
Të NDALOHET IKJA NGA VENDLINDJA E BEKUAR
Dijana Gj. DUKAJ
Të dhënat e autoriteteve gjermane, të publikuara fundjavën që lamë pas, edhe pse mjaft shqetësuese, nuk ishin befasuese për opinionin shqiptarë, pasi sipas tyre, rreth 55 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil gjatë vitit 2015, në Gjermani. Sipas të dhënave të publikuara, një shifër kaq e madhe e radhitë Shqipërinë, si vendin e dytë me numrin më të madh të azilkërkueseve, pas Sirisë.
Edhe pse kjo dukuri ka përfshirë rajonin e Ballkanit, prapëseprapë, për një vend si Shqipëria, ajo është shifër tepër e madhe. Aq më parë pasi krahasuar me një viti më parë, në vitin 2015 kjo shifër është pesëfishuar. Shqetësimin e thellë e shprehu edhe kreu i shtetit shqiptar, Z. Bujar Nishani, i cili në takimin e përvitshëm me përfaqësuesit e mediave shqiptare, ku ishim të ftuar edhe ne, mes tjerash tha: …”një problem i madh dhe tejet brengosës është ikja e shqiptarëve. Pse po ikin shqiptarët në vitin 2015? Çfarë po i detyron ata ta braktisin vendlindjen? Çfarë ua ka vrarë shpresën për një të ardhme më të mirë këtyre njerëzve? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje pa ekuivoke nga faktorët përgjegjës dhe marrjen e masave urgjente.”
Ashtu siç i takon, kjo dukuri ishte mjaft shqetësuese për kreun e shtetit i cili kërkoi nga faktorët përgjegjës marrjen e masave sa më parë në përmirësimin e kushteve të përgjithshme të jetës në rritjen e shpresës për një jetë më të mirë në vendlindje. Ne, banorët nga Malësia, e kuptojmë dhe përjetojmë thellë dukurin e emigrimit të bashkëvendësve në botën e jashtme pasi që, një Malësi e tërë jeton vetëm në SHBA, ku janë strehuar të afërmit tanë, bashkëkombës të shumtë duke vetmuar fshatra të tëra në trevat e Malësisë së Madhe.
Emigrimi masiv filloi para afro pesëdhjetë viteve të plota dhe ka vazhduar gjithnjë me emigrimin e mijëra familjeve dhe individëve nga këto hapësira të cilët jetojnë dhe punojnë në qendra të shumta, sidomos në SHBA. Është e njohur se ata kurrë nuk e harruan vendlindjen e vet, tokën e të parëve duke e ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e sajë, jetën dhe të përditshmen e banorëve që kanë vazhduar jetën në këto treva. Ata, në periudha të ndryshme braktisën votrat e veta nga mungesa e perspektivës në këto treva të lëna pas dore nga të gjitha regjimet duke nxitur kështu shpërnguljen e banorëve shqiptarë.
Sot, brezi i ri që jemi duke u rritur në këto hapësira dëshirojmë dhe urojmë të ndalet vala e emigrimit të bashkëkombësve tanë, me shpresë se elita politike në të gjitha trevat shqiptare, do të angazhohet maksimalisht në krijimin e parakushteve të nevojshme për të krijuar dhe punuar në vendlindjen tonë të dashur. Sot, në kohën e realizimit të aspiratave shekullore të integrimit të popullatës shqiptare në familjen e gjerë evropiane, atje ku edhe e kemi vendin për nga tradita, kultura dhe lashtësia shekullore e popullit shqiptar.
Shqetësimi i presidentit, B. Nishani, lidhur me këtë çështje dhe ftesa e tij për krijimin e kushteve më shpresëdhënëse nga faktorët përgjegjës, le të jetë frytdhënës dhe të urojmë që viti të cilin sapo kemi filluar të ndaloj fluksin e ikjeve nga vendlindja, duke shënuar të arritura të dëshiruara për të vazhduar jetën në tokën e bekuar shqiptare.
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply