti. Ndërsa, për unifikimin e kurrikulave të përbashkëta, deri në qershor do të përgatitet një draft i cili do t’u prezantohet mësimdhënësve të diasporës. Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se mësimdhënësit e diasporës do të kenë mundësi të japin sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për draftin e kurrikulës së përbashkët për mësimin në gjuhën shqipe.
“Ky draft deri në fund të shtatorit do të jetë në diskutim publik, në mënyrë që në samitin e diasporës i cili pritet të organizohet në nëntor, të jetë i gatshëm ky dokument i unifikimit të kurrikulës për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Njëkohësisht, është edhe aktiviteti për standardet e rekrutimit të mësimdhënësve për diasporën”, ka theksuar Guri.
Edhe pse ende nuk dihet numri i saktë i nxënësve shqiptarë në diasporë, Kosova dhe Shqipëria po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për sensibilizimin e diasporës që të përfshijnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.
“Ne do të punojmë shumë në sensibilizimin, në mënyrë që nxënësit të dërgohen në mësimin e gjuhës dhe luturës shqiptare, për arsye se ata janë të integruar në sistemin e shteteve përkatëse ku jetojnë. Ndërsa, mësimit në gjuhën shqipe iu përgjigjen në shkallë jo të kënaqshme. Prandaj, ne këtu do të fokusohemi”,ka shtuar Guri.
Marrëveshja në mes të tri ministrive: Ministrive të Arsimit Kosovë dhe Shqipëri si dhe Ministrisë së Diasporës, parasheh jetësimin e plotë të saj për një periudhë tre vjeçare. Marrëveshja parasheh shumë çështje që duhet të trajtohen, që nga kurrikulat, tekstet mësimore, rekrutimi i mësimdhënësve, cilësinë e mësimit e deri te çështjet që kanë të bëjnë me financimin e programeve si dhe unifikimin e metodologjisë së punës.
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply