Në studimin e tij klasik “Origjina Sociale e Diktaturës dhe Demokracisë…”, Barrington Moore tentoi të parashikonte zhvillimet politike duke u bazuar në studimin e marrëdhënieve midis forcave social-ekonomike të një vendi të caktuar.
Ai arriti në përfundimin se janë këto marrëdhënie midis forcave social-ekonomike që përcaktojnë sistemin politik, qoftë ai diktatorial apo demokratik. Në këtë studim, Moore studioi tri forca kryesore: (1) fshatarësinë, (2) pronarët e tokave dhe (3) borgjezinë. Moore konkludoi në katër gjetje të rëndësishme, të cilat janë:
1. Një koalicion midis pronarëve dhe borgjezisë do të prodhonte një demokraci jo të qëndrueshme.
2. Fashizmi lind, kur militarizmi shërben për të unifikuar shtresat e larta të pronarëve për të shtypur çdo tendencë kapitaliste nga ana e borgjezisë.
3. Komunizmi lind, kur (1) pronarët e tokave nuk arrijnë të realizojnë tranzicionin për modernizimin dhe industrializimin e ekonomisë, dhe kur (2) ata dështojnë të çorganizojnë fshatarësinë. Kështu që, duke iu larguar revolucionit borgjez, pronarët bëhen viktima të një revolucioni fshatar.
4. Borgjezia është i vetmi burim për demokracinë. Pa borgjezi nuk ka demokraci.
Duke u nisur nga teoria e Moore mbi impaktin e forcave social-ekonomike mbi zhvillimet politike, shumëkujt mund t’i vijnë në mendje forcat social-ekonomike të shoqërisë shqiptare. Para afro një dekade, fshatarësia mbulonte rreth 70% të popullsisë së vendit dhe aktualisht mendohet se kjo shifër vërtitet rreth 60%.
Për sa i përket borgjezisë, Shqipëria nuk ka një shtresë të tillë të mirëfilltë. Këtu mund të futen të gjithë ata sipërmarrës të lidhur me aktivitete biznesi të çdo niveli, por që nuk janë të lidhur apo ndikuar nga politika, dhe personat e punësuar prej tyre. Gjithashtu, këtu mund të bëjë pjesë edhe ajo shtresë intelektualësh që mbështesin ekonominë e tregut të lirë.
Kjo shtresë mund të etiketohet me termin e vendosur nga Gramshi si “intelektual organik”. Në forcën e tretë social-ekonomike mund të inkuadrojmë ata elementë që kanë pushtet politik dhe ekonomik të mjaftueshëm për të influencuar ose vendosur diktatin e tyre mbi dy forcat e mëparshme, dhe që kanë pushtetin për të krijuar monopole.
Nëse do t’i ktheheshim të kaluarës së Shqipërisë, ne shikojmë se fashizmi, komunizmi dhe demokracia kanë qenë ngaherë prezente. Teoria e Moore vërteton prezencën e këtyre tre sistemeve politike në histori.
Së pari, prezenca e fashizmit në fund të 1930-ës dhe në fillim të 1940-ës është e lidhur ngushtë me diktatin absolut ushtarak të pronarëve të mëdhenj mbi borgjezinë dhe fshatarësinë.
Prezenca e komunizmit që nga 1944-a deri në 1990-ën është e lidhur ngushtë me dështimin e pronarëve për të modernizuar dhe industrializuar ekonominë, dhe dështimi i tyre për të çorganizuar fshatarësinë. Duke iu shmangur një revolucioni borgjez, pronarët ranë pre e revolucionit fshatar që solli komunizmin. Pas 1990-ës, vendi hyri në kohën e demokracisë.
Përpjekjet për vendosjen e demokracisë përsëri nxjerrin në pah ndarjen mes forcave social-ekonomike. Ndërsa në qytete luftohej për sjelljen e demokracisë, në fshatra filluan marshimet masive me portretet e diktatorit Hoxha për të mbrojtur komunizmin.
Gjithsesi, faktor të fuqishëm të jashtëm ndikuan që ky minirevolucion fshatar të mos kishte sukses dhe që demokracia të vendosej në vend. Qeverisja e 1992-1996-ës dhe ngjarjet e viteve 1996 dhe 1997, treguan se demokracia ishte shumë e brishtë dhe jo e qëndrueshme, edhe kjo si rezultat i simptomave fashiste (mbase edhe komuniste) që u shfaqën gjatë qeverisjes.
Çuditërisht, ndarja e forcave social-ekonomike u bë e dukshme në zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2009, ku ne kemi një ndarje të elektoratit respektiv në fshat edhe qytet. P.sh., Partia Demokratike në pushtet dominoi bindshëm në fshatra, kurse Partia Socialiste në opozitë dominoi në qytete.
Mbase teoria e Moore nuk mund të shpjegojë gjithçka, por ajo ngre te ne shumë aludime mbi rolin e fshatarësisë shqiptare në kulturën politike, elitën e pushtetit, dhe zhvillimet ekonomike të vendit.
Së pari, fshati ka një ndikim shumë të fuqishëm në politikën shqiptare për vetë faktin se përbën shumicën dërrmuese të popullsisë. Kultura politike është një produkt i kulturës në përgjithësi.
Kultura konceptohet si tërësia e njohurive, besimit, artit, moralit, ligjit, traditës dhe çdo sjellje dhe zakoni të përftuar nga një individ si një anëtar i një shoqërie. Kultura politike, nga ana tjetër, është orientimi konjitiv, afektiv, dhe evaluativ i një shoqërie përkundrejt institucioneve politike dhe ndërmjet elementëve të tyre.
Institucionet politike në tërësi formojnë aparatin e shtetit, të cilin Max Weber e konsideron si të vetmin entitet që ka monopolin dhe të drejtën e përdorimit të dhunës.
Në studimin e tyre “The Civic Culture”, Almond dhe Verba konkluduan se kultura politike mund të ndahet në tre rryma kryesore, të cilat zakonisht mund të kompletojnë njëra-tjetrën. Këto tri rryma janë: parochial, subjekt, dhe pjesëmarrëse.
Kultura politike që dominon shoqërinë tonë mund të klasifikohet si “subjekt”, për faktin se anëtarët e shoqërisë janë të vetëdijshëm për rolin e qeverisë dhe politikës në jetën e tyre, por nuk marrin pjesë në organizata apo evenimente politike.
Por, ajo çfarë fshati sjell në kulturën tonë politike, është mitizimi i politikës dhe i aktorëve të saj. Injoranca në zonat rurale kanë ndikuar në krijimin e miteve dhe në errësimin e realitetit politik. Mospasja e një sistemi qendror besimi e ka bërë këtë forcë social-ekonomike pre të manipulimeve nga politika dhe politikanët.
Është ky miksim i miteve me realitetin që ka shkaktuar një ndjenjë determinizmi që ka pllakosur fshatin shqiptar. Kjo nuk do të thotë se në qytet nuk vërehet ky fenomen, por se në fshat determinizmi është një pandemi politike.
Gjithsesi, pyetja qëndron, nëse kjo kulturë politike sjell e promovon diktaturë apo demokraci? Për sa i përket Moore, ai e etiketon fshatarësinë si një hambar të mbështetjes për sisteme diktatoriale.
Në vazhdimësi, kultura politike e fshatarësisë, përmes mitizimit dhe determinizmit politik (mbase ka edhe doza fatalizmi), prodhon indiferentizëm politik, që lejon mundësinë e krijimit të një klase politike që nuk promovon, përfaqëson dhe mbron interesat e shoqërisë. Me indiferentizëm politik nuk i referohem thjesht mospjesëmarrjes në votim.
Indiferentizëm politik quaj mosangazhimin e shoqërisë në organizata politike (si parti politike), fushata politike dhe komunikim me përfaqësuesit e tyre në pushtet.
Për sa i përket klasës politike, nëse do ta analizonim atë, ne do të shihnim që kjo klasë ka një mungesë të theksuar profesionalizmi dhe përkushtimi në punën e saj si përfaqësuese e popullit.
Shumë prej pjesëtarëve të klasës politike e konsiderojnë politikën si mënyrë jetese ose si instrument për të mbrojtur interesat e ngushta klanore. Shumë pak mund ta quajnë politikën profesion. Indiferentizmi gjithashtu ka sjellë dominimin e partive nga një grup shumë i vogël njerëzish.
Duke qenë një grup i vogël, konkurrenca përbrenda llojit është e dobët dhe, si rrjedhojë, kandidaturat që përzgjidhen nga ky grupim janë me shumë pak vlera, për të mos thënë që dalin për t’u shërbyer interesave të grupimit nga i cili doli. Një angazhim më i madh në partitë politike do të sillte sa më shumë konkurrencë, dhe rrjedhimisht sa më shumë cilësi në përzgjedhjen e kandidaturave.
Por cila është zgjidhja e këtij problemi me fshatin dhe fshatarësinë? Një mënyrë është modernizimi dhe industrializimi i fshatit shqiptar. Modernizimi dhe industrializimi i fshatit nis me reformat e pronësisë së tokës.
Kjo mund të bëhet përmes njërës prej dy mundësive të mëposhtme: (1) Kthimi i tokës te pronarët legjitimë, ose (2) Pajisja e fshatarësisë me tapitë e tokës. E para, në kushtet aktuale mund të konsiderohet e vështirë për t’u kryer (por jo e pamundur). Mënyra e dytë duket më e mundshme për t’u realizuar.
Por realizimi i kësaj iniciative nuk do të ketë asnjë vlerë, nëse nuk implementohet një strategji e detajuar për të motivuar shitblerjen e tokës. Kjo gjë do të bënte të mundur koncentrimin e tokës te disa individë ose grup individësh. Duke u bërë ky koncentrik, pronarëve të rinj do t’u jepej mundësia të bënin investime kapitale.
Normalisht, për të rritur përfitimet e tyre, këta pronarë do të vinin në përdorim teknologji të avancuara. Superprodhimi do të nxiste një lidhje midis pronarëve dhe tregtarëve në qytet. Dhe kjo lidhje nuk do të bazohej në metodat primitive të “llafit të gojës”, por në procedurat “moderne” të kontratave ligjore.
Pengesa e vetme e implementimit të kësaj strategjie është mendësia dhe “egoizmi” predominant në fshat, se toka është e imja dhe unë nuk punoj argat te tjetri, edhe pse fshatarët po bëjnë afro 18 vite që rropaten pas tokës për të nxjerrë bukën e gojës. Kjo është pika mbi të cilën duhet punuar për të ndërgjegjësuar fshatarësinë.
Po përse e gjithë kjo? Modernizimi dhe industrializimi i fshatit do ta fuste ekonominë e vendit në një fazë tjetër zhvillimi, nga faza tradicionale, në atë që Rostov e quan ngritja (take-off).
Një zhvillim i tillë ekonomik do të sillte një sheshim të diferencave midis fshatit dhe qytetit, duke iu afruar kompozicionit të shoqërive të përparuara demokratike dhe moderne në botë.
Ky ndryshim i fshatit do të sillte edhe një sofistikim politik të kësaj force social-ekonomike (që deri në atë fazë do të jetë transformuar), formimin e ndërgjegjes dhe rritjen e pjesëmarrjes politike, dhe do të promovonte më shumë vlera demokratike në shoqërinë shqiptare.
Vetëm atëherë shoqëria jonë mund të shpresojë për një politikë vlerash – politikë, që do të përfaqësonte realisht vlerat më të mira të shoqërisë sonë. Në të kundërt, Shqipëria dhe shqiptarët do të jetojnë në një sistem politik me demokraci të pastabilizuar, për mos të thënë se mund të bien edhe viktimë e ndonjë diktature të mundshme.
Bledar H. Prifti/shekulli


Leave a Reply