
Lajmi i sulmit të befasishëm me vezë ndaj kryeministrit Edi Rama, nga një grup studentësh që protestonin kundër ligjit të ri klientelist dhe falimentues të arsimit të lartë, është përhapur me shpejtësi deri përtej Atlantikut. Teksa portalet shqiptare zienin nga lajmet dhe detajet e sulmit ndaj kryeministrit, nuk kanë munguar as komentet dhe reagimet e natyrave të ndryshme.
Kështu, veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shenasi Rama, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, ka qenë i ashpër në reagimin e tij ndaj sulmit me vezë. Teksa ka mbështetur aktin e studentëve, Shenasi Rama ka shtuar një pyetje deri diku retorike dhe nxitëse për studentët. Shenasi Rama shtron pyetjen nëse ka ardhur koha që politikanët të nisin t’i gjuajnë me plumba.
Ndërsa ka uruar studentët që morën pjesë në sulmin e kryeministrit me vezë, Shenasi Rama mendon se mund të ketë ardhur koha që vezët të zëvendësohen me gurë dhe pse jo edhe me plumba. “Kryeministrin e qëlluan me vezë…. urime atyre studentëve! Edhe sa kohë mendoni ju se do të duhet që njerëzit të nisin t’i gjuajnë të gjithë këta me gurë? Po me plumba a do të jetë e nevojshme dhe a do të ndodhë?”, shkruan Shenasi Rama.
Ndërkaq, Shenasi Rama sqaron se nuk po bën thirrje për luftë, por ai konstaton se kur paria sunduese nuk ndërron rrugë, përfundon në revolucion dhe gijotinë. “Nuk po bëjmë thirrje për luftë, por po themi se ka një përshkallëzim që është i mundshëm dhe që është verifikuar në raste të tjera. Kur paria sunduese nuk ndërron rrugë, përfundon në revolucion dhe në gijotinë”, ka theksuar Shenasi Rama. Rama ka denoncuar në vijimësi poshtërsitë, vjedhjet, korrupsionin dhe vrasjet të asaj që ai e quan paria sunduese e Tiranës. Shenasi Rama ka edhe një platformë për të shpëtuar nga kjo pari, e cila prej një çerekshekulli mban peng vendin, duke vjedhur, plaçkitur dhe sunduar, me anë të blerjes së votave, pasurimit dhe manovrave elektorale.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply