P.S. Ese-në e mëposhtme të titulluar: “Të lutem xhaxhi kryeministër” e kam shkruar disa vite më parë, pa iu drejtuar personalisht ndonjë kryeministri shqiptar, por kujtdo kryetari të çdo lloj qeverie që janë ndëruar në vitet e gjata të ashtuquajturës demokraci që kanë ardhur në pushtet dhe që kanë drejtuar vendin.
Po e sjell përsëri…
Ese-ja është përmbledhur në librin tim: “FALEMINDERIT Shënime nëpër vite”
Të lutem xhaxhi Kryeministër!
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Të lutem xhaxhi Kryeministër i vendit tim!
Me këtë fjalë ”Të lutem” po j’u drejtohem unë, fëmija shqiptar i ngujuar prej disa muajsh në shtëpi. Jam i ngujuar nga ligjet e Kanunit. Jam i pafajshëm, fëmijë i ardhur në jetë dhe, si i tillë dua të jetoj edhe unë si moshatarët e mi.
Edhe unë kam ëndrra fëmijërore. Edhe unë dëshiroj të dal jashtë shtëpisë e të luaj me shokët. Edhe unë dua të shkoj në shkollë të mësoj, por këto e shumë të tjera si këto xhaxhi kryeministër vazhdojnë të jenë për mua vetëm ëndrra, ëndrra të parealizuara, të pashijuara.
Unë jam një i ”burgosur” jetim, një lule e zbehtë e vetmuar që po rritem vetëm në errësirë pa e parë dritën e diellit, pa e parë botën jashtë shtëpisë ku jam ngujuar, pa e parë natyrën e bukur. Stina e bukur Jetë, mua nuk po më gëzon, se ligjet e Kanunit i kanë mposhtur ligjet e vendit qeverinë e të cilit e drejtoni Ju dhe që unë pata fatin të lindem e të rritem në këtë vend.
Të lutem xhaxhi Kryeministër i vendit tim. Mundohu të të shkojë mendja ndonjëherë të kujtohesh edhe për mua fëmijën e ngujuar….
Të lutem xhaxhi Kryeministër i vendit tim!
Me këto fjalë po u drejtohem unë, fëmija shqiptar banor i Republikës së Shqipërisë që në këtë ditë të ftohtë dhjetori po notoj në oborin e shtëpisë sime nga shirat që kanë rënë. Kam shumë ftohtë xhaxhi Kryeministër. Po më mbërdhijnë shumë duart, këmbët, trupi po më dridhet nga të ftohtët. Nëna ime e gjorë kur më sheh qan dhe vetëm qan. S’ka ç’të më bëjë, sillet rrotull shtëpisë duke psherëtirë dhe flet me veten e saj. Ajo mallkon dikë’ për këtë vuajtje dhe mjerim që po kalojmë, por unë nuk arij dot të kuptoj se cilën mallkon ajo. Ndërmjet fjalëve që ajo mërmërit në mallkimin e saj mua më kapi veshi fjalën qeveri…
Më beso xhaxhi Kryeministër, jam i pangrënë, kam shumë uri, kam shumë ftohtë. Dua të ushqehem, të ha diçka, por nuk ka asgjë për të ngrënë në shtëpinë time. Nëna dhe babai im nuk punojnë. Ata nuk janë të sëmurë, as invalidë nuk janë, madje janë të shëndetshëm nga ana shëndetësore, por, nuk kanë ku të shkojnë e të trokasin për punë xhaxhi kryeministër. Ditën unë shkoj tek tregu i qytetit tim. Atje ka shumë gjëra të mira për të ngrënë dhe unë kam shumë dëshirë t’i provoj të gjitha, por nuk kemi me s’e t’i blejmë. Më beso xhaxhi Kryeministër, kur unë i shoh ato, atëhere më merr më tepër uria. Atje nuk ka vetëm molla të ndaluara, atje çdo gjë për mua është e ndaluar.
Ja ç’më ndodhi një ditë: Kalova pranë dyqaneve të bulmetit ku shitet gjizë dhe djathë. Isha shumë i urritur. Doja të shuaja urinë; doja të provoja pak nga ato, por ai xhaxhi që shihte, sapo unë zgjata dorën, më bërtiti dhe më qelloi në duar.. U largova xhaxhi Kryeministër, jo vetëm u uritur, por edhe i turpëruar.
Një ditë nëna në shtëpi po qante dhe si gjithmonë mallkonte. Unë dëgjova edhe këtë xhaxhi kryeministër: “Ah ai i gjori Luli i Vocër si nuk ndryshoi në Shqipëri gjithë këto vite…” dhe ma spjegoi historinë e tij. Edhe unë xhaxhi Kryeministër tani në këtë shekull të ri jam një Lul i Vocër, i mbërdhirë, i uritur, që po jetoj në një kohë ”moderne” në kohën e mjerimit.
Kam dëgjuar xhaxhi kryeministër se edhe vendi im ka një qeveri që drejtohet nga një kryeministër, por unë atë nuk e kam parë ndonjëherë, se nuk kam televizor në shtëpi. Edhe xhaxhi komshija që na dha një televizor të vjetër, ai më tepër është i prishur se sa punon, por edhe atëhere kur punon, vetëm pak minuta shohim, se, ndërpritet korenti…
Të lutem xhaxhi Kryeministër!
Po të lutem unë, fëmija i vendit tënd dhe timit bashkë. Po të lutem unë, fëmija jetim me prindër gjallë. Më ka marë malli shumë për babin tim, xhaxhi Kryeministër. Kam disa vite pa e parë, t’a shoh nuk e njoh. Është emigrant në shtet të huaj dhe nuk vjen dot të na shohë e të shmallet se është pa dokumenta. Vetëm zërin i dëgjoj në telefon. Ai kur më dëgjon mua kur bisedojmë në telefon, më tepër qan nga malli se sa flet. Edhe pse më të shumtën e kohës babi im në shtet të huaj mbetet pa punë, ai përsëri nuk kthehet të vijë, se në vendin tënd dhe timin bashkë nuk ka punë.
Të lutem xhaxhi Kryeministër!
Më beso dhe më ndihmo, jam sëmurë!
Oh, po më dhëmb koka, barku po më dhëmb shumë. I gjithë trupi po më dhëmb. Më duket se dikush po më çpon me gjilpërë. Nëna ime e mirë më sheh, qan dhe vetëm qan, duke përsëritur përsëri Lulin e Vocër: “S’ka bukë, s’ka zjar, s’ka të holla për doktor”
Ku të shkojmë xhaxhi kryeministër? Nuk kemi lekë për doktorë dhe për ilaçe.
Ja, tani që po ju shkruaj e di sa shumë po më dhëmbin këmbët? Dhe po t’a them pse: Në këto ditë të ftohta dimri, në këtë mot të keq me shi, erë dhe baltë ku uji na ka hyrë në shtëpi, unë nuk kam këpucë të vesh. Një shoqe e mamit, teta…., nuk po më kujtohet emri i saj, kur më pa, i erdhi keq për mua dhe i dha mamit një palë këpucë të vjetra. Nuk e di ku i kishte gjetur ato këpucë të vjetra. Unë menjëherë i vesha, megjithëse ato dukeshin që ishin të vogla. Më mirë të mos i kisha veshur. Ato m’i vranë këmbët, m’i bënë plagë, gjak. Megjithëse unë i kam akoma në shtëpi se më vjen keq t’i hedh, unë prap jap pa këpucë.
Xhaxhi Kryeministër!
Po të lutem si fëmijën tënd ( megjithëse fëmija yt kurrë nuk të është lutur për ushqim apo për veshje. Ai ndoshta të është lutur për në cilin plazh të botës modern e të shtrenjtë të shkojë për të pushuar, apo në cilin kryeqytet të Evropës, Paris, Londër, Romë… a gjetkë të shkojë për t’u shkolluar.
Je vetë prind dhe nëse ke arsyetimin të gjykosh me ndjenjën e prindit më ndihmo, dua të ritem edhe unë, të bëhem njeri i ndershëm për familjen dhe vendin tim. Sot që jam fëmijë dua të ritem i ndershëm, që nesër në gjakun tim të mos ketë përqindje droge. Nuk dua të jem njeri hajdut , gënjeshtar dhe i korruptuar ndaj vendit dhe popullit tim. Nëna ime shpesh i lutet Zotit që unë të rritem e të bëhem një fëmijë i mbarë. Nëna ime e mirë gjithmonë më këshillon të mësojë në shkollë, të kem dhe unë fatin e mirë, të gjej dhe unë veten time, vendin që më takon në jetë në atdheun tim, ndoshta edhe të drejtoj vendin tim dhe qeverinë e tij, por jo të shfrytëzoj gjakun dhe djersën e popullit tim. Nuk dua të vjedh, të kem vila dhe apartamente të shtrenjta, kur populli im vuan për bukën e gojës…
Xhaxhi Kryeministër!
Kam dëgjuar se fadromat shembin ndërtimet e paligjshme dhe se janë sekuestruar apartamente dhe vila që janë ndërtuar me para të dyshimta. Pse nuk shemben dhe nuk sekuestrohen vilat dhe apartamentet e qeveritarëve dhe politikanëve tanë? Edhe ata qytetarë të këtij shteti janë, po pse kanë vila dhe apartamente më shumë se ç’i takojnë…?
Të lutem xhaxhi Kryeministër !
Po të lutem ty me këto fjalë të më ndihmosh, meqenëse ke marë një përgjegjësi ndaj vendit dhe popullit shqiptar, për të drejtuar qeverinë e këtij vendi.

Burimi – Memedheu


Leave a Reply